Partia Demokratike i kërkoi të mërkurën Prokurorisë së Përgjithshme të hetojë deputetët Aqif Rakipi dhe Gjetan Gjetani, duke pretenduar se ka dyshime të arsyeshme se të dy subjektet kanë rekorde kriminale.
“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike depozitoi sot në prokurori kërkesën për kontrollin e të dhënave të dekriminalizimit për deputetin Aqif Rakipi dhe për deputetin Gjetan Gjetani, lidhur me dyshime për fshehjen e të dhënave për aktivitet kriminal, që sipas ligjit për dekriminalizimin duhej ti pengonte për të marrë poste publike apo për tu zgjedhur,” njoftoi PD nëpërmjet një njoftimi për shtyp.
“Denoncime nga publiku dhe partnerët pranë Partisë Demokratike përbëjnë indicie për të verifikuar nëse të dy këta deputetë kanë fshehur rekorde kriminale në të kaluarën e tyre në lidhje me aktivitete të paligjshme të kryera në Itali,” shtoi ajo.
Gjetan Gjetani është deputet i Partisë Socialiste i zgjedhur në qarkun e Lezhës. Më parë ai ka punuar si përgjegjës sektori në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Kurbin. Në formularin e tij të vetdeklarimit ai ka deklaruar se gjëndja e tij gjyqësore është e pastër dhe nuk ka gjeneralitete të mëparshme.
Ndërkohë Aqif Rakipi, një biznesmen në sektorin minierave dhe pasurive natyrore, është deputet prej dy mandatesh i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU). Rakipi nuk pohon në formularin e vetdeklarimit të ketë pasur në të kaluarën probleme me ligjin, ndërkohë që ka jetuar nga viti 1993 deri në vitin 1999 si emigrant në qytetin italian të Milanos.
Rakipi e gjeti veten në syrin e një cikloni mediatik në gusht, pasi aksidentoi me makinë një 53-vjeçar duke i shkaktuar vdekjen dhe u larguar nga vendngjarja pa i ofruar ndihmën e shpejtë.
Ai ndërkohë është në hetimin nga Prokuroria që nga legjistlatura e kaluar si subjekt i ligjit të dekrminalizimit. E pyetuar nga BIRN, Prokuroria e Përgjithshme u shpreh se për Rakipin nuk ka akoma një vendimmarrje mbi pastërtinë apo jo të figurës së tij, “pasi priten përgjigje nga disa autoritete të huaja.”
Kërkesa e Partisë Demokratike bazohet në ligjin “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike,” i njohur gjithashtu si ligji i dekriminalizimit. Kjo kërkesë vjen pas një fjalimi të ashpër të ambasadorit amerikan në Tiranë Donald Lu, i cili gjatë një ceremonie të hënën në 20 vjetorin e Shkollës së Magjistraturës, i kërkoi qeverisë t’i shpallë luftë pa kompromis krimit të organizuar.
Sipas Lu, katër klane kryesore kontrollojnë 20 familje kriminale në Shqipëri, të cilat menaxhojnë operacione të trafikut të drogës dhe atij njerëzor, shantazhe, vjedhje të makinave apo të pastrimit të parave.
Pas kërkesës së Partisë Demokratike për verifikimin e të kaluarës së tij, deputeti socialist Gjetan Gjetani i ka cilësuar aludimet e opozitës si të pavërteta në një deklaratë për gazetën Panorama.
“Unë s’kam dalë kurrë jashtë shtetit, për herë të parë kam kaluar kufirin në prill të këtij vitit dhe kam kaluar 10 orë me familjen në Kotorr. S’kam qenë as në Itali as në Greqi dhe as një vend të BE,” tha ai duke iu referuar akuzave të opozitës. “Në kohën që i referohet PD kam qenë polic këtu në Shqipëri,” shtoi ai.
Në një deklaratë për shtyp PDIU ka mohuar gjithashtu që deputeti Rakipi kishte një të kaluar kriminale, duke akuzar Partinë Demokratike dhe kreun e saj Lulzim Basha se po kërkonte të tërhiqte vëmendjen nga kriza e saj e brendshme pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare.
“Z. Aqif Rakipi është verifikuar dhe stërverifikuar nga institucionet ligjzbatuese për drekriminalizimin dhe zyrtarisht Interpoli dhe Prokuroria kanë deklaruar se nuk ka të dhëna për implikimin e tij. Ai është deputet për herë të dytë, me një mbështetje të madhe në Elbasan, dhe duket se kjo është hal në sy për Partinë Demokratike, që rrezikon të mbetet fuqi e tretë politike në atë qark,” tha PDIU
“Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet i bën thirrje Lulzim Bashkës të mos transferojë problemet e brendshme diku tjetër dhe të mos vazhdojë me nenin e agjitacion-propagandës të komunizmit, por të kuptojë se në shtetin ligjor ka detyrimin të paraqesë fakte dhe jo të detyrojë 37 deputetë të firmosin fletërrufe për të ushtruar trysni ndaj prokurorisë,” përfundoi ajo.