
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kërkoi shpalljen fajtor të ish-Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla dhe dënimin e tij me 2 vjet heqje lirie për fshehje të pasurisë.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK i paraqiti të premten Gjykatës së Posaccme të Shkallës së Parë konkluzionet përfundimtare për çështjen penale në ngarkim të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, i cili akuzohet për fshehje të pasurisë.
Sipas SPAK, Llalla akuzohet se e ka kryer këtë vepër penale tre herë. Një investigim i mëparshëm, BIRN tregoi se si Llalla transformoi një investim fillestar prej 16.3 milionë lekësh në prona me vlerë mbi 1 milionë euro përmes transaksioneve me një person të dënuar për vrasje, një biznesmen-fitues tenderi në Prokurori dhe një instruktor hipizmi i përdorur si sekser tokash.
Prokurori i çështjes, Klodian Braho i kërkoi gjykatës në seancën e të premtes deklarimin fajtor të Llallës për veprën penale të fshehjes së pasurisë dhe dënimin e tij me 2 vjet heqje lirie. Nëse gjendet fajtorë Llalla do të përfitojë nga aplikimi i gjykimit të shkurtuar uljen e 1/3 së dënimit, duke mbetur si dënim përfundimtar në masën 1 vit e 4 muaj burgim.
Akuza e ngritur sipas nenit 257/a, paragrafi i dytë parashikon dënime nga gjobë deri në 3 vjet burg. Gjithashtu ndaj Llallës u kërkua si dënim plotësues përjashtimi nga Shërbimi Publik për 5 vite. Më herët për shkak të dorëheqjes, ndaj Llallës është sanksionuar prej Kolegjit të Posaccëm të Apelimit ndalimi 15 vjet për të qenë pjesë e sistemit të drejtësisë.
Përfaqësuesi ligjor i Llallës, avokati Sokol Hazizaj kërkoi që të paraqesë konkluzionet e tij përfundimtare në seancën pasardhëse, që u caktua të zhvillohet më datë 2 prill.
Adriatik Llalla u zgjodh Prokuror i Përgjithshëm në vitin 2012 dhe e mbajti këtë post deri në nëntor 2017, kur i mbaroi mandati 5-vjeçar dhe u zëvendësua nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku.
Hetimi ndaj Llallës u regjistrua fillimisht nga Prokuroria e Durrësit më 15 mars 2018 nën akuzat e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave. Ai u hetua edhe për veprën penale të “mosdeklarimit të shumave monetare në kufi”.
Më pas, dosja u dërgua në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe në korrik 2018, gjykata respektive vendosi sekuestron e pronave të ish-Prokurorit të Përgjithshëm. Në një njoftim për shtyp të atëhershëm, Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri të ditur se Llallës iu vendosën nën sekuestro një apartament 67 metra katrorë në Durrës dhe katër parcela toke me sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 22 mijë metrash katrorë në periferi të Tiranës.
Megjithatë, akuzat u rrudhën dhe SPAK njoftoi të më 9 mars përfundimin e hetimeve vetëm për veprën penale “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të kryer tri herë.