Një gjykatë ad hoc në Hagë fillon të marrë në pyetje një sërë ish-luftëtarësh të lartë guerilas në përpjekje për të sjellë para drejtësisë ata që fshihen pas krimeve që dyshohet se janë kryer nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Procesi mund të tronditë demokracinë e re të Kosovës.
Sokol Dobruna ka përgatitur çantat e tij, gati, thotë ai, për një betejë të fundit.
72-vjeçari është ndër tetë ish-guerilasit shqiptarë të Kosovës që janë thirrur në Hagë të merren në pyetje nga një gjykatë e mbështetur nga Bashkimi Europian ndërsa ajo përgatitet të ngrejë aktakuzat e para për krime që dyshohet se shoqëruan luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të rrëzuar sundimin serb në fund të shekullit të 20-të.
I pari, Rrustem Mustafa, do të merret në pyetje të hënën.
Ndonëse asnjë nuk është përmendur zyrtarisht si i dyshuar, kërkesat për marrje në pyetje në Kosovë po shihen si një hap i madh nga gjykata ad hoc dhe një sfidë e konsiderueshme për demokracinë e re të vendit, të udhëhequr, siç është, nga një president dhe kryeministër që komanduan të dy kryengritjen guerilase.
“Shpresoj që kjo të jetë beteja jonë përfundimtare”, tha Dobruna për BIRN.
Si kreu i një gjykate ushtarake të UÇK-së, Dobruna gjykoi se kush theu rregullat e ushtrisë guerile dhe çfarë ndëshkimi do të caktohej. Ai nuk ka veçse përbuzje për të ashtuquajturat Dhomat e Specializuara me bazë në Hagë, por do të marrë pjesë gjithsesi.
“Unë nuk e njoh këtë gjykatë,” tha ai. “Ajo është një krijesë politike dhe nuk mund të shërbejë kurrë për drejtësi.”
Nëse pas kësaj ngrihej aktakuza, ato do të shënojnë kulmin e më shumë se tre viteve hetim nga Dhomat e Specializuara, të mbuluara me fshehtësi ndërsa prokurorët përpiqen të kapërcejnë një kulturë nderimi dhe frike që rrethon UÇK-në dhe një sërë dëshmitarësh që kanë hequr dorë nga dëshmitë para gjykatave të tjera ose, siç ka ndodhur në disa raste, kanë përfunduar të vdekur.
Ish-guerilasit të zemëruar
Gjykata u krijua në vitin 2015 nën presion të madh nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara pas një raporti të vitit 2010 nga raportuesi i Këshillit të Europës, Dick Marty, në të cilin ai e akuzoi UÇK-në për rrëmbimin, vrasjen dhe mbajtjen në mënyrë të paligjshme të serbëve dhe romëve etnikë si edhe të shqiptarë që konsideroheshin si kundërshtarë politik ose bashkëpunëtorë me shtetin serb.
Marty gjithashtu pretendoi se UÇK-ja u kishte marrë organe robërve serbë dhe shqiptarë.
Ish-komandantët e UÇK-së, duke përfshirë edhe presidentin aktual të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili u akuzua drejtpërsëdrejti nga Marty, i kanë hedhur poshtë akuzat si një përpjekje e dëmshme për të dëmtuar luftën e Kosovës për liri nga represioni serb, një luftë që përfundimisht fitoi mbështetjen e sulmeve ajrore të NATO-s në vitin 1999.
Lufta kundër kryengritjes së Serbisë nën drejtimin e Sllobodan Millosheviçit ishte brutale, ku u përfshinë vrasje masive dhe dëbimi i qindra mijëra shqiptarëve të Kosovës. Ai dhe ndihmësit e tij ushtarakë dhe politikë u gjykuan nga gjykata e Kombeve të Bashkuara për krime lufte për ish-Jugosllavinë, ICTY, gjithashtu me seli në Hagë. Millosheviçi vdiq në vitin 2006 përpara se të merrej vendimi për të.
