Sektori i pareformuar i medias ka kontribuar në vështirësitë e fundit të qeverisë së re.
Maqedonia pati një moment të rrallë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare më 30 shtator, pasi shumë njerëz në Shtetet e Bashkuara dhe në kryeqytetet europiane prisnin rezultatin e një referendumi të rëndësishëm mbi emrin e vendit.
Greqia ka bllokuar pranimin e Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Europian për shkak të asaj që ajo e shikon si pretendime territoriale të nënkuptuara në emrin aktual kushtetues, Republika e Maqedonisë.
Fakti që referendumi, i cili i kërkoi votuesve të pranonin një ndryshim të emrit të negociuar me Athinën, nuk arriti të kalonte pragun e kërkuar prej 50 për qind të votuesve në vend u interpretua si një humbje për qeverinë ose, më keq, si një fitore për Rusinë, e cila i ka bërë rezistencë zgjerimit të NATO-s dhe BE-së.
Pavarësisht të gjithë vëmendjes, megjithatë, pak vëzhgues të jashtëm kanë analizuar siç duhet dinamikën e brendshme të Maqedonisë ose kanë vërejtur masën në të cilën zhgënjimi publik me politikën – dhe me mediat – mund të ketë kontribuar në pjesëmarrjen e ulët.
Shpresa të mëdha dhe probleme të thella
Optimistët jashtë vendit e kanë përshëndetur Maqedoninë si një nga vendet e pakta në të gjithë botën që kanë parë zhvillime pozitive për demokracinë gjatë një viti e gjysmë të kaluar.
Në fakt, ajo u identifikua si një nga “pikat e ndritshme” të rajonit të gjerë në raportin e Freedom House në vitin 2018, i cili tha se qeveria e re që erdhi në pushtet në maj 2017 kishte një mundësi të mirë për t’i dhënë fund një dekade keqbërjesh politike dhe për të filluar detyrën e vështirë të rrëzimit të kapjes së shtetit.
Partia e krahut të djathtë VMRO-DPMNE, në pushtet nga viti 2006 deri në vitin 2016, kishte ndërtuar një sistem qeverisës të bazuar në ryshfet, manipulim zgjedhjesh, klientelizëm dhe kanosje.
Sipas bisedave të përgjuara që janë subjekt i çështje penale në vazhdim e sipër, partia ngriti një program të gjerë përgjimi të paligjshëm, duke regjistruar bisedat e deri në 20,000 qytetarëve, përfshirë gazetarë.
Ajo gjithashtu kërcënoi dhe ngacmoi punonjës të medias të cilët ishin kritikë ndaj sundimit të saj. Në vitin 2013, gazetari Tomislav Kezarovski u dënua me katër vjet e gjysmë burg për zbulimin e supozuar të identitetit të një dëshmitari të mbrojtur; Kezarovski me sa duket i kishte zemëruar VMRO DPMNE duke hetuar vdekjen misterioze të botuesit të gazetës së pavarur Fokus dhe shkruar artikuj që implikonin qeverinë në korrupsion.
Në vitin 2016, gazetari polemik Zoran Bozinovski u ekstradua nga Serbia dhe u ndalua nën dyshimet për spiunazh në emër të Greqisë dhe Hungarisë.
Partia akuzohet gjithashtu për ndërhyrjen në sistemin gjyqësor dhe në përpjekje për të kontrolluar gjykatat, mashtrime zgjedhore të lidhura me zgjedhjet vendore të vitit 2013 dhe përpjekjen për të mbuluar vrasjen.
Ndoshta përkujtuesi më i spikatur i dekadës së pushtetit të kryeministrit Nikolla Gruevski të VMRO DPMNE-së është projekti i “ringjalljes urbane” i njohur me emrin Shkup 2014. Monumente të shndritshme dhe të ngritura në të gjithë qytetin janë bërë një simbol i dukshëm i korrupsionit sistematik.
Duke pasur parasysh këtë keqqeverisje, nuk është habi që koalicioni i ri qeverisës – i përbërë nga Bashkimi Social Demokrat i Maqedonisë (LSDM) dhe partitë që përfaqësonin minoritetin etnik shqiptar – u përshëndet në vitin 2017 me një lehtësim të madh, si në vend ashtu edhe në nivel ndërkombëtar.
Gjatë pjesës më të madhe të vitit të saj të parë në pushtet, qeveria e udhëhequr nga LSDM-ja u përqendrua në përmirësimin e marrëdhënieve të shkatërruara të Maqedonisë me fqinjët e saj.
Përfundimi i një traktati miqësie me Bullgarinë në fillim të vitit 2018 u konsiderua si një sukses i rëndësishëm dhe projekt marrëveshja me Greqinë – e cila bën thirrje që vendi të marrë emrin e ri Republika e Maqedonisë së Veriut – mund të hapte rrugën për pajtimin rajonal dhe aderimin në NATO dhe BE. (Qeveria është zotuar të vazhdojë para me ndryshimin e emrit pavarësisht nga referendumi i dështuar.)
Megjithatë, theksi fillestar në politikën e jashtme ka nxitur reformat e brendshme të nevojshme dhe mungesa e progresit në një fushë mund të pengojë fitimet në tjetrën. Tregu i trazuar mediatik është një shembull.
Shumë media, pak pavarësi mediatike
Tregu i medias në Maqedoni është tepër i mbingarkuar. Për një vend me vetëm 2 milionë banorë, ka 15 kanale televizive kombëtare, 21 rajonale dhe 22 lokale, rreth 70 stacione radioje, 5 gazeta ditore, 2 të përjavshme dhe 11 të tjera periodike dhe më shumë se 100 faqe interneti lajmesh dhe opinionesh me përmbajtje lajmesh nga vendi.
