Një nismë e re e qeverisë për të ndryshuar ligjin e mbrojtjes së viktimave të dhunës në familje ka ngjallur optimizëm te organizatat në mbrojtje të grave dhe fëmijëve, por ato vërejnë se përtej ligjit me shkrim institucionet duhet të marrin më shumë përgjegjësi, dhe të hapin qesen e parave për të financuar programet e nevojshme.
Një projektligj i qeverisë shqiptare, i cili synon të shtojë mekanizmat e mbrojtjes ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare është mirëpritur nga organizatat që punojnë për të drejtat e grave dhe fëmijëve në vend, megjithëse ato propozojnë ndryshime që do të adresonin më shumë nevoja dhe bëjnë thirrje për financime të programeve nga shteti.
Projektligji, [link] i cili aktualisht po shqyrtohet me detaje pas miratimit në parim në komisionin parlamentar të çështjeve sociale, ofron sipas ligjvënësve përmirësim të masave mbrojtëse, rritjen e sigurisë nga policia e shtetit, si dhe përcakton qartë përgjegjësitë e organeve shtetërore, ndërsa zgjeron grupet e marra në mbrojtje nga dhuna.
Organizatat e shoqërisë civile të përfshira në fushën e mbrojtjes së të drejtave të grave i përshëndetën ndryshimet e parashikuara si “shumë të nevojshme” dhe “se krijojnë terren legjislativ më të plotë për mbrojtjen në mënyrë sistematike dhe efikase të të mbijetuar(a)ve të dhunës në familje”.
Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri, AWEN i tha BIRN se ishin shumë të kënaqur me draftin e ri, në hartimin e të cilit ishin përfshirë përgjatë një viti shumë organizata të të drejtave të njeriut.
Sipas AWEN projektligji bën ndërhyrje të nevojshme si në rastin e urdhrit paraprak të mbrojtjes, qendrat emergjente të strehimit, ngarkimit të institucioneve shëndetësore për denoncimin e dhunës që shihet te pacientët, si dhe rehabilitimin e dhunuesve.
Dhuna në familje ka rezultuar një problem madhor në shoqërinë shqiptare gjatë viteve të fundit. Vetëm për vitin 2017 u raportuan mbi 4500 raste të dhunës në familje, me të paktën 11 viktima.
Edhe gjashtëmujori i parë i vitit 2018 u përgjak nga dhuna në familje, ku gjashtë gra u vranë për shkak të marrëdhënieve familjare, por viktima të dhunës në familje ishin dhe prindër e bashkëshortë.
Aktivistë të shoqërisë civile kanë protestuar shpesh për paaftësinë e organeve shtetërore për të garantuar jetën e viktimave të dhunës, disa prej të cilave humbën jetën edhe pse me urdhër mbrojtje nga gjykata.
“Tashmë viktimat nuk kanë pse të jenë ligjërisht të pambrojtura në pritje të 48 orëshit për lëshimin e Urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes (UMM) nga gjykata”, tha Rrjeti për Fuqizimin e Gruas.
“Një nga shtesat më të rëndësishme bërë në nenin 7 të ligjit ekzistues është ajo e ngritjes së qendrave të emergjencës për trajtimin e menjëhershëm të viktimave të dhunës në familje”, shtoi ai.
Ndryshimet parashikojnë zgjerim të mbrojtjes nga dhuna në familje përtej lidhjes martesore apo bashkëjetesës edhe për partnerë. Nga ana tjetër projektligji jep detyra specifike për autoritetin kryesor dhe ministritë përgjegjëse dhe njësitë e qeverisjes vendore lidhur me marrjen e masave për të parandaluar, luftuar dhe reduktuar dhunën në familje.
Sipas aktivistëve, ndërhyrja në kohë e organeve shtetërore do të jetë thelbësore për mbrojtjen e të dhunuarve, veçanërisht në ngarkimin e Ministrisë së Shëndetësisë që të monitorojë përmbushjen e detyrimit nga ana e personelit mjekësor për të raportuar çdo rast të dhunës në familje të konstatuar ose të shqyrtuar nga ky personel, kur ka prova se viktima e paraqitur për ndihmë mjekësore është dhunuar.
“Punonjësit e shëndetësisë janë aktualisht hallka më e dobët e sistemit referues dhe mbrojtës për viktimat e dhunës në familje,” vërejnë organizatat në mbrojtje të grave.
“Mos të harrojmë që qendrat shëndetësore shpesh janë institucioni më i afërt dhe i aksesueshëm për vajzat dhe gratë, për shkak se janë të detyruara ta aksesojnë sistemin për arsye shëndetësore (apo dëmtime fizike të shkaktuara nga dhuna) që lidhen me to apo me fëmijët e tyre”, shton Rrjeti.
Organizatat cilësuan si një pikë të rëndësishme ofrimin e programeve rehabilituese psiko-sociale për dhunuesit.
“Praktika ka provuar dhe ne besojmë se s’mund të garantohet zgjidhje apo përmirësim të marrëdhënieve të dhunshme, për aq kohë sa dhunuesit thjesht dënohen dhe nuk rehabilitohen,” thonë organizatat.
