
Në një intervistë për BIRN, ndërmjetësuesi i OKB-së midis Greqisë dhe Maqedonisë kujton rolin e tij të gjatë në negociata dhe paralajmëron për rreziqe të mëdha, nëse marrëveshja nuk aprovohet.

Gjatë një çerek shekulli, Matthew Nimetz, i dërguari i OKB-së i ngarkuar për ndërmjetësimin e mosmarrëveshjes midis Maqedonisë dhe Greqisë mbi çështjen e emrit, ka parë që mbi një duzinë kryeministra të ikin e vijnë në pushtet në Shkup dhe Athinë, ndërkohë që mosmarrëveshja dypalëshe mbetet e njëjta.
E gjithë kjo ndryshoi në ditëlindjen e tij këtë vit. Më 17 qershor, kur Nimetz mbushi 79 vjeç, ministrat e jashtëm maqedonas dhe grek Nikola Dimitrov dhe Nikos Kotzias nënshkruan marrëveshjen për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së gjatë. Nimetz ishte ulur në radhën e parë, midis personaliteteve të tjera të huaja, duke festuar këtë marrëveshje historike.
Në një intervistë me BIRN, Nimetz kujton si procesin e negociatave ashtu edhe rolin e tij në të, së bashku me rëndësinë e kohës dhe rreziqet e mëdha nëse marrëveshja nuk miratohet në të dy vendet.
Mosmarrëveshja daton nga shpallja e pavarësisë së Maqedonisë nga Jugosllavia në fillim të viteve 1990 dhe kundërshtimi i Greqisë për përdorimin e emrit “Maqedoni”, të cilin Greqia e pretendonte si pjesë të trashëgimisë së saj.
Si rezultat, Maqedonia u pranua në OKB nën një emër të përkohshëm, “Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë”.
Athina që prej asaj kohe ka bllokuar përpjekjet e Maqedonisë për t'iu bashkuar BE-së dhe NATO-s, në rast se mosmarrëveshja nuk zgjidhet dhe emri i vendit nuk ndryshon.
Në ditët e para të mosmarrëveshjes, autoritetet në Shkup shpresuan se bota do të ishte në anën e Shkupit dhe se vendet do të vazhdonin ta njihnin Maqedoninë nën emrin e saj kushtetues, pavarësisht mosmarrëveshjes së vazhdueshme.
Megjithatë, së shpejti u bë e qartë se me Greqinë anëtar të BE-së dhe NATO-s, strategjia ishte e shkurtër.

“Në Shkup në ditët e para ekzistonte një këndvështrim se koha ishte në anën e Shkupit. Koha nuk ishte në anën e Shkupit. Kishte një mendim se vala e nxehtë e jetës politike greke (me protesta masive) do të zhdukej me kalimin e kohës dhe pikëpamjet greke do të bëheshin më të moderuara ndërkohë që mjedisi ndërkombëtar do të ndryshonte dhe më shumë vende do ta pranonin atë nën emrin e saj kushtetues,” kujton Nimetz.
“Unë kisha argumentin e kundërt në ato ditë. Unë thashë: “Duhet te veproni shpejtë. Keni mundësi të jeni pjesë e BE-së së bashku me Bullgarinë dhe Rumaninë. Duhet ta zgjidhni këtë, të vazhdoni, sepse nuk e dini se çfarë mund të ndodhë me BE-në, NATO-n, çfarë do të ndodhë me rajonin,” tha ai. “Gjërat mund shkojnë për më mirë, por ato gjithashtu mund të përkeqësohen.”
Në fakt, Maqedonia siguroi njohjen e më shumë se 120 vendeve si “Republika e Maqedonisë”, por kjo nuk përfshinte Greqinë, e cila e bllokoi atë nga marrja e një ftese për t'iu bashkuar NATO-s, ndërkohë që çdo rekomandim i Komisionit Europian për të filluar bisedimet e pranimit nuk arriti gjithashtu të materializohej.
Gjatë viteve, Greqia dilte në të vetën dukë qortuar zyrtarët ndërkombëtarë sa herë që përdornin fjalën “Maqedoni”, në vend të emrit të përkohshëm, duke lëshuar letra proteste dhe duke u kujtuar atyre t'i qëndronin formulës së pranuar nga OKB-ja.
Nimetz qesh kur u pyet se si e trajtoi këtë çështje personalisht gjatë bisedimeve.
“Kjo ishte e vështirë për mua personalisht, si të shprehesha dhe kjo është një nga arsyet pse gjithmonë mendova se kjo çështje duhej të zgjidhej sepse të gjithë njerëzit në botë që merreshin me këtë çështje apo me vendet e përfshira e kishin problem si të flisnin, sidomos në anglisht, por edhe në gjuhë të tjera të huaja,” thotë ai.
