Një avantazh kryesor i shoqërive vërtet demokratike është se liderët e tyre nuk mund të shpëtojnë pafundësisht nga sjelljet e këqija, të korruptuara ose egoiste. Më në fund, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson tani duket se po e zbulon këtë gjë.
Ndërsa viti 2021 po i afrohet fundit, urimi “Gëzuar Vitin e Ri!” mund të tingëllojë në mënyrë të pabesueshme optimist. Presidenti rus Vladimir Putin po grumbullon trupa pranë kufirit të vendit të tij me Ukrainën. Presidenti kinez Xi Jinping mendon në mënyrë kërcënuese nëse tani është koha e duhur për të pushtuar Tajvanin. Dhe pandemia e COVID-19 vazhdon të kërcënojë jetën dhe mirëqenien e njerëzve anembanë botës, me variantin e ri Omicron që na kujton rrezikun e kontigjentit të pavaksinuar të një popullsie të madhe – veçanërisht në vendet më të varfra.
Presidenti i SHBA-së Joe Biden është përpjekur të ofrojë pak optimizëm në politikën globale duke mbajtur një samit virtual të demokracive aktuale dhe të supozuara të botës. Mbledhja ka shkaktuar armiqësi të parashikueshme nga Kina dhe Rusia, si dhe kritika brenda Shteteve të Bashkuara për zgjedhjen e të ftuarve. Disa, kuptohet, kanë theksuar rëndësinë dërrmuese të demokracive të pranishme duke dhënë shembull nëpërmjet sjelljes së tyre, në vend që thjesht të predikojnë (ndonjëherë në mënyrë paksa hipokrite).
Por, larg samitit, një skandal i zymtë politik në Britani – në lidhje me festat e mbajtura në rezidencën dhe zyrën zyrtare të kryeministrit Boris Johnson gjatë izolimeve në fund të vitit të kaluar – ka nxjerrë në pah së fundmi një nga virtytet qendrore të shoqërive vërtet demokratike: liderët e tyre nuk mund të shpëtojnë pafundësisht pa u lagur me sjellët e tyre të këqija, të korruptuara ose egoiste. Më në fund, Boris Johnson duket se po e zbulon këtë gjë tani.
Edhe pse Johnson ka një reputacion të merituar se nuk ka ndonjë marrëdhënie të mirë me të vërtetën, shumë votues duket se e kanë vlerësuar këtë me mënyrën se si ata e perceptojnë atë. Për më tepër, të brendshëm të Partisë Konservatore dhe ata që kanë punuar më parë me Johnson në gazetari (karriera e tij para politikës), e kanë ditur gjithmonë se ai nuk kishte gjasa të ndiqte ndonjë rregull që nuk i shkonte për shtat atij.
Ky dështim mjaft i madh personal ishte i dukshëm edhe në fëmijërinë e tij, siç vuri në dukje një raport i shkolle nga mësuesi i tij kujdestar në Eton College. “Unë mendoj,” shkroi mësuesi i Johnson, “se ai sinqerisht beson se është e çuditshme që ne të mos e konsiderojmë atë si një përjashtim, që s’duhet të jetë i përfshirë në një rrjet detyrimesh që i lidh të gjithë të tjerët.”
Sigurisht, problemet vijnë shpesh dhe shpejt kur dikush e bart atë qasje në jetën e tij në qeveri. Në veçanti, administrata e supozuar konservatore e Johnson, e ndihmuar nga aleatët në media, është përpjekur të dobësojë shumë nga kontrollet dhe balancat që duhet të kufizojnë pushtetin e qeverisë qendrore.
Kështu, BBC, transmetuesi i madh i publik i Britanisë, është sulmuar për mos respektimin e linjës së qeverisë. Komisioni Zgjedhor dhe gjyqtarët kritikohen për përpjekjet për të frenuar veprimet ministrore dhe partiake-politike që bien ndesh me ligjet ekzistuese. Johnson në mënyrë rutinë shpërfill kodet që supozohet të kontrