Deklaratat e vazhdueshme të të dyja krahëve të politikës mbi atë që ata e quajnë “dështim” apo “sukses” të procesit të deritanishëm të vetingut shihen si “kërcënim” nga ekspertët-të cilët thonë se politika po synon të dobësojë mbështetjen dhe besimin e publikut te reforma.
Ende pa filluar mirë, reforma në drejtësi u shpall nga opozita disa herë e “vdekur” apo “grusht shteti” që i mundësonte qeverisë kontrollin mbi drejtësinë. Në krahun tjetër, kryeministri që e përdori reformën edhe si kalë beteje elektorale, e paraqiti atë së fundmi në Durrës si “gijotinë ku priten koka të mëdha”.
Por ndërsa procesi i vetingut ka filluar dhe disa gjyqtarë e prokrurorë janë përjashtuar nga sistemi, përfshi ish-Prokurorin e Përgjithshëm dhe tre anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, monitorues të procesit dhe analistë i shohin qëndrimet partizane dhe partiake me shqetësim. Ata thonë se deklaratat politike nuk ia kanë dalë deri më tani të dëmtojnë reformën, por rreziku i ndikimit që do dëmtonte besueshmërinë e saj është i pranishëm.
“Kjo formë kërcënimi përveçse dobëson mbështetjen dhe besimin publik tek reforma cilësore në drejtësi, dobëson edhe imunitetin e trupës së drejtësisë ndaj presioneve politike,” i tha BIRN Afrim Krasniqi, drejtor ekzekutiv i Institutit për Studime Politike, duke iu referuar fjalimit të sipërcituar të kryeministrit Rama në Durrës në fillim të qershorit.
“Vonesat i shkaktoi politika”
Një monitorim i Komitetit Shqiptar të Helsinkit arriti në përfundimin se ndasitë politike ishin arsyeja kryesore e vonesave në ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë, të tilla si Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe ai i Prokurorisë, duke krijuar po ashtu ngërçe në sistem si dhe duke bllokuar Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë.
Monitorimi gjeti se mosdakordësia politike dhe bojkoti i Kuvendit ishin disa nga arsyet e vonesave, që sollën sipas tij një efekt domino mbi të gjithë procesin. Po ashtu, raporti gjeti vonesa edhe në procedurat burokratike, të cilat duhej t’i kryente qeveria, për zyrat, buxhetin dhe personelin e institucioneve të vetingut, që sërish ndikoi në pengimin e procesit.
Ekspertët e intervistuar nga BIRN e mbështesin gjithashtu këtë tezë.
“Përkundrejt asaj që parashikohet në legjislacionin e ri të drejtësisë, zbatimi i deritanishëm i reformës në sistemin e drejtësisë është realizuar në një klimë relativisht të polarizuar politike dhe është shoqëruar edhe me vonesa,” i tha BIRN Erinda Skëndaj, drejtorja ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Skëndaj po ashtu tha se polarizim politik kishte pasur edhe në procesin e emërimeve.
Megjithëse të krijuara kryesisht për shkak mosdakordësive politike që sollën vonim të procesit, këto ngërçe po përdoren tashmë nga palët për ta sulmuar në tërësi reformën. Kështu bllokimi i Gjykatës Kushtetuese apo probleme të tjera të krijuara në sistemin e drejtësisë, për shkak të vonesës në zbatimin e reformës dhe akteve ligjore për të cilat ajo ka nevojë, e kanë rrëzuar sipas opozitës të gjithë reformën.
Ish-kryeministri Sali Berisha këtë të premte tha se reforma po falimentonte sistemin e drejtësisë, duke iu referuar mbarimit të mandatit të 11 kryetarëve të gjykatave.
“Reforma Oruelliane e falimenton me sukses të plotë sistemin e drejtësisë në Shqipëri!”, shkroi Berisha faqen e tij në Facebook. Më herët Berisha tha në një intervistë për Ora News se qëllimi i reformës kishte qenë “për ta parë drejtësinë shqiptare degë ekzekutivi” dhe se kjo i kishte bërë “gjëmën Shqipërisë”.
Po ashtu, tre ish-ministra të Drejtësisë të propozuar nga LSI në qeverinë e parë “Rama” e kanë shpallur “të vdekur” apo “të dështuar” disa herë publikisht reformën. Së fundmi Petrit Vasili shkroi në faqen e tij në Facebook, ku akuzon ambasadoren e Bashkimit Europian si “çirake të Edi Ramës” se “reforma ne drejtësi ka vdekur”.
