Ndërsa Europa përgatitet të votojë, pak vëzhgues shohin ndonjë lëvizje tani afër përsa i takon çështjeve më të ngutshme me të cilat përballet Ballkani Perëndimor
Me zgjedhjet europiane që po afrojnë dhe të djathtën populiste që kërkon të anojë ekuilibrin e pushtetit, çështjet më urgjente me të cilat përballet Ballkani Perëndimor – nga liberalizimi i vizave te bisedimet e pranimit në Bashkimin Europian dhe një zgjidhje për debatin Serbi-Kosovë – rrezikojnë të shtyhen për më vonë.
Vëzhguesit janë dakord se çështjet e tilla jo vetëm që duhet të presin formimin e Komisionit të ri Europian, krahu ekzekutiv i BE-së, por mund të lihen në pritje akoma më gjatë se sq ndërsa BE-ja përballet me problemet e saj të brendshme – nga Brexit deri tek emigracioni dhe reformimi vetë bllokut.
Për shembull, vendimet për heqjen e kërkesës për viza për qytetarët e Kosovës dhe hapja e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të diskutohen në qershor, por shenjat nuk janë aspak të mira.
“Zgjedhjet janë një moment gjatë të cilit, duke marrë parasysh ekuilibrin e pushtetit që anon nga e djathta dhe forcat jo liberale, përmendja e zgjerimit dhe Ballkanit nuk mund të shihet si një ide e mirë,” tha Loic Tregoures i Institutit Katolik të Parisit.
“Komisioni tani është në një situatë politike aspak të suksesshme dhe momentet e tij të fundit janë monopolizuar nga çështje të tjera të ngutshme si Brexit, marrëdhëniet tregtare me SHBA-në dhe Kinën etj”, tha ai për BIRN.
Vija e ashpër franceze
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duan që BE-ja të hapë bisedimet e pranimit me ta në një samit në qershor, duke besuar se ata kanë përmbushur kushtet e përcaktuara nga ministrat e BE-së në qershor të vitit të kaluar.
Maqedonia e Veriut këtë vit e ndërroi emrin e saj nga Maqedonia për t’i dhënë fund pothuajse tre dekadave mosmarrëveshje me fqinjin e saj jugor Greqinë, ndërsa Shqipëria filloi një proces vetingu për gjyqtarët për të çrrënjosur korrupsionin.
Por një numër shtetesh anëtare të BE-së mbeten ngurrues për këtë, Franca dhe Holanda ndër ta.
“Sigurisht, nuk duket të ketë një masë kritike midis shteteve anëtare për të vazhduar para me bisedimet e pranimit në BE për Shqipërinë apo Maqedoninë e Veriut,” tha Kurt Bassuener, bashkë-themelues dhe bashkëpunëtor i lartë në Këshillin e Politikave të Demokratizimit me bazë në Berlin.
“Anëtarë të ndryshëm kanë pikëpamje të kundërta, me Francën anëtaren më të madhe që i ka vendosur të dyja këmbët te frenat.”
Kristof Bender, zv/kryetar i Nismës Europiane për Stabilitet me bazë në Berlin, ESI, tha se qershori duhet të sjellë gjithashtu një vendim të shumëpritur për heqjen e vizave për kosovarët, ndërsa Prishtinën gjithnjë e më të frustruar për këtë vonesë.
“Faktori kyç do të jetë nëse disa vende anëtare ngurruese të BE-së mund të binden që ta mbështesin këtë,” tha ai për BIRN.
Presidenti francez Emmanuel Macron, duke vazhduar me vizionin e tij për një BE të reformuar, ka ndërmarrë një qëndrim të ashpër për çdo zgjerim të afërt në Ballkan.
Në maj të vitit të kaluar në një takim në Sofje, Macron tha se çdo zgjerim i ri duhej të shihej “me shumë kujdes dhe ashpërsi”, duke prerë entuziazmin për çdo përshpejtim të një procesi zgjerimi.
Tregoures tha se partia e Macronit kishte qenë e vendosur se nuk do ta diskutonte zgjerimin përpara zgjedhjeve të BE-së më 23-26 maj.
Në një debat në televizionin francez ku përfshiheshin 12 kandidatë francezë për eurodeputetë më 4 prill, 10, duke përfshirë atë të partisë së Macronit, thanë “Jo” për çështjen nëse Serbia duhet të bashkohet me BE-në deri në vitin 2025, data e synuar e caktuar nga Komisioni.
Realitet i ashpër
Maqedonia e Veriut, duke u mbështetur në faktin që komuniteti ndërkombëtar e përshëndeti marrëveshjen e saj historike me Greqinë, ka lobuar që të trajtohet veçmas nga Shqipëria kur është fjala për një vendim për hapjen e bisedimeve të pranimit në BE. Të dy vendet aktualisht, nëse jo zyrtarisht, po trajtohen si një paketë.
Por Bassuener tha se kjo nuk ka gjasa.
“Unë e di që ka dallime të shumta midis anëtarëve rreth ndarjes së mundshme,” tha ai. “Italia do të ishte kundër, për shembull.”
Shkupi i ka bërë vetes pak ndere me ritmin e ngadalshëm të reformës së brendshme. Ndërsa vendi kohët e fundit krijoi një Komision të ri Anti-Korrupsion, për shembull, bisedimet politike mbi forcimin e mandatit të prokurorëve specialë që merren me trajtimin e korrupsionit të nivelit të lartë kanë ngecur.
