
Gjykatat në Serbi shpesh japin dënim minimal në raste përdhunimi, ndërsa shumë nga ata të dënuar për “aktivitet të paligjshëm seksual” ose ngacmim seksual i shpëtojnë burgut, sipas një investigimi të BIRN.

Në qershor 2016, një burrë në Serbi u dënua me tetë vjet burg për përdhunim dhe rrahje të vazhdueshme të thjeshtrës së tij për një periudhë prej dy vitesh duke filluar që kur ajo ishte 14 vjeçe.
Ai ishte një prej të paktën 608 personave të dënuar për krime seksuale në Serbi midis 2016 dhe 2020.
Por tetë vjet janë shumë më tepër sesa dënimet që kanë marrë shumë përdhunues të tjerë në këtë vend të Ballkanit, ku, sipas një investigimi të BIRN të të dhënave të pesë viteve të fundit, gjysma u dënuan me pesë vjet burg ose më pak, i cili është edhe dënimi minimal sipas ligjit që nga viti 2017
Në raste të tjera krimesh seksuale, shumë prej të dënuarve i shpëtojnë fare burgut – 49 për qind në rastet e akteve seksuale të paligjshme dhe 61 për qind në rastet e ngacmimeve seksuale.
Ekspertët thonë se shifra të tilla kanë një efekt tronditës mbi viktimat.
Në Serbi, “politika penale ka qenë gjithmonë e butë kur bëhet fjalë për krime të dhunës ndaj grave”, tha Dijana Malbasa, një avokate në Qendrën e Grave Autonome, një OJQ me bazë në Beograd me përvojë të gjatë në këtë fushë.
“Dhënia e dënimeve të buta mund të ndikojë në perceptimin e publikut të gjerë, por veçanërisht të viktimave, që ata nuk do të marrin drejtësi përmes procedurave gjyqësore dhe se nuk do të ndikojnë që autori të mos e përsërisë veprën.”
Akuza për përdhunim ndaj figurave të teatrit serb

Që nga fundi i vitit, vendi i Ballkanit është tronditur nga akuza për përdhunim të bëra kundër dy prej emrave më të mëdhenj në teatrin serb, duke nxitur debatin se si autoritetet merren me krimet seksuale.
Në mes të janarit, mësuesi i njohur i dramës Miroslav ‘Mika' Aleksiç u arrestua pasi nëntë ish-studentë të tij e akuzuan atë për përdhunim; në fund të marsit, aktorja serbe me bazë në SHBA Danijela Stajnfeld pretendoi se aktori popullor dhe ish-ministri i kulturës Branislav Leciç e kishte përdhunuar atë në 2012.
Aleksiç, i cili mbetet në paraburgim, dhe Leciç, i cili u mor në pyetje nga policia në fund të marsit, i kanë mohuar akuzat dhe asnjëri nuk është akuzuar.
Ekspertët thonë se mënyra se si policia dhe gjykatat merren me raste të tilla i dekurajon viktimat të bëjnë para.
Para vitit 2009, dënimi minimal për përdhunim në Serbi ishte dy vjet burg. Ai u rrit në tre vjet burg dhe në vitin 2017 u bë pesë vjet burg. Kjo është më shumë se shumë vende në rajon, të tillë ai Maqedonia e Veriut dhe Kosova, ku minimumi është tre vjet burg, dhe Mali i Zi, ku dënimi minimal është dy vjet burg.
Sipas të dhënave nga 73 nga 91 gjykata në Serbi, midis fillimit të vitit 2016 dhe fundit të vitit 2020, 82 persona u dënuan për përdhunim. Pikërisht gjysma u dënua me pesë vjet burg ose më pak, përfshirë një që mori një dënim me kusht.
Shtatëmbëdhjetë u dënuan me nga pesë deri në 10 vjet burg dhe 21 me nga 10 deri në 20 vjet burg.
“Politika penale në vendin tonë nuk është në përputhje me rrezikun shoqëror të këtyre krimeve, megjithëse situata është përmirësuar disi në vitet e fundit”, tha Ana Kurai, një prokurore publike në qytetin e Pancevos, afër Beogradit.
“Në përgjithësi, unë propozoj ndëshkime shumë më të larta se minimumi ligjor dhe këmbëngul për këtë në çdo apel të mundshëm.”
Ndërsa mbron nëpër gjykata, gjyqtarja Marina Barbir, një anëtare e Bordit Drejtues të Shoqatës së Gjyqtarëve të Serbisë, i tha BIRN: “Duke qenë se analiza juaj mbulonte periudhën e pesë viteve të mëparshme, statistikat përfshijnë gjithashtu dënime në lidhje me periudhën kur dënimi minimal për krimin e përdhunimit ishte dy ose tre vjet burg, gjë që tregon se politika penale në lidhje me autorët e krimit të përdhunimit është mjaft e ashpër.”
Pretendimet e rreme për përdhunim janë të rralla