Analisti Arjan Vasjari i tha BIRN se kjo ishte një nga mënyrat që politika po përdorte për të ndikuar. Ndonëse sipas tij politika nuk ka instrumente për ta goditur në substancë reformën, politika ka mekanizma për të ngadalësuar ritmet e reformës apo për të provokuar dyshime rreth dobisë së saj”.
Vasjari thotë se shembull për të ilustruar këtë është mosngritja nga Kuvendi e “një komisioni të pavarur për koordinimin midis institucioneve lidhur me parashikimet ligjore që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e reformës” i cili duhej të ishte ngritur që prej 1 viti e gjysëm dhe po ashtu mos gjetjen e një konsesusi për rregullime teknike në rastin e pranimeve të reja në Shkollën e Magjistraturës.
“Është kërkuar që prej dhjetorit 2017 dhe ende nuk është shqyrtuar,” tha Vasajari.
Edhe Krasniqi mendon se kjo vonesë po përdoret nga palët që synojnë të dyja dëmtimin e procesit.
“Njëra (palë) për të ndikuar në proces përmes ndërhyrjeve emergjente ligjore dhe tjetra për ta kontestuar të gjithë procesin dhe reformën,” shpjegoi Krasniqi.
Përpjekjet për të rishkruar ligjet apo ndërhyrë me amendamente prej fillimit të procesit, por sanksionimi i shumicës së cilësuar e ka bërë këtë të pamundur. Partia Socialiste së fundmi kërkon t’i rijapë kopetenca Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë për të emëruar magjistratët e rij, në mungesë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Opozita e ka kundërshtuar këtë. Ish-ministri i Drejtësisë, Nasip Naço për LSI dhe Oerd Bylykbashi për PD nuk e pranuan propozimin e Partisë Socialiste të cilën e bënë me faj për “dështimin e reformës”.
Bylylkbashi shkoi më tej duke kërkuar rinegocim tërësor të ligjeve.
“Nuk mund të kurohet një sëmundje terminale e atij ligji dhe atij sistemi me aspirina. Ose rinegociohen termat thelbësore të ligjit për organizimin dhe funksionimin e sistemit të drejtësisë, ose ne do të vazhdojmë të shohim kriza të tilla,” tha Bylykbashi në një intervistë për televizionin Klan.
Skëndaj i tha BIRN se përpjekje për të rishikuar ligjet ishin bërë edhe në vende të tjera ku ishte zbatuar një reformë e ngjashme.
“Ndikimi i politikës në këto vende është evidentuar nëpërmjet vendimmarrjes që ka patur parlamenti duke ndryshuar sërisht ligjet e miratuara prej tij dhe duke bërë të mundur lehtësimin e ndërhyrjes së politikës në organizimin apo funksionimin e institucioneve të drejtësisë”, tha drejtuesja e KShH Skëndaj.
Kush po i “pret kokat”?!
Vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për të shkarkuar prokurorin Gentian Trenova u shoqërua menjëherë me reagime politike. Ndryshe nga rastet e tjera të cilat ishin lënë në heshtje në këtë rast deputeti i PD-së Oerd Bylykbashi dhe ish-ministri i Drejtësisë nga LSI, Ylli Manjani e cilësuan vendimin “politik”.
“Duket që Gentian Trenova pati fatin e keq të ishte prokurori që hetoi një nga skandalet më të mëdha, atë të “serverit të tatimeve””, shkroi Bylykbashi, duke e cilësuar largimin e prokurorit si politik dhe të pajustifikuar. Ai po ashtu akuzoi se vendimi ishte i qëllimshëm për të bllokuar Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, frikësuar kandidatë të mundshëm për KLGJ e KLP dhe bllokuar Gjykatën Kushtetuese. “Dhe ky është vetëm fillimi i Kolapsit në Drejtësi”, shkroi Bylykbashi në faqen e tij në Facebook.
Në të njëjtën kohë reagoi edhe Ylli Manjani. “Ky është palaçollëk jo vetting! Është hakmarrje e pastër politike! Kjo është prova flagrante që dëshmon fort se kush e si e bën vettingun në këtë vend!”, shkroi në faqen e tij ish-ministri i Drejtësisë.
