
Në përballjen para gjykatës mes aktivistëve të paditur të Valbonës dhe kompanive koncensionare të dy HEC-eve në zonë, paditësit mbrojtën planet hidroenergjetike në parqe kombëtare dhe paralajmëruan aktivistët se liria e shprehjes“ka kufi”.

Në seancën e radhës në gjyqin mes kompanive ‘Gener 2’ dhe ‘Dragobia sh.p.k’, kundër aktivistes Catherine Bohne dhe shoqatës Toka, palët paraqitën dhe arsyetuan provat, ku bazohet padia e ngritur në gjykatën e Tiranës nga dy kompanitë ndërtuese të HEC-eve në Parkun Kombëtar të Valbonës.
Në fillim të shkurtit, kompanitë koncensionare dhe zbatuese të dy HEC-eve në Valbonë paditën aktivisten Bohne dhe Shoqatën Toka duke kërkuar një dëmshpërblim 20 milionë lekë për dëmtim imazhi.
Paditësit, të përfaqësuar nga avokatja Mine Proganati i parashtruan gjykatës provat e tyre të veprimeve të pretenduara të kundraligjshme nga aktivistët mjedisorë në mbrojtje të Valbonës – ku përfshiheshin dalje televizive, intervista dhe postime në Facebook , si dhe korrespondenca të kompanisë me aktivistët ku jepeshin informacione për projektin.
Gener 2 dhe Dragobia sh.p.k pretenduan se aktivistja Bohne dhe shoqata Toka e drejtuar prej saj, kishin shpifur dhe kishin krijuar fushata denigruese ndaj kompanisë ‘Gener 2’ duke bërë thirrje për bojkotim të produkteve dhe shërbimeve të tyre në treg, si dhe kishin vënë në rrezik reputacionin e kompanisë në tregun vendas dhe ndërkombëtar duke shkaktuar dëm jopasuror.
Avokatja e kompanive tha para gjykatës se punimet për 2 HEC-et në Valbonë ishin drejt përfundimit dhe se ato ishin kryer sipas lejeve të dhëna nga qeveria shqiptare, ndërsa mbrojti HEC-et në parqe kombëtare duke thënë se ishin përdorur për zhvillim edhe nga Norvegjia.
Avokatja e paditësve tha në gjyq se nëse aktivistët donin të mbronin Valbonën le ta bënin pa sulmuar kompanitë, të cilat janë pajisur nga qeveria me lejet e nevojshme, dhe i paralajmëroi ata se “opinioni ka kufi”.
“Si mund të arrijë ta ketë kurajon[Catherine Bohne] -se është dhe shtetase e huaj , të thotë që…kompania është e pistë,” u shpreh avokatja e paditësve.
Kompanitë koncensionare të HEC-eve gjithashtu kërcënuan me padi penale ndaj të paditurve për këto deklarata.
Avokati i të paditurve Ergest Milo, nga ana tjetër tha se paditësit ende nuk kishin arritur të provonin para gjykatës ndonjë dëm real të shkaktuar dhe katër elementët e dëmit që duhet të ekzistojnë për t’u marrë parasysh, ndërsa shtoi se Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë garanton lirinë e shprehjes për aktivistët.
Mbrojtja gjithashtu tha se marrja e lejes nga autoritetet për HEC-e nuk nënkupton se askush nuk duhet t’i kundërshtojë ato, dhe përmendi kanionet e Osumit si një rast të ngjashëm me Valbonën, ku reagimi i aktivistëve arriti të kthente lejet e qeverisë, të cilat rezultuan të dhëna në mënyrë të parregullt.
Pala e paditur nuk paraqiti prova mbrojtëse, duke argumentuar se paditësit nuk kanë mundur të provojnë pretendimet e tyre, por kërkoi rrëzimin e padisë nga gjykata. Gjyqtarja e çështjes në gjykatën e Tiranës, Eneida Civici caktoi 13 qershorin si datën e seancës së radhës.
Beteja për Valbonën

Parku Kombëtar i Luginës së Valbonës, është një nga pikat më të bukura natyrore të veriut të Shqipërisë dhe një atraksion turistik, që çdo vit i sjell të ardhura banorëve të zonës përmes vizitorëve dhe turistëve. Ai gëzon mbrojtje të veçantë nga ligji, ku ndalohen veprimtaritë ndërtimore që mund të dëmtojnë biodiversitetin.
Planet e qeverisë shqiptare gjatë dekadës së fundit për të përdorur rezervat hidroenergjetike të vendit përmes ndërtimit të HEC-eve parashikuan ndërtimin e 14 HEC-eve në zonën e mbrojtur të Valbonës, ku aktualisht janë ndërtuar vetëm tre.
Banorët e Valbonës, mbështetur nga aktivistët mjedisorë kanë kundërshtuar ndërtimin e HEC-eve në zonë me argumentimin se u është shkelur e drejta e konsultimit, si dhe duke i cilësuar projektet hidroenergjetike si shkatërrimtare për mjedisin dhe turizmin në zonë.
Catherine Bohne, një shtetase amerikane e cila prej vitesh jeton në veri të Shqipërisë duke kontribuar përmes një bujtine në Valbonë në përpjekjet për shtimin e turizmit malor në zonë ka kryesuar përpjekjet e banorëve për t’i thënë’jo’ HEC-eve në parkun kombëtar të Valbonës.
Në nëntor 2017, padia e banorëve për të ndaluar ndërtimin e HEC-eve në Zemrën Blu të Alpeve shqiptare u hodh poshtë nga Gjykata Administrative e Tiranës, megjithatë ata u shprehën se nuk do të dorëzohen në përpjekjen e tyre për të mbrojtur Valbonën.
Në fund të janarit 2018, shoqata Toka, paraqiti në Gjykatën Administrative të Tiranës një kërkesë padi ndaj Këshillit Kombëtar të Territorit për të shfuqizuar vendimin e KKT për lejen e ndërtimit të HEC Dragobia.