Interesi për të mbrojtur hapësirat e Universitetit të Tiranës dhe administrimin mbi to është jetik, jo vetëm për institucionin në vetvete, por për gjithë ecurinë e Arsimit të Lartë në vend.
Duhet thënë se qysh prej themelimit në vitin 1971, Kopshti Botanik i Tiranës është zhvilluar, mirëmbajtur dhe pasuruar në vite gjithmonë nën administrimin e Universitetit të Tiranës, si një pjesë organike e kërkimit dhe e mësimdhënies. Vendimi i Këshillit të Ministrave 510, dt. 17.07.2019 bën kalimin në pronësi të Bashkisë së Tiranës të hapësirës së Kopshtit Botanik, hapësirë e cila i përket pronave të paluajtshme shtetërore në përgjegjësi administrimi të Universitetit të Tiranës, ashtu si janë sot gjithë hapësirat e tjera të UT dhe të gjithë IAL-ve publike në vend.
Mosbesimi i stafit akademik
Nga takimi i grupit të Universitetit në Bashki lidhur me Kopshtin Botanik në tetor të vitit të kaluar, mund të pohoj se mbeta i kënaqur për dy arsye: së pari, për dëshirën që tregoi Bashkia për të rivitalizuar Kopshtin; dhe së dyti, për dëshirën për bashkëpunim me Universitetin për ta bërë atë sa më mirë nga ana profesionale. Megjithatë, edhe pse premtimet ishin shumë joshëse, përsëri e shohim të vështirë që kjo të ndodhë nën pronësinë dhe administrimin e Bashkisë. Ndaj Bashkisë dhe ndoshta edhe vetë Qeverisë ka edhe një lloj mosbesimi të krijuar në vite ndaj qëndrimit ndaj Universitetit! Në kapërcimin e vështirësive që po kalon UT, qëndrimi i Qeverisë dhe i Bashkisë ka qënë jo më mbështetës, por përkundrazi, në vite ka ndodhur e kundërta!
Konkretisht: Në vitin 1997 hapësira në oborrin e Fakultetit të Shkencave të Natyrës u pushtua padrejtësisht për ndërtim pallati. Në vitin 2007, ndërtesa e Institutit të Perim-Patateve, ku është sot ALUIZN-i iu caktua këtij fakulteti, por nuk iu dha realisht.
Muzeu i Shkencave të Natyrës kishte hapësirë prej rreth 4500 m2 dhe pozicion në rrugën e Kavajës në Tiranë, shumë të volitshëm për një Institucion të tillë, por me shumë përpjekje, madje korruptive, Muzeu përfundoi sot i rrudhur shumë në hapësirë (rreth 1500 m2) dhe në një zonë tepër të humbur të qytetit, te Tregu Elektrik; e gjitha kjo për të ndërtuar dy kulla të larta pa ndonjë funksion të mirëfilltë!
Nuk kanë kaluar shumë vite ku Bashkia, në atë kohë me kryetar Z. Rama dërgoi dy herë Policinë Ndërtimore në mjediset e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, për të prishur një shtesë që Fakulteti kishte filluar për të zgjeruar hapësirat për nevojat e veta urgjente.
Gjithashtu Departamenti i Bioteknologjisë, i krijuar nga reforma e institucioneve në 2007-n trashëgoi një hapësirë të mirë laboratorike, e cila u aneksua nga Bashkia e sotme në mënyrë arbitrare pa asnjë shpërblim, për të ndërtuar ArTurbinën.
Edhe hapësira ku Universiteti i Tiranës u josh në shumë vite të ndërtonte të famshmin Kampus, sot është në përdorim (ndoshta dhe në pronësi!) nga Bashkia për parkim dhe terminal autobuzash. Në gjithë këtë kalvar negativ qëndrimesh të renditura më sipër, dua të theksoj se edhe qëndrimi institucional i UT, i Rektoratit dhe Senatit në të kaluarën ka qënë shumë i dobët, për të mos thënë i heshtur ose palë në shumë nga këto raste të sipërpërmendura.
