
Maqedonia në vitin 2018 miratoi një ligj që zgjeron përdorimin e gjuhës shqipe dhe filloi hetimin për të vërtetën në disa nga rastet më të errëta që trazuan marrëdhëniet ndëretnike nën regjimin e mëparshëm.

Zgjedhja e kryeministrit social demokrat Zoran Zaev në maj 2017 shënoi një kthesë të madhe nga politikat nacionaliste dhe etnike të regjimit autoritar të paraardhësit të tij Nikola Gruevski, i cili kishte qenë në pushtet për 11 vjet.
Por vetëm gjatë vitit 2018 mantra para dhe pas zgjedhore e Zaevit për ndërtimin e “Një shoqërie për të gjithë”, pa marrë parasysh përkatësinë etnike apo dallimet e tjera, u vu në provë.
Një provë ndodhi në mars kur, pavarësisht skenave të padisiplinuara në parlament të shkaktuara nga partia e djathtë e Gruevskit VMRO DPMNE, shumica e deputetëve miratuan një ligj që zgjeron përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe anembanë vendit.
Legjislacioni megjithatë duhet të hyjë ende në fuqi, pasi presidenti në largim Gjorge Ivanov nuk pranoi ta nënshkruante atë.
Viti 2018 po ashtu pa përmbushjen e pjesshme të shpresave se ndryshimi i qeverisë do të sillte një transparencë shumë të nevojshme në disa raste gjyqësore të ndjeshme etnike, të cilat kanë helmuar gjatë marrëdhëniet e brishta mes shumicës maqedonase të vendit dhe pakicës shqiptare.
Nga tre raste të tilla në të cilat të pandehurit ishin shqiptarë etnikë dhe që shumë besojnë se ishin ndikuar politikisht nga regjimi i mëparshëm, një përfundoi me rrëzimin e të gjitha akuzave, një tjetër u rihap, ndërsa rasti i tretë, pavarësisht shpresave, nuk pati hetim ndërkombëtar si donin të pandehurit.
Debat mbi Ligjin e Gjuhës Shqipe

Ndërsa konsiderohet si një hap pozitiv nga shqiptarët në vend dhe nga BE-ja, miratimi i Ligjit të Gjuhës Shqipe në fund të vitit 2017 dhe fillimi i vitit 2018 është kundërshtuar fuqimisht nga presidenti Gjorge Ivanov dhe ish-partia qeverisëse VMRO DPMNE.
Më 14 mars, kur shumica parlamentare përgatitej të miratonte ligjin për herë të dytë, deputetët e VMRO DPMNE rrethuan kryetarin e parlamentit, Talat Xhaferi, për disa minuta përpara dhe gjatë votimit dhe kryetari i atëhershëm i partisë Gruevski shkoi pas tavolinës së Xhaferit dhe u përpoq të fuste duart në pajisjen e tij elektronike.
Tensioni arriti kulmin pasi Xhaferi deklaroi se ligji ishte miratuar, pas së cilës Gruevski pati një përleshje të shkurtër me kryetarin, duke bërë që të ndërhynte sigurimi i parlamentit për t’i ndarë ata të dy.
Parlamenti e kishte miratuar tashmë ligjin në janar 2017, por disa ditë më vonë presidenti Ivanov vuri veton ndaj tij, duke këmbëngulur, ashtu si opozita, se ai të ishte në kundërshtim me kushtetutën.
Miratimi i dytë anuloi rrezikun e një vetoje tjetër ekzekutive. Megjithatë, pasi ligji nuk u nënshkrua kurrë nga presidenti, ai nuk hyri kurrë në fuqi dhe ndoshta do të duhet të presë për zgjedhjen e një presidenti të ri në pranverë të vitit të ardhshëm.
Ligji shtrin përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në të gjithë vendin, në të cilin shqiptarët etnikë përbëjnë rreth një të katërtën e popullsisë së përgjithshme prej 2.1 milionë banorësh, duke lehtësuar komunikimin në gjuhën shqipe me institucione si komunat, spitalet dhe gjykatat.
Ligji i mëparshëm e përkufizonte gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare, por i jepte asaj status vetëm në ato zona ku shqiptarët përbëjnë më shumë se 20 për qind të popullsisë lokale.
Rrëzohen akuzat në rastin e vrasjeve të ushtarëve të NATO-s

