Cilido qoftë rezultati i zgjedhjeve në Itali, ai do të ketë pasoja të mëdha jo vetëm për Italinë dhe BE-në, por edhe për kauzën e demokracisë në të gjithë botën. Pavarësisht nëse e kuptojnë apo jo, votuesit në Itali janë duke zgjedhur jo vetëm mes partive politike, por edhe mes regjimeve politike.
Më 1841, kompozitori italian Xhuzepe Verdi përfundoi operan e tij të jashtëzakonshme Nabucco. “Va, pensiero,” është aria e tij e famshme që përshkruan fatin e hebrenjve në shkretëtirë, e cila u bë një slogan i fuqishëm i patriotëve italianë që luftuan për çlirim nga Perandoria Austriake.
Pastaj, në shfaqjen me rastin e njëqind e pesëdhjetë vjetorin e operas të drejtuar nga Riçardo Mutii në Teatro dell’Opera në Romë më 2011, Nabucco u vu në shërbim të demokracisë. Silvio Berlusconi, kryeministri i kohës, ishte i pranishëm mes dëgjuesve, dhe të nesërmen u zgjua me titujt e medias italiane të llojit, “Berlusconi u Përmbys nga Verdi.” Natyrisht, do të ishte më e saktë të thuhej se Berlusconi, i cili u detyrua të japë dorëheqjen më vonë atë vit, përmbysi veten, duke shfaqur teprime personale dhe korrupsion financiar.
Ndërsa Italia i afrohet zgjedhjeve vendimtare parlamentare më 4 mars, referenca të tilla historike janë të vlefshme edhe një herë. Por ndërsa italianët u mobilizuan kundër Austrisë më 1841, sot ato mund të jenë drejtuar për nga një “model Austriak” i qeverisjes nga një koalicion mes të djathtës dhe ekstremit të djathtë. Dhe pavarësisht se Berlusconi u rrëzua më 2011, ai tashmë është një figurë potenciale kyçe (kingmaker). Në moshën 81 vjeçare, ai mishëron një Itali të plakur dhe gjithnjë e më shumë cinike.
Disa votues po i rikthehen atij për bindje; të tjerët për shkak se kanë frikë se alternativat mund të jenë edhe më keq.
Në të njëjtën kohë, rezultati i zgjedhjeve ka rezultuar i pamundur që të parashikohet, për shkak se procesi është bërë kaq kompleks sa edhe votuesit më të sofistikuar janë duke hasur telashe në të kuptuarit e tij. Për shkak të një ligji të ri elektoral, rreth 40% e vendeve në parlament do të përcaktohen nga votimi me shumicë të thjeshtë me një raund, ndërsa pjesa tjetër do të shpërndahen në mënyrë proporcionale.
Megjithatë, edhe pse shumica e basteve janë të gabuara, dikush mund të supozojë arsyeshëm se dy gjëra pritet të ndodhin në këto zgjedhje. E para, abstenimi mes votuesve do të jetë i lartë, veçanërisht mes të rinjve. Ky nuk është Maji 1968, kur studentët nëpër të gjithë Italinë dolën në rrugë. Sot, të rinjtë italianë po braktisin kutitë e votimit – megjithëse askush nuk mund të mohojë se ka gjasa që ata do të dalin në rrugë në fund.
E dyta, zgjedhjet do të lënë Italinë të ndarë, jo vetëm politikisht por edhe nga pikëpamja shoqërore, si dhe gjeografike. Lëvizja populiste Pesë Yjet (M5S) është veçanërisht e fortë në jug, Liga e Veriut e ekstremit të djathtë është e fuqishme në veri dhe venecianët po ëndërrojnë gjithnjë e më shumë për autonomi, ose ndoshta pavarësi.
Frika se Italia mund të kthehet në kohën kur ajo ishte thjeshtë një “shprehje gjeografike” është me gjasa e tepërt. Megjithatë Italia mund të rimarrë titullin e “burrit të sëmurë të Europës” në javët e ardhshme, veçanërisht nëse zgjedhjet nuk prodhojnë shumicë dhe një parlament të qëndrueshëm. Rusia, nga ana e saj, mund ta mikpresë një rezultat të tillë dhe ka gjasa që ka bërë gjithçka ka mundur për ta mundësuar atë.
Një aleancë e stilit austriak mes Forza Italia të Berlusconi dhe Ligës së Veriut të Matteo Salvini mund të jetë gjithashtu një shenjë e keqe sepse do ta vendosë Italinë në armiqësi me anëtarët themelues të Bashkimit Europian.
Në mënyrë të ngjashme, një fitore e madhe për M5S do të jetë e padëshirueshme. Impulsi për të refuzuar status quo-në është i fortë mes votuesve italianë dhe ata nuk janë bindur nga dështimi i M5S për qeverisjen siç duhet të Romës, ku kjo forcë mori shumicën në qershor 2016. MEgjithatë M5S me gjasa nuk mund të fitojë një shumicë parlamentare, dhe ajo është betuar të mos hyjë në koalicion me parti të tjera.
Skenari i vetëm pozitiv, për rrjedhojë, është me pak gjasa – por jo i pamundur – një aleancë mes ish-kryeministrit Matteo Renzi dhe Partisë Demokratike në qendrën e majtë dhe Forza Italia. Një qeveri koalicioni që përbëhet nga këto dy parti, ka gjasa do të sjellë Paolo Gentilonin, kryeministrin e lavdëruar aktual, që të mbetet në pushtet.
Kjo me gjasa do të kënaqë Francën dhe Gjermaninë, si dhe Komisionin Europian. Problemi kryesor, gjithsesi, është që Renzi ka mbetur jopopullor që kur ai dha dorëheqjen si kryeministër pas tentativës së guximshme por të pasuksesshme për të kryer ndryshime kushtetuese përmes një referendumi në dhjetor 2016.
Pavarësisht situatës së vështirë ekonomike, shoqërore dhe politike të Italisë – për të mos folur edhe për tensionin në rritje për shkak të migrimit nga Afrika e Veriut – tregjet financiare kanë qenë relativisht të qeta. Investitorët duket se nuk ia kanë frikën fitores së M5S, dhe as nuk janë veçanërisht të shqetësuar se papunësia mes të rinjve në Itali është gati 33%, apo se norma e rritjes ekonomike të këtij vendi është poshtë mesatares së BE-së. A janë duke nënvlerësuar rrezikun investitorët për faktin se ekonomia e tretë më e madhe e BE-së mund të zhytet në një spirale për poshtë polarizimi dhe paralize?
Cilido qoftë rezultati i këtyre zgjedhjeve të paqarta, ai do të ketë pasoja të mëdha jo vetëm për Italinë por edhe për BE-në, si dhe për kauzën e demokracisë në të gjithë botën. Çfarë lloji Italie do të shohim më 4 mars? A do të jetë ajo një e tillë që do t’i bashkohet presidentit francez Emmanuel Macron në përforcimin e projektit Europian, apo do të jetë një e tillë që përqafon populizmin autoritar që tashmë kontrollon fuqishëm Europën Qendrore? Pavarësisht nëse e kuptojnë apo jo, votuesit e Italisë janë duke zgjedhor jo vetëm mes partive politike por gjithashtu – dhe më e rëndësishmja – mes regjimeve politike.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Will Italy Cross the Illiberal Rubicon?