Bashkimi Europian po merr përsëri përsipër rolin e ndërmjetësuesit midis Serbisë dhe Kosovës pas dështimit të një takimi të planifikuar në Uashington dhe kjo nënkupton se ideja e zgjidhjes së problemit përmes shkëmbimit territorial nuk ka gjasa të rishfaqet përsëri.

Do të duhej të ishte një fitore për administratën e presidentit Trump, një shtysë e mirëpritur e politikës së jashtme për zgjedhjet presidenciale të nëntorit të këtij viti.
Për fat të keq, takimi i planifikuar në Shtëpinë e Bardhë midis presidentëve të Serbisë dhe Kosovës, Aleksandër Vuçiç dhe Hashim Thaçi, hasi një pengesë – njoftimin nga Zyra e Prokurorit të Specializuar se ky i fundit mund të përballet me akuza për krime lufte.
Ndërmjetësimi amerikan në mosmarrëveshjen Kosovë-Serbi padyshim se u bë viktimë e suksesit të saj; Zyra e Prokurorit të Specializuar druhej se Thaçi mund të negocionte një amnisti për veten e tij, kështu që ndërmori një hap të paprecedent duke e bërë publike aktakuzën e cila akoma pritet të konfirmohet nga gjykatësi.
Që nga ajo ditë, BE-ja ka kapur mundësinë për t'u ripërfshirë në këtë proces, të cilin e kishte iniciuar dhe kryesuar për, pothuajse, një dekadë.
Dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit nën patronazhin e BE-së kishte mbetur pezull që nga vendosja e tarifës doganore nga Kosova në vitin 2018.
Kjo ishte një lëvizje e motivuar nga fushata e Serbisë për të inkurajuar shtetet që të tërheqin njohjen e tyre ndaj pavarësisë së Kosovës; një fushatë e cila dha frytet e saja më të mira sesa priteshin në realitet.
Rifillimi i negociatave kërkonte një angazhim të SHBA-së marrjen përsipër të axhendës ndërlidhëse të BE-së. Një marrëveshje shumë simbolike për rinisjen e fluturimeve midis Beogradit dhe Prishtinës (që duket se nuk ka gjasa të zbatohet), së bashku me një angazhim për të rivitalizuar lidhjet hekurudhore dhe rrugore, sollën një momentum të ri. I dërguari i posaçëm i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, gjithashtu dha shenja për një progres të mëtejshëm në aspektin ekonomik.
Megjithatë, shumë dyshonin se ky proces– i cili po fajësohet se shkaktoi rrëzimin e kryeministrit Albin Kurti dhe qeverisë së drejtuar nga partia e tij, Vetëvendosje, në muajin qershor – po komplotonte të arrinte një marrëveshje historike shkëmbimi territorial. Konkretisht, pjesa e veriut të Kosovës me shumicë popullsie serbe do të shkëmbehej me një pjesë të dominuar nga shqiptarë etnikë në jug të Serbisë.

