
Marrëveshja e dështuar e vitit 2009 duhet të shërbejë si paralajmërim ndërsa qeveria shqiptare dhe ajo greke kërkojnë të diskutojnë pretendimet e tyre përkatëse në lidhje e detin Jon.

Njoftimi i muajit të kaluar nga zyrtarë në Athinë se Greqia po zgjeronte ujërat e saj territoriale në Detin Jon me 12 milje shkaktoi shqetësim në Shqipërinë fqinje.
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis argumentoi se neni 3 i Konventës së Kombeve të Bashkuara për Ligjin e Detit, UNCLOS, thekson qartë të drejtën e kombeve sovrane për të zgjeruar ujërat e tyre territoriale me deri në 12 milje.
Megjithatë, ligji ndërkombëtar thotë gjithashtu se kur ky rregull nuk mund të zbatohet pa ndërhyrë në të drejtat e një shteti tjetër, atëherë palët duhet të negociojnë.
Me Shqipërinë dhe Greqinë që duhet ende të caktojnë ende ndarjet e tyre përkatëse kontinentale dhe zonat ekskluzive ekonomike në zonat kufitare, shumë e vunë në dyshim kuptimin e njoftimit të Greqisë.
Gjatë muajve të fundit, Greqia ka arritur marrëveshje detare si me Egjiptin ashtu edhe me Italinë.
Mes një shpërthimi të tensioneve në Mesdheun Lindor midis Greqisë dhe Turqisë, të dy marrëveshjet e ndihmuan që Greqinë t'i drejtohej komunitetit ndërkombëtar dhe të merrte mbështetjen e tij.
Plani i saj për të zgjeruar ujërat e saj territoriale në Detin Jon mund të shihet si pjesë e një përpjekje strategjike për të nxjerrë në pah nevojën të një marrëveshjeje me Shqipërinë.
Megjithatë, çështja është më e ndjeshme dhe komplekse në rastin e Shqipërisë për shkak të vendndodhjes së saj gjeografike, vijave bregdetare përkatëse të dy shteteve dhe dështimit të përpjekjeve të mëparshme për të arritur një marrëveshje. Prandaj, të dy palët duhet të tregojnë pjekuri dhe mirëbesim.
Në vitin 2009 të dy qeveritë nënshkruan një marrëveshje detare që shkaktoi shumë polemika dhe prishi marrëdhëniet midis dy vendeve për vite me radhë.
Një problem ishte që Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë vendosi në vitin 2010 se marrëveshja shkelte si praktikën ndërkombëtare dhe Kushtetutën e Shqipërisë dhe kështu që e anuloi marrëveshjen.
Marrëveshja e vitit 2009 nuk respektonte precedentët e vendosur dhe anashkalonte disa parime themelore të së drejtës ndërkombëtare detare.
Jo vetëm që marrëveshja u gjet në Shqipëri se ishte e njëanshme dhe sillte një zgjidhje jo të drejtë, por ajo gjithashtu shkonte përtej qëllimit të saj të deklaruar për të përcaktuar ndarjet e tyre përkatëse kontinentale dhe të zonave ekskluzive ekonomike.
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Greqia refuzoi ta pranonte atë dhe këmbënguli në zbatimin e marrëveshjes. Kjo krijoi tensione të panevojshme dhe kërcënoi marrëdhëniet midis dy vendeve që janë kritike për stabilitetin e përgjithshëm në Ballkan.
Dështimi për të arritur një marrëveshje të drejtë duhet të shërbejë si një paralajmërim ndërsa të dy vendet kërkojnë të rifillojnë negociatat. Jo vetëm rezultati përfundimtar, por edhe konteksti dhe presioni i ushtruar më parë gjatë procesit të negociatave rrezikuan marrëdhëniet dypalëshe dhe nxitën nacionalizmin në të dy anët e kufirit.
Greqia ka një traditë të gjatë në negociatat detare, ndërsa Shqipërisë i mungonte një përvojë e tillë. Duke e vlerësuar këtë dobësi, Greqia i bëri presion qeverisë së Shqipërisë për të arritur një marrëveshje të shpejtë, duke synuar krijimin e një precedenti që mund ta përdorte më vonë për të përcaktuar kufij të tjerë detarë.