Por pavarësisht optimizmit për projektligjin e ri, dhjetë organizatat në mbrojtje të grave thanë për BIRN se ai mbart edhe sfida të mëdha buxhetore për të vënë në zbatim detyrimet e reja institucionale.
“Eksperienca ka treguar që vullneti i pushtetit vendor, por edhe mundësia financiare për të prioritizuar shërbime/ndërhyrje që lidhen me zbatimin e këtij ligji dhe akteve nënligjore nuk kanë qenë aspak në nivelin e duhur,” tha AWEN .
Sipas aktivistëve, mbështetja e qeverisë shqiptare te donatorët e huaj për të zbatuar pika kyçe të Strategjisë Kombëtare për Barazinë Gjinore vë në rrezik përmbushjen e objektivave.
Një rast i tillë është edhe linja kombëtare për denoncimin e rasteve të dhunës (116 117), që e menaxhon një organizatë me mbështetjen e fondeve nga donatorët dhe jo nga pushteti qëndror, vërejnë ata.
Mbrojtje ekstra për fëmijët
Duke prezantuar projektligjin në Komisionin parlamentar për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë pak ditë më parë, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha se ndryshimet e propozuara përmirësojnë edhe mbrojtjen e fëmijëve, pasi për herë të parë, me urdhrin e mbrojtjes për nënën, automatikisht do të garantohet urdhri i mbrojtjes për fëmijët, edhe nëse mbi ta nuk është ushtruar dhunë e drejtpërdrejtë.
Edhe Rrjeti Kombëtar për të Drejtat e Fëmijëve i cilësoi ndryshimet në projektligj si të domosdoshme për vazhdimësinë e zbatimit të ligjit për mbrojtjen nga dhuna në familje.
“Kemi arritur në një pikë ku ligji nëse nuk përmirësohet, nuk do të zbatohet më si e sa duhet,” tha Rrjeti Kombëtar për të Drejtat e Fëmijëve për BIRN.
Por shtatë organizatat që përbëjnë rrjetin shprehen se ato prisnin që të kishte më shumë marrje përgjegjësie nga ana e ministrisë së shëndetësisë, asaj të arsimit dhe policisë së shtetit, por kjo nuk ka ndodhur.
“Kemi propozuar ndryshime të rëndësishme në projektligj që Ministritë, Policia dhe Bashkitë të mos kenë më justifikime kur vjen puna për mbrojtjen e vajzave, fëmijëve dhe të rinjve nga dhuna në familje,” tha Rrjeti.
Aktivistët kanë propozuar përmirësim të projektligjit aktual në dhjetë drejtime specifike gjatë dëgjesës së mbajtur në komisionin përkatës. Lidhur me fëmijët ata kërkojnë ngarkim me përgjegjësi shtesë të personelit mjekësor dhe stafeve pedagogjike për raportimin dhe referimin e dhunës së dyshuar në familje që prek fëmijët.
“Gjykatat duhet të kenë të drejtë që një prindi dhunues që është dënuar një herë me vendim gjykate dhe vazhdon të dhunojë ende fëmijët, t’i hiqet përfundimisht përgjegjësia prindërore dhe ai/ajo nuk duhet të këtë më akses në rritjen e fëmijëve,” sugjeron Rrjeti.
“Policia e Shtetit duhet të detyrohet me ligj që kur vendoset në kontakt me një viktimë të dhunës në familje ta shoqërojë personin në një vend të sigurt ose në një qendër shëndetësore, pra jo thjesht t’i marr deklaratën dhe ta lerë personin që të bëhet viktime e dhunuesit përsëri,” shtojnë aktivistët.
Në aspektin e mbrojtjes së shtuar të fëmijëve projektligji aktual parashikon përkujdesje alternative ose mbrojtje emergjente për fëmijët që janë dëshmitarë të dhunës mes prindërve. Drafti ngarkon punonjësit e Njësisë për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve me përfaqësimin e fëmijës në gjykatë ose për të kërkuar urdhër mbrojtje.
Gjykata po ashtu mund të parashikojë masa mbrojtëse për fëmijët që kanë pësuar dhunë ose kanë qenë të pranishëm kur është ushtruar dhunë në familje, thotë projektligji.
Në përgjithësi, projektligji parashikon përgjegjësi disiplinore dhe administrative për punonjësit e institucioneve që nuk kryejnë detyrat e tyre për pajisjen e viktimës me provat e nevojshme për procesin gjyqësor.
Gjykatat gjithashtu nxiten në gjykojnë më shpejt masat e sigurisë për të dhunuarit, ndërsa viktimave u hiqen të gjitha shpenzimet e ekspertizës së dhunës dhe Dhoma Kombëtare e Avokatisë ngarkohet me ofrimin e ndihmës ligjore falas.
Që një projektligj të bëhet ligj, ai duhet të kalojë në procedurën e shqyrtimit dhe miratimit në komisionin parlamentar përkatës në parim dhe nen për nen, pastaj të shkojë në parlament ku miratohet në parim, nen për nen dhe në përgjithësi me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë deputetëve.
Pastaj i takon presidentit ta dekretojë atë ose ta kthejë për rishqyrtim në komisionin parlamentar përgjegjës. Kur ligji miratohet ai hyn në fuqi me kalimin e jo me pak se 15 ditëve nga botimit i tij në Fletoren Zyrtare.