Megjithatë, njësoj si në pjesën më të madhe të rajonit, kjo shumëllojshmëri e dukshme nuk përkthehet në diversitet pikëpamjesh. Në vend të kësaj, ato i përmbahen linjave partiake, të cilat kanë tendencë të jenë pro partisë në pushtet.
Tregu i reklamave është i vogël, vlerësohet rreth 35 milionë euro në vit. Numri i madh i mediave që megjithatë i mbijetojnë këtij mjedisi sugjeron që kushtet e tregut dhe përfitimi nuk janë shqetësimi kryesor për pronarët e mediave.
Në të vërtetë, shumë pronarë përdorin mediat e tyre si mjet politik për të mbrojtur dhe përkrahur interesat e tjera të biznesit. Gazetarët ndërkohë përballen me kushte të këqija pune, paga të ulëta dhe mungesë sigurie në punë, të cilat dëmtojnë aftësinë e tyre për të raportuar në mënyrë të pavarur dhe për t’i rezistuar presionit nga pronarët dhe të tjerët.
Ka pasur shumë raportime ndërkombëtare rreth dezinformimit dhe lajmeve të rreme në lidhje me referendumin e emrit, si edhe për përfshirjen e mundshme të Rusisë me fushatën për bojkotim të votimit. Por lajmet e rreme – dikur të njohura thjesht si propagandë, kanë një histori të gjatë në Maqedoni.
Në fakt, shumë vendas shprehen se praktikat aktuale të manipulimit të rrjeteve sociale dhe faqeve të rreme të internetit janë të zbehta në krahasim me aparatin masiv të propagandës që VMRO DPMNE përdorte kur ishte në qeveri.
Menjëherë pasi qeveria e re erdhi në pushtet, premtoi të reformojë shërbimin e transmetuesit publik dhe rregullatorin e medias, të krijojë mekanizma transparente për shpërndarjen e reklamave qeveritare, të bëjë më te lehtë qasjen në të dhënat shtetërore dhe të rishikojë ligjet që lidhen me shpifjen.
Megjithatë, sipas vlerësimeve të ekspertëve, nuk kanë ndryshuar shumë gjëra. Qeveria e LSDM-së mbështeti subvencionet publike që ishin keqpërdorur për të mbështetur zërat e VMRO DPMNE-së, por kjo përkeqësoi problemet financiare të sektorit dhe i la mediat duke u përpjekur të siguronin mbulim cilësor.
Për më tepër, mediat vazhdojnë të varen nga qeveria. Ndërkohë që një numër mediash të përdorura qartë për qëllime propaganduese nga qeveria e mëparshme u ndalën këtë vit, të tjerë ndryshuan qëndrimin e tyre dhe u bënë ose më neutralë ose plotësisht pozitiv ndaj koalicionit të ri qeverisës.
Janë propozuar një numër ndryshimesh specifike ligjore, përfshirë procedura emërimi të reformuara për rregullatorin e medias dhe transmetuesin publik, por këto ligje ende nuk janë miratuar.
Parlamenti arriti të miratojë një ndryshim të diskutueshëm në ligjin zgjedhor, i cili do t’i lejonte komisionit zgjedhor të gjobisë media online për “mbulim jo të ekuilibruar”. Ai u miratua brenda një nate në një seancë verore pa shumë transparencë, një precedent i keq procedural për koalicionin qeverisës.
Ndryshimi fillon nga brenda vendit
Disa gjëra sigurisht që janë përmirësuar gjatë një viti e gjysmë. Qeveria e re është shumë më transparente në sjelljen e saj dhe gazetarët e të gjitha llojeve kanë akses kur raportojnë mbi politikën qeveritare ose institucionet shtetërore.
Politikanët e qeverisë janë gjithashtu të palëkundur në dënimin e dhunës dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve – një ndryshim i mirëpritur që do të ketë efekte pozitive përtej rasteve në fjalë. Kur vjen fjala për zgjidhjen e këtyre krimeve dhe gjykimin e autorëve, megjithatë, ka pasur progres të dobët, me rreth 50 raste të pazgjidhura nga vitet e kaluara.
Është e rëndësishme që gazetarët tani të ndihen më të lirë të punojnë pa frikën e pasojave siç janë kërcënimet, gjuha e urrejtjes apo kanosja nga qeveria, por një ndryshim në atmosferë nuk do të jetë i mjaftueshëm.
Gjatë një viti e gjysmë është ekspozuar më tej gjendja e keqe e sektorit mediatik të vendit dhe dëmi i madh që qeveria e mëparshme autoritare bëri në këtë fushë.
Që tregu të funksionojë në mënyrë më të qëndrueshme, lidhjet e shtrembëruara midis politikës dhe shtypit duhet të thyhen. Edhe pse kjo s’do të ndodhë brenda natës, është e nevojshme të rritet besimi i qytetarëve në mediat dhe institucionet politike.
Marrëveshja për emrin, duke hapur një rrugë për pranim në BE dhe NATO, mund të ndihmojë në përfundimin e ciklit të kapjes së shtetit dhe zhgënjimit të publikut në Maqedoni.
Por nëse qytetarët nuk kanë besim te politikanët që negociojnë në emër të tyre ose gazetarët që përshkruajnë se çfarë është në rrezik, ata mund të lejojnë t’u ikin nga duart këto mundësi. Qeveria do të duhet të vërtetojë bona fides-in e saj me reforma më konkrete në vend dhe sektori i medias është një vend i mirë për të filluar.
Ky artikull u publikua në fillim në Freedom House.
Mendimet e shprehura në rubrikën e Opinioneve janë vetëm ato të autorëve dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.