Gjyqet në ICTY për ish-luftëtarët e UÇK-së janë shoqëruar me kanosje të dëshmitarëve dhe vetëm një është dënuar ndonjëherë atje.
Shqiptarët e Kosovës, në përgjithësi, janë të zemëruar nga gjykata e re, për krijimin e të cilës gjithsesi u votua në parlamentin e Kosovës.
“Ne po luftojmë ende një betejë të hidhur për të drejtat tona, lirinë tonë,” tha Liman Musliu, një ish-luftëtar i UÇK-së në fshatin malor të Likovcit, ku gjatë luftës UÇK-ja kishte një seli rajonale me pamje nga kodrat e Drenicës.
“Kjo gjykatë është një tjetër rrugë drejt padrejtësisë,” tha ai.
Ish-selia e UÇK-së tani funksionon si një muze i improvizuar, muret e bardha të të cilit janë të mbushura me fotografi të luftëtarëve të rënë të UÇK-së.
Haradinaj: Luftëtarët e lirisë s’kanë pse shqetësohen
Përveç Dobrunës dhe Mustafës, ata që janë thirrur të merren në pyetje janë: Sylejman Selimi, Sami Lushtaku, Safet Syla, Remzi Shala, Nazif Mehmeti dhe Sabahajdin Cena.
Selimi më parë ka shërbyer si ambasador i Kosovës në Shqipërinë fqinje, ndërsa Lushtaku dhe Mustafa janë të dy anëtarë të Partisë Demokratike të Kosovës, PDK-ja e Thaçit.
Gjykata nuk ka komentuar mbi intervistat, as nëse burrat janë të dyshuar. Disa e kanë identifikuar veten si të tillë, personalisht ose nëpërmjet avokatëve të tyre.
Një zëdhënës i Zyrës së Prokurorisë së Specializuar, SPO, tha se “ai nuk ka komentuar dhe nuk do të komentojë çështjet operacionale apo statusin e hetimit të saj”.
Pas shqyrtimit të informacioneve dhe provave, “SPO do të marrë vendime në lidhje me vazhdimin ose ndërprerjen e procedimeve penale”, tha ai për BIRN.
Arianit Koci, një avokat për Mustafën dhe Lushtakun, tha për BIRN: “Z. Lushtaku dhe z. Mustafa tashmë kanë shkuar në Hagë. Nuk e dimë se si do të zhvillohen procedurat. Mund të them se ata do të fillojnë me z.Mustafa të hënën dhe më pas me z. Lushtaku.”
Nuk është e qartë nëse Selimi do të marrë pjesë, pasi ai aktualisht është në spital në Prishtinë. Avokati i tij, Tome Gashi, tha se po zhvilloheshin diskutime me prokurorët në lidhje me marrjen e tij në pyetje në Kosovë.
Në 2014, Clint Williamson, një investigues amerikan i ngarkuar nga BE-ja për të hetuar pretendimet e Dick Marty, përshkroi një “fushatë persekutimi” kundër serbëve dhe romëve pas luftës së viteve 1998-1999 dhe “vrasje pa gjykime, ndalime të paligjshme dhe trajtim çnjerëzor” të shqiptarëve të Kosovës që konsideroheshin si rivalë politikë. Ai gjithashtu paralajmëroi për taktika sabotimi nga “disa njerëz të fuqishëm”.
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i cili edhe vetë është gjykuar dy herë dhe po dy herë është liruar nga akuzat nga ICTY, tha se “luftëtarët e lirisë s’kanë arsye për t’u shqetësuar”.
Dobruna e përshkroi gjendjen e tij si “i qetë dhe i vendosur”.
Raporti i Dick Marty është “thjesht gënjeshtra”, tha ai për BIRN.
Në Likovc, Musliu ishte plot respekt për ish-komandantët e tij.
“Njësoj si ata, do të isha gati të kisha këtë lloj drejtësie,” tha ai, “dhe sigurisht gjithmonë gati për një tjetër luftë për vendin tim.”