Rëndësia e Kopshtit Botanik
Misioni i Kopshtit Botanik është ai i njohjes, ruajtjes jashtë habitatit natyror (ex situ), shumimit dhe përhapjes së florës dhe bimësisë së rrallë, të kërcënuar, apo me vlera ekonomike të vendit. Si të tillë, Kopshtet Botanike janë institucione gjithmonë të bashkuara ngushtë me institucionet akademike, shkencore, kryesisht me universitetet, për të përmbushur këtë mision.
Universitetet kanë gjithmonë pranë një bërthamë shkencore, të vogël apo të madhe sipas rastit dhe mundësisë, për të përmbushur këtë mision; kjo për të pasuruar vazhdimisht Kopshtin me bimë dhe formacione bimore nga gjithë territori i vendit, për t’u kujdesur në mbajtjen (introduktimin) dhe shumimin e tyre në Kopsht, për t’u kujdesur vazhdimisht për gjithë ekspozicionet në Kopsht, për mirëmbajtjen, pasurimin, zgjerimin, etiketimin si duhet etj.
Më tej, Kopshti interesohet për shkëmbim informacioni, farash me të interesuar, brenda dhe jashtë vendit, për rritjen e ndërgjegjësimit në shkollë, por jo vetëm, për njohjen dhe ruajtjen e florës dhe bimësisë sonë etj.
Kopshti ka qënë në vite laboratori natyror më i afërt për të njohur florën dhe bimësinë e vendit për të gjitha kurset e studimeve biologjike në UT. Për këtë ka pasur gjithmonë lidhje të ndërsjellta me Katedrën e Botanikës, sot me Grupin mësimor të Botanikës dhe gjithë Departamentin e Biologjisë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, si në mësimdhënie dhe në kërkim, duke ndihmuar në këtë mënyrë njëri-tjetrin.
Brenda vetë Kopshtit, ose nën udhëheqjen e ekspertëve të Kopshtit kryhen vazhdimisht punë diplomash, doktoratash apo studime të tjera në fushën e florës dhe bimësisë shqiptare me interes për vendin, por dhe më gjerë. Por si i tillë, Kopshti vlen edhe më shumë, pasi është i vizitueshëm nga shumë kurse universitare apo klasa të arsimit parauniversitar, jo vetëm nga Tirana, por nga gjithë vendi.
Kopshti si institucion synon në përhapjen e vlerave të larmisë së florës dhe bimësisë së territorit shqiptar nëpërmjet sektorëve tërheqës përkatës, si dhe nëpërmjet ekspozitave, publikimeve dhe takimeve shkencore, apo me karakter edukues dhe informues, duke zgjuar interesin e shkollarëve dhe universitarëve, si dhe të shumë dashamirësve të botës së gjallë shqiptare. Kuptohet, si një hapësirë e blertë brenda një zonë të urbanizuar rëndë si ajo ku ndodhet sot, Kopshti ka qënë dhe mbetet përherë edhe një mjedis çlodhës dhe argëtues.
Shumë nga këto detyra, Kopshti i ka kryer për mbi 50 vite, falë gjithë përpjekjeve të botanistëve në vite. Megjithatë, në periudhën e tranzicionit vështirësitë kanë qënë tepër të mëdha: nga presioni i ish- pronarëve për të rimarrë hapësirën për qëllimet e tyre.
P.sh, dikush mundi të ndërtonte me forcë pa leje brenda Kopshtit, ndërkohë që ish- pronarët bënë të mundur tharjen e ujëmbledhësit jashtë Kopshtit, i cili shërbente për vaditjen e tij. Dëmtime të vazhdueshme ka pasur edhe nga banorët e zonës, duke kaluar pa kujdes mes për mes Kopshtit; prishje e rrethimit etj.
