
Komiteti Shqiptar i Helsinkit u shpreh kundër krijimit të një regjimi gjobash administrative ndaj medias në internet duke argumentuar se nuk ka garanci që ligji do të zbatohet në mënyrë të pavarur politikisht nga institucioni përgjegjës, Autoriteti i Medias Audiovizive.

Komiteti u shpreh në një blog mbi projektligjet e shumëdebatuara, të prezantuara nga qeveria si “paketa anti-shpifje”, duke theksuar mungesën e pavarësisë politike të Autoritetit të Medias, institucionit që, sipas projektligjeve, do të marrë funksionet e një gjykate për të gjykuar dhe dënuar mediat në rast të asaj që projektligji i referohet si “cënim të nderit dhe dinjitetit të qytetarit”.
Erinda Skëndaj, juriste te Komitetit të Helsinkit, shkroi: “..propozohet që autoritetit të medias t’i i rriten kompetencat dhe përgjegjësitë në drejtim të mbikëqyrjes dhe sanksionimit të medias, [por] nuk vërehen ndryshime në përbërjen e autoritetit dhe mënyrës së zgjedhjes së anëtarëve të tij”.
Autoriteti i Medias përbëhet aktualisht nga shtatë anëtarë, të cilët zgjidhen nga parlamenti me propozim të partive të ndryshme politike. Projektligji “Rama” për median online parashikon që një këshill me tre anëtarë, i quajtur “Këshilli i Ankesave”, i cili zgjidhet nga bordi i autoritetit, të kryejë rolin e gjykatës, duke vendosur gjoba nga 100 mijë deri në 1 milionë lekë, për mediat online që gjykohet se kanë kryer shkelje, pa marrë parasysh nëse media në fjalë është një media e madhe apo një blog personal.
“Ky është një moment shumë i rëndësishëm ligjor që kërkon një analizë për të vlerësuar nëse rregullimi i të gjithë sektorit të medias duhet ose jo të kalojë në përgjegjësinë e këtij autoriteti si dhe nëse sanksionimi i medias, përfshi këtu edhe ofruesit e shërbimeve të publikimit elektronik duhet të jetë apo jo përgjegjësi e Këshillit Etik të këtij autoriteti,” theksoi Skëndaj.
“…formula e propozimit dhe zgjedhjes së anëtarëve të AMAs çon në një ndarje 4 anëtarë të zgjedhur me mbështetje të mazhorancës parlamentare dhe 3 anëtarë të zgjedhur me mbështetje të opozitës parlamentare. Nëse do e shohim me paralelizëm me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për KQZ-në, kjo formulë ligjore e parashikuar në ligj për AMAn nuk garanton depolitizim të këtij institucioni, pavarësisht nga fakti që sipas ligjit ky institucion është i pavarur,” shkroi Komiteti i Helsinkit.
Kryeministri Edi Rama propozoi dhjetorin e kaluar një numër masash drakoniake kundër medias online, ndërsa deklaroi se sipas opinionit të tij, ka nevojë për “disiplinim” të kësaj mediaje. Masat e propozuara nga Rama fillimisht përfshinin gjoba të forta dhe të ekzekutueshme pa të drejtë apelimi, si dhe urdhër mbylljeje për median në rastet kur Këshilli i Ankesave çmonte se ajo kishte shkelur kodin e etikës më shumë se tre herë.
Propozimet e Ramës u kritikuan ashpër nga organizatat vendëse dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut si një tentativë për sistem cenzurimi të medias online.
Propozimi i miratuar në qeveri javën e kaluar, nuk përfshin më klauzola për mbylljen e medias por vijon të mbajë gjoba të paapelueshme ndërsa Këshilli i Ankesave në AMA zëvendëson në praktikë rolin që deri më sot e kanë luajtur gjykatat.
AMA është një institucion i krijuar fillimisht në vitin 1998 ndërsa drejtuesi i saj ka ndryshuar zakonisht përmes betejave politike, sa herë që ka ndryshuar maxhoranca qeverisëse e vendit. Si me të gjitha institucionet e “pavarura” në vend që nga marrëveshja politike PD-PS e vitit 2003, edhe AMA është në fakt një institucion i ndërvarur, anëtarët e së cilës janë propozime të partive politike të pranishme në parlament.
Kjo është nisma e disatë e kryeministrit Edi Rama kundër lirisë së shprehjes.
Lexo më shumë:
‘Paketa antishpifje’ e qeverisë: Policim dhe gjoba të dyfishta për median online
Organizatat kërkojnë tërheqjen e qeverisë nga dy projektligjet për mediat online
Rama kërcënon dhe justifikohet pas raportit kritik për lirinë e medias
Organizatat ndërkombëtare ngrenë këmbana alarmi për lirinë e medias në Shqipëri