“Për fat të keq, qasja ime ishte të shmangia përdorimin e emrave, sepse kjo ishte gjithmonë një problem. Unë nuk përdora kurrë FYROM, sepse nuk është një emër i pranueshëm. Më mirë thosha Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, që është një emër shumë, shumë i gjatë dhe jo shumë komod, por është emri zyrtar në OKB dhe unë jam një zyrtar i OKB-së.
“Por nuk mund të zhvillosh një bisedë dhe të vazhdosh të përdorësh atë emër. Kështu që fillova të përdorja dy kryeqytetet dhe thosha: “Cila është pikëpamja në Athinë dhe cila është pikëpamja në Shkup?”
Një ilustrim i mirë që tregon se sa frustruese ishte ndonjëherë kjo çështje për zyrtarët ishte një bisedë që ai pati me Ish-Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki moon, i cili i tha: “Nimetz, duhet ta zgjidhësh menjëherë këtë problem.”
Nuk mund të them më Ish-Republika Jugosllave. Herën e fundit që thashë Ish-Republika Jugosllave e Jugosllavisë të gjithë qeshën me mua. Duhet ta zgjidhni këtë dhe të më nxirrni nga ky siklet.” Dhe unë i thashë: “Po zotëri, do ta zgjidh, menjëherë.”

Pas samitit të NATO-s në Bukuresht në vitin 2008, kur Maqedonia nuk arriti të merrte një ftesë për t'iu bashkuar aleancës, Shkupi vendosi të ndërmarrë veprime ligjore kundër Greqisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Në vitin 2011 ajo vendosi në favor të Shkupit. Në të vërtetë, vendimi nuk ndryshoi shumë gjëra.
Bisedimet vazhduan dhe, edhe pse në sfond nuk dukej asnjë zgjidhje, Nimetz thotë se ishte e rëndësishme të vazhdohej para.
“Strategjia ime, madje edhe gjatë periudhave kur nuk kishte shumë mundësi për arritjen e një marrëveshjeje, ishte ruajtja e dialogut, vazhdimi i procesit, mbajtja e ideve, duke prit të vinte momenti i duhur,” thotë ai.
“Problemet e brendshme në të dy vendet e bënë të vështirë gjatë disa periudhave përqendrimin te ky problem si prioritet më të lartë – çështjet ekonomike, krizat financiare, ngërçet në parlament, ndryshimet në qeveri – por në fund unë mendoj se ndodhi gjëja e duhur,” shton Nimetz.
Ajo që i komplikoi akoma më shumë gjërat ishte procesi i ashtuquajtur “antikuizim” i nisur nga ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski.
Kjo rezultoi në ngritjen në Shkup të ndërtesave masive dhe skulpturave neoklasike, përfshirë një statujë shumë të madhe të Aleksandrit të Madh në qendër të qytetit. I gjithë procesi e zemëroi akoma më shumë Athinën dhe u gjykua si provokues.
Bisedimet u përshpejtuan vetëm me ardhjen e qeverisë së re në Shkup të udhëhequr nga socialdemokrati Zoran Zaev në mesin e vitit 2017. Qeveria u zotua se do t'i jepte fund mosmarrëveshjes.
Kjo u prit mirë në Athinë, ku qeveria tani pa përparësi në arritjen e një zgjidhjeje për këtë çështje. Vizita e parë zyrtare e Ministrit të Jashtëm Nikola Dimitrov ishte në Athinë në qershor të vitit 2017. Një vit më vonë, një marrëveshje u arrit, e mirëpritur nga të moderuarit, por e refuzuar nga nacionalistët në të dy vendet si tradhti ndaj interesave kombëtare.
Sipas marrëveshjes, të nënshkruar në qershor, Maqedonia do të ndryshojë emrin e saj në “Republika e Maqedonisë së Veriut” në këmbim të mbështetjes së Greqisë për pranimin e shpejtë në NATO dhe fillimin e bisedimeve të pranimit në BE.
Emri i ri i rënë dakord, Republika e Maqedonisë së Veriut, do të përdoret si në nivel ndërkombëtar ashtu edhe brenda vendit, një çështje që ishte prioritet për Greqinë.
Nga ana tjetër, përkufizimi i gjuhës së vendit do të mbetet “maqedonase”, siç këmbënguli Shkupi. Shtetësia e popullit do të përkufizohet si “Maqedonas/Qytetarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.
Disa kundërshtarë të marrëveshjes kanë tentuar të thonë se çështjet kyçe të identitetit maqedonas, kombësia dhe gjuha nuk qenë kurrë pjesë e negociatave.
Nimetz këmbëngul se në bisedimet u përfshinë gjithmonë këto çështje.
