Në këtë reportazh të dytë të projektit “Viktima të Harruara”, të afërm të kroatëve të moshuar që u vranë në fshatin Susanj në vitin 1993 kërkojnë të dinë se përse hetimi i këtij krimi nuk ka prodhuar ende aktakuza.
Vetëm një pjesë e vogël e vendasve kishin mbetur në fshatin me popullsi kryesisht kroate të Susanjit afër Zenicës në Bosnjën qendrore kur të shtënat filluan më 8 qershor 1993.
“Ne ishim të paktë në numër, madje nuk mundeshim as të mbroheshim”, kujton njëri prej tyre, Stjepan Hrgiç, i cili në atë kohë ishte 50 vjeç.
“Ata ishin shumë, kur ata na sulmuan. Ishin me qindra. Gratë dhe fëmijët ishin larguar nga fshati dhe vetëm të moshuarit që nuk mundeshin ose nuk donin të largoheshin kishin qëndruar aty. Ata vranë tetë prej tyre pranë asaj shtëpisë atje”, tha Hrgiç, duke treguar me gisht vendin.
Të paktën nëntë civilë të moshës midis 60 dhe 85 vjeç u vranë atë ditë në Susanj, kur fshati në Bosnjën qendrore përfundoi nën zjarrin e konfliktit midis Ushtrisë Boshnjake të udhëhequr nga boshnjakët dhe forcës ushtarake Kroate të Bosnjës, Këshilli Kroat i Mbrojtjes.
Sipas një vendimi të dhënë në një gjykim në Gjykatën e Hagës, në Susanj më 8 qershor 1993 nuk pati luftime direkte. Ish-oficerët e Ushtrisë Boshnjake gjithashtu mohojnë të ketë pasur luftime në Susanj. Por gjykatat vendase kanë thënë se atë ditë atje pati të paktën nëntë civilë të vdekur, dhe pothuajse tre dekada më vonë, të afërmit e viktimave presin ende që autorët e këtyre vrasjeve të përballen me drejtësinë.
Kishte pasur paralajmërime se Susanji dhe fshatrat fqinje të banuara kryesisht nga kroatët në zonat e Vitezit dhe Travnikut do të sulmoheshin nga Ushtria Boshnjake në fillim të qershorit 1993. Por shumë fshatarë, veçanërisht të moshuarit, nuk i kishin marrë seriozisht paralajmërimet.
Ndikimi i dhunës së kohës së luftës mund të shihet edhe sot. Pak njerëz që u larguan nga Susanji për shkak të konfliktit janë kthyer këtu që atëherë dhe në ditët e sotme fshati, i cili para luftës kishte 430 banorë, është shpopulluar plotësisht dhe tani aty jetojnë vetëm rreth 20 persona të moshës midis 60 dhe 90 vjeç.
Anto Vidoseviç ishte personi i parë që u kthye në Susanj pas luftës. Në vitin 1999, ai u kthye në shtëpinë nga e cila babai i tij 83-vjeçar u mor më 8 qershor 1993 dhe më pas u vra në fshatin Ovnak. Ai humbi edhe djalin e tij Zeljkon atë ditë.
“Ai ishte 23 vjeç. Ai nuk u vra ndërsa luftonte në vijën e frontit, por ndërsa po përpiqej të ikte nga fshati”, tha Anto.
Frati Ivo Markoviç, profesor në Shkollën Françeskane të Teologjisë në Sarajevë i cili mori një çmim nga Qendra Tanenbaum për Mirëkuptim Ndërfetar në Nju Jork për punën e tij për paqen gjatë dhe pas luftës, gjithashtu humbi një të afërm të ngushtë në Susanj atë ditë – babanë e tij, i cili u vra në moshën 74 vjeçare.
“Katër prej tyre u çuan në front dhe u vranë. Njëri ishte 85 vjeç. Ky ishte asgjësim i të moshuarve”, tha Markoviç.
“Ata vranë të gjithë burrat që gjetën. Vranë një djalë të ri para syve të nënës së tij, e cila po përpiqej ta fshihte. Kjo më lëndon më shumë, sepse unë punoj për paqe, për pajtim”, shtoi ai.
