Shumica qeverisëse ka propozuar atë që ajo e quaj “pajtim kombëtar”, por opozita po kërkon një amnisti ligjore për personat e përfshirë në mësymjen e përgjakshme të vitit të kaluar në parlamentin maqedonas.
Ndërsa qeveria dhe shumica qeverisëse kanë bërë thirrje për unitet dhe falje në shoqërinë politike të ndarë në Maqedoni, opozita ka bërë thirrje për një amnisti të plotë për njerëzit që ishin të përfshirë në hyrjen e dhunshme në ndërtesën e parlamentit vitin e kaluar.
Kryetari i parlamentit Talat Xhaferi do të drejtojë një komision të ri parlamentar që ka për detyrë gjetjen e mënyrave për të arritur pajtimin kombëtar pas një krize politike të gjatë që shkaktoi ndarje të thella.
Themelimi i komisionit ishte një nga kushtet që vunë disa deputetë të opozitës për të votuar për ndryshimet kushtetuese që mundësojnë zbatimin e marrëveshjes historike të emrit të Maqedonisë me Greqinë.
Edhe pse plani është të ftojë krerët e të gjitha grupeve parlamentare të marrin pjesë në komision, partia kryesore e opozitës VMRO DPMNE, deputetët dhe simpatizantët e të cilës po gjykohen për sulmin në parlament, e kanë refuzuar ftesën.
Zëdhënësi i VMRO DPMNE Naum Stoilkovski tha të mërkurën se partia e tij nuk do të marrë pjesë në komisionin “i cili do të siguronte drejtësi selektive vetëm për ata deputetë të VMRO DPMNE-së që morën pjesë të premten në votimin për ndryshimet kushtetuese”.
Partia opozitare menjëherë i përjashtoi deputetët disidentë nga radhët e veta.
VMRO DPMNE tha se do të paraqesë projektligjin e vet për amnistinë e të 33 personave që janë në gjyq për “vënie në rrezik terrorist të rendit kushtetues” në lidhje me mësymjen në parlament.
Ngritja e komisionit parlamentar të pajtimit, i cili do të ketë rreth 30 ditë kohë që të dalë me një direktivë fillestare për masa të ardhshme, u kërkua nga tetë deputetët e opozitës, të cilët të premten e kaluar refuzuan udhëzimet e partisë së tyre dhe siguruan mbështetjen e rëndësishme për vënin në zbatim të marrëveshjes së emrit.
Katër nga këta tetë deputetë janë aktualisht në gjyq – tre për përfshirjen e tyre në dhunën në parlament dhe një në një rast tjetër korrupsioni.
Kryeministri Zoran Zaev, i cili pranoi formimin e komisionit të pajtimit, i zgjodhi me kujdes fjalët e tij mbi nismën e e VMRO DPMNE për të ofruar një amnisti.
Mundësia për pajtim “nuk do të thotë ndërhyrje në gjyqësor”, iu përgjigj Zaev VMRO DPMNE-së. “Duke kërkuar një amnisti, nuk duhet të shkatërrojmë sundimin e ligjit,” shtoi ai.
Duke vënë në dukje se reformat gjyqësore të Maqedonisë dhe sundimi i ligjit janë nën syrin vigjilent të Bashkimit Europian, Zaev tha se “ende nuk kemi gjetur hapat, metodat dhe mënyrën për pajtim kombëtar” pa rrezikuar vlerat thelbësore të drejtësisë.
Ndarja e mprehtë politike në Maqedoni arriti kulmin në prill të vitit 2017, kur mbështetësit e ish-qeverisë së udhëhequr nga VMRO DPMNE sulmuan parlamentin duke plagosur rreth 100 vetë, përfshirë deputetët, në përpjekje për të parandaluar shumicën e re të Zaevit të zgjidhte një kryetar të ri të parlamentit dhe duke hapur rrugën për formimin e një qeverie të re.
Besa Arifi, profesoreshë e shkencave juridike në Universitetin e Europës Juglindore në Tetovë, tha se nisma e vazhdueshme e parlamentit për pajtim mund të “kontribuojë për të mirën më të madhe në shoqëri”.
Por Arifi paralajmëroi se pajtimi s’duhet të ngatërrohet me termat ligjor të amnistisë dhe faljes, që ajo mendon se “nuk do ta ndihmojnë Maqedoninë të përmirësojë sundimin e ligjit”.
Pajtim, amnisti apo falje?
Puna e komisionit të pajtimit do të zhvillohet paralelisht me dy fazat e ardhshme të miratimit të ndryshimeve kushtetuese, të cilat duhet të kërkojnë dy raunde votimi në parlament përpara se të shohin emrin e vendit të ndryshuar në Republika e Maqedonisë së Veriut, siç parashikohet nga marrëveshja e emrit.
Mes pasigurisë dhe spekulimit në lidhje me qëllimin e vërtetë të komisionit parlamentar, Saso Ordanoski, një gazetar dhe redaktor në televizionin e Maqedonisë 1 TV, prezantoi një skenar të mundshëm në një artikull për Median Civile të enjten.
Kjo fillimisht do të përfshinte marrjen e një vendimi në rastin e mësymjes së dhunshme në parlament, që sipas vlerësimeve do të marrë disa muaj të tjerë.
“Pastaj, si rezultat i konsensusit më të gjerë politik mbi ‘pajtimin kombëtar’, presidenti i sapozgjedhur (Maqedonia do të mbajë zgjedhjet presidenciale në pranverën e ardhshme), mund të fillojë një procedurë për faljen e të dënuarve,” shkroi Ordanoski.
Por kjo do të vlente vetëm për ata që bashkëpunuan me autoritetet gjatë gjyqit për të zbuluar një tablo më të madhe rreth dhunës në parlament që mund të siguronte informacione në lidhje me organizatorët e mundshëm që qëndronin pas sulmit.
“Në këtë mënyrë, integriteti ligjor i Maqedonisë do të ruhej dhe nisma për falje dhe pajtim do të merrte një kornizë politike të civilizuar” e cila nuk do të devijonte rrugën e vendit drejt reformave gjyqësore të kërkuara nga BE-ja dhe përmirësimin e sundimit të ligjit, përfundoi Ordanoski.