Raporti i Departamentit të Shtetit thonë se incidente diskriminimi fetar ndodhin në shumicën e vendeve në rajon, por ka shumë pak prova për armiqësi sistematike.
Mosmarrëveshjet e pazgjidhura të tokës, pretendimet për kthimin e pronave dhe problemet me regjistrimin e besimeve të reja fetare janë disa nga problemet që lidhen me besimin që Raporti Ndërkombëtar për Lirinë Fetare 2017, i publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit të martën, theksoi në rajonin e Ballkanit.
Ai tha se incidente si vandalizmi i vendeve fetare, gjuha e urrejtjes dhe antisemitizmi, si dhe diskriminimi ndaj besimeve të veçanta të pakicave, ndodhën ndonjëherë në rajon dhe vunë në dukje mangësi në ndjekjen penale të krimeve të urrejtjes.
Shqipëria
Raporti tha se Shqipëria legalizoi më pak xhami në vitin 2017 sesa një vit më parë, me 41 të legalizuara gjatë vitit të kaluar pas një kulmi prej 137 në vitin 2016.
Ashtu si shumica e vendeve në rajon, Shqipëria raportohet se nuk ka përpunuar asnjë kërkesë për kthimin e pronës së konfiskuar gjatë periudhës së komunizmit dhe ka miratuar vetëm një kërkesë për kompensim, me 112 kërkesa në pritje.
Disa besime të pakicave raportuan vështirësi në marrjen e tokës për të ndërtuar vende adhurimi, ndërsa organizata protestante, Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë, VUSH, u ankua për një mungesë të vazhdueshme mbështetjeje financiare nga qeveria, pavarësisht kërkesave të përsëritura që qeveria të ndryshojë ligjin dhe për të shtuar sigurimin e mbështetjes financiare për të.
Raporti tha se Shqipëria po trajnonte gjithashtu mësuesit për të luftuar radikalizimin.
“Midis janarit dhe majit, qeveria trajnoi 29 mësues në 15 shkolla si pjesë e një programi edukativ pilot për të ndihmuar në parandalimin e radikalizimit dhe promovimin e tolerancës fetare. Megjithatë, zbatimi i programit të plotë u zvarrit në maj dhe e ardhmja e tij dukej e paqartë,” vuri në dukje ai.
Bosnja dhe Hercegovina
Diskriminimi ndaj grupeve më të vogla fetare u vu re si problemi më i rëndësishëm fetar në Bosnjë.
Individët që nuk i përkasin njërit prej tre grupeve kryesore etnike dhe fetare kanë raportuar se ende nuk janë në gjendje të marrin poste qeveritare apo vende në parlament, ndërsa grupet fetare të minoriteteve vazhdojnë të raportojnë diskriminim nga autoritetet komunale në lidhje me përdorimin e pronës fetare dhe lëshimin e lejeve për pronave fetare.
Autoritetet komunale të Banja Lukës në Republikën Srpska, entiteti me shumicë serbe i Bosnjës, vazhduan t’i refuzonin kthimin e pronave të shtetëzuara më parë Kishës Katolike, vuri në dukje raporti.
Këshilli Ndërfetar, IRC, theksoi se nga 198 sulmet ndaj zyrtarëve dhe vendeve fetare në tetë vitet e fundit, policia kishte identifikuar vetëm 55 autorë, ndërsa gjykatat po ndjekin penalisht 23.
IRC tha se dështimi i autoriteteve për të ndjekur shumë çështje reflektonte “injorancën për krimet e urrejtjes dhe një dëshirë për të shmangur kritikat e intolerancës fetare”.
Bullgaria
Çështje të rëndësishme të përmendura nga raporti në Bullgari ishin raste të diskriminimit ndaj feve të pakicave nga zyrtarët qeveritarë dhe anëtarët e Kishës dominuese Ortodokse Bullgare.
Myslimanët, mormonët dhe Dëshmitarët e Jehovait raportuan sulme të shumta fizike, ngacmime dhe kërcënime kundër anëtarëve të tyre, tha raporti.
Dëshmitarët e Jehovait raportuan një fushatë të vazhdueshme kundër tyre nga anëtarët e koalicionit nacionalist të Patriotëve të Bashkuar, që është pjesë e qeverisë aktuale.
Pastorët protestantë raportuan ngacmime nga priftërinjtë e Kishës Ortodokse Bullgare, të cilët i thërrisnin pastorët përfaqësues të “sekteve”.
Raporti theksoi se shkollat vazhduan të ndalonin mbajtjen e simboleve fetare, ndërsa grupet fetare të pakicave raportuan për më shumë ndalime lokale në shpërndarjen e literaturës fetare.
Komuniteti mysliman raportoi vështirësi në marrjen e lejeve të ndërtimit për vende të reja adhurimi dhe kthimin e pronës së konfiskuar nga regjimi komunist.
Edhe pse vendi është lavdëruar për ndërmarrjen e masave kundër antisemitizmit, organizatat hebreje shprehën shqetësim për dështimin e qeverisë për të ndjekur penalisht abuzimin anti-semitik në mediat sociale dhe në jetën e përditshme.