Ai vuri në dukje se “kushti themelor për të pasur pajtim të suksesshëm është drejtësia”.
Megjithatë, askush nuk është ndjekur penalisht për krimet e luftës në Susanj. I vetmi person që është dënuar është pjesëtari i Brigadës së Shtatë Myslimane të Ushtrisë Boshnjake, Ragib Rizviç, i cili u shpall fajtor për vrasjen e një fshatari të quajtur Kazimir Markoviç.
Megjithatë, ai u dënua për vrasje, jo për kryerjen e një krimi lufte. Gjykata Kantonale në Zenicë e dënoi Rizviçin me nëntë vjet burg në 2003.
“S’mund t’i lejoja të vrisnin fqinjët e mi”
Përveç civilëve që u vranë atë ditë në 1993, banorët e mbijetuar të Susanjit pohojnë se u vranë edhe dy të burgosur lufte të Këshillit Kroat të Mbrojtjes.
Njëri prej tyre, Jordan Vidoseviç, ishte në fillim të të njëzetave. Sipas tregimeve të dëshmitarëve, ai u dorëzua pa rezistencë kur ushtarët e gjetën atë, të veshur me uniformë dhe të armatosur, poshtë shkallëve në një nga shtëpitë e fshatit.
Një dëshmitare e identifikuar vetëm me inicialet A.M. u tha hetuesve që hetuan të parët çështjen se ajo dëgjoi një të shtënë arme nga dera e përparme e shtëpisë ku ajo beson se u vra Vidoseviç.
“Nëna e tij ishte me ne në dhomë, duke bërtitur dhe duke thënë se ai ishte djali i saj. Pesë minuta më vonë, na detyruan të dilnim nga shtëpia. Në pragun e derës pamë gjak, por trupi tashmë ishte hequr”, tha dëshmitarja A.M. në deklaratën e saj.
Sipas dëshmitarëve, një tjetër luftëtar i Këshillit Kroat të Mbrojtjes, Ilija Markoviç, i cili ishte plagosur, u mor nga një bodrum dhe u çua në një fushë aty pranë ku u qëllua për vdekje.
Disa nga banorët e Susanjit besojnë se numri i të vdekurve mund të kishte qenë më i lartë, po të mos kishte qenë për ndërhyrjen kurajoze të një fshatari, Sacir Musliç, i cili ashtu si trupat e përfshira në sulm ishte një boshnjak.
Kroatët që i mbijetuan sulmit u vendosën në një shtëpi së bashku dhe Musliç qëndroi jashtë saj dhe nuk i lejoi ushtarët e Ushtrisë Boshnjake të hynin në të.
Vendasit treguan se Musliç u tha ushtarëve se në fillim do të duhet të vrisnin atë, një tjetër boshnjak.
Megjithatë, Musliç e kujton incidentin me modesti.
“Unë nuk jam hero. Thjesht nuk mund t’i lejoja ata të vrisnin fqinjët e mi pa asnjë arsye, t’i torturonin ata”, tha ai.
“Ata ishin aty pa ushqim, kështu që me lejen e tyre shkova në shtëpitë e tyre dhe solla ushqimet që ata kishin, pikë së pari miell. Ishte një kohë kur mund të vriteshe lehtësisht dhe djemtë tanë (boshnjakë) nuk kishin mendim të mirë për mua, por s’mund të veproja ndryshe”, shtoi ai.
Trupat e Ushtrisë Boshnjake “nuk ishin atje”
Disa nga incidentet në Susanj u përfshinë në një aktakuzë të Gjykatës së Hagës në çështjen kundër Enver Hadzihasanoviç, ish-komandantit të Korpusit të Tretë të Ushtrisë Boshnjake, dhe Amir Kuburës, i cili ishte komandanti i Brigadës së Shtatë Myslimane gjatë sulmit në Susanj.
Por aktakuza mbulonte vetëm akuza për shkatërrim pa arsye dhe jo të justifikuar nga domosdoshmëria ushtarake dhe plaçkitje të shtëpive në Susanj, jo vrasje të civilëve dhe të burgosurve të luftës. Gjykata e shpalli Kuburën fajtor që nuk arriti të ndëshkonte trupat përgjegjëse për plaçkitjet në Susanj, dhe Hadzihasanoviçin se nuk arriti të ndëshkonte autorët për plaçkitjet e kryera në vende të tjera.
