
Prokurorët duan që gjykata e OKB-së ta dënoje më burgim të përjetshëm këtë javë ish-presidentin serb të Bosnjës Radovan Karaxhiç për gjenocid dhe krime të tjera, por mbrojtja e tij këmbëngul se gjyqi ishte i padrejtë dhe se vendimi përfundimtar duhet ta lirojë atë nga akuzat.

Më shumë se dhjetë vjet pas arrestimit të tij në Beograd, vendimi përfundimtar në gjyqin e Radovan Karaxhiç për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës në mes të viteve 1992 dhe 1995, do të jepet në Hagë të mërkurën.
Sipas vendimit të shkallës së parë të dhënë nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ICTY, në mars 2016, Karaxhiç u dënua me 40 vjet burg.
Ai u shpall fajtor për gjenocid në Srebrenicë në vitin 1995, persekutimin e boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën, terrorizim të popullsisë civile të qytetarëve të Sarajevës me një fushatë të gjatë bombardimi dhe sulmesh me snajper, si edhe pengmarrje të paqeruajtësve të OKB-së.
Megjithatë, presidenti i kohës së luftës i Republikës Srpska u lirua nga akuzat për gjenocid në shtatë komuna të tjera boshnjake në vitin 1992.
Kur të marrin vendimin e tyre përfundimtar, gjyqtarët në Mekanizmin për Gjykatat Penale Ndërkombëtare në Hagë do të mbeten brenda parametrave të apeleve të paraqitura nga prokurorët dhe mbrojtja e Karaxhiçit.
Apeli i prokurorëve përbëhet nga katër pjesë. Pjesa e parë i referohet kohëzgjatjes së dënimit dhe sugjeron që Karaxhiç duhet të marrë një dënim me burgim të përjetshëm për secilën prej tre sipërmarrjeve të përbashkëta kriminale në të cilat ai ka marrë pjesë – gjenocidi i Srebrenicës, terrorizimi i civilëve në Sarajevë dhe përndjekja në 20 komuna në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën.
“Të shqyrtuara së bashku, ato përbëjnë grupin më të rëndë të krimeve që i atribuohen një personi të vetëm në ICTY dhe kërkojnë dënimin më të lartë në dispozicion – një dënim me burgim të përjetshëm,” thanë prokurorët.
Kushtet e kampit të burgimit “tregonin qëllim gjenocidial”

Prokurorët u shprehën gjithashtu se vendimi i shkallës së parë gaboi kur konstatoi se forcat serbe të Bosnjës ishin përgjegjëse për zhvendosjen e detyruar në Bratunac, Foca, Kljuc, Prijedor, Sanski Most, Vlasenica dhe Zvornik në vitin 1992, ndërsa krime të tjera, siç janë vrasjet, shkatërrimi dhe dhuna seksuale, ishin vetëm pasoja të parashikueshme, jo krime të ndara të planifikuara brenda një plani të përgjithshëm gjenocidal.
Pikëpamja e vendimit se ishte e mundur që Karaxhiçi të mos donte që të ndodhnin krimet e tjera, por nuk u interesua aq shumë sa t’i ndalonte ato, ishte e pasaktë, këmbëngulën prokurorët.
Prokurorët vazhduan më tek duke thënë se plani për kryerjen e krimeve ishte pikërisht ajo që tregonte qëllimin gjenocidal të Karaxhiçit dhe anëtarëve të tjerë të sipërmarrjes së përbashkët kriminale në vitin 1992.
“Është e qartë se një qëllim i përbashkët kriminal që përfshin vrasjen, shfarosjen dhe trajtimin mizor apo çnjerëzor – që korrespondon me aktet gjenocidale – është më reflektues i qëllimit gjenocidal të anëtarëve të sipërmarrjes së përbashkët kriminale sesa një qëllim i përbashkët ku aktet gjenocidal tregohen jo si një pjesë integrale e ekzekutimit të tij, por thjesht si pasoja të parashikueshme,” thanë prokurorët në apelin e tyre.
Pjesa e dytë e apelit të prokurorëve i referohet vendndodhjeve të kampeve të burgimit. Edhe pse Karaxhiç u gjet fajtor për përgjegjësi për krime të shumta të kryera në kampet e paraburgimit të drejtuar nga serbët e Bosnjës, vendimi i shkallës së parë tha se nuk kishte prova të mjaftueshme për të provuar se kushtet nëpër burgje ishin “krijuar me qëllim të shkatërrimit fizik të kroatëve dhe boshnjakëve “.
Por sipas prokurorëve, vendimi shpërfilli një sërë provash që sugjeronin se vrasje masive u kryen në kampet e paraburgimit në të gjithë Republikën Srpska dhe se abuzimet e rënda ishin pjesë e rutinës së përditshme.