Raporti theksoi dy çështje gjyqësore kundër 27 ekstremistëve të dyshuar myslimanë të akuzuar për përhapjen e Selafizmit dhe propagandimin e ideologjisë anti-demokratike, nxitjen e luftës dhe ndihmën e luftëtarëve të huaj.
Kroacia
Kroacia nuk ka zgjidhur rastet e pazgjidhura të kthimit të pronës me Kishën Ortodokse Serbe, tha raporti.
Ai theksoi gjithashtu se, ndërsa zyrtarët e lartë qeveritarë morën pjesë në përkujtimoren e përvitshme të viktimave të kampit të vdekjes së Luftës së Dytë Botërore në Jasenovac, liderët hebrenj dhe ortodoksë serbë e bojkotuan atë në shenjë protestë kundër vendosjes së një pllakade private me një përshëndetje fashiste ustashe kroate të kohës së luftës dhe mungesën e veprimeve të qeverisë për të hequr pllakadën.
Liderët hebrenj kishin vazhduar të raportonin shqetësime rreth mohimit të Holokaustit dhe rreth lëvizjeve për të minimizuar krimet ustashe dhe shfaqjen e simboleve dhe sloganeve ustashe.
Ata u ankuan gjithashtu për revizionizëm të rëndësishëm historik dhe për përpjekje për të minimizuar rolin e vendit në Holokaust, duke shprehur pakënaqësi me reagimin e qeverisë ndaj rasteve të antisemitizmit.
Kosova
Raporti vuri në dukje sulme kundër Kishës Ortodokse Serbe dhe vendeve myslimane të adhurimit në ish-provincën serbe dhe vuri në dukje se protestuesit kishin sulmuar disa evente ku merrnin pjesë pelegrinë ortodoksë serbë.
Në një incident, protestuesit hodhën gurë dhe bojë të kuqe në një autobus qëçonte pelegrinë në kishën serbe në Gjakovë, duke dëmtuar një dritare dhe kishin shkruar me bojë fjalën “vrasës” në murin e jashtëm të kishës.
Në disa raste, vandalë të paidentifikuar dëmtuan pronat e Kishës Serbe, pavarësisht se gëzonin mbrojtjen e qeverisë.
Raporti përmendi gjithashtu mosmarrëveshjen midis qeverive të Kosovës dhe Turqisë në lidhje me mbylljen e mundshme të shkollave të lidhura me klerikun turk në mërgim Fethullah Gulen dhe thirrjet për ekstradimin e ndjekësve të tij.
Maqedonia
Raporti vuri në dukje antisemitizmin, politizimin e fesë dhe korrupsionin e Kishës si temat kryesore në seksionin maqedonas.
Ai theksoi se një gjykatë kishte dënuar kreun e Kryepeshkopatës së Ohrit, OAO, në rigjykimin e tij për pastrim parash dhe e kishte dënuar atë me shtatë muaj burg.
Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, ECHR, vendosi se qeveria kishte shkelur të drejtat e OAO-së duke refuzuar ta regjistronte atë dhe urdhëroi qeverinë t’i paguante OAO-së një gjobë, gjë të cilën ajo nuk e ka bërë ende.
Komuniteti Fetar Islamik në Maqedoni, ICM, u ankua se qeveria favorizonte Kishën Ortodokse Maqedonase.
Grupe më të vogla fetare kanë raportuar trajtim të pabarabartë qeveritar në krahasim me pesë grupe besimi.
Në të njëjtën kohë, lëvizja bektashiane myslimane vazhdoi të raportonte ngacmime nga drejtues që kanë lidhje me ICM-në e teqesë Harabati Baba në Tetovë.
Shoqëria civile dhe komunitetet fetare të pakicave akuzuan qeverinë e mëparshme, e cila u largua nga pushteti në qershor, se e kishte politizuar fenë në përgjithësi.
Janë vënë re raste fjalimesh antisemite në mediat sociale dhe individë që hodhën fletushka anti-semite në oborrin e zyrave të komunitetit hebre.
Moldavia
Raporti përgëzoi qeverinë e Moldavisë për përpjekjet e saj për të rritur ndërgjegjësimin e Holokaustit duke e angazhuar veten për të krijuar një Muze Kombëtar Holokausti dhe duke i kushtuar një seancë të posaçme përkushtuar një sesion të posaçëm të parlamentit dhe qeverisë për të përkujtuar viktimat e Holokaustit.
Vërehet se një ligj i ri, i cili u lejon individëve të japin 2 për qind të tatimit të tyre mbi të ardhurat për OJQ-të ose organizatat fetare, hyri në fuqi në janar 2017.
Megjithatë, disa çështje ligjore ku përfshihen fetë pakicë mbetën të pazgjidhura.