Gjykata e Hagës vendosi në vendimin e saj të shkallës së parë se në Susanj nuk pati luftime dhe se anëtarët e Brigadës së Shtatë të Myslimanëve të Ushtrisë Boshnjake dhe të Brigadës së 306-të nuk hynë në fshat siç pretendohet në aktakuzë.
Megjithatë, policët ushtarakë të lidhur me Brigadën e Shtatë Myslimane shkuan në fshat pas luftimeve dhe kryen plaçkitje, thuhej në vendim.
Komandanti i njërit prej batalioneve të Brigadës së Shtatë të Brigadës Myslimane në atë kohë, Serif Patkoviç, gjithashtu mohoi që trupat e tij të kenë hyrë në Susanj.
“Unë isha në Ovnak. Susanji dhe Ovnaku ishin dy pjesë të veçanta përsa i përket komunikimit ushtarak. Ishin vende të ndryshme. Anëtarët e Brigadës së Shtatë Myslimane nuk ishin në Susanj. Brigada e Shtatë u zhvendos përmes Vucice dhe Crni Vrh. Kjo ishte rruga jonë. Susanji nuk ishte në rrugën tonë dhe ne nuk ishim atje”, tha Patkoviç për BIRN.
Prokurori nuk lejohet në skenën e krimit
Sulejman Kapetanoviç, prokurori i lartë publik gjatë kohës së luftës nga Zenica, dëshmoi në gjyqin e Hadzihasanoviçit dhe Kuburës në Hagë.
“Në mes të qershorit 1993 mësova se 17 kufoma, të dyshuar si civilë, u sollën në departamentin patologjik të spitalit të Zenicës nga fshatrat Susanj dhe Ovnak. Njerëzit flisni për këtë”, tha në Gjykatën e Hagës Kapetanoviçi, i cili tashmë nuk jeton më.
Ai tha se më vonë u mbajt një takim me shefin e sigurisë së Korpusit të Tretë të Ushtrisë Boshnjake.
“Ai tha se e dinte që ishin vrarë civilë, por se kjo kishte ndodhur gjatë operacioneve luftarake. Më vonë dëgjova se ishin sjellë kufoma të tjera”, dëshmoi Kapetanoviç.
Gjyqtari hetues në Gjykatën Ushtarake të Qarkut të Zenicës, i cili mori pjesë në identifikimin e burrave që u vranë në Susanj, ishte Vlado Adamoviç.
Adamoviç, i cili tani është avokat, tha për BIRN se ai u njoftua se në Susanj ose rreth tij ishin vrarë civilë dhe se ai shkoi në fshat bashkë me hetues të skenës së krimit dhe me një eskortë të armatosur.
“Në rrugën para fshatit u hasëm me një barrikadë. Një ushtar me stemën e Brigadës së Shtatë Myslimane bllokoi rrugën dhe tha se nuk mund të vazhdonim. Unë këmbëngula të shkoja atje për shkak të dyshimit se atje ishin vrarë civilë. Ai më pas foli me dikë dhe tha se e kishim të ndaluar këtë për vetë sigurinë tonë”, kujtoi ai.
Adamoviç tha se ai i tha ushtarit të mos shqetësohej për sigurinë e tij sepse me vete kishte mjaftueshëm njerëz të armatosur.
“Ai këmbënguli se nuk mund të kalonim. Duke qenë se shoqëruesit e mi ishin policë ushtarakë, ata u zemëruan dhe deshën ta arrestonin atë dhe të vazhdonin rrugën, por ai ngriti pushkën kur pa lëvizjen. Kuptova se dikush mund të vritej, kështu që dhashë urdhër të ktheheshim pas”, tha ai.
Ai shtoi se Gjykata Ushtarake atëherë u informuar përsëri jo zyrtarisht se në spitalin e Zenicës ishin sjellë disa trupa të pajetë që mund të vinin nga Susanji.
“Në hyrje të departamentit patologjik kishte roje. Dy ushtarë”, kujton Adamoviç, duke shtuar se fillimisht atë s’e kishin lejuar të hynte, por si përfundim u lejua të ekzaminonte trupat e pajetë.
