Një çerek shekulli pas konfliktit, popullsia e Bosnjës dhe Hercegovinës po bie ndjeshëm dhe në të gjitha grupet etnike përbërëse të saj.
Ilija ishte i zemëruar.
Teksa ngiste taksinë e tij nëpër Sarajevë, 42-vjeçari tha se i ishte ofruar një punë si shofer kamioni në Gjermani, por i duhej një leje shtesë. Në kohën kur ai ishte kthyer në shtëpi dhe kishte siguruar të gjitha dokumentet, vendi i punës ishte zënë. Ai kurrë më parë nuk kishte dashur të largohej nga Bosnja dhe Hercegovina, por tani gjërat kishin mbërritur në një pikë ku s’mban më.
“Për 25 vjet kam jetuar në shpresë”, tha ai. “Tani e urrej veten për shkak të kësaj.”
Njësoj si shumë të tjerë, ai u kap pas besimit se Bosnja së shpejti do të bëhej një vend “normal” duke ofruar perspektivë të mirë për të ardhmen, por tani ai ka hequr dorë dhe do të ikë përsëri në Gjermani.
Atje ai do të bashkohet me vëllain, kunatën dhe dy fëmijët e tyre. Ata i thanë atij se s’do të largoheshin kurrë nga Bosnja, “dhe pastaj një ditë thjesht u larguan”.
Ilija është nga ata njerëzit e zemëruar që mund t’i dëgjosh çdo ditë në Bosnjë. Dhe pothuajse një çerek shekulli pas përfundimit të konfliktit, mungesa e vazhdueshme e shpresës është një e dhënë e rëndësishme për të shpjeguar situatën e jashtëzakonshme demografike në të cilën ndodhet vendi.
Sipas sondazhit të Barometrit Publik Ballkanik nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, 68 për qind janë të pakënaqur me mënyrën se si po shkon Bosnja.
Në vitin 1991, pak para luftës në Bosnje, më vend kishte rreth katër milionë banorë. Tani vlerësohet të jenë vetëm 3.3 milionë.
Gratë boshnjake kanë mesatarisht 1,26 fëmijë. Kjo nuk është vetëm nën pragun e nevojshëm prej 2.1 për të mbajtur një popullsi të qëndrueshme, por është gjithashtu një nga nivelet më të ulëta të fertilitetit në botë.
Sipas Kombeve të Bashkuara, nëse nuk ndryshon diçka, popullsia e Bosnjës mund të zvogëlohet në 3.05 milionë banorë deri në vitin 2050, që do të ishte rreth 29 për qind më pak sesa para luftës.
Sidoqoftë, në varësi të shkallës së emigracionit, kjo shifër mund të arrihet shumë më shpejt.
Deri kohët e fundit, i gjithë diskutimi i demografisë në Bosnje ishte për numrin dhe përqindjen e serbëve, kroatëve, boshnjakëve dhe të tjerëve, por tani, ndërsa këto argumente vazhdojnë, e gjithë popullsia po bie, pavarësisht nga përkatësia etnike.
Papunësia dikur ishte një problem i madh dhe për shumë njerëz, dhe në disa zona, është akoma, por po shfaqen gjithnjë e më shumë mungesa vendesh pune.
Në Serbinë dhe Kroacinë fqinje, qeveritë kanë filluar të miratojnë politika për të provuar dhe trajtuar këto çështje dhe për të inkurajuar çiftet të kenë më shumë fëmijë. Ata kanë pak aftësi ta bëjnë këtë, sidomos duke pasur parasysh oreksin e madh për punëtorë në Gjermani dhe vende të tjera perëndimore.
Bosnja, me sistemin e saj politik jofunksional dhe duke qenë më e varfër se fqinjët e saj, ka akoma më pak kapacitet për të adresuar krizën e saj demografike.
Kudo në ish-Jugosllavi, sigurimi i të dhënave të sakta është një problem. Në Bosnjë, problemi është akoma më keq.
Censusi i fundit jugosllav i vitit 1991 regjistroi një popullsi boshnjake prej 4,37 milionë banorësh. Në fakt ishte shumë më pak, ndoshta rreth katër milionë, sepse censuset jugosllave përfshinin punëtorë jashtë vendit dhe familjet e tyre.
Vlerësimi i popullsisë aktuale është akoma më problematik. Politikanë nga të gjitha palët kanë një interes të ekzagjerojnë numrin e komunitetit të tyre dhe të zvogëlojnë të të tjerëve.
Agjencitë e statistikave në Bosnje gjithashtu nuk kanë aftësi për të matur numrin e njerëzve që emigrojnë.
Gjatë censusit të vitit 2013, serbët, kroatët dhe boshnjakët në diasporë, përfshirë ata në Serbi dhe Kroaci, u inkurajuan që të ktheheshin për periudhën që po mblidheshin të dhënat.
