Në librin e tij të ri për Ballkanin gjatë Luftës së Parë Botërore, historiani Milovan Pisarri eksploron krimet e kryera kundër civilëve serbë nga pushtuesit ushtarakë bullgarë.
Libri i ri i Milovan Pisarrit “Në Frontin e Luftës në Ballkan: Lufta dhe Krimet kundër Popullsisë Civile në Serbi 1914-1918”, hedh një vështrim mbi vdekjet e civilëve në Serbi nën pushtimin bullgar gjatë Luftës së Parë Botërore, që ai argumenton se është një temë e neglizhuar nga historianët serbë dhe ata europianë.
“Kur është fjala për Luftën e Parë Botërore në Serbi dhe Europë, historianët janë marrë kryesisht me historinë ushtarake, politike dhe diplomatike – betejat, shkaqet e luftës dhe marrëveshjet politike,” shpjegoi Pisarri në një intervistë për BIRN.
“E vetmja fotografi që kishim ne në Europë për Luftën e Parë Botërore është ajo e ushtarëve në llogore,” shtoi ai.
Studimet e para të fokusuara te vdekjet civile u shfaqën në vitet 1990, tha ai, kur u kuptua se “civilët ishin objektiv i politikave specifike, jo vetëm dëm kolateral”.
Tema kryesore e librit të Pisarrit, të cilën ai e shkroi bazuar në tezën e doktoraturës së tij dhe që fillimisht u botua në gjuhën italiane, është krimet kundër civilëve serbë në pjesën e Mbretërisë së Serbisë që u pushtua nga Bullgaria në vitin 1915. Libri do të botohet i përkthyer në serbisht këtë vjeshtë.
Por ai gjithashtu i kushton pjesë të librit ngjarjeve të tjera të mëdha të Luftës së Madhe, siç është shpërthimi i tifos që vrau rreth 70,000 civilë, tërheqjen e ushtrisë serbe nëpërmjet Shqipërisë, si dhe konferencat ndërkombëtare të paqes dhe çështjen e refugjatëve, luftërat në Ballkan 1912-1913 dhe viktimat civile në të gjitha anët.
Pisarri shprehet se Lufta e Parë Ballkanike – e cila pa rënien e pushtetit të Perandorisë Osmane në shtetet ballkanike – çoi në dhunë, plaçkitje dhe masakra ndaj myslimanëve nga trupat bullgare, serbe dhe greke dhe guerilët në të gjithë rajonin.
Lufta e Dytë Ballkanike, e cila pa konfliktin midis serbëve dhe grekëve nga njëra anë dhe bullgarëve nga ana tjetër, pa mizori të kryera nga të gjitha anët.
Por libri fokusohet në krimet e kryera në pjesë të Mbretërisë së Serbisë që ishin nën pushtimin e Bullgarisë, e cila ishte një nga Fuqitë Qendrore gjatë Luftës së Parë Botërore, krahas Gjermanisë, Austro-Hungarisë dhe Perandorisë Osmane. Në të njëjtën kohë, krime të gjera kundër civilëve po kryheshin edhe në pjesë të Serbisë që ishin nën pushtimin Austro-Hungarez.
Gjatë luftës, Bullgaria mbajti pjesët lindore dhe jugore të Serbisë, dy të tretën e Kosovës dhe një pjesë të Maqedonisë.
Pisarri argumenton se Bullgaria kishte një qëllim të rëndësishëm – aneksimin e përhershëm të këtyre territoreve dhe “bullgarizmin” e popullsisë vendase.
“Politika bullgare në Serbinë lindore dhe jugore dhe Maqedoni është një e organizuar shumë mirë. ne flasim për bullgarizim, i cili prek të gjitha segmentet e shoqërisë: administratën, ushtrinë, kishën dhe arsimin,” tha ai.
Kështu, kur Ushtria Bullgare hyri në Serbi në vitin 1915, tha ai, një nga hapat e parë ishte likuidimi i inteligjencës serbe, ku përfshiheshin mësuesit, tregtarët dhe priftërinjtë, ose “të gjithë ata që bullgarët perceptonin si rojtarë të shpirtit kombëtar serb”.
“Në disa nga dokumentet që kam përdorur në libër, ndonjëherë citohet se inteligjenca serbe duhej të vritej menjëherë, ndërkohë që ndonjëherë kishte urdhra që ata duhet të dëboheshin dhe të vendoseshin në kampe përqendrimi,” tha Pisarri.
Në të njëjtën kohë, në territoret e pushtuara u ngritën institucione bullgare.
“Kur mësuesit serbë u eliminuan, ata sollën mësues nga Bullgaria, futën bullgarishten dhe ndaluan serbishten dhe ndryshuan mbiemrat e njerëzve. E njëjta gjë po ndodhte edhe me kishën. Ata sollën priftërinjtë bullgarë dhe prezantuan një kalendar të ri, të respektuar nga Kisha Ortodokse Bullgare,” shpjegoi ai.
Një nga dokumentet më interesante që Pisarri gjeti ka të bëjë me gratë serbe, të cilat u renditën si armiqtë e dytë më të rrezikshëm, pas priftërinjve, të cilët duhet të mbaheshin nën kontroll të rreptë.
Dokumenti ishte i majit 1918, “kur tashmë ishte e qartë se bullgarët do ta humbnin luftën dhe populli i tyre po vdiste urie, ata merreshin ende me asimilimin e serbëve”.
“Kur më ra në dorë për herë të parë ky dokument, isha konfuz. Pse gratë?” pyeti Pisarri.
“Arsyeja qëndron në funksionet e tyre pedagogjike, sepse duke u kënduar këngë dhe ninulla në serbisht fëmijëve, ato ishin rojtare të shpirtit kombëtar serb,” tha ai.
Trena të blinduar dhe kampe përqendrimi
Gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore, u krijuan disa komisione kombëtare dhe ndërkombëtare me qëllim dokumentimin e krimeve dhe identifikimin e autorëve përpara konferencës së paqes në Paris në vitin 1919, në të cilën Fuqitë Aleate fitimtare u takuan për të vendosur kushte për Fuqitë Qendrore të mposhtura.
Një prej tyre ishte Komisioni Ndër-Aleat, i përbërë nga ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë, i cili u krijua nga qeveria serbe në nëntor 1918 në qytetin maqedonas të Shkupit. Një nga ekspertët e shquar të përfshirë në të ishte kriminologu zviceran Archibald Reiss.
“Ata mblodhën dhe analizuan një numër të madh dokumentesh, përfshirë ato të lëshuara nga bullgarët, dhe kishin dëshmitë e viktimave, si dhe fotot. Kështu mësuam për kampet,” tha Pisarri.
“Ne shpesh i lidhim dëbimet me tren me Luftën e Dytë Botërore, por kjo po ndodhte edhe në Luftën e Parë Botërore – trena të blinduar që transportonin një numër të panjohur njerëzish, shumë prej tyre të vdekur pasi udhëtonin pa ushqim, ujë dhe në kushte të tmerrshme, përfshirë gra dhe fëmijë,” ai shtoi.
Kampet e para në Bullgari u ngritën në fund të vitit 1915 dhe në fillim të vitit 1916. Megjithatë, shumica e tyre u krijuan pas kryengritjes Toplica, në të cilën forcat guerile serbe u përleshën me pushtuesit bullgarë nga shkurti në mars 1917.
Ndërsa kryengritja u shtyp me sukses, disa mijëra civilë serbë u ekzekutuan brutalisht, ndërsa shumë të tjerë u transferuan në kampe në Bullgari – ndonjëherë edhe të detyruar të shkonin deri atje në këmbë, tha Pisarri.
“Unë arrita të rindërtoja ngjarjet dhe të bëja një hartë të vogël të 18 kampeve në territorin bullgar. Mbaj mend nga dëshmitë se kampi Sliven (në pjesën lindore të vendit) ishte ndër më të tmerrshmit, ku disa mijëra robër jetonin në baraka, pa çati ose shtrat, shpesh pa ujë dhe iu nënshtruan punës së detyruar,” tha Pisarri.
Megjithatë, ende nuk ka një shifër të saktë për numrin e njerëzve të dërguar në kampe gjatë okupimit, edhe pse disa vlerësime shkojnë deri në 100,000.
Përveç dëbimeve, pati raportime të shumta për përdhunime, tortura dhe varre masive.
Një nga vendet që u prek më shumë ishte qyteti i vogël i Surdulicës pranë Nishit në Serbinë jugore, ku kishte një vend vrasjesh, tha Pisarri.
“Vargje me njerëz të kapur kaluan përmes Surdulicës gjatë rrugës për në Bullgari dhe ka dëshmi që përshkruajnë se si bullgarët do të ekzekutonin të gjithë grupin e njerëzve ose një pjesë të tij. Kriminologu zviceran Reiss ishte në vendin ku po zhvarroseshin varret masive,” tha ai.
Çështja e përgjegjësisë
Edhe pse krimet kundër civilëve po ndodhnin që nga fillimi i Luftës së Parë Botërore, e drejta ndërkombëtare në atë kohë nuk ishte e pajisur në mënyrë adekuate për t’u përballur me atë që po ndodhte, shpjegoi Pisarri. Konferencat e paqes të Hagës të vitit 1899 dhe 1907 bënë sollën një kodifikim të zakoneve dhe ligjeve të luftës, por ato zbatoheshin përciptazi për civilët.
Kjo është arsyeja pse, pas përfundimit të luftës, në Konferencën e Paqes të Parisit u krijua një komision ndërkombëtar me qëllim përcaktimin e krimeve dhe ndëshkimin e personave përgjegjës. Komisioni për Përgjegjësinë e Autorëve të Luftës dhe Vënien në Zbatim të Ndëshkimeve kodoi 32 kategori krimesh kundër ligjeve të luftës dhe njerëzimit, siç janë masakrat, përdhunimet, dëbimet, internimet, torturat, vdekja nga uria, punën e detyruar dhe terrorizmin sistematik.
“Kur marrim listën dhe kontrollojmë se ku po kryheshin krimet, do të shohim Serbinë si një viktimë dhe Bullgarinë si një autore e këtyre krimeve,” tha Pisarri.
Nga 32 krime t ë kodifikuara, ushtria bullgare kreu 18 prej tyre kundër popullatës civile serbe, argumentoi ai.
Pavarësisht gatishmërisë fillestare për të ndjekur penalisht autorët, vetëm një numër i vogël vrasësish u dënuan dhe u dhanë dënime simbolike nga vendet e tyre përkatëse.
“Serbia bëri një listë të të gjithë autorëve, përfshirë emrat e 500 bullgarëve. Bullgaria ndoqi penalisht vetëm tre prej tyre, një prej të cilëve vdiq në kohën kur filloi procesi gjyqësor,” tha ai.
Që nga bisedimet e paqes në Paris dhe raportet nga komitetet e ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare, qeveria bullgare i ka mohuar akuzat. Me kalimin e viteve, krimet kryesisht janë harruar.