Mospërmendja e zgjerimit të ardhshëm të BE-së nga partitë tradicionale qendrore në fushatën për zgjedhjet europiane thjesht po i krijon hapësirë populistëve që të përfitojnë sa më shumë nga kjo çështje delikate.
Ndërsa votuesit në të gjithë Bashkimin Europian shkojnë drejt zgjedhjeve në maj, tema e zgjerimit të BE-së për të përfshirë Ballkanin Perëndimor duket se mungon pothuajse tërësisht në fushatë.
Analistët paralajmërojnë se kjo çështje e ndjeshme ka gjasa të lihet në anë, të paktën deri në fund të vitit, kur do të betohet një Komision i ri Europian.
Erwan Fouere, një profesor në Qendrën për Studime të Politikave Europiane me qendër në Bruksel, tha për BIRN se partitë tradicionale të qendrës nuk kanë arritur të komunikojnë përfitimet e zgjerimit të BE-së
Zgjerimi ka shumë avantazhe, por ka pasur mungesë guximi nga liderët e BE-së për t’i theksuar ato përfitime, sepse ata e dinë se hapja e temës së zgjerimit jo domosdoshmërish do të sjellë vota,” tha ai.
Mbështetësit e zgjerimit thonë se rreziku në lënien mënjanë të kësaj teme nga partitë tradicionale qendrore është se kjo i lë hapësirë populistëve dhe fraksioneve të krahut të djathtë që të luajnë me ndjenjat anti-zgjerim midis votuesve europianë.
Ata theksojnë se kur kandidati kryesor i Partisë Popullore Europiane të qendrës së djathtë, EPP, Manfred Weber, nisi fushatën e tij javën e kaluar në Qipro, ai as që e përmendi marrëveshjen historike të arritur midis Greqisë anëtare të BE-së dhe Maqedonisë, aspiruese për t’u bërë anëtare, në lidhje me çështjen e emrit të Maqedonisë.
Politikani gjerman e shmangu plotësisht temën e të ashtuquajturës Marrëveshja e Prespës, e cila është kryesore për aspiratat e Maqedonisë për në BE.
“E respektoj plotësisht ndjeshmërinë e popullit grek për çështjen e emrit me FYROM-in. Nuk pati asnjë intervistë në lidhje me këtë temë,” shkroi Weber në Twitter, duke iu referuar Maqedonisë me termin e saj të përkohshëm të vendosur nga Kombet e Bashkuara (Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë).
Marrëveshja e Maqedonisë me Greqinë në lidhje me emrin e saj është me rëndësi jetike për shpresat e vendit për pranimin në BE dhe NATO, gjë të cilën Greqia e ka bllokuar në mënyrë të përsëritur në të kaluarën.
Por analistët thonë se lajmi i keq për Maqedoninë dhe të gjithë Ballkanin është se nuk është vetëm EPP-ja e qendrës së djathtë që po e shmang çështjen e zgjerimit. Edhe partitë e tjera kryesore po e bëjnë këtë.
Politikat ngurruese pasqyrojnë frikën zgjedhore
Që nga viti 2014, Ballkani Perëndimor zor se ka qenë i pranishëm në axhendën e Këshillit Europian, përveçse kur është bërë fjalë për një çështje sigurie, kundër-terrorizmi dhe emigracioni.
Bullgaria u përpoq ta bënte zgjerimin një prioritet politik gjatë presidencës së Këshillit të BE-së në gjysmën e parë të vitit 2018.
Por debatet përfunduan në zhgënjim, sepse shtetet e BE-së mbeten thellësisht të ndara përsa i takon zgjerimit për të përfshirë Ballkanin Perëndimor dhe për këtë arsye nuk mundën të binin dakord për të nisur negociatat me Maqedoninë dhe Shqipërinë.
Një samit i mbajtur në Sofje në maj 2018 dhe Këshilli Europian në qershor përfunduan vetëm me premtimin se çështja e zgjerimit do të rishfaqet në axhendë në qershor 2019, pas zgjedhjeve dhe “në varësi të progresit të bërë”.
Një dokument i publikuar më 10 janar nga Qendra për Studime të Politikave Europiane, me autor Fouere, paralajmëroi se nëse populistët dhe euro-skeptikët fitojnë më shumë influencë në Parlamentin Europian pas majit, oreksi për zgjerimin do të jetë akoma më i pakët.
Ai i bëri thirrje Komisionit Europian dhe diplomacisë së BE-së të miratojë një strategji më pro-aktive në Ballkanin Perëndimor.
Fouere tha për BIRN se më pro-aktive nuk duhet të ishin vetëm institucionet europiane, por edhe dy fraksionet e mëdha politike europiane, PPE-ja dhe socialistët dhe socialdemokratët e qendrës së majtë.
Ata duhet të angazhohen më nga afër, por edhe të jenë më pak të butë ndaj partnerëve të tyre në rajon kur ata larohen nga rruga e sundimit të ligjit, këshilloi ai.