Si rezultat, shifra fillestare e publikuar për popullsinë e Bosnjës ishte 3.79 milionë banorë, por 260.832 njerëz u zbritën më vonë sepse konsiderohej se nuk ishin me banim të përhershëm.
Në këtë mënyrë, shifra përfundimtare e censusit u deklarua të ishte 3.5 milionë. Sidoqoftë, autoritetet në Republikën Srpska, gjysma e vendit me shumicë popullsie serbe, i kundërshtoi gjetjet e censusit.
Damir Josipoviç, demograf në Institutin për Studime Etnike në Lubjanë, ka shkruar se “analiza na çon në përfundimin se numri zyrtar i popullsisë në Bosnje dhe Hercegovinë ishte mbivlerësuar shumë” dhe konkludoi se ai mund të kishte qenë 3.3 milionë banorë në vitin 2013.
Emir Kremiç, drejtori i Institutit Federal të Statistikave dhe Nermin Oruç, drejtor i CREDI, të dy besojnë, megjithatë, se 3.3 milionë banorë është një vlerësim i saktë për numrin e njerëzve në Bosnjë sot.
Nëse shifra e rishikuar e censusit të vitit 2013 është e saktë, kjo do të nënkuptonte se popullsia e Bosnjës ka rënë, falë emigrimit dhe më shumë vdekjeve sesa lindjeve, me rreth 200,000.
Është “shaka” të pretendosh, siç kanë bërë disa organizata joqeveritare, tha Kremiç, se ky është numri i njerëzve që kanë emigruar vetëm në tre vitet e fundit.
Një problem i madh nuk është vetëm mungesa e të dhënave të besueshme, por edhe e shifrave konfliktuale. Anketimet e Forcës së Punës tregojnë se popullsia e Bosnjës është më e ulët se ajo e vlerësuar nga agjencitë e statistikave.
Çdo konflikt, nga viti 1878 deri në luftën e fundit, ka parë lëvizje të mëdha të popullatës.
Gjatë luftës së viteve 1992-1995, rreth dy milionë banorë besohet se ishin të zhvendosur brenda vendit ose refugjatë jashtë vendit. Pas luftës, një numër i madh u kthyen, megjithëse shumë jo atje ku jetonin më parë.
Një numër i madh kroatësh të Bosnjës u larguan për në Kroaci dhe serbë të Bosnjës në ikën për në Serbi ndërsa shumë serbë që ikën nga Kroacia u vendosën në Republikën Srpska, duke “kompensuar” kështu disa humbje të saj në lidhje me popullsinë e boshnjakëve dhe kroatëve.
Ndërsa ideologët nacionalistë festuan rregullimin e hartës etnike, konflikti rezultoi në ndryshime të mëdha demografike brenda vendit dhe humbje për të gjithë – shumë larg vdekjeve të rreth 100,000 personave në luftë.
Sipas Josipoviç, lufta çoi në humbjen e 32 për qind të popullsisë kroate të Bosnjës, 25 për qind të serbëve të saj dhe 12 për qind të boshnjakëve të saj.
Ndoshta për shkak se vitet e menjëhershme të pas luftës ishin të mbushura me shpresë, numri i lindjeve e tejkaloi atë të vdekjeve.
Në pamje të parë, ky ngjan si një bum lindjesh pas luftës. Në fakt, nëse dikush i krahason shifrat me ato të lindjeve dhe vdekjeve para luftës, ndërsa shifrat janë më pak sesa do të pritej po të mos kishte pasur luftës, ato korrespondojnë me tendencat e paraluftës.
Numri i lindjeve ra shumë shpejt disa vjet pas luftës, ndërsa numri i vdekjeve u rrit. Në vitin 2016, kishte 6,388 vdekje më shumë sesa lindje.
Gjatë epokës jugosllave, shifrat demografike dhe ekuilibrat etnikë u zhvendosën në Bosnjë. Serbët kishin qenë historikisht etnia më e madhe e vetme, por censusi i vitit 1971 tregoi se myslimanët (tani të quajtur boshnjakë) e kishin zënë këtë vend.
Pas Luftës së Dytë Botërore, një numër i madh serbësh u zhvendosën nga rajone të varfra në rajonin pjellor të Vojvodinës të Serbisë, nga ku gjermanët etnikë ishin spastruar etnikisht ose ishin larguar.
Kishte gjithashtu një tendencë që serbët të lëviznin për në universitet dhe të punonin në Serbi, ndërsa kroatët e Bosnjës shkonin në Kroaci dhe boshnjakët nga rajoni i Sanxhakut shkonin në Bosnjë.
Në 25 vitet e kaluara, kanë funksionuar tendenca ndryshe nga këto. Ndërsa Kroacia u jep nënshtetësi kroatëve të Bosnjës dhe kujtdo tjetër që mund të pretendojë se është kroat, një numër i madh e kanë shfrytëzuar këtë gjë.
Në epokën jugosllave, shumë kroatë, sidomos nga Hercegovina perëndimore, shkuan në Gjermani dhe gjetkë për punë.
Pas luftës, dhe sidomos kur Kroacia iu bashkua Bashkimit Europian në 2013, shumë boshnjakë shkuan fillimisht në Kroaci për të bërë punët që bënin kroatët që tashmë po shkonin në Gjermani.
Boshnjakët ishin gjithashtu një burim i rëndësishëm i punëtorëve sezonal, duke shkuar për shembull në Kroaci për të punuar në turizëm gjatë verës.
Sot migracioni sezonal dhe qarkullues është ende i rëndësishëm, sidomos nga Republika Srpska, por Gjermani, Sllovenia dhe Austria, me pagën dhe kushtet e tyre më të mira, tani janë destinacionet e preferuara.
Mos anëtarësimi në BE e bëri të vështirë për boshnjakët pa nënshtetësi kroate të punonin në BE, por kohët e fundit kërkesa për punë nga disa vende e ka bërë shumë më të lehtë të punojë atje legalisht.
Agjencitë sllovene dhe kroate gjithashtu rekrutojnë boshnjakë, për shembull, si shoferë kamioni, të cilët më pas punojnë në Gjermani dhe gjetkë.
Disa gjejnë punë përmes Agjencisë së Punës dhe Punësimit në Bosnje, e cila ka marrëveshje me Gjermaninë për të siguruar infermierë dhe punëtorë të të gjitha llojeve për Slloveninë.
Në periudhën 2013-2019, më shumë se 5,000 infermierë shkuan në Gjermani sipas kësaj skeme “dhe vetëm 20 janë rikthyer në Bosnje”, tha zëdhënësi i agjencisë Boris Pupiç.
Në të njëjtën periudhë, kishte pak më shumë se 47,000 kontrata për Slloveninë, por nuk dihet se sa prej këtyre punëtorëve mbeten atje. Nga ky numër, 23 për qind janë shoferë dhe shumica e pjesës tjetër kanë aftësi të ndryshme të cilat nevojiten në industrinë e ndërtimit.
Si rezultat i emigrimit dhe rënies së numrit të lindjeve, tani shfaqen mungesa të personelit mjekësor dhe punëtorëve të ndërtimit ndërsa shkollat po mbyllen për mungesë të nxënësve.
Oruç u tall me që zyrtarët e qeverisë që shprehen për “eksport” pune. Ai tha se kjo tregon perceptimin e tyre se “sa më shumë njerëz të dërgojmë jashtë shtetit, aq më i ulët do të jetë niveli i papunësisë, se do të ketë më pak presion mbi përfitimet sociale dhe më shumë para të dërguara nga jashtë. Paraqitja e kësaj si një arritje dhe një sukses më shqetëson.”
“Në thelb ne i trajnojmë njerëzit dhe ata largohen. Kështu funksionon”, shtoi Oruç, duke theksuar se punëdhënësit tani ankohen për mungesë të njerëzve me arsim të lartë. Pjesërisht kjo është për shkak se shumë prej tyre largohen, por gjithashtu ka të bëjë me arsimin e lartë të modës së vjetër dhe shpesh me cilësi të ulët të Bosnjës.
Ajo që po ndodh në Bosnjë përmblidhet më së miri në një karikaturë të publikuar nga Buka, një faqe interneti nga Republika Srpska. Duke reaguar ndaj një diskutimi të qeverisë së Republikës Srpska për idetë se çfarë të bëhet për emigracionin dhe shkallën e ulët të fertilitetit, por pa asnjë politikë të miratuar, Buka komentoi se ministrat ende nuk i kuptonin çështjet në fjalë.
Karikatura tregon një çift duke bërë dashuri, por janë në dyshemenë e një dhome të ndriçuar me qiri dhe mbi një karton. Burri ka veshur një çorape të arnuar dhe suvaja ka rënë nga muri.
Njerëz si Ilija po largohen, jo vetëm sepse gjetkë mund të fitojnë më shumë, por sepse ata shohin politikanët që pasurohen ndërsa Bosnja mbetet e varfër dhe e korruptuar dhe institucionet e saj funksionojnë shumë dobët, në mos aspak.
Boshnjakët shkuan në votime më shumë sesa një vit më parë dhe politikanët e saj vetëm këtë javë arritën të linin pas mosmarrëveshjen midis tre partive kryesore nacionaliste që kishte penguar formimin e një qeverie në nivel shtetëror.