Të drejtave të punëmarrësve shkelen për shkak të rolit të zbehtë të sindikatave, pamundësisë ekonomike të aksidentuarve për të ndjekur proceset gjyqësore, si edhe të mbyllurit të njërit sy nga institucionet në rastin e punësimeve informale në tregun e punës.
Sipas monitorimeve që ka bërë ekipi studimor i Fondacionit Shoqëria e Hapur Shqipëri, OSFA, mbi çështjet e shëndetit dhe sigurisë në punë dhe aksidenteve apo dëmtimeve të punëmarrësve, ka rezultuar se numri i aksidenteve është në rritje të vazhdueshme në krahasim me numrin e papërfillshëm të masave administrative apo procedimeve penale ndaj subjekteve përgjegjëse.
Monitorimi i raporteve zyrtare në lidhje me numrin e aksidenteve në punë, të publikuara nga institucione të ndryshme si Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, Prokuroria, Ministria e Drejtësisë, Avokati i Popullit, nxori gjithashtu në pah nevojën për marrjen e masave në kuadrin ligjor për të parandaluar shkaktimin e këtyre dëmtimeve.
“Rezulton që numri i aksidenteve në punë paraqitet në një trend rritës nga viti 2017 në vitin 2018, konkretisht me 58 raste më shumë,” shkruhet në studim.
“Është shtuar numri nga viti 2017 deri në 2018, ndërkohë që për vitin 2019 nuk ka pasur mundësi krahasimi pasi nuk kanë qenë statistikat e plota”, shton studimi mbi jetën dhe shëndetin në punë.
Gjithashtu studimi nxjerr në pah se numri i procedimeve penale në krahasim me numrin e aksidenteve është i papërfillshëm.
“Nuk janë ndëshkuar as 50% e subjekteve ku është dëmtuar shëndeti ose jeta e punëmarrësit, ose një personi të tretë”, nënvizohet në studim
Një ndër arsyet kryesore të pandëshkueshmërisë është mos raportimi i këtyre aksidenteve. Sipas autores së studimit, Arbesa Kurtit, punëmarrësit duke qenë se janë në kushte ku puna që kanë është e vetmja zgjidhje, mundohen të mbyllin gojën të paktën për aksidente që nuk janë të rënda.
“Tregu i punës në Shqipëri fatkeqësisht nuk është i gjithi i legjitimuar, kështu që shumë nga aksidentet në punë nuk raportohen apo publikohen, edhe nëse ndodhin të tilla punëdhënësit mundohen t’i mbyllin aty për aty pa njoftuar autoritetet përkatëse në mënyrë që të certifikohen. Në momentin që nuk certifikohen humbasin provat, nuk ka më ngjarje, e si pasojë nuk ka më as ndëshkim,” tha Kurti.
Zyrtarisht në Shqipëri ka rreth 1.1 milionë të punësuar, ku 450 mijë vetë punojnë në fshat dhe më pak se 600 mijë punojnë në qytet.
Përveç të punësuarve në Shqipëri ka edhe gati 700 mijë njerëz të tjerë , që në statistikat zyrtare klasifikohen si të papunë në kërkim pune dhe të papunë të dëshpëruar që kanë hequr dorë nga kërkimi i punës.
Jo në pak raste, kur punëmarrësit kanë ngritur zërin e tyre për të drejtat në sektorin e punës, ata kanë marrë paralajmërime për pushime nga puna.
Sipas autores së studimit, në rastin e marrëdhënies së punës ka disa aktorë që futen në lojë, përkatësisht autoritetet, punëdhënësi, punëmarrësi , familjarët e tyre, e mbi të gjitha sindikatat që kanë rolin më kryesor. Në momentin kur sindikatat janë pasive atëherë nuk mund t’i jepet përgjigje asnjë pikëpyetje që ka lidhje me sigurinë dhe shëndetin në punë.
“Nëse sindikatat do kishin një rol aktiv nuk kishte punëmarrësi pse të merrej me problemet e veta, por ato adresoheshin nga entiteti juridik i sindikatës. Sindikatat duhet të mbrojnë të drejtat e punëmarrësit në raport dhe me politikat e punëdhënësit, dhe jo vetëm në disfavor të punëdhënësit, pasi më pas krijohen situata hezitimi dhe frike nga ana e punëmarrësve për të kërkuar të drejtat e tyre,” tha Kurti.
Ajo pranoi se janë sindikatat ato që duhet të adresojnë dhe çështjet në gjykatë nëse punëmarrësi nuk ka fuqinë ta bëjë diçka të tillë.
Sipas studimit, për shkak se shkalla e papunësisë në Shqipëri është relativisht e lartë, punëdhënësi e ka tepër të lehtë të zëvendësojë një punonjës që ngre zërin apo që organizohet sindikalisht, me të tjerë nga radhët e mëdha të të papunëve apo nga popullsia rurale.
“Klasa punëtore nuk ka fuqi negociuese përballë punëdhënësve dhe nuk mund të organizohet, pasi vetëm organizimi do të mjaftojë që punëdhënësi t’i zëvendësojë me një nga shumë të papunë të tjerë”, citohet në raportin e studimit mbi mbrojtjen e jetës dhe shëndetit në punë.
