
Dokumentet e tenderit e justifikojnë ndërtimin e një parkimi nëntokësor në sheshin “Teodor Muzaka” të Beratit me degradimin dhe punimet e dobëta të investimit të inauguruar jo më shumë se 6 vite më parë – ndërkohë që aktorë vendorë shikojnë interesa politike pas projektit dhe kritikave ndaj tij.

Rindërtimi i shëtitores dhe sheshit “Teodor Muzaka” në Berat ishte një nga punët e para që u pagëzuan nga qeveria e kryeministrit Edi Rama si pjesë e “Rilindjes Urbane” – një program shpenzimesh për rikonstruksionin e qendrave të qyteteve dhe projekte të tjera infrastrukture i cili ka kushtuar rreth 365 milionë euro.
Por 6 vjet pasi ‘daltuan gurin e parë’ për fillimin e ndërtimit të shëtitores dhe sheshit qendror të Beratit – siç përshkruhet fillimi i punimeve në faqen e qeverisë, kryeministri Edi Rama ishte sërish në Berat për të parë se si pllakat e vendosura pak vite me parë po shkallmoheshin.
Dy javë më parë bashkia e Beratit ka filluar punimet për ndërtimin në sheshin ‘Teodor Muzaka’ të një parkim nëntokësor për 195 makina, i cili do të kushtojë 2.1 milionë euro. Ndërhyrja prek pjesërisht dy projekte të programit të ‘Rilindjes Urbane’ që kushtuan së bashku 1.6 milionë euro dhe që u inauguruan në nëntor 2014.
Në videon e transmetuar në faqen e tij në Facebook në 23 janar – ndërsa inspekton punimet e sapo nisura, kryeministri Edi Rama shprehet se e kishte menduar që në vitin 2013 parkimin nën shesh.
“Unë e pata thënë pse të mos bëjmë një parkim,” dëgjohet Rama të thotë në fillim të videos, ndërsa ankohet se atëherë “projekti ishte i bërë”.
Përtej ambicieve të kryeministrit si urbanist amator, investimi për të ndërtuar parkingun nëntokësor në sheshin ‘Teodor Muzaka’ po justifikohet në dokumentet e tenderit me dështimin e investimit të mëparshëm.
Ky investim është kthyer gjithashtu në një temë debati midis aktorëve politikë vendorë përpara zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, ku qarku i Beratit pritet të jetë një nga zonat më të nxehta të përballjes politike midis Partisë Socialiste në pushtet dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Punime të dobëta?
Në dokumentin e tenderit për parkingun nëntokësor, i emërtuar si “Raporti i Përgjithshëm Teknik”, investimi i kushtueshëm justifikohet me pretendimin se investimi i bërë më herët në sheshin ‘Teodor Muzaka’ ishte degraduar për shkak të punës së dobët.
“Sheshi ka pësuar degradime të ndryshme përgjatë viteve, për shkak të cilësisë së dobët të punimeve të mëparshme,” shkruan autoriteti kontraktor.
Ironikisht ndër justifikimet e ndërhyrjes për të ndryshuar sheshin e përuruar vetëm pak vite më parë, janë kritikat që iu bënë në 2014-twn projektit të ‘Rilindjes Urbane’. Në dokument shtohet se sheshi nuk frekuentohej, emetonte nxehtësi në verë, kishte mungesë gjelbërimi dhe mungesë mobilimi urban.
Ky shesh ka qenë objekt i dy projekteve të financuara nga Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvilimit – me një vlerë 1.2 milionë euro dhe të zbatuar nga shoqëria G.P.G Kompani dhe një investim tjetër prej 465 mijë euro të financuar nga Komiteti i Zhvillimit të Rajoneve si pjesë të programit të ‘Rilindjes Urbane’, zbatuar nga kompania Salillari.
Paqsor Buzi, administrator i G.P.G Kompani mohoi se kompania e tij kishte bërë punime të dobëta në sheshin ‘Teodor Muzaka’.
“Ne nuk kemi pasur asnjë ankesë për punimet”, tha Buzi në një bisedë telefonike, ndërsa shtoi se “mesa kishte parë, projekti i ri nuk prekte ndërtimin e bërë prej kompanisë së tij.”
Kompania Salillari nuk u përgjigj deri në botimin e këtij shkrimi pyetjeve që BIRN i dërgoi me e-mail mbi pretendimet e ngritura për cilësinë e punimeve.
