Partia Demokratike kërkoi të hënën heqjen e imunitetit të deputetit të PDIU-së Aqif Rakipi, i cili mëngjesin se së shtunës u përfshi në një aksident automobilistik, që i shkaktoi vdekjen 53 vjeçarit Seit Sorra.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 04:41 të mëngjesit, në rrugën interurbane kryesore Vorë-Tiranë, në afërsi të mbikalimit të kthesës së Kamzës.
Përplasja me makinën tip Mercedes të Rakipit, ishte fatale për Seit Sorrën – banor i zonës së Kasharit, ndërkohë që deputeti i PDIU-së u largua nga vendgjarja, pa tentuar që të t’i ofrojë ndihmën e parë viktimës.
Në një reagim publik për aksidentin në të cilën është përfshirë deputeti Rakipi, të hënën Partia Demokratike kërkojë heqjen e imunitetit të deputetit të PDIU-së.
“Neni 273 i Kodit Penal, i cili është në fuqi edhe për miqtë e Edi Ramës, dikton se Aqif Rakipi mban përgjegjësi edhe për largim nga vendi i aksidentit, përgjegjësi që në vetvete denohet deri në 1 vit burgim,” thuhet në deklaratën e Partisë Demokratike.
“Largimi nga vendngjarja pas përplasjes për vdekje të Seit Sorrës, përveçse akt burracak i deputetit Rakipi, është edhe vepër e pastër penale që e rëndon pozitën e tij para ligjit,” shtoi ajo.
Rakipi fitoi një mandat të dytë parlamentar si pëfaqësues i PDIU-së në rajonin elektoral të Elbasanit gjatë zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit.
Në Shqipëri deputetët nuk gëzojnë imunitet nga hetimi për një vepër penale, por për heqjen e lirisë së tij personale kërkohet miratim i parlamentit. Është e paqartë nëse nëpërmjet thirrjes së saj Partia Demokratike po kërkonte arrestimin e Rakipit.
Ndonëse thirrja publike e PD-së ka qenë e paqartë, një kundërpërgjigje publike nga PDIU nuk ka vonuar. Këta të fundit e kanë akuzuar Partinë Demokratike se po bën politikë me aksidentin.
“PDIU i bën thirrje Partisë Demokratike në mjerim të mos bëjë rolin e hienave me një rast të një aksidenti tragjik që urojmë mos t’i ndodhë kërkujt,” tha PDIU në një deklaratë për shtyp.
“Ndërhyrja politike dhe në raste të tilla aksidentesh është një politikë e mjerë jashtë çdo standardi demokratik dhe mënyra më absurde për të bërë opozitë,” shtoi ajo.
Në një deklaratë më të hershme PD-ja e kishte akuzuar Rakipin se po përfintonte nga marrëdhënia e afërt me kryeministrin për të manipuluar vendin e aksidentit.
“Të dhënat janë se deputeti mik i Ramës ka qenë me shumë shpejtësi kur ka përplasur për vdekje personin dhe është larguar edhe nga vendngjarja me makinën e tij,” u shpreh PD.
“Prishja e vendngjarjes do t’ju sjellë vështirësi eksperteve në përcaktimin e shkaqeve te aksidentit” thuhej në deklaratën e PD-së menjëherë pas aksidentit rrugorë,” shtoi ajo.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar Policia e Shtetit e cila ka dhënë garanci për veprimet hetimore.
“Pavarësisht lëvizjes nga vendi i ngjarjes dhe paraqitjes në Komisariatin e Policisë të drejtuesit të automjetit, janë kryer të gjitha veprimet hetimore dhe proçeduriale, ekzaminimet e ndryshme kriminalistike , testi i alkoolit dhe sqarimi i rethanave të ngjarjes,” tha Policia rreth incidentit.
Në deklaratën e saj, policia theksonte se “se është e do vazhdojë të jetë garantë e zbatimit të ligjit, pavarësisht nga statuset apo përfaqësimet e subjekteve “.
Aksidenti rrugorë në të cilën u përfshi deputeti Rakipi ka ngjallur reagime të mëdha dhe në rrjetet sociale. Për shkak të debateve të krijuara, Prokuroria ka kërkuar që krahas ekspertit auto-teknik të Policisë, të caktoheshin edhe dy ekspertë të tjerë auto teknik të jashtëm, me qëllim kryerjen e një ekspertimi auto teknik me grup ekspertësh, prej të cilëve pritet zbardhja e plotë të rrethanave dhe shkaqeve që shkaktuan aksidentin rrugor me pasojë vdekjen 53-vjeçarit Seiat Sorra.