Sektorët më të rrezikuar për sigurinë dhe shëndetin në punë
Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) është konstatuar se sektorët me problematike për sa i përket aksidenteve dhe dëmtimeve në punë kanë qenë ato të bujqësisë, minierave dhe guroreve, ndërtimi, transporti, energjia elektrike, gazi dhe uji.
Si autore e studimit, Arbesa Kurti theksoi faktin se në parandalimin e aksidenteve një rol thelbësor luan trajnimi i punëmarrësit që të zbatojë masat e sigurisë në vendin e punës, sidomos në ato sektorë që përbëjnë rrezik për jetën, dhe ky trajnim është përgjegjësi e punëdhënësit.
“Ka një mori aktesh ligjore mbi masat e sigurisë, por problemi është se sa zbatohen këto masa, dhe sa të trajnuar janë punëmarrësit për t’i zbatuar këto masa mbrojtëse”, tregoi Kurti.
Inspektoriati Shtetëror i Punës (ISHP) ngre struktura të posaçme për inspektime në këto sektorë të veçantë , siç është rasti i institutit AKSEM (autoriteti kombëtar për sigurinë dhe emergjencat në miniera) që sigurohet të kryejë kontrollet përkatëse nëpërmjet inspektoreve të tyre.
Megjithëse vihet re një trend rritës në numrin e inspektimeve të kryera nga viti 2017 deri në 2019, Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë gjithsesi rekomandon që këto inspektime duhet të shtohen akoma më tej me qëllim që aktet ligjore për parandalimin e aksidenteve në punë të respektohen sa më efektivisht.
Sipas kuadrit ligjor, nëse punëdhënësit në këto sektorë të punës nuk njoftojnë Inspektoriatin e Punës brenda 24 orëve nga ngjarja e aksidentit në punë me pasojë vdekjen apo aksidenteve të rënda, ata gjobiten me shumë 100 mijë lekë.
Proçedimet penale të papërfillshme në krahasim me numrin e aksidenteve në punë
Nga rezultatet e studimit, duket se Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore (ISHPSHSH) vendos në pjesën më të madhe të rasteve masën administrative “paralajmërim me gjobë”, e cila vendoset në rastin e shkeljeve të lehta që kryhen nga subjektet tregtare, por edhe në rastin e shkeljes së rregullave për mbrojtjen dhe sigurinë në punë.
“Masat administrative shpeshherë janë vërejtje, dhe pezullimet janë shumë të pakta, në rastet vetëm kur ka pasur humbje jete dhe ngjarjet janë bërë mediatike”, tha Kurti.
Një tjetër gjetje e studimit është se në shumicën e rasteve të shkeljeve që konstatohen nga ISHP, rreth 88% e tyre që dërgohen në gjykatë i nënshtrohen një gjykimi të shkurtuar, e ndër këto raste që përfundojnë në gjykatë në 88% të tyre viktima e aksidentit në punë rezulton te mos ketë marrë pjesë në procesin gjyqësor.
“Nga analiza e vendimeve nuk mund të identifikojmë arsyen e mos pranisë së viktimës në procesin gjyqësor, e cila mund të vijë për shkak të mos njoftimit nga gjykata ose për shkak të vullnetit të vetë viktimës“, shkruajnë autorët e studimit.
Sipas Arbesa Kurtit për çështjet që shkojnë në gjykatë duhet të ndahet përgjegjësia penale e personit që ka shkaktuar dëmin e aksidentit në punë, dhe përgjegjësia civile e dëmshpërblimeve, pasi shpesh herë personat e dënuar janë shumë të paktë dhe hetimi mbyllet pa bërë zhurme.
“Mund të ketë nisur hetimi por është mbyllur aty, mund të ketë shkuar çështja në gjykatë por kanë dalë të pafajshëm,” tha Kurti. “Ndonjëherë faji i vihet punëmarrësit, e në këtë pikë përgjegjësia i hiqet të tjerëve”, shtoi ajo.
Sipas studimit, në 76% të rasteve të aksidenteve dhe procedimeve gjykata ka dhënë vendim me burg, ndër të cilat 67% e këtyre dënimeve kanë qenë deri në një vit, ndërsa vetëm 33% me më shumë se një vit. Në asnjë rast nuk është dhënë nga gjykata dënim maksimal me 10 vite burg.
Autorja Kurti i tha BIRN se edhe në rastet kur gjykatat i nxjerrin të pafajshëm personat përgjegjës, familjarët nuk i apelojnë çështjet për shkak se proceset gjyqësore janë të kushtueshme dhe këto familje nuk i kanë mundësitë të mbulojnë ekonomikisht kostot e gjyqit të zgjatur.
“Shpesh, mesa kam vënë re nga praktika personale, ndodh që punëdhënësi shkon për ta mbyllur çështjen me ndërmjetësim, pa shkuar në gjykatë, dhe mund t’i ofrojë diçka minimale viktimës apo familjarëve, e kështu këto çështje mbeten të patrajtuara”, përfundoi Arbesa Kurti.