Përplasje politike për parkingun
Këshilli Bashkiak i Beratit mori në shqyrtim propozimin për të miratuar marrëveshjen mes bashkisë dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit për ndërtimin e parkimit nëntokësor – të ardhurat e të cilit do ndahen 50 me 50 midis financuesit dhe bashkisë, në 7 tetor 2020. Pesë ditë më vonë FSHZH njoftoi tenderin me fond 322 milionë lekë me TVSH.
Në dhjetor, pas shqyrtimit të ankesave, kompania ‘Agi Kons’ u shpall fituese me ofertë 270 milion lekë. Një muaj më vonë sheshi i qytetit u rrethua me llamarina dhe në mëngjesin e 18 janarit qytetarët panë punëtorët të shkallmonin pllakat me të cilat ai ishte ndërtuar.
Banorët thonë se deri kur panë videot në rrjetet sociale nuk kishin dijeni për projektin dhe as e prisnin që qendra e qytetit – e reklamuar si një prej arritjeve të programit të “Rilindjes Urbane”, do të shkatërrohej në pak kohë.
Për shkrimtarin Balil Gjini ndërhyrja ngre shqetësimin se në bashkinë e Beratit punët bëhen pa plan dhe pa përgjegjësi.
“Është e turpshme dhe arrogante,” tha Gjini në një bisedë telefonike duke iu referuar ndërhyrjes. Ai theksoi se askush nuk mban përgjegjësi për paratë e shpenzuara në ndërtimin që u prish dhe as jep llogari se pse kjo ndërhyrje e bërë me urgjencë është e nevojshme.
Namir Lapardhaja, ish-këshilltar bashkiak i Partisë Demokratike, postoi një video në të cilën e denoncoi parkingun në sheshin ‘Teodor Muzaka’ si të kotë dhe të panevojshëm për qytetin.
“Vetëm pak më tutje janë dy parkingje private që gjatë gjithë kohës rrinë bosh,” thekoi Lapardhaja.
Inxhinieri Xhevair Ngjeqari po ashtu ankohet se investimi për ndërtimin e parkingut ishte i pavend dhe i pa planifikuar.
“Mbi çfarë plani do të ndërtohet ky parkim, kjo është çështja, sepse qytetet kanë plane afatgjata dhe veçanërisht qytete si Berati ku kujdesi që duhet të tregohet duhet të jetë shumë i madh,” tha ai.
Pavlo Shkarpa, ish-kandidat për kryetar bashkie nga Partia Bindja Demokratike dhe drejtues i shoqatës Antipatrea, e akuzoi bashkinë për mungesë transparence.
“As në njoftimet publike, as në faqet e saj zyrtare, apo në rrjetet sociale bashkia nuk kishte njoftuar për ndërtimin e parkimit,” tha Shkarpa.
Të hënën më 1 shkurt, Shkarpa, Ngjeqari dhe disa persona të tjerë u pritën prej Presidentit Ilir Meta, i cili njoftoi se ata e kishin njohur me shqetësimet për ndërhyrjen në shesh.
“Më njohën me shqetësimet e drejta se, ky qytet me potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë, po dëmtohet nga papërgjegjshmëria, korrupsioni dhe projektet e nxituara urbane, të pa konsultuara me komunitetin dhe që e kanë detyruar këtë shoqatë të nderuar, t’i drejtohet UNESCO-s,” tha Meta në një deklaratë në rrjetin social Faceook.
Lëvizja Socialiste për Integrim – partia e presidentit qw drejtohet nga bashkëshortja Monika Kryemadhi, e sheh projektin në prizëm politik dhe aludon se pas investimit sheh largimin e ish-deputetit të saj Gledion Rehovica – i përjashtua nga Kuvendi për shkak të ligjit të dekriminalizimit, dhe anëtarësimin e tij në Partinë Socialiste përpara zgjedhjeve.
“Aleanca e parkingjeve në aksion!”, shkroi në një postim në Facebook me 30 janar Ardit Çela – drejtues politik i Lëvizjes Socialiste për Integrim në qarkun e Beratit, në përgjigje të një lajmi se anëtarë të kësaj partie kishin braktisur LSI për PS-në pas largimit të Rehovicës.
Kryebashkiaku socialist Ervin Demo e mbrojti projektin si një nevojë të operatorëve turistikë dhe i akuzoi ato që e kundërshtonin se e urrenin qytetin e tyre.
“Të përdorësh qytetin tënd për të mbushur egot e sëmura për protagonizëm apo për të bërë politikë anti-zhvillimore do të thotë TË URRESH QYTETIN TËND!,” shkroi ai në Facebook me germa kapitale.
Demo i tha BIRN se nuk do të humbiste asgjë nga investimi i vjetër, ndërsa pretendoi se sulmet ishin ‘politike’ dhe argumentet ‘qesharake’.