Historia e aktakuzave dhe gjykimeve të mëparshme
Në vitin 2013, ish-komandanti i UÇK-së Sylejman Selimi, 48 vjeç, dhe komandanti rajonal i Drenicës, Sami Lushtaku, 57 vjeç, ishin midis një grupi prej 15 ish-luftëtarësh – i njohur si Grupi i Drenicës – të paditur nga një prokuror i BE-së në Kosovë me akuza për torturim dhe vrasje të civilëve gjatë viteve 1990.
Në vitin 2015, Selimi dhe Lushtaku ishin midis 11 të pandehurve që u dënuan. Selimi u dënua me tetë vjet burg, më vonë u reduktua në apel në shtatë vjet burg.
Lushtaku u gjet fajtor për vrasje dhe u dënua me 12 vjet burg, por dënimi u rrëzua në vitin 2017 nga Gjykata e Lartë e Kosovës.
Në vitin 2018, Gjykata Kushtetuese vendosi që çështja e Grupit Drenica duhej të shqyrtohej nga Gjykata e Lartë, duke cituar shkelje procedurale.
Në vitin 2002, Rrustem Mustafa, 47 vjeç, i njohur me pseudonimin e tij të luftës “Remi”, u akuzua nga prokurorët e OKB-së në Kosovë për krime lufte kundër civilëve në një burg të UÇK-së në fshatin Llapashticë.
Së bashku me dy të pandehur të tjerë, Mustafa u dënua pas një gjyqi dyvjeçar, por Gjykata e Lartë urdhëroi rigjykim të çështjes. Në vitin 2009, të tre u gjetën përsëri fajtorë, por e apeluan vendimin. Në vitin 2011 Gjykata e Lartë urdhëroi rigjykim të pjesshëm të çështjes.
Në vitin 2013 Mustafa u dënua me katër vjet burg.
Tetë të thirrurit në Hagë
Sylejman Selimi
Selimi, 48 vjeç, ishte komandant i lartë i UÇK-së i njohur si Sulltani.
Menjëherë pas luftës ai u bë zv/komandant i Korpusit Mbrojtës të Kosovës dhe më pas komandant kur Agim Çeku u largua nga posti për t’u bërë kryeministër në vitin 2006.
Në vitin 2011 ai u emërua ambasador i Kosovës në Shqipëri, por kjo u ndërpre kur ai u akuzua për krime lufte në vitin 2013.
Ai u dënua për torturimin e një të burgosuri civil në një qendër paraburgimi të improvizuar të UÇK-së në fshatin Likovc në komunën e Skenderajt në vitin 1998 dhe fillim të vitit 1999.
Aktualisht, ai po vuan dënimin e tij me 7 vjet në një burg në Kosovë.
Sami Lushtaku
Një nga ish-luftëtarët më të shquar që hyri në politikë pas luftës në Kosovë, Lushtaku ishte komandant i zonës së Drenicës së UÇK-së, në zemër të ushtrisë guerrile.
Pas luftës, ai ishte pjesë e Korpusit Mbrojtës të Kosovës (TMK), një forcë civile emergjente e krijuar për të absorbuar ish-luftëtarët e UÇK-së si një pararendës i një ushtrie të ardhshme të Kosovës.
Ai u largua nga TMK-ja pasi u përfshi në një të ashtuquajtur “Listë e Zezë” e hartuar nga Shtetet e Bashkuara për “kërcënimin e përpjekjeve ndërkombëtare të stabilizimit në Ballkanin Perëndimor”.
Lushtaku shërbeu si kryetar i komunës së Skenderajt nga viti 2007 deri në vitin 2017 si anëtar i PDK-së së Thaçit.
Në vitin 2015, ai u dënua për një vrasje të kryer në vitin 1998 dhe u dënua me 12 vjet burg. Ai u lirua nga akuzat në apel në vitin 2016, por një dënim për përgjegjësi komanduese për keqtrajtimin e civilëve shqiptarë të Kosovës në një qendër burgimi të UÇK-së u la në fuqi. Dënimi i tij u reduktua në shtatë vjet burg nga Gjykata e Apelit.