Si Stajnfeld ashtu edhe ata që akuzuan Aleksiçin u janë nënshtruar fushatave të shpifjeve në rrjetet sociale dhe në mediat tradicionale serbe, me disa kritikë që pyesin se përse ata nuk folën më parë.
Një avokat që përfaqëson personat kundër Aleksiçit tha se çështja se kur ata e raportuan krimin nuk ishte aspak një problem.
“Të gjithë kanë të drejtë të vendosin se kur dhe nëse do të raportojnë, kur ata janë gati, kur ndihen mendërisht të aftë t'i mbijetojnë përsëri krimit”, tha për BIRN Denis Beciriç.
Gjyqtari Dragoslav Milanoviç, i cili ashtu si Babir është një anëtar i Bordit Drejtues të Shoqatës së Gjyqtarëve të Serbisë, tha se nëse ka kaluar një kohë e gjatë pas krimit të pretenduar, gjyqtarët i drejtohen neuropsikiatërve dhe psikologëve.
“Nërpmjet ekspertëve marrim informacione rreth strukturës së personalitetit të viktimës”, tha ai. “Më shpesh ne i pyesim ekspertët nëse viktima është e prirur të mos thotë të vërtetën apo nëse është e prirur për sjellje manipuluese.”
Milanoviç tha se një “përqindje shumë e vogël” e akuzave për përdhunim kanë rezultuar të jenë të rreme.
Ngacmim seksual

Pothuajse gjysma e 608 personave të dënuar për krime seksuale në pesë vitet e fundit u akuzuan për veprimtari të paligjshme seksuale, një term që i referohet çdo dhune seksuale përveç përdhunimit, pra, zhveshjes me forcë, prekjes me forcë, përqafimit, puthjes, vendosjes gishtat mbi ose në organet gjenitale.
“Mendoj se për shkak të përkufizimit të vjetëruar dhe kufizues të krimit të përdhunimit, shumë akte të dhunës seksuale në të vërtetë kualifikohen si një aktivitet i paligjshëm seksual, kështu që në praktikë kemi dënime më të shumta për këtë akt”, tha Malbasa e Qëndrës së Grave Autonome.
Rastet e aktivitetit të paligjshëm seksual trajtohen zakonisht nga gjykata më të ulëta dhe dënimet variojnë gjerësisht nga gjoba deri në dënime me tre vjet burg.
Sipas analizës së të dhënave të BIRN, 31.6 për qind e atyre të dënuar për veprimtari të paligjshme seksuale morën dënime me kusht; rreth 4.6 për qind u gjobitën dhe 12.7 për qind u dënuan me arrest shtëpie.
Serbia e njohu ngacmimin seksual si një krim në mes të vitit 2017. Që nga ajo kohë, 136 njerëz janë dënuar. Rreth 46.3 për qind morën dënime me kusht, afërsisht katër për qind u gjobitën dhe 11 për qind u dënuan me arrest shtëpie. Tridhjetë e një për qind u dënuan me deri në tre vjet burg, gjashtë për qind u dënuan me më shumë se tre vjet burg.
Rasti më i spikatur i ngacmimit seksual në Serbi kishte të bënte me akuzat kundër ish-kryetarit të bashkisë të qytetit të vogël Brus në Serbinë qendrore, Milutin Jeliciç.
Ish-sekretarja e Jelicic, Marija Lukiç, e akuzoi atë për ngacmim seksual në 2018, duke treguar në gjykatë rreth 15,000 mesazhe me tekst që Jeliciç i kishte dërguar asaj për një periudhë dy-vjeçare. Lukiç tha se Jeliciç i kishte vënë si kusht kryerjen e marrëdhënieve seksuale, nëse ajo dëshironte të përparonte në karrierën e saj. Kur e paditi, edhe Lukiç u përball me një fushatë shpifjesh nga një pjesë e publikut serb.
Gjatë gjyqit, mbështetësit e Jeliciçit u mblodhën para gjykatës. Në nëntor 2020, Gjykata e Lartë në qytetin e Krusevacit konfirmoi një dënim me tre muaj burg kundër tij.
Sipas ligjit serb, ngacmimi seksual mund të dënohet me gjobë ose me deri në gjashtë muaj burg.
Barbir, nga Shoqata e Gjyqtarëve, tha se veprime të tilla më parë binin nën veprën penale të fyerjes ose nuk mbuloheshin fare nga ligji dhe se dënimet e dhëna nga gjyqtarët “janë në përputhje me dënimet e parashikuara” në bazë të ligji.
Por Malbasa tha se nga numri “jashtëzakonisht i ulët” i ankesave zyrtare për ngacmime seksuale në Serbi “është e qartë se në të vërtetë ka një përqindje shumë të vogël grash që zgjedhin t raportojnë këtë krim”.
Ajo e mirëpriti faktin që çështja po diskutohej më shumë brenda shoqërisë serbe, duke thënë se kjo mund të inkurajojë gra të tjera të flasin.
“Por ajo që nevojitet gjithashtu për të inkurajuar gratë të raportojnë dhunën është një sistem efikas mbrojtës, profesionistë të trajnuar dhe të sensibilizuar për t'u marrë me këto raste.”