
Ndërsa Maqedonia i afrohet më pranë NATO-s dhe BE-së, marrëdhëniet me Moskën kanë marrë një pikiatë- me më shumë telashe që priten në vazhdim.

Përpjekjet ruse për të penguar përparimin e shpejtë të Maqedonisë drejt anëtarësimit në NATO dhe nisjen e bisedimeve të pranimit në BE ka gjasa të rriten në prag të referendumit vendimtar mbi marrëveshjen e vendit me Greqinë, thonë vëzhguesit.
Ata thonë se Rusia mund të përpiqet të përdorë situatën e ndjeshme në Maqedoni, ku votuesit duhet të mbështesin ndryshimin e emrit të vendit për të ngurtësuar perspektivat euro-atlantike të vendit – duk nxitur pakënaqësi nacionaliste dhe anti-perëndimore.
Ndërsa disa ekspertë besojnë se Rusia është në çdo pozitë për të ndaluar integrimin e Maqedonisë në strukturat euro-atlantike, ata ende këshillojnë kujdes – duke vënë në dukje se deklaratat e ashpra dhe lëvizjet nga të dyja anët mund të përkeqësojnë marrëdhëniet tashmë të tensionuara dhe të pengojnë bashkëpunimin ekonomik.
Analisti politik nga Shkupi dhe ish-korrespondenti i Moskës Mirce Adamcevski thotë se marrëdhëniet me Rusinë vetëm do të përkeqësohen brenda një afati të shkurtër, përpara se të përmirësohen.
Moska “nuk do të ndërmarrë një qëndrim më dashamirës ndaj Maqedonisë derisa Maqedonia të bëhet anëtare e NATO-s”, parashikon Adamçevski.
“Ne e dimë se Rusia është kundër pranimit të Maqedonisë në NATO, prandaj kjo do të thotë se ekziston mundësia që Rusia të bëjë gjithçka që mundet që referendumi i ‘emrit’ të dështojë,” shtoi ai.
Forcat pro-Kremlin të akuzuara për komplotim dhune
Marrëdhëniet u ulën përsëri javën e kaluar pasi kryeministri maqedonas Zoran Zaev akuzoi biznesmenë grekë pro-rusë se po paguanin për të nxitur dhunë në Maqedoni në prag të referendumit vendimtar – i cili pritet të mbahet në vjeshtë.
Zaev tha se qeveria e tij kishte marrë raporte se biznesmenët grekë të cilët janë “simpatizantë të kauzës ruse” kishin paguar maqedonasit shuma duke filluar nga 13,000 deri 21,000 dollarë për “kryerjen e akteve të dhunës”.
Biznesmeni rus, me bazë në Greqi, Ivan Savvidi, të cilin disa media e përmendën si një financues të tillë të problemeve – më vonë i mohoi akuzat.
Rusia gjithashtu i cilësoi raportet si spekulime boshe. Më 18 korrik, zëdhënësja e ministrisë së jashtme Maria Zakharova i quajti akuzat “të pabazuara” dhe të projektuara për të “ushqyer ndjenjën anti-ruse”.
“Deklarata të tilla vënë në pikëpyetje sinqeritetin e dëshirës së qeverisë maqedonase për të ndërtuar marrëdhënie miqësore me Federatën Ruse,” tha një ditë më parë ambasada ruse në Shkup.
Në fakt, Maqedonia dëshiron marrëdhënie miqësore me Rusinë, por beson se Moska duhet të pranojë se nuk ka alternativë që Maqedonia t’i bashkohet NATO-s dhe BE-së, u përgjigj Zaev.
Ai këmbënguli se ai thjesht i kishte kaluar policisë maqedonase gjetjet, pasi ata kishin arrestuar disa pjesëmarrës në protestat e dhunshme përpara parlamentit të Maqedonisë në 17 qershor.
Para këtij shkëmbimi, Maqedonia e mërziti Rusinë në mars, kur dëboi një diplomat rus të paidentifikuar për solidaritet me Britaninë për shkak të skandalit të helmimit Skripal.
Qeveria në Shkup tha gjithashtu se dëbimi i saj bazohej gjithashtu në dëshmi se ai – ose ajo – ishte përpjekur të merrte informacione të klasifikuara.
Moska kërcënoi veprime hakmarrës dhe përsëri bëri thirrje që Maqedonia të mos i bashkohej NATO-s, duke këmbëngulur se kjo do të dëmtonte marrëdhëniet me Moskën dhe stabilitetin e rajonit.
Ambasadori rus Oleg Scerbak më 29 mars vuri në dukje se, në rast të një lufte midis Rusisë dhe NATO-s, Maqedonia tani do të shihej si një shënjestër legjitime.
Loja e frikës nacionaliste për shqiptarët
Pas një dekade bllokimi të shkaktuar nga bllokada greke, Maqedonia më në fund i zhbllokoi ofertat anëtarësimit të saj në BE dhe NATO, më 17 qershor, kur nënshkroi një marrëveshje historike me Greqinë.
Sipas kushteve të marrëveshjes, Maqedonia do ta ndryshojë emrin e saj në Republika e Maqedonisë së Veriut – e kushtëzuar nga një referendum i suksesshëm i planifikuar për në vjeshtë – për ta bërë atë më të dallueshme nga provinca veriore greke e Maqedonisë.
Në këmbim, Greqia hoqi bllokadën e saj për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.
Si rezultat, BE-ja këtë verë dha një fillim të kushtëzuar të bisedimeve të pranimit të Maqedonisë për vitin e ardhshëm.