I burgosur, Lushtaku po gjykohet gjithashtu në Prishtinë për akuzat lidhur me shpërdorimin e dyshuar të detyrës në lidhje me një tender prej 6 milionë eurosh në Korporatën Energjetike të Kosovës, KEK.
Rrustem Mustafa
Rrustem Mustafa, 47 vjeç, ishte komandant i zonës Llapi të UÇK-së në kufirin verior të Kosovës me Serbinë.
Pas luftës, ai iu bashkua Korpusit Mbrojtës të Kosovës, por u largua në vitin 2001 kur, njësoj si Lushtaku, e gjeti veten në Listën e Zezë të presidentit George Ë. Bush.
Mustafa ka qenë deputet i PDK-së së Thaçit dhe është anëtar i kryesisë së partisë.
Në vitin 2013 ai u dënua me katër vjet burg për torturimin e të burgosurve të kohës së luftës në një kamp burgimi të UÇK-së, por u lirua për shkak të kohës së kaluar në paraburgim.
Sokol Dobruna
Ish-kreu i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së, Sokol Dobruna, mbajti një profil të ulët pas luftës, duke shërbyer si avokat në vendlindjen e tij Gjakovë.
Emri i tij u rishfaq në publik në vitin 2015 kur ai pranoi se në vitin 1998 nënshkroi një vendim për vrasjen e Blerim Kuçit, një anëtar i një fraksioni rival të UÇK-së, i cili tani është deputet me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, e kryeministrit Haradinaj.
Nazif Mehmeti
Nazif Mehmeti ishte kreu i Policisë Ushtarake të UÇK-së në zonën e Llapit.
Në vitin 2013, i dënuar së bashku me Mustafën, Mehmeti u dënua me tre vjet burg për krime lufte kundër civilëve.
Një gjyqtar në rastin e tij e përshkroi atë si “entuziast dhe brutal” në rrahjen e viktimave të tij.
Sabahajdin Cena
Sabahajdin Cena, 66 vjeç, ishte Drejtor i Drejtorisë Civile-Publike të zonës së Pashtrikut të UÇK-së, ku përfshihej dhe vendlindja e tij Rahovec.
Me një doktoraturë në letërsinë shqipe, Cena punoi deri vonë si pedagog në Universitetin Shtetëror të Prizrenit dhe ishte politikisht aktiv me PDK-në e Thaçit.
Disa dite para se të nisej për në Hagë, Cena tha për televizionin publik të Kosovës, RTK, se UÇK-ja luftoi një “luftë të drejtë”.
Remzi Shala
Vendndodhja e Shalës nuk dihet që kur ai konfirmoi se ishte thirrur në Hagë.
“Ata që dorëzuan ftesën deklaruan se janë anëtarë të Policisë së EULEX-it dhe unë u përgjigja se jam shqiptar dhe jam krenar për luftën ku kam marrë pjesë dhe i bëj thirrje të gjithë bashkatdhetarëve të mi të mos e njohin këtë gjykatë dhe të mos dorëzohen në Hagë,” tha ai në një deklaratë me shkrim për BIRN.
Shala ishte një anëtar i UÇK-së në zonën e Pashtrikut që mbulonte Kosovën jugore.
Aktualisht ai po gjykohet në Prizren për krime lufte, por nuk u paraqit për një seancë gjyqësore më 9 janar. Avokati i Shalës thotë se nuk e di se ku ndodhet klienti i tij.
Safet Syla
Një ish-luftëtar i UÇK-së me profil të ulët nga qyteti i Shtimes në Kosovën qendrore, Syla tani drejton Zyrën për Trashëgiminë e Korpusit Mbrojtës të Kosovës në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Pasi u thirr më 13 dhjetor të vitit të kaluar, Syla i përshkroi Dhomat e Specializuara si “një padrejtësi për Kosovën”.
Në qytetin e tij të lindjes, Shala ka në pronësi një muze të vogël dhe privat që përfshin relike lufte.