Dështimi për të arritur bisedimet e pranimit “do të ishte një goditje” për qeverinë e udhëhequr nga social demokrati i Zoran Zaev, por, tha Bassuener, “realiteti është se ka shumë punë përgatitore për t’u bërë në afatin e menjëhershëm”.
“Unë mendoj se Maqedonia e Veriut duhet të tregojë seriozitetin e saj në lidhje me përmbushjen e kërkesës publike të ndrydhur, pa përmendur standardet e BE-së, sidomos në sferën e sundimit të ligjit,” tha ai për BIRN.
Maja Kocijanciç, një zëdhënëse e BE-së, i bëri jehonë Shefes së Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, duke thënë se secili nga gjashtë “partnerët” e bllokut në Ballkanin Perëndimor ishte më afër BE-së sesa kur Komisioni aktual filloi mandatin e tij katër vjet e gjysmë më parë.
Fondet e para-pranimit po rriteshin, tha Kocijanciç për BIRN. “Puna jonë me Ballkanin Perëndimor do të vazhdojë në nivel politik dhe ekspert përpara, gjatë dhe pas zgjedhjeve të Parlamentit Europian,” tha ajo.
“Këshilli gjithashtu ka konfirmuar në mënyrë të përsëritur mbështetjen e tij të qartë për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor,” tha Kocijanciç, duke vënë në dukje megjithatë se çdo vend kishte “shumë punë” për të përmbushur kriteret për anëtarësim.
Marrëveshja Serbi-Kosovë gjithnjë e më pak e mundshme
Shpresat e larta për një marrëveshje të afërt të ndërmjetësuar nga BE-ja që do të zgjidhte përfundimisht marrëdhëniet mes Serbisë dhe ish-provincës së saj Kosovën duket se janë thyer dhe do të peshojnë në përpjekjet e tyre përkatëse për t’u integruar në BE.
Gatishmëria e qartë e Komisionit Europian dhe Shteteve të Bashkuara për të shqyrtuar një shkëmbim territori midis Serbisë dhe Kosovës si një rrugë për një zgjidhje ka ndarë vendet anëtare të BE-së, sidomos me Gjermaninë që e kundërshton këtë gjë.
Veprimet e Beogradit dhe Prishtinës nuk kanë ndihmuar në këtë çështje, me këtë të fundit që vendosi një tarifë prej 100 për qind për produktet serbe dhe boshnjake në fund të vitit të kaluar, në hakmarrje për Serbinë që loboi kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol dhe kundër njohjes së saj nga shtetet e tjera.
Dialogu i ndërmjetësuar nga Brukseli midis presidentëve të të dy vendeve, Aleksandër Vuçiç dhe Hashim Thaçi, ka kaluar në zemërim dhe akuza.
Ndërkohë që tarifa përbën pengesën më të qartë, “fakti që Brukseli dhe Uashingtoni kanë sinjalizuar gatishmërinë për të menduar për ndryshimet e kufijve është një zhvillim i ri dhe alarmues që ka pasur tashmë pasoja të dëgjueshme,” tha Bassuener, sidomos në lidhje me ndikimin e mundshëm që kjo mund të ketë në Bosnje.
“Ajo që nuk është dëgjuar është që Berlini ka vazhduar të kundërshtojë, duke përmendur arsye legjislative kundër ndryshimeve të kufijsve dhe duke ndërtuar në mënyrë aktive një koalicion shtetesh anëtare në BE-së për të kundërshtuar “korrigjimin e kufijve”, tha ai, duke shtuar se ndarja i dha Serbisë dhe Kosovës hapësirë më e madhe lëvizëse dhe bëri më të vështirë kërkimin për një marrëveshje.
“Alternativa e qartë është dërgimi i mesazhit që fillimisht kishte për qëllim nisjen e dialogut – Serbia do të duhet të pranojë pavarësinë e Kosovës për të hyrë në BE,” tha Bassuener.
Bender, i ESI, tha se bisedimet për ndryshimet e kufijve e kishin çuar dialogun në një drejtim të rrezikshëm.
“Tani çdo zgjidhje është shumë e vështirë,” tha ai për BIRN. “Në vend të kësaj, BE-ja duhet t’i përmbahet asaj që ishte rënë dakord në fillim të bisedimeve të pranimit.”
Kjo do të thotë, Serbia mund t’i bashkohet BE-së pasi të përmbushë të gjitha kriteret mbi sundimin e ligjit, demokracinë dhe lirinë e mediave dhe vetëm atëherë kur të nënshkruhet dhe zbatohet një marrëveshje ligjërisht detyruese me Kosovën.
Ndërkohë, Komisioni i ardhshëm Europian do të jetë tepër i zënë me iliberalizmin, Brexit, reforma institucionale, Kinën, SHBA-në e Donald Trump dhe shumë gjëra të tjera.
I pyetur se kur priste që Komisioni të përqendrohej përsëri në çështjet e Ballkanit Perëndimor, Tregoures u përgjigj: “Jo së afërmi, pavarësisht nga aspektet teknike të procesit, reformave, hapjes së kapitujve etj.”
“Vetëm në rast se nga rajoni del ndonjë kërcënim sigurie.”