Vetëm disa ditë pas trazirave në parlament, më 19 mars, pati një lehtësim të shumëpritur për banorët shqiptarë etnikë në fshatin verilindor të Sopotit, të akuzuar për vendosjen e një mine që vrau dy ushtarë të NATO-s në vitin 2003.
Prokuroria Speciale e Maqedonisë, e cila mori juridiksionin në lidhje me këtë çështje në vitin 2017 me shpresën për të hedhur më shumë dritë mbi këtë ngjarje, i rrëzoi të gjitha akuzat kundër 11 fshatarëve për shkak të mungesës së provave.
Kryeprokurorja e Prokurorisë Speciale Katica Janeva në mënyrë indirekte konfirmoi shumë dyshime se prokuroria kishte qenë e motivuar politikisht kur shpjegoi se i gjithë rasti, një nga më të gjatë në historinë gjyqësore të Maqedonisë, ishte bazuar në një dëshmitar të vetëm, Ramadan Bajrami, i cili ishte detyruar nga autoritetet të jepte dëshminë e tij.
Ndërsa avokatët e të pandehurve ishin të lumtur për rezultatin dhe thanë se do të kërkonin dëmshpërblime për klientët e tyre, Prokuroria Speciale tha se hetimi i saj nuk përfundon aty dhe la të kuptohet se në të ardhmen mund të shkojë pas kujtdo që ishte përgjegjës për dhënien e dëshmisë së rreme.
Shpërthimi i minës në Sopot ndodhi në vitin 2003 kur Maqedonia po merrte ende veten nga një konflikt i armatosur dy vjet më parë midis kryengritësve shqiptarë etnikë dhe forcave të sigurisë.
Partitë politike shqiptare etnike e kritikuan gjyqin si një shembull kryesor të padrejtësisë ndaj shqiptarëve në Maqedoni.
Kalon për rigjykim rasti i vrasjes masive në Shkup
Në prill, një tjetër rast i profilit të lartë që kishte shkaktuar shumë tensione etnike u rihap me kërkesën e Prokurorisë Speciale.
Çështja përqendrohej rreth vrasjes së pesë maqedonasve etnik gjatë vitit 2012 gjatë Pashkës ortodokse pranë Shkupit, për të cilën gjashtë shqiptarë etnikë u gjetën fajtorë për terrorizëm dhe u dënuan me burgim të përjetshëm në vitin 2014.
Në rigjykimin që vazhdon ende, Prokuroria Speciale njoftoi se do të paraqiste prova të reja që mund të hedhin më shumë dritë mbi këtë çështje.
Rigjykimi u mirëprit nga mbrojtja, e cila shpreson që dëshmitarët e rinj dhe provat e mundshme të reja në formën e bisedave të përgjuara midis ish-zyrtarëve të lartë shtetëror – që Prokuroria Speciale po i heton për krime të mundshme të nivelit të lartë – mund t’i lirojnë të akuzuarit nga akuzat.
Mbrojtja ka këmbëngulur prej kohësh se të akuzuarit mund të kenë qenë koka turku dhe se qeveria e mëparshme e udhëhequr nga VMRO DPMNE mund të ishte përfshirë, në një përpjekje për të treguar se institucionet shtetërore mund ta qartësonin çështjen me efikasitet.
Trupat e Filip Slavkovski, Aleksandar Nakjevski, Cvetanco Acevski dhe Kire Trickovski, të gjithë nga mosha 18 deri në 20 vjeç, u zbuluan më 12 prill 2012. Trupat e tyre ishin rreshtuar dhe dukej se ishin ekzekutuar.
Trupi i 45-vjeçarit Borce Stevkovski u gjet shumë pak më larg të tjerëve.
Lajmet mbi vrasjen shtuan tensionet etnike, pasi grupet e maqedonasve etnikë organizuan protesta, disa prej të cilave u kthyen të dhunshme, duke fajësuar për vrasjet pjesëtarë të komunitetit të vogël të pakicës shqiptare.
Gjatë vitit 2015 dhe 2016, udhëheqësi i atëhershëm i opozitës dhe tashmë kryeministri aktual Zaev la të kuptohej për mediat se disa nga bisedat e përgjuara mund të ofronin një pasqyrë të re për këtë rast.
Megjithatë, ai nuk pranoi t’i publikonte përgjimet, duke këmbëngulur se kjo mund të shkaktonte më shumë dëm sesa dobi.
Paketa e plotë e mijëra përgjimeve tashmë është në posedim të Prokurorisë Speciale, por deri më sot nuk dihet se çfarë provash mund të kenë ato që të kenë lidhje me rastin e vrasjes masive.
Asnjë hetim ndërkombëtar për shkëmbimin e zjarrit në Kumanovë

Pavarësisht nga optimizmi i kujdesshëm se viti 2018 mund të shohë gjithashtu një hetim ndërkombëtar në rastin në të cilin 37 shqiptarë etnikë u futën në burg të akuzuar për terrorizëm për një shkëmbim dy ditor zjarri me policinë maqedonase në qytetin e Kumanovës në vitin 2015, nuk ndodhi asgjë.
Drejt fundit të vitit 2017, kryeministrat e Kosovës dhe të Maqedonisë thanë se kishin rënë dakord për të kërkuar një hetim ndërkombëtar.
Por gjatë vitit 2018, situata mbeti e pandryshuar, pa njoftime të reja nga autoritetet. Zaev gjithashtu e shmangu përmendjen e këtij rasti gjatë të gjithë vitit.
Shkëmbimi dy ditor i zjarrit midis personave të armatosur shqiptarë etnikë dhe forcave të sigurisë në qytetin verior të Kumanovës në Maqedoni në maj të vitit 2015 la 18 të vdekur, duke përfshirë tetë oficerë policie.
Dënimet me burgim të përjetshëm u dhanë për shtatë nga 37 të pandehur në rastin e nëntorit 2017, duke shkaktuar zemërim dhe protesta në Kosovë. Pjesa tjetër e të pandehurve kryesisht morën dënime të gjata me burg.
Gjashtëmbëdhjetë të pandehur ishin nga Kosova dhe ish-anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Mbrojtja e tyre pohoi se ata ishin viktima të një strukture politike dhe se qëllimi i tyre nuk kishte qenë të shkaktonin dhunë, por të përcillnin një mesazh mbi të drejtat etnike shqiptare në Maqedoni.
Ka dyshime të mëdha se qeveria e mëparshme e Maqedonisë, e udhëhequr nga Gruevski dhe shërbimet e tij të sigurisë, mund të ketë luajtur një rol në organizimin e incidentit të përgjakshëm që mund të kishte shkaktuar përsëritjen e konfliktit të armatosur të vitit 2001, kur në komunën e Likovës pati luftime dhe në mes të Kumanovës shpërthyen bomba.
Dyshohet se autoritetet e atëhershme po përpiqeshin të largonin vëmendjen nga zbulimet inkriminuese për zyrtarët e lartë që përmendeshin në përgjimet e regjistruara që po publikoheshin nga social demokratët, të cilët në atë kohë ishin në opozitë.
Gruevski dhe partia e tij i kanë mohuar këto pretendime.