Grupet fetare të pakicave vazhduan të deklaronin se administratat lokale në zonat rurale i diskriminojnë ata. Dëshmitarët e Jehovait vazhduan të raportonin një përgjigje të dobët të policisë për të vepruar kundër tyre, shtoi raporti.
E njëjta gjë vlen edhe për rajonin separatist të Transnistrisë, ku OJQ-të vazhduan të raportonin se autoritetet atje diskriminonin dhe monitoronin aktivitetet e grupeve fetare të pakicave, përfshirë myslimanët, Dëshmitarët e Jehovait dhe hebrenjtë.
Mali i Zi
Në Malin e Zi, grupet fetare, sidomos Kisha Ortodokse Serbe, vazhduan të pretendonin se ligji që rregullonte statusin e tyre ligjor ishte i pamjaftueshëm.
Kisha Ortodokse Serbe dhe Malazeze në vend vazhdoi të kundërshtonte pronësinë e vendeve fetare, vuri në dukje raporti.
Duke përmendur shqetësimet e sigurisë rreth përplasjeve të mundshme midis anëtarëve të Kishës Ortodokse Serbe dhe Malazeze, policia në disa raste nuk ka lejuar anëtarë të Kishës Malazeze të angazhohen në aktivitete fetare në vendet ortodokse të zëna dhe të përdorura nga Kisha Ortodokse Serbe.
Sa për fetë e pakicave, Komuniteti Islamik i Malit të Zi protestoi rreth rivendosjes nga ana e qeverisë të një kryqi në majën e kullës së një sahati të epokës osmane.
Në dhjetor, GJEDNJ vendosi në favor të një myslimani rom, i cili kishte ngritur padi kundër qeverisë për mos hetimin e sulmeve me motive etnike dhe fetare kundër tij dhe familjes së tij në vitin 2009.
Rumania
Favorizimi i Kishës Ortodokse Rumune dhe kthimi i papërshtatshëm u vunë re si problemet më të mëdha të lidhura me besimin në Rumani, me theks të veçantë në përshkrimin që mediat i bëjnë azilkërkuesve myslimanë si pushtues dhe lejimin e fjalimit anti-semitik.
Raporti theksoi ritmin e ngadaltë të kthimit të pronave të konfiskuara, sidomos të Kishës Katolike Greke dhe komunitetit hebre. Që nga dhjetori, qeveria kishte hedhur poshtë 980 kërkesa për kthimin e pronave të konfiskuara fetare dhe miratoi vetëm 26 të tilla.
Grupet fetare të pakicave vazhduan të pohonin se qeveritë kombëtare dhe lokale i jepnin përparësi Kishës Ortodokse Rumune, dhe ata kundërshtuan zbatimin e ligjeve në lidhje me mësimin fetar në shkolla.
Emërtimi i disa rrugëve, organizatave, shkollave dhe bibliotekave me emrat e personave të dënuar për krime lufte apo krime kundër njerëzimit vazhdoi, vuri në dukje raporti, duke shtuar se anëtarë të Kishës Ortodokse kishin lavdëruar kriminelët e dënuar për krime lufte dhe anëtarë të legjionarëve fashistë të kohës së luftës.
Disa media kryesore i kishin përshkruar refugjatët dhe azilkërkuesit si “pushtues” myslimanë.
Grupet fetare të pakicave raportuan për ngacmime të vazhdueshme të kongregacioneve të tyre nga priftërinjtë ortodoksë dhe pasuesit e tyre, përfshirë mohimin e qasjes në varreza.
Sipas raportit, një numër i konsiderueshëm përdoruesish dhe grupesh në mediat sociale përkrahnin shfarosjen e hebrenjve dhe akte të tjera të dhunshme.
Serbia
Serbia ishte më mirë në rikthimin e pronës fetare sesa vendet e tjera të Ballkanit, vuri në dukje raporti. Ai tha se qeveria e Beogradit kishte vazhduar kthimin e pronave fetare të konfiskuara që nga viti 1945, duke vlerësuar se kishte kthyer 70 për qind të pronave.
Problemet e përmendura përfshijnë raste të diskriminimit që përfshinin kryesisht grupe të vogla, jo tradicionale.
Artikuj kritikë të këtyre grupeve fetare vazhduan të shfaqen në shtyp dhe në portalet e internetit, duke i përshkruar disa grupe fetare si “sekte”.
Literatura anti-semite ishte në dispozicion në disa librari dhe komuniteti hebre raportoi komente anti-semite në mediat online. Dëshmitarët e Jehovait raportuan dy incidente sulmi fizik dhe dy raste vandalizmi kundër pronës së tyre.
Raporti vuri në dukje kritikat e disa grupeve të legjislacionit që u japin privilegje të veçanta shtatë grupeve fetare të përkufizuara si “tradicionale”.
Disa grupe fetare pakicë kundërshtuan gjithashtu procesin e regjistrimit, të cilin grupet më të vogla thanë se ishte i vështirë dhe i kushtueshëm për ta kompletuar, duke i privuar ata nga të drejtat e pronësisë, përjashtimet nga taksat dhe nga statusi ligjor.