Në atë kohë, Shqipëria ishte në fazën finale të përfundimit të pranimit të saj në NATO dhe po kërkonte gjithashtu të aplikonte për anëtarësim në BE. Konteksti i këtyre krijoi perceptimin se Shqipëria ndihej e detyruar të pranonte kërkesat e Greqisë për të shmangur çdo vonesë.
Ndërsa rriten pritshmëritë se bisedimet e reja midis Shqipërisë dhe Greqisë do të fillojnë së shpejti – ministri i jashtëm grek, Nikos Dendias, ka njoftuar se do të vizitojë Tiranën – palët duhet të mësojnë nga gabimet e së kaluarës dhe të hapin rrugën për një angazhim më konstruktiv.
Marrëveshja famëkeqe e vitit 2009 tregon se një zgjidhje e drejtë duhet të bazohet në të ligjin dhe standardet ndërkombëtare. Refuzimi kategorik i atyre parimeve në marrëveshjen e vitit 2009 do të thotë se ajo marrëveshje nuk mund të shërbejë si bazë për negociata të reja.
Qeveria greke dhe ekipi i saj negociues në vitin 2009 detyruan një homolog shqiptar të paaftë të bënte lëshime që nuk përputheshin me UNCLOS.
Marrëveshja jo vetëm që kishte shumë të meta, por edhe ndikimi i saj strategjik ishte gjithashtu i gabuar. Ndërsa Greqia tani akuzon Turqinë për shkeljen e ligjit dhe precedentëve ndërkombëtar në Mesdheun Lindor, ajo duhet të përqendrohet më shumë se kushdo tjetër në respektimin e precedentëve të vendosur dhe në refuzimin e praktikave që anashkalojnë standardet ndërkombëtare.
Në Tiranë, ekziston shqetësimi se Greqia mund t'i bëjë përsëri presion qeverisë shqiptare, njësoj si me atë që ndodhi në vitin 2009.
Shqipëria do të mbajë zgjedhjet parlamentare në vitin 2021 dhe qeveria do të mbajë konferencën e saj të parë ndërqeveritare me BE-në. Me Greqinë në gjendje të luajë një rol të rëndësishëm në atë drejtim, ka shumë shqetësime se Shqipëria mund të vihet përsëri në një pozitë të cenueshme.
Megjithatë, Shqipëria sot nuk është si në vitin 2009. Brenda vendit ka shumë më shumë vetëdije për këtë çështje për shkak të dështimit të mëparshëm. Përsëritja e një procesi që bazohet në pozicionet asimetrike të të dy palëve, sesa në parimet e besimit dhe ligjin ndërkombëtar, do të kishte një ndikim negativ afatgjatë në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë.
Kjo është arsyeja pse është kritike që kryeministri Mitsotakis dhe qeveria e tij të bëjnë të qartë se ata presin që negociatat me Shqipërinë të respektojnë kohën e duhur. Ndërkohë që Greqia ka këmbëngulur gjithmonë se ka mbështetur integrimin e Shqipërisë në institucionet europiane dhe transatlantike, ajo duhet të deklarojë pa dyshim se çështja detare është e shkëputur nga rruga e Shqipërisë e BE-së. Në fakt, çdo përpjekje për t'i lidhur ato – ose me ndonjë çështje tjetër – thjesht do t'i shtonte më shumë benzinë zjarrit dhe do të hapte derën për ndërhyrje të jashtme të padëshirueshme.
Përveç negociatave të drejtpërdrejta, janë hedhur edhe disa mundësi të tjera, duke përfshirë dërgimin e çështjes në një gjykatë ndërkombëtare ose angazhimin e një pale të tretë për ta ndërmjetësuar këtë gjë. Megjithatë, alternativat e tjera përveç negociata të drejtpërdrejta janë një mohim i aftësisë së të dy vendeve për t'i zgjidhur çështjet teknike në një mënyrë dypalëshe dhe për këtë arsye duhet të refuzohen.
Të dyja palët duhet të tregojnë maturinë e nevojshme për ta adresuar çështjen bilaterale nëpërmjet negociatave të hapura dhe konstruktive. Në mënyrë të pashmangshme, kjo kërkon respektim të precedentëve dhe ligjit ndërkombëtar.
Opinionet e shprehura janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.