Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi “me vendim të ndërmjetëm” të kërkojë informacion shtesë nga Prokuroria e Përgjithshme për dy deputetët Aqif Rakipi dhe Gledjon Rehovica, për të cilët, prokuroria ka konkluduar se kanë gënjyer te formulari i dekriminalizimit për keqbërje të vogla në Itali.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shtyu vendimmarrjen mbi kërkesën e prokurorisë së përgjithshme për ndërprerjen e mandatit për dy deputetë, me argumentin se ka nevojë për informacion shtesë nga prokuroria. Kërkesa e prokurorisë u shqyrtua në mbledhjen e KQZ-së të datës 3 janar 2018 ku u vendos se për deputetët Aqif Rakipi dhe Gledjon Rehovica, prokuroria të japë informacione shtesë. Në një mbledhje tjetër, KQZ-së do t’i duhet të vendosë fatin e tyre.
Rakipi nga Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, është deputet që nga viti 2013 në Qarkun e Elbasanit. Ai rezultoi shumë i suksesshëm në zgjedhjet e vitit 2017 pasi PDIU arriti të marrë në Elbasan 18 për qind të votave duke siguruar dy nga tre mandatet e kësaj partie. Por Partia Demokratike në opozitë kërkoi tetorin e kaluar verifikim të thelluar për pastërtinë e figurës së Rakipit dhe një deputeti tjetër të Partisë Socialiste. KQZ thotë në relacionin e projektvendimit të saj se të gjitha verifikimet me emrin e Rakipit në Shqipëri dhe Itali nuk kanë sjellë rezultat, por prokuroria dërgoi për verifikim gjurmët e gishtave të Rakipit, të marra nga kompania koncesionare e prodhimit të pasaportave dhe kartave të identitetit. Nga verifikimi i gjurmëve të gishtave në Itali ka rezultuar se “Aqif Rakipi është raportuar me datë 03.11.1998, për veprën penale të marrjes së mallrave të vjedhur me gjenealitetet SKËNDER EJYLBEGAJ, lindur më 24.03.1962, regjistruar më 08.10.1996 me gjenealitetet Aqif Rakipi, lindur më 01.04.1964.”
Marrja e mallrave të vjedhura nuk përfshihet në llojin e veprave penale që e bëjnë një subjekt të pazgjedhshëm në poste publike, por Rakipi rrezikon të humbasë mandatin për shkak se ka dështuar të deklarojë këtë episod në formularin e vetëdeklarimit.
Ishin gjithashtu gjurmët e gishtave që shkaktuan telashet për deputetin Gledjon Rehovica nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Rehovica, i zgjedhur deputet në Qarkun e Beratit, rezultoi fillimisht i pastër nga verifikimet, por gjurmët e gishtave të verifikuara në Itali “ka rezultuar se ndaj z. Gledion Rahovica, më datë 27.02.1999, është raportuar vepra penale “Vjedhje Dyqani”, me gjeneralitete të z. Kusta Mina, lindur më datë 21.12.1978 në Shqipëri”.
KQZ shpalli të pastër dy ish-deputetë, Mhill Fufin nga Partia Demokratike dhe Omer Mamon nga PDIU me konkluzionin se dy personat e mësipërm “nuk përfshihen në kushtet e ndalimit”. Sipas relacioneve të KQZ-së, të dy këto subjekte kanë rezultuar të pastër nga procesi i verifikimit në Shqipëri dhe në Itali.
Fufi, deputet i Partisë Demokratike nga Qarku Lezhë për legjislaturën 2013-2017, ka rezultuar i ndaluar nga policia shqiptare dy herë në flagrancë për veprën penale “shfrytëzim prostitucioni” në vitet 2000 dhe 2001, por hetimet ndaj tij kanë mbyllur më vonë dhe në tërësi rezulton i padënuar. Ai i ka deklaruar të dyja episodet në formularin e tij të dekriminalizimit.
Mamo, deputet i PDIU për Qarkun Fier për legjislaturën 2013-2017, e ka deklaruar formularin të pastër dhe sipas relacionit të KQZ, verifikimi i thelluar ka nxjerrë rezultate negative.
KQZ vendosi gjithashtu të shpallë subjektin Eduart Kapri, aktualisht kryetar i Bashkisë Pogradec për Partinë Demokratike, të paprekur nga procesi i verifikimit. Kapri rezultoi i dëbuar nga shteti italian si emigrant i paligjshëm në vitin 1998 dhe nuk e kishte deklaruar këtë të dhënë në formularin e dekriminalizimit, por ka sqaruar para prokurorëve se ai ishte ndaluar në Itali ndërsa po kalonte tranzit rrugës së kthimit për në Shqipëri dhe nuk kishte dijeni se ndaj tij kuestura italiane kishte nxjerrë urdhrin e përzënies.
Ligji Për Verifikimin e Pastërtisë së Figurave u miratua në vitin 2015 në Kuvendin e Shqipërisë dhe synon të ndalojë pjesëmarrjen në jetën politike të vendit të personave që kanë kryer krime të rënda në të shkuarën ndërkohë që garanton transparencë më të lartë mbi funksionarët publikë përmes detyrimit të tyre për të vetëdeklaruar problemet e ndryshme që kanë pasur me drejtësinë në të shkuarën.
Ish-deputetët socialistë Armando Prenga e Arben Ndoka bashkë me ish-kryetarin e Bashkisë Kavajë Elvis Roshi janë detyruar të japin dorëheqjen ose janë shkarkuar nga funksionet si pasojë e këtij ligji. Edhe ish-deputetët Shkëlqim Selami i LSI dhe Dashamir Tahiri i PDIU u bllokuan nga i njëjti ligj legjislaturën e kaluar.