Si PPE-ja ashtu edhe socialistët në Europë kanë qenë shumë të heshtur në lidhje me sjelljen autoritare të disa prej partive në pushtet në rajon që formojnë pjesë të grupeve të tyre.
Kjo ka ushqyer përshtypjen e BE-ja toleron liderët si ish-kryeministri i Maqedonisë Nikola Gruevski, i cili që nga ajo kohë është dënuar me burg për korrupsion, gjë të cilën ai e shmangu duke u arratisur për në Hungari.
Socialistët europianë tradicionalisht konsiderohen si më të favorshëm për zgjerimin. Megjithatë, Frans Timmermans, kandidati kryesor i socialistëve, gjithashtu nuk ka përmendur zgjerimin në fushatën e tij deri më tani.
Nënkryetari i parë aktual i Komisionit, i ngarkuar me sundimin e ligjit, foli për herë të fundit për zgjerimin ose Ballkanin Perëndimor në mars 2017, kur tha në një konference të German Marshal Fund se “kufijtë në Ballkanin Perëndimor nuk duhet të jenë ekzistencialë”.
Rufin Zamfir, drejtor për Ballkanin Perëndimor në organizatën Global Focus në Bukuresht, thotë se vetëm partitë populiste në shtetet e BE-së po e trajtojnë temën e zgjerimit – në një mënyrë armiqësore – duke u ndjerë të sigurt se do të përfitojnë nga reagimi emocional që shkakton kjo mes shumë votuesve.
“Përparimi që populistët në vende si Italia, Austria apo Franca kanë bërë në këtë temë, është edhe për faktin se dy fraksionet e mëdha politike në BE, PPE dhe Socialistët, kanë lënë hapësirë për debat mbi zgjerimin plotësisht të braktisur,” tha ai.
“Kjo do të funksionojë për një të ardhme më pak të qetë në Europë, sepse ajo që ndodh tani është baza e asaj që do të shohim pas majit 2019,” shtoi Zamfir.
Votuesit e BE-së “të painformuar” për përfitimet e zgjerimit
Fouere thotë se problemi nuk është vetëm qasja e orientuar drejt elitës që Brukseli ka ndërmarrë ndaj rajonit në vitet e fundit.
Opinioni publik në BE nuk është informuar siç duhet dhe nuk kupton përfitimet ekonomike që BE-ja ka korrur për shkak të zgjerimit, thotë ai.
Mirëpritja e anëtarëve të rinj të BE-së sigurisht që s’është shumë popullore tani mes votuesve europianë, sugjerojnë sondazhet.
Një sondazh i Eurobarometrit i pranverës 2018 tregoi se vetëm 44 për qind e të anketuarve do të binin dakord që BE-ja të pranonte anëtarë të rinj, ndërsa 46 për qind ishin kundër kësaj.
Në vjeshtën e vitit 2018, çështja mbi “zgjerimin e mëtejshëm të BE-së për të përfshirë vende të tjera në vitet e ardhshme” tërhoqi akoma më pak mbështetje në këtë anketim: 43 për qind ishin “pro” dhe 45 për qind ishin “kundër.
“Institucionet dhe vendet e BE-së nuk kanë bërë një punë të mirë në shpjegimin e evolucioneve në Ballkanin Perëndimor për publikun. Përfitimet politike dhe ekonomike të zgjerimit të kufijve të BE-së, sidomos përfitimet në aspektin e sigurisë, për të përfshirë Ballkanin Perëndimor, nuk njihen ashtu siç duhet,” tha Fouere.
“Druhem se çështja ndoshta nuk do të shfaqet aspak gjatë fushatës zgjedhore. Por kjo nuk duhet t’i ndalojë liderët më pas që të riafirmojnë angazhimet e mëparshme që nuk janë respektuar për Ballkanin Perëndimor,” shtoi Fouere.
Bianca Toma, drejtoreshë e programit Qendra Rumune për Politikat Europiane, thotë se ndryshimi i drejtimit është gjithashtu në dorën e qeverive të Ballkanit Perëndimor.
Ata duhet të dinë se alternativa e tyre më e mirë me BE-në është të ndërmarrin seriozisht reformat e nevojshme, madje edhe kur ato bien ndesh me interesat e politikanëve dhe grupeve të tjera.
“Nuk ka alternativë më të mirë për rajonin sesa BE-ja dhe një tjetër alternativë tjetër nuk do të shfaqet së shpejti,” tha Toma.
“Kjo është arsyeja pse përkrahësit e zgjerimit duhet të inkurajohen, edhe pse Ballkani Perëndimor mori një farë vëmendjeje, sidomos gjatë presidencës së Bullgarisë dhe Austrisë të Këshillit të BE-së,” shtoi Toma.
“Megjithatë, evolucioni në axhendën e zgjerimit varet nga prioritetet e Komisionit të ri Europian dhe ne do t’i njohim ato nga fundi i vitit,” përfundoi ajo.