Prokuroria kantonale në Kantonin Zenica-Doboj tha se ishte nisur një hetim për vrasjet dhe se 55 persona ishin fillimisht ishin nën dyshime për vrasjet në Susanj. Çështja më pas u transferua në prokurorinë shtetërore në vitin 2006.
Megjithatë, prokuroria shtetërore nuk iu përgjigj kërkesës së BIRN në lidhje me statusin aktual të çështjes.
Hetim i papërshtatshëm apo mbulim krimi?
Për vrasjet në Susanj u morën në pyetje dëshmitarë pothuajse menjëherë pasi ato ndodhën.
Një komision i përbërë nga një drejtues komunal i Zenicës, priftërinj vendas dhe një avokat morën deklarata nga dëshmitarët kur vizituan fshatrat në komunën e Zenicës më 18 qershor 1993.
Anëtari i komisionit Bozo Markoviç, avokat dhe vëllai i fatit Ivo Markoviç, ka thënë për Federal TV se ai beson se do të kishte qenë i mundur identifikimi i oficerit komandues të trupave përgjegjëse për vrasjet e kryera, “nëse do të kishte pasur vullnet të mirë për t’i shkuar deri në fund kësaj çështjeje”.
“Nëse oficeri komandues nuk ishte në dijeni ose nuk i urdhëroi këto vrasje, atëherë a i hetoi ai ato? A i ndëshkoi autorët? E gjithë kjo histori ka mbetur e mbushur me mister dhe me një shije të hidhur sepse njerëz të mirë, pleq të pafajshëm që jetonin në fshatin e tyre, u vranë në një mënyrë të tillë”, tha Bozo Markoviç.
Vëllai i tij Ivo Markoviç është i bindur se krimi i luftës në Susanj u fsheh. Ai tha se i dorëzoi dokumente në lidhje me rastin një ekipi hetuesish që ai besonte se po punonin për Kombet e Bashkuara dhe që i thanë atij se do “të hetonin plotësisht” gjithçka.
Pastaj, disa muaj më vonë, mbërritën hetuesit e tjerë dhe ata thanë gjithashtu se ishin nga Kombet e Bashkuara, duke bërë që Markoviç të besonte se ishte shërbimi i inteligjencës boshnjake ai që dërgoi “hetuesit” e parë.
“Ata u dërguan për të parë atë që ne dinim, për të mbuluar krimin. Unë akuzoj shtetin e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe organet e tij zyrtare se e kanë hetuar krimin me qëllimin e vetëm për ta mbuluar atë”, pohoi ai.
Avokati Vlado Adamoviç tha gjithashtu se për shkak se prokuroria ka “të dhëna të mjaftueshme” për të vepruar, por nuk ka bërë asgjë deri më tani, “është plotësisht e justifikueshme që familjet e viktimave të dyshojnë se ata po i mbulojnë këto krime në vend që t’i zgjidhin ato”.
Ivan Markoviç, i cili humbi dy vëllezër në Susanj, tha se po e humb besimin se autorët do të ndiqen ndonjëherë penalisht – edhe pse ai shpreson ende që kjo të ndodhë.
“Kjo do të ishte shumë e rëndësishme për mua. Do të dinim se në fund të fundit ka drejtësi, që ajo ekziston, edhe pe e kemi humbur totalisht besimin. Ata që duhet të punojnë për këtë nuk po e bëjnë punën e tyre”, tha Markoviç.
Anto Vidoseviç, babai i të cilit u vra, mbështeti mendimet e Markoviçit.
“Ne dhamë deklaratat tona në polici. Ata dinë gjithçka. Ata kanë të dhëna dhe dokumente, por s’i kapën kurrë fajtorët”, tha Anto Vidoseviç.
Vëllai i tij, Mato Vidoseviç, tha se nuk beson më se prokuroria po bën ndonjë gjë për ta mbyllur këtë çështje.
“Para shumë kohësh, ata na pyesnin për gjithçka”, tha ai. “Tani s’na pyet më njeri për asgjë.”
Projekti “Viktima të harruara” mbështetet nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe po vihet në zbatim nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, UNDP, si pjesë e Projektit të tij rajonal për Krime Lufte.