Prokurorët renditën kampet e paraburgimit Foca, Keraterm dhe Omarska në zonën e Prijedorit, ndërtesën Susica në Vlasenica, si dhe ndërtesat e shkollës në Karakaj dhe Bratunac ku mbaheshin të burgosurit si shembuj të kampeve të burgimit ku sipas mendimit të tyre krimet ishin kryer në një shkallë që tregonte një qëllim për “të shkatërruar” boshnjakët dhe kroatët “si një grup”.
“Gjetjet e Dhomës në lidhje me kushtet në vendet e burgimit ndikojnë ndjeshëm në analizën e synimit gjenocidal. Mijëra myslimanë dhe kroatë, të cilët Dhoma i kategorizoi thjesht si “të zhvendosur”, në të vërtetë iu nënshtruan kushteve të jetesës që synonin shkatërrimin e tyre fizik,” thanë prokurorët.
Në pjesën e tretë të apelit, prokurorët theksuan se paneli gjyqësor që dha vendimin e shkallës së parë “ishte udhëzuar nga një përkufizim shumë i ngushtë i gjenocidit” dhe mori në konsideratë vetëm sa boshnjakë dhe kroatë u shkatërruan pa marrë në konsideratë pasojat afatgjata të të gjitha krimeve të kryera dhe nëse ato synonin moslejimin e rindërtimit të këtyre grupeve.
Prokurorët në mënyrë specifike u ankuan se gjyqtarët e shkallës së parë nuk shqyrtuan nëse në Prijedor në vitin 1992 ishte kryer gjenocid, ku ata këmbëngulën se “shkalla e krimeve tregonte një qëllim të qartë për të shkatërruar një grup njerëzish”.
Karaxhiç kundërshton “gjyqin absolutisht të padrejtë”

Ish-presidenti i Republika Srpska dhe këshilltari i tij ligjor Peter Robinson paraqitën një apel bazuar në gjashtë pika të veçanta dhe po kërkojnë një shfajësim të plotë.
Duke paraqitur apelin, vetë Karaxhiçi shprehu besimin se vendimi i shkallës së parë, sipas të cilit ai u dënua me 40 vjet burg, “do të rrëzohej absolutisht dhe menjëherë”.
Apeli filloi me pretendimet se procedimet në gjykatën e OKB-së ishin “të padrejta”.
Karaxhiç vuri në dukje se nuk u lejua të dëshmonte në formë narrative, por në vend të kësaj, gjyqtari urdhëroi këshilltarin e tij ligjor që t’i bënte pyetje. Ai gjithashtu u ankua për aktakuzën si të pasaktë dhe se një vizitë në vendet e masakrës në Sarajevë u zhvillua në mungesë të tij.
Ai u ankua se gjykata pranoi një sërë faktesh të gjykuara nga gjyqe të tjera, se prokurorët nuk u penalizuan për mos dhënien e provave në kohë, që bisedat e përgjuara në mënyrë të paligjshme u përdorën si dëshmi dhe se atij nuk iu dha imunitet për fjalimet politike që ai bëri në Asamblenë e Republikës Srpska gjatë mandatit të tij si president.
Ai apeloi gjithashtu se gjykata e shkallës së parë nuk e detyroi Ratko Mlladiçin, ish-komandantin e Ushtrisë Serbe të Bosnjës, i cili po gjykohet gjithashtu në Hagë për krime të njëjta si Karaxhiçi, që të dëshmonte.
“Arsyetimi i rrallë i gjykatës duket se tregon se i merr në konsideratë të drejtat e gjeneralit Mlladiç si të akuzuar. Megjithatë, duke imponuar dëshminë e gjeneralit Mlladiç, gjykata do të mund të kishte përshtatur të dyja të drejtat. Presidenti Karaxhiç mund të kishte përfituar nga dëshmia e gjeneralit Mlladiç dhe kjo nuk do të kishte sjellë asnjë dëm në rastin e gjeneralit Mlladiç,sepse përgjigjet e tij nuk mund të përdoreshin kundër tij, drejtpërdrejt ose tërthorazi,” thuhej në apelin e Karaxhiçit.
Pjesa e dytë e apelit i referohet pikës në të cilën Karaxhiç u shpall fajtor për përgjegjësi për një fushatë që synonte persekutimin e boshnjakëve dhe kroatëve në 20 komuna boshnjake. Apeli pohoi se vendimi ishte gabuar kur tha se ai kërkonte “largimin me forcë” të boshnjakëve dhe kroatëve, kur ishte po aq e mundshme që ai të donte vetëm “autonomi politike” për serbët brenda Bosnjës dhe Hercegovinës.
“Gjykata pranoi 65 fjalime të veçanta, biseda ose deklarata të presidentit Karaxhiç që ishin në kundërshtim me gjetjen se ai kërkonte të realizonte ndarjen fizike nga jo-serbët nëpërmjet dëbimeve të dhunshme. Së bashku, kjo përbën një provë të rëndësishme që presidenti Karaxhiç parashikonte dhe mbështeste se do të kishte pakica në secilin entitet të drejtat e të cilëve do të respektoheshin plotësisht,” tha apeli.