Të dy edhe Bylykbashi edhe Manjani vunë në dyshim edhe qëndrimin e ONM (Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit), duke e ironizuar atë.
Në krahun tjetër kryeministri nuk është përpjekur t’i përgënjeshtrojë këto akuza. Duke folur në Durrës në një takim si pjesë e fushatës të cilën e ka pagëzuar “Për Shqipërinë që duam”, Rama tha sërish se qeveria po bënte reformën në drejtësi, duke pasur parasysh largimin nga sistemi të gjykatësve me probleme. “Ama në dorën tonë është që të bëjmë atë që po bëjmë, reformën në drejtësi”, tha kryeministri.
Në të njëjtin fjalim ai madje kërkoi merita për “kokat e prera” nga procesi i vetingut. “Për këtë arsye, ne po bëjmë një proces vettingu që është një proces pastrimi. Ju e shikoni çdo ditë që është një proces shumë rigoroz, ku “priten” koka, në kuptimin shembullor të fjalës dhe jo koka të vogla, koka të mëdha të një sistemi të kalbur deri në fund dhe të kapur deri në fund”, tha Rama duke ushqyer pak a shumë të njëjtin argument të kundërshtarëve të tij politikë, të cilët e sulmojnë reformën se po i shërben kryeministrit.
“Secili nga liderit politikë, siç ndodhi edhe me kryeministrin në rastin e fjalës në Durrës, po e përdor procesin e vetingut duke iu adresuar kritikëve politikë si dhe gjyqtarëve e prokurorëve që marrin vendime kundër interesave të tyre”, i tha BIRN Afrim Krasniqi. Ai e cilësoi këtë si cënim të besimit publik te reforma.
Megjithatë, Krasniqi thotë se shenjat ishin se ky lloj presioni do të thellohej.
“Për herë të parë është shfaqur fenomeni ku grupe të caktuara me influencë publike (media, kompani, etj) që kanë konflikt interesi me gjyqësorin, përdorin median dhe influencën e tyre për të denigruar, sulmuar gjyqtarë e prokurorë dhe për të ndikuar trupat e vetingut,” shtoi Krasniqi.
Sipas tij fenomeni pritet të thellohet në të ardhmen “me zgjerimin e listës së subjekteve të rivlerësimit”. Sipas tij është “e çuditshme që asnjë parti politike dhe as qeveria nuk është distancuar publikisht prej tyre”.
Për të intervistuarit nga BIRN, është e paqartë se sa këto reagime po ndikojnë te besueshmëria e procesit sa kohë ai është vetëm në fillimet e tij.
“Vijoj të mendoj se shoqëria, në koherencë të plotë me pritshmëritë e saj, ka gjithë arsyet që të jetë kritike sa i përket ritmeve të reformës. Sa i përket kredibilitetit të procesit, deri në këtë moment nuk shikoj asnjë shkak serioz për të ngritur dyshime,” tha Arjan Vasjari.
Për Skëndaj po ashtu është “zbatimi i mëtejshëm i kësaj reforme që do të evidentojë nëse kjo reformë ia ka arritur ose jo qëllimit të saj, ndër të tjerash për ta larguar politikën ndaj çdo formë ndikimi të dëmshme”.
Ajo megjithatë këmbëngul se në këtë fazë të procesit është shumë e rëndësishme që “politika të shmangë format e reagimit që mund të perceptohen si ndërhyrje, qoftë e tërthortë” në procesin e vetingut.
Reformimi i sistemit të drejtësisë është një nga kushtet kryesore për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në vendimin e fundit për fatin e negociatave me Shqipërinë, Ministrat Jashtëm të BE-së vlerësuan ato që i quajtën “rezultate të para të prekshme”, por cilësuan në formë kushti vijimin e saj.
“Avancimi i mëtejshëm i procesit të rivlerësimit të gjykatësve dhe prokurorëve, në veçanti dosjet prioritare dhe finalizimi e ngritja e strukturave të pavarura gjyqësore siç parashihen në reformën kushtetuese; finalizimi dhe ngritja e institucioneve speciale, si Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Byroja Kombëtare e Hetimit dhe gjykata”, thuhej në rekomandime. Aty po ashtu vihej theksi në vijimin e bashkëpunimit me ONM si monitoruesja dhe vlerësuesja e procesit.