Një shkëmbim territorial shumë shpesh është paraqitur si një ilaç gjithëshërues ndaj pyetjes së vështirë se si do të normalizoheshin marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës. Ofrimi i Serbisë i diçkaje në këmbim për ta ndihmuar shtetësinë e re të Kosovës (përfshirë një vend të mundshëm në OKB (pavarësisht kundërshtimit rus), është konsideruar nga disa si mënyra më e pastër për t'i rënë shkurt Nyjës Gordiane rreth statusit të Kosovës. Humbja e kësaj dritareje mundësie, siç pretendohet, mund të bëjë që një mundësi e tillë të mos rishfaqet për një dekadë apo edhe më shumë.
Maksimumi, të tria apo të katër komunat e Kosovës me shumicë serbe në veriun e vendit (Mitrovica Veriore, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku) do të ndaheshin nga Kosova. Më e pakta, vetëm Leposaviqi do të zhvendosej.
Duke lënë mënjanë degëzimet më të gjera dhe të thella për vendet si Bosnja dhe Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut, çdo formulim ka mangësitë e tij që do të dëmtonin normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës.
Në kuptimin maksimal, kjo do të shkatërronte strukturën multietnike e cila është në proces të formimit, edhe pse kuturu. Ajo do t'i tradhtonte ata serbë të Kosovës në jug të lumit Ibër (shumë prej të cilëve tashmë jetojnë në rrethana të vështira), dhe me gjasë do t'i bënte ata kryesisht të padëshiruar brenda kufijve të rinj të Kosovës.
Vendet e rezervuara në Parlamentin e Kosovës për serbët dhe minoritetet tjera do të dukeshin të palogjikshme. Kompetencat e zgjeruara të cilat i gëzojnë komuna të caktuara do të ishin shumë të pafavorshme për ata serbë për të cilët Kosova është – dhe do të mbetet – shtëpia e tyre.
Në rastin më të pakët, një shkëmbim territorial do të linte pas një mori problemesh të pazgjidhura; probleme të cilat do të vazhdonin të ishin barrë e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës. Gjëja kryesore mes tyre është se si të integrohen pjesa e mbetur e institucioneve të kontrolluara nga serbët në sistemin institucional të Kosovës, në veçanti në sferën e shëndetësisë, edukimit dhe qeverisjes lokale.
Mekanizmi i synuar për lehtësimin e kësaj, i ashtuquajturi “Asociacioni/Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe”, është anuluar përmes një vendimi të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2015. Kjo mbetet një nga pak elementet e shquara nga Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 (e cila ka integruar policinë, gjykata, prokurorët dhe anëtarët serbë e Mbrojtjes Civile); dhe në mungesë të saj, Prishtina nuk mund ta ushtrojë në tërësi sovranitetin e saj përgjatë territorit të saj.
Garantimi i një normalizimi gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës përkundrazi do të kërkonte më shumë angazhim, një rinovim të stimujve dhe sanksione të mundshme për mosrespektimin e tyre.
Ka marrëveshje të shkelura që duhen vënë në zbatim dhe tema të reja që nevojitet të adresohen (në veçanti çështja e të zhdukurve dhe personave të zhvendosur brenda vendit). Shpesh është anashkaluar fakti se rruga e anëtarësimit të Serbisë në BE përfshin Kapitullin 35 për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. Nëse anëtarësimi në BE është qëllimi i Beogradit, atëherë këto çështje nuk mund të shmangen.

Procesi i dialogut ka rifilluar tani nëpërmjet lidhjeve me video (e tillë është natyra e diplomacisë në këto ditë pandemie), duke përfshirë presidentin Francez Emmanuel Macron, kancelaren gjermane Angela Merkel, Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell, dhe Përfaqësuesin e sapoemëruar të BE-së për Dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajcak.
Një përballje kokë më kokë midis presidentit të Serbisë Vuçiç dhe kryeministrit Avdullah Hoti u mbajt më 16 korrik.
Një sfidë kryesore me të cilën përballet Lajcak nuk është vetëm kokëfortësia e Serbisë dhe e Kosovës, por ajo e vendeve anëtare të BE-së dhe gatishmëria e tyre për të mbështetur zotimet e tyre të bëra prej kohësh në Ballkanin Perëndimor.
Edhe pse Komisioni Europian konsideroi se Kosova i kishte përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, rezistenca nga vendet e ndryshme (Franca dhe Holanda në mesin e tyre) kanë irrituar dëshirat e qytetarëve të Kosovës (përfshirë edhe shumë prej serbëve të saj). Takimi i ditëve të fundit i Lajcak me ministrin e jashtëm gjerman, Heiko Maas, tregon pranimin e nevojës për një front të bashkuar europian drejt rajonit.
Me europianët– dhe kryesisht me Gjermaninë – përsëri në krye, propozimet për një shkëmbim territorial nuk ka të ngjarë të rishfaqen tani afër. Dialogu, pra, mund të përqendrohet edhe një herë në ato elemente që vërtet kanë rëndësi dhe mbi të cilat tashmë është bërë progres thelbësor; zgjidhja e problemeve themelore që vënë akoma më shumë në rrezik normalizimin e lidhjeve midis Beogradit dhe Prishtinës.
Ndërkohë që perspektivat e anëtarësimit në Bashkimin Europian janë zbehur, njëkohësisht është zbehur edhe mekanizmi i BE-së, si në Beograd, ashtu edhe në Prishtinë. Nëse aventurat e fundit amerikane dhe ndjenja e panikut që ata shkaktuan nuk arrijnë ta fokusojnë mendjen e kryeqyteteve të Europës, atëherë pak gjë tjetër do ta bëjë këtë.
Opinionet e shprehura janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.