Telefonata inkriminuese për Srebrenicën “keqinterpretohet”
Pjesa e tretë dhe e katërt e apelit përqendrohet në gjetjet e vendimit të shkallës së parë se Karaxhiç ishte fajtor për gjenocid në Srebrenicë dhe për terrorizimin e banorëve të Sarajevës gjatë rrethimit tre-vjeçar të qytetit nga forcat serbe të Bosnjës.
Për Srebrenicën, apeli këmbënguli se Karaxhiçi “nuk i lexoi detajet e Direktivës nr. 7″, të cilën ai e nënshkroi në mars të vitit 1995 dhe që urdhëronte Ushtrinë Serbe të Bosnjës “të krijonte një situatë të padurueshme pasigurie totale pa shpresë për mbijetesë të mëtejshme apo jetë në enklavën” e Srebrenicës.
Apeli hodhi poshtë atë që gjykata e shkallës së parë konsideroi provë kyçe për pjesëmarrjen e tij në krim – një bisedë telefonike që ai pati me Miroslav Deronjiç, Komisionerin e tij për Srebrenicën, në mbrëmjen e 13 korrikut 1995, pasi forcat serbe të Bosnjës pushtuan enklavën.
Karaxhiçi pyeti “sa mijëra” robër ishin në Bratunac aty pranë dhe Deronjiç u përgjigj: “Dy mijë dhe priten më shumë të tjerë.”
“Të gjitha mallrat duhet të futen në magazinë para orës 12:00 të ditës së nesërme, jo në magazinën atje, por diku tjetër,” u përgjigj Karaxhiçi.
Gjyqtarët e shkallës së parë arrin të përfundimin se kur Karaxhiçi foli për “mallrat”, ai i referohej robërve, të cilët u shpërngulën në disa vende në zonën e Zvornikut të nesërmen dhe u vranë midis 14 dhe 17 korrikut 1995.
Në apelin e tij, Karaxhiçi tha se fjalët “jo atje, por diku tjetër” i referoheshin transferimit në objektet paraburgim, jo në vendet e ekzekutimit.
Për fushatën terrorizuese kundër popullsisë civile të Sarajevës, Karaxhiç këmbënguli se gjyqtarët gabimisht përcaktuan se Ushtria Serbe e Bosnjës ishte përgjegjëse për disa incidente sulmesh me granata, siç ishte masakra në tregun Markale në vitin 1994.
Karaxhiç tha se ai e ndaloi rregullisht Ushtrinë Serbe të Bosnjës që të shënjestronte civilët dhe mori rregullisht raporte nga ushtria të cilat thoshin se kjo e fundit kishte hapur zjarr vetëm ndaj “objektivave legjitime ushtarake”. Ai akuzoi gjykatën për shpërfilljen të dëshmisë dhe e mbështeti këtë pohim.
“Gjykata arriti në përfundimin se të 26 dëshmitarët e Ushtrisë Serbe të Bosnjës, të cilët dëshmuan nën betim se Ushtria Serbe e Bosnjës qëlloi vetëm kur qëlluan kundër saj dhe vetëm ndaj objektivave legjitime ushtarake, po gënjenin. Edhe nëse do të ishte kështu, këto ishin shpjegimet që presidenti Karaxhiç mori vazhdimisht gjatë luftës nga Ushtria Serbe e Bosnjës kur ai pyeti në përgjigje të ankesave nga komuniteti ndërkombëtar ose kur ai urdhëroi hetime,” tha apeli.
Sa i përket vrasjeve të civilëve, Karaxhiçi bëri një krahasim midis vdekjeve në Sarajevë dhe përdorimit të Ushtrisë Amerikane për sulme ushtarake.
“Dronët e nisur nga Shtetet e Bashkuara vrasin rregullisht civilë. Presidenti Obama, si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të SHBA-së, pa dyshim është siguruar se ekziston një objektiv i ligjshëm ushtarak për këto sulme. Nëse më vonë kjo rezulton e pasaktë, kjo nuk do të thotë që presidenti Obama kishte qëllim të terrorizonte popullsinë civile apo të vriste civilë,” tha apeli. (Është paraqitur në vitin 2016, ndërsa Barak Obama ishte ende president i Amerikës.)
Pjesa e pestë e apelit të Karaxhiçit argumenton se gjyqtarët e shkallës së parë gabuan në gjetjen e se i pandehuri ishte përgjegjës për marrjen peng të paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara në vitin 1995.
“Sipas këndvështrimit të presidentit Karaxhiç, ata u ndaluan në mënyrë të ligjshme si të burgosur lufte,” tha apeli.
Pjesa e fundit e apelit u përqendrua në kohëzgjatjen e dënimit, me mbrojtjen që argumentoi se nëse Karaxhiçi dënohet, dënimi i tij duhet të reduktohet ndjeshëm, sepse procedimet gjyqësore ishin të padrejta dhe se ai u soll mirë gjatë gjyqit.