NATO ndërkohë bëri një ftesë anëtarësimi që do të hyjë në fuqi sapo vendi të votojë për ndryshimin e emrit dhe të bëjë ndryshimet kushtetuese për ta vënë në zbatim atë.
Megjithatë, një problem kyç për qeverinë në Shkup është se partia kryesore opozitare VMRO DPMNE, si edhe disa parti të vogla, si partia pro-ruse Maqedonia e Bashkuar, janë fuqimisht kundër marrëveshjes, duke e cilësuar atë një kapitullim kombëtar.
Ndërsa VMRO DPMNE këmbëngul se është një parti pro-perëndimore, disa nga grupet e tjera më të vogla që kundërshtojnë marrëveshjen nuk e fshehin preferencën e tyre për lidhje të ngushta me Rusinë.
Koordinatori Kombëtar i Maqedonisë për NATO-n, Stevo Pendarovski, tha se Rusia ka një interes afatgjatë në ngadalësimin e integrimit euroatlantik të të gjitha vendeve të Ballkanit dhe në përpjekjen për të thyer kohezionin midis këtyre vendeve dhe Perëndimit.
“Në rastin e Maqedonisë, ata gjejnë tokë pjellore, kryesisht për shkak se ata luajnë në vijën e ortodoksisë,” vuri në dukje Pendarovski.
Rusët dhe maqedonasit kanë një besim të përbashkët ortodoks të krishterë – edhe pse në Maqedoni ndodhet gjithashtu një pakice të madhe myslimane shqiptare.
“Perëndimi portretizohet midis maqedonasve ortodoksë si mbrojtës i shqiptarëve, bashkë me fjalitë – “Ata u dhanë atyre një shtet të dytë (duke e pasur fjalën për Kosovën) – dhe tani do t’u japin atyre edhe një të tretë (duke e pasur fjalën për pjesët shqiptare të Maqedonisë),” shpjegoi ai.
Ky diskurs vëren se, kur Perëndimi ndërmjetësoi një zgjidhje për një kryengritje etnike në vitin 2001, “ata gjithashtu ndryshuan kushtetutën tonë, ndërsa rusët kanë qenë pranë nesh në të gjitha akuzat dhe janë mbrojtësit tanë”, shtoi Pendarovski.
Ai thotë se kjo propagandë rezonon fuqishëm sidomos midis maqedonasve të krahut të djathtë, edhe pse partia kryesore e krahut të djathtë VMRO DPMNE këmbëngul në kredencialet e saj pro-perëndimore.
“Unë pres që ndikimi rus të rritet në prag të dy hapave të ardhshëm pas procesit të ratifikimit të marrëveshjes me Greqinë – referendumi dhe ndryshimet e nevojshme kushtetuese që do të pasojnë referendumin,” shtoi ai.
Një tjetër analist politik në Shkup, Ljupco Ristovski, këshillon kujdes nga ana e Maqedonisë, kur vjen fjala te përdorimi i retorikës ndaj Rusisë.
“Duke njohur qëllimet gjeostrategjike të Rusisë, ne nuk duhet të veprojmë me zemërim apo ashpërsi. Ne duhet të ndërtojmë pozicionin tonë dhe të bëjmë detyrat tona për të përshpejtuar integrimin tonë euroatlantik,” tha ai.
Ristovski pranoi se, kur të afrohet dita e referendumit, Rusia “do të përpiqet të përmbushë pozicionet dhe aspiratat e saj gjeostrategjike”, por mendon gjithashtu se, “në këtë pikë, përpjekjet ruse vijnë shumë vonë” dhe tani nuk mund ta largojnë Maqedoninë nga rruga që ajo ka zgjedhur.
E rëndësishme të mos bëjmë armik një partner të madh tregtar
Ndërkohë, vëzhguesit ekonomikë theksojnë se ndërsa partnerët kryesorë ekonomikë të Maqedonisë janë Gjermania dhe vendet e tjera europiane, Rusia është ende një nga partnerët kryesorë tregtarë të saj.
Të dhënat nga Zyra e Entit Shtetëror të Statistikave e Maqedonisë tregojnë se shkëmbimet tregtare me Rusinë midis vitit 2013 dhe 2017 shënuan një rritje të ngadaltë, por të qëndrueshme, duke variuar në total midis 170 dhe 200 milionë euro në vit.
Eksportet maqedonase në Rusi, kryesisht prodhime bujqësore, verë, ushqime të konservuara dhe produkte farmaceutike, përbëjnë afërsisht një të tretën e tregtisë totale, me eksportet ruse të derivateve të energjisë në Maqedoni që përbëjnë pjesën tjetër.
Dekada e fundit ka parë gjithashtu një rritje të investimeve ruse, të cilat vlerësimet e Dhomës Ekonomike Maqedonase-Ruse vlerësojnë se kanë arritur në 90 milionë euro. Disa nga investitorët më të mëdhenj përfshijnë gjigantët e energjisë Lukoil dhe Stroytransgaz.
Eksperti ekonomik Krste Shajnoski thotë se një ekonomi e brishtë si ajo e Maqedonisë nuk mund t’i lejojë vetes të zgjedhë midis investimeve perëndimore dhe atyre ruse dhe duhet t’i përqafojë të gjithë në mënyrë të barabartë.
“Ne jemi një vend i vogël që ka nevojë për kapital të freskët dhe punësim të ri,” tha Shajnoski për Zërin e Amerikës muajin e kaluar.