“Çështja e emrit ishte ajo për të cilën folën njerëzit sepse emri i shtetit ishte çështja dominuese në perceptimin e njerëzve, por historianët, kur të shohin historinë e bisedimeve, do të gjejnë shumë dhe shumë dokumente dhe propozime që merren me këto çështje të tjera,” thotë ai.
“Në OKB, për çdo vend ka një protokoll, një fletë letre në administratë për çdo vend që thotë: emri i shtetit: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeqyteti: Uashington DC, kombësia: amerikane, gjuha angleze; emri i shkurtuar: Shtetet e Bashkuara,” kujton ai.
“Pra, ne kemi të njëjtën gjë për vendin tuaj dhe ajo thotë, emri: Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë; kryeqyteti, Shkupi; dhe pastaj kombësia? Pra, çfarë të vendosim atje? Gjuha? Pra, ka qenë gjithmonë një problem dhe e gjithë paketa nuk mund të zgjidhej pa të, sepse do të hapte polemika të reja,” shpjegon ai.
Megjithatë, që marrëveshja të bëhet efikase, mbeten ende shumë pengesa. Një pengesë është mbështetja e maqedonasve, siç tregohet në një referendum të caktuar për në datën 30 shtator.
Nëse referendumi për marrëveshjen është i suksesshëm, siç parashikon sondazhi aktual, parlamenti do të duhet të miratojë ndryshime kushtetuese, për të cilat Social Demokratët kanë nevojë për një shumicë prej dy të tretash. Megjithatë, ata nuk do ta kenë atë pa mbështetjen e opozitës.
Opozita e Maqedonisë ende nuk ka vendosur për qëndrimin e saj mbi referendumin, por ka qëndruar fort kundër marrëveshjes, duke pretenduar se ajo mund ta kishte zgjidhur mosmarrëveshjen në një mënyrë më të favorshme për Maqedoninë.
Nimetz nuk beson se kjo është e arsyeshme. “Ka disa njerëz në vendin tuaj të cilët thonë: ‘Të mos vazhdojmë para me këtë marrëveshje. Le të presim! Të presim edhe disa vjet. Në të ardhme do të arrijmë një marrëveshje më të mirë.' Unë them: ‘Ju nuk e dini se ku do të jetë BE-ja dhe nëse ajo do të dojë një anëtar të ri, nëse do ta dojë vendin tuaj. Ju nuk e dini se ku do të jetë NATO-ja. Nuk e dini ç‘ndodh në Greqi me ndryshimet në qeverinë e tyre. Nuk e dini çfarë ndodh më gjerë në rajon dhe mjedisin politik dhe ekonomik europian që do të ndikojë në një negociatë të re. Ideja e pritjes afatgjatë është shumë e rrezikshme.”
Nimetz druhet se mundësia aktuale mund të mos përsëritet për një kohë të gjatë, nëse refuzohet.
“Shpresoj se marrëveshja të miratohet dhe mendoj se kjo do të ndodhë në të dy vendet, sepse është një zgjidhje e drejtë dhe e ndershme që plotëson interesat thelbësore të të dy vendeve, por nëse nuk miratohet unë nuk shoh ndonjë zgjidhje tjetër afatshkurtër,” paralajmëron ai.
“U deshën 25 vjet për të arritur këtë marrëveshje. Mund te duhen edhe 25 vjet të tjera. Dhe shumë njerëz do të humbasin interesin nëse kjo marrëveshje nuk aprovohet në vendin tuaj,” thotë ai.
“Nëse e refuzoni, druhem se shumë njerëz do t'ju shohin sikur po i thoni botës: ‘Nuk na intereson një zgjidhje kompromisi. Nuk na intereson ta zgjidhim këtë çështje me Greqinë. Nuk na intereson procesi i BE-së. Nuk na intereson NATO-ja. Nuk na intereson t'i zgjidhim problemet.' Pjesa tjetër e botës ka gjasa të thotë: ‘Mirë, këtyre njerëzve s'u intereson të zgjidhin ndonjë gjë. Pse duhet të shqetësohemi për situatën e tyre? Kështu mund të duhen shumë vite para se kjo çështje të rivazhdojë, nëse ajo refuzohet.”
Nimetz tani do të dalë në pension dhe mezi pret që të heqë dorë nga përfshirja e tij në një nga mosmarrëveshjet më të vështira të Europës.
Me fjalët e tij, “Shpresoj që marrëveshja të miratohet në të dy vendet, por sidoqoftë, unë do të vazhdoj jetën tme. Sigurisht që gjithmonë do të kem një ndjenjë të veçantë për këto dy vende, por nuk do të kem si përgjegjësi të shqetësohem më për për këtë çështje.”