Edhe sot hapësira e Kopshtit është shumë e lakmuar nga ish-pronarët për ta përdorur për ndërtime, që sot janë shumë fitimprurëse. I fundit presion i radhës ka qenë projekti i Unazës së Re, që i shkëputi Kopshtit një pjesë të mirë të hapësirë si dhe një ndërtesë të ndërtuar me fonde të gjetura me shumë mundim nga punonjësit e Kopshtit.
I gjithë ky presion ka bërë që hapësira e Kopshtit të zvogëlohet nga rreth 15 ha që ishte fillimisht në 12.5 ha sot. Këtu nuk mund të lë pa përmendur edhe vështirësitë që krijoi VKM-ja për heqjen e makinave nga institucionet; Kopshti u ndëshkua sërish duke u privuar nga një makinë fuoristradë, e gjetur ndër të tjera me shumë mundim, që ndihmonte punonjësit e Kopshtit për të gjurmuar bimët dhe farat e tyre, kudo që ato të ndodheshin në territorin jo fort të lehtë shqiptar.
Kundër tjetërsimit
Kopshtin Botanik i Tiranës është institucion unik në vend me vlera kërkimore, edukuese, por edhe çlodhëse. Është mundi, djersa dhe profesionalizmi i mbi 50 viteve. Për më tepër, Shqipëria europiane ka nevojë të ketë një Kopsht modern, për të përmbushur kërkesat e vendit për ruajtjen ‘ex situ’ të florës sonë të rrallë, të kërcënuar, por dhe atë me vlera ekonomike.
Jemi vend që dallojmë shumë për këto vlera dhe të gjithë kemi përgjegjësi për to, nga bota akademike te shoqëria, dhe pa diskutim te vendimmarrja. Vendet rreth nesh institucione të tilla i kanë shekullore, dhe kujdesen përherë që të mbahen në formë dhe të pasurohen!
Prandaj unë bashkohem me frymën mbështetëse të kësaj nisme të Rektoratit të Universitetit të Tiranës kundër tjetërsimit të pronësisë së Kopshtit Botanik. Ftoj edhe Senatin dhe Këshillin e Administrimit të UT për një gjë të tillë. Interesi për të mbrojtur hapësirat e UT dhe administrimin mbi to është jetik, jo vetëm për institucionin në vetvete, por për gjithë ecurinë e Arsimit të Lartë në vend!
Në të kundërt, duhet thënë se misioni i Kopshtit Botanik i kapërcen kufijtë e Universitetit të Tiranës dhe vlerat e tij janë për gjithë vendin dhe për vetë Bashkinë e Tiranës. Për këtë ftoj Qeverinë, por dhe Bashkinë e Tiranës të ndihmojnë Universitetin, përfshirë këtu dhe Kopshtin Botanik për të zgjidhur hallet e veta të mëdha sot.
Madje, Qeveria dhe Bashkia e kanë edhe për detyrë ta bëjnë, por gjithmonë si të barabartë! Universiteti i Tiranës, më i madhi dhe më i rëndësishme institucion në vend ka nevojë për hapësira për të përmbushur misionin e tij.
Mjafton të them se Fakulteti i Shkencave të Natyrës ka sot afërsisht po aq hapësira sa ka pasur para viteve ’90, kur numri i studentëve sot është 10 herë më i lartë (mbi 7000 studentë). Kohëqëndrimi i studentëve sot në universitet është rritur dhe kërkesat për dije cilësore janë shtuar. Këtu pa diskutim ka shumë rëndësi ndihma nga Qeveria, ashtu si vërtetë ajo ka premtuar. Por edhe vetë Bashkia ka përgjegjësi, madje dhe detyrim për të ndihmuar Universitetin në përmbushjen si duhet të misionit të tij. Dhe kjo, jo duke i marrë hapësirat në pronësi, por duke ndihmuar realisht institucionin në një frymë bashkëpunimi të ngushtë.