Policia gjeti afro 33 milionë lekë para të thata në shtëpinë e gjyqtarit pas një hetimi që nisi për shkak se Miri dyshohej se kishte marrë para për të liruar nga burgu një të dënuar për vrasje përmes riklasifikimit të veprës së tij penale.
Gjykatësi Shkëlqim Miri, i Gjykatës së Apelit Tiranë përfundoi në pranga mbrëmjen e kaluar pas një hetimi me metoda përgjimi të përdorur nga policia e Tiranës dhe prokuroria e rrethit gjyqësor Tiranë pas dyshimeve se një vendim i këtij gjyqtari qe ndërmarrë në shkëmbim të parave dhe pati sjellë lirimin nga burgu të një vrasësi të dënuar më herët me 20 vjet burg.
Sipas njoftimit të policisë, gjykata e faktit në Tiranë pati dënuar një person për vrasje dhe armëmbajtje pa leje, por në gjykatën e apelit, përkundrejt parave, vrasja u riklasifikua si plagosje e rëndë, gjë që solli lirimin e të dënuarit nga burgu. Miri, 46 vjeç, ka mbajtur më herët postin e anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, autoritetit përgjegjës për gjykimin dhe mbajtjen përgjegjës të gjykatësve të zënë në shkelje.
“Ndalimi i tij u krye në funksion të procedimit penal proaktiv të vitit 2017, për veprat penale të “korrupsionit aktiv të gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë,” “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, thuhet në njoftimin e policisë. Në rast se gjehet fajtor, Miri rrezikon nga 3 deri në 10 vjet burg.
Në rastin e dytë të këtij lloji në të gjithë historinë e hetimit të korrupsionit në sistemin e drejtësisë, policia kreu edhe kontroll të banesës së gjyqtarit të dyshuar dhe gjeti aty 174,810 euro, 10,149,000 lekë dhe 1,000 dollarë. Me mbi 33 milionë lekë para të thata në banesë, gjyqtari ka gjasa do të përballet edhe me akuza të tjera. Prokuroria shqiptare në përgjithësi ka ngurruar të kryejë kontroll banese edhe në ato të paktat raste të hetimit pasuror të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Një investigim i mëparshëm i BIRN zbuloi se ky mjet verifikimi është përdorur vetëm në një rast nga tetë procedime gjyqtarësh dhe prokurorësh të regjistruara deri në vitin 2016.
Miri ka filluar karrierën si gjykatës në vitin 1999 dhe deklaratat e tij të pasurisë e paraqesin si një person modest me një shtëpi të thjeshtë dhe pa automjet në pronësi.
Gjatë viteve të fundit prokuroria dhe gjyqësori kanë rënë në presion në rritje për të luftuar korrupsionin në rradhët e tyre. Ish-gjyqtarja e Gjykatës së Lartë Majlinda Andrea u shpall fajtore në qershor 2017 për ryshfet nga vetë ish-kolegët e saj në Gjykatën e Lartë. Ajo u dënua me katër vjet burg me shërbim prove, gjë që do të thotë se është e lirë. Bashkëshorti i saj, Odhise Andrea, i cili pati vepruar si ndërmjetës në rastin korruptiv dhe njëkohësisht ishte zyrtar i lartë i Kuvendit të Shqipërisë, u dënua me një vit e gjashtë muaj burg.
Ish-prokurori Haxhi Giu u dënua në maj 2016 për korrupsion me dy vjet e katër muaj burg, pasi u kap në flagrancë duke marrë ryshfet.
Ish-gjyqtari i Sarandës Rasim Doda është aktualisht në gjykata, pasi është shpallur fajtor për ryshfet dhe është dënuar me 4 vjet e 6 muaj burg. Gjykata e Apelit e ka rikthyer çështjen e tij për rishqyrtim në gjykatën e faktit.