Prokurorja Speciale Drita Hajdari tregon për BIRN se strategjia e re e Kosovës për krimet e luftës synon të rrisë ndjekjet penale dhe të ofrojë drejtësi për viktimat, por ajo vë në pikëpyetje nëse ekziston vërtet vullneti politikë për ta bërë të mundur këtë.
Prokurorja Speciale Drita Hajdari së fundmi ka ndërruar zyrën, por shumica e dosjeve të krimeve të luftës të cilat u janë dorëzuar autoriteteve të Kosovës nga prokurorët ndërkombëtarë vitin e kaluar tashmë janë në raftin e saj.
Ka një numër të madh rastesh të papërfunduara që presin që të trajtohen dhe muajin e kaluar Këshilli Prokurorial i Kosovës miratoi një Strategji Kombëtare të Krimeve të Luftës në një përpjekje për të rritur progresin.
Strategjia e re synon t’i japë përparësi ndjekjes penale të krimeve të luftës pas viteve në të cilat këto procese u drejtuan në Kosovë nga ndërkombëtarët dhe rastet e suksesshme ishin të pakta. Misioni i OKB-së në Kosovë, UNMIK, dhe më pas misioni i sundimit të ligjit të BE-së EULEX zhvilluan vetëm një duzinë gjyqesh për krime lufte, të cilat u kritikuan gjithashtu se ishin zgjatur pa qenë e panevojshme.
Strategjia thotë se puna duhet të përqendrohet në zinxhirin e përgjegjësisë komanduese, me një fokus të veçantë në dhunën seksuale. Personave të zhdukur gjithashtu do t’u jepet përparësi.
Elemente të tjera kyçe janë mbrojtja e dëshmitarëve, e cila ka qenë prej kohësh një problem në gjyqet e krimeve të luftës në Kosovë; përdorimi i dokumenteve mbi konfliktin e Kosovës nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë; shtimi i numrit të prokurorëve dhe stafit tjetër; përfundimi i një baze të dhënash elektronike me prova të krimeve të luftës dhe klasifikimin e rasteve.
“Ne kemi 900 raste krimesh lufte dhe 2,000 të tjera për njerëz të zhdukur. Do të thotë se ky është një oqean. Në një situatë të tillë, qemë të detyruar të gjenim një rrugëzgjidhje dhe kjo është një strategji për mënyrën se si t’i trajtojmë ato,” tha Hajdari për BIRN.
Ajo tha se në objektiv do të jetë ndjekja penale e personave përgjegjës për disa nga “masakrat e tmerrshme” në Kosovë.
“Ne do të merremi me përgjegjësinë sipas zinxhirit të komandës, bazuar në gradat ushtarake, numrin e viktimave, urdhrat dhe ekzekutorët e tyre,” shtoi ajo.
Por Hajdari është e shqetësuar se strategjia nuk mund të rezultojë e suksesshme pa mbështetje në nivelet e larta politike në Kosovë dhe Serbi.
“Politika është një çelës për këtë sipërmarrje shumë të vështirë që synon të hapë rrugën për gjykimin dhe ndëshkimin e krimeve të luftës 20 vjet pas luftës. Serbia duhet të kuptojë se ndëshkimi i krimeve të luftës është gjithashtu në interesin e saj, sepse kriminelët e luftës po lëvizin lirshëm,” tha Hajdari.
Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë, i cili ka kaluar vite duke dokumentuar krimet e kryera gjatë luftës, tha se marrëdhëniet e dobëta midis Beogradit dhe Prishtinës ishin një pengesë e madhe për çdo progres.
“Së pari, të dy autoritetet nuk i ekstradojnë qytetarët e tyre dhe pa bashkëpunim midis Kosovës dhe Serbisë, do të ketë vështirësi të mëdha në arritjen me sukses të objektivave të përcaktuara në këtë strategji,” tha Alija.
Ai, megjithatë, sugjeroi se është e mundur të kapërcehen pengesat gjyqësore dhe politike duke arritur marrëveshje për disa çështje thelbësore nëpërmjet marrëveshjeve të bashkëpunimit midis Kosovës dhe Serbisë për krimet e luftës dhe një marrëveshje formale me Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë për qasje të plotë në arkivin e saj në dokumente që kanë lidhje me luftën e Kosovës, gjë e cila aktualisht është e kufizuar.
Mbrojtja e dëshmitarëve nga kanosja
Hajdari është prokurorja e cila ka ngritur shumicën e aktakuzave vendase kundër anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës deri më tani, edhe pse të gjithë ata u liruan nga akuzat.
Ajo tha se një nga punët më të vështira është bindja e dëshmitarëve që të bëjnë para dhe më pas mbrojtja e tyre, nëse ata pranojnë të dëshmojnë.
“Ne duhet të investojmë shumë në forcimin e komponentit të punës me dëshmitarët. Për fat të keq, falë gabimeve dhe dështimeve tona për mbrojtjen e dëshmitarëve, besimi i njerëzve të drejtësia pothuajse nuk ekziston,” shpjegoi ajo.
Mbrojtja e dëshmitarëve është gjithashtu një detyrë e rëndësishme për Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, gjykatë e cila pritet të gjykojë ish-anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte dhe pas luftës.
Siguria e dëshmitarëve ishte një nga çështjet kryesore pse Dhomat e Specializuara u ngritën në Hagë, edhe pse ato janë pjesë e sistemit të drejtësisë në Kosovë. Vështirësitë në mbrojtjen e dëshmitarëve dëmtuan përpjekjet nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe nga misione ndërkombëtare në Kosovë për të dënuar ish-anëtarët e UÇK-së të akuzuar për kryerjen e krimeve gjatë luftës së Kosovës 1998-1999.
Hajdari tha se ajo mendon se një nga faktorët kryesorë që i pengon dëshmitarët të dëshmojnë janë rastet e lirimeve nga akuzat për krime lufte në gjykatat e Kosovës. Shembuj të spikatur kanë përfshirë lirimin nga akuzat të ish-guerilasve të UÇK-së që u bënë politikanë Fatmir Limaj dhe Sami Lushtaku, por edhe shfajësimet e serbëve në gjyqet për përdhunim gjatë kohës së luftës.
“Pse njerëzit duhet të rrezikojnë veten apo të shkatërrojnë jetën e tyre për të dëshmuar për krimet ndërkohë që të pandehurit lirohen?” pyeti ajo.
Strategjia e re e Kosovës mbulon krimet e luftës të kryera midis 29 shkurtit 1999 dhe 20 qershorit 1999. Të gjitha incidentet para dhe pas kësaj periudhe do të trajtohen si krime kundër njerëzimit.
Hajdari tha se nuk ka ndonjë ide nëse ndonjë nga rastet, dosjet e të cilave ajo i ka, është e njëjtë me ato me të cilat po merret Dhoma e Prokurorit të Specializuar, e cila pritet të padisë njerëz në Dhomat e Specializuara në Hagë.
“Dhoma e Prokurorit të Specializuar ka përparësi dhe ata mund të marrin dhe të kërkojnë raste në çdo kohë,” thotë Hajdari.
“Disa i perceptojnë kriminelët si heronj”
Strategjia kombëtare gjithashtu përfshin rritjen e vetëdijes për rëndësinë e gjykimit të krimeve të luftës.
“Megjithatë, dy dekada më vonë, është shumë e rëndësishme që të rritet ndërgjegjësimi midis njerëzve se krimet kanë ndodhur dhe se ato duhet të ndëshkohen. Për disa njerëz, kriminelët mund të perceptohen si heronj,” tha Hajdari.
Gjykimet e ish-anëtarëve të UÇK-së janë shumë të papëlqyeshme mes shqiptarëve të Kosovës dhe krijimi i Dhomave të Specializuara shkaktoi protesta nga veteranët e luftës dhe mbështetësit e tyre.
Parlamenti votoi për themelimin e gjykatës së re në Hagë nën presion të madh nga mbështetësit perëndimorë të Kosovës dhe madje edhe pasi u ra dakord nga deputetët, disa politikanë bënë një përpjekje të dështuar për të revokuar ligjin që lejon funksionimin e kësaj gjykate.
EULEX, i cili ia ka dorëzuar rastet e veta prokurorëve të Kosovës vitin e kaluar pasi mandati i misionit u reduktua, ofroi këshilla dhe komente ekspertësh ndërsa hartohej strategjia e re e Kosovës për krimet e luftës. EULEX-i nuk mban më asnjë funksion ekzekutiv në sistemin e drejtësisë në Kosovë, por vazhdon të monitorojë rastet.
I pyetur për të komentuar mbi strategjinë, EULEX tha për BIRN se “ka theksuar prej kohësh rëndësinë që prokurorisë së Kosovës t’i caktohen burime të mjaftueshme për të trajtuar krimet e luftës”.
“Misioni gjithashtu ka theksuar në mënyrë të përsëritur se progresi kuptimplotë në trajtimin e krimeve të luftës mund të arrihet vetëm nëpërmjet bashkëpunimit të vërtetë rajonal, përfshirë midis Beogradit dhe Prishtinës,” shtoi ai.
Misioni i OSBE-së në Kosovë, i cili gjithashtu monitoron sistemin gjyqësor të vendit, tha se është tepër e rëndësishme që Këshilli Prokurorial i Kosovës të marrë një qëndrim proaktiv në adresimin e krimeve të luftës, sidomos ato raste që EULEX ia ka dorëzuar gjyqësorit të Kosovës.
“Është e rëndësishme që rastet e krimeve të luftës të ndiqen penalisht në mënyrë që viktimat dhe familjet e tyre të marrin drejtësi. Misioni mbështet përkushtimin e autoriteteve për të rritur burimet në dispozicion për të angazhuar më tej sektorin e drejtësisë në këtë fushë,” tha OSBE për BIRN.
Përveç burimeve adekuate, vendosja e drejtësisë dhe dhënia fund e mosndëshkimit për krimet e luftës do të vazhdojë të kërkojë një përpjekje të madhe nga sistemi i drejtësisë i Kosovës.
Kjo do të kërkojë edhe shumë vullnet politik dhe Hajdari nuk është aspak optimiste se angazhimi i nivelit të lartë ekziston në këtë moment.
“Pa një angazhim të vërtetë nga autoritetet kosovare dhe serbe, ne nuk do të mund t’i sjellim kriminelët para drejtësisë,” tha ajo.
“Krimet e luftës duhet të zhvishen përfundimisht nga përkatësia etnike,” shtoi ajo. “Viktimat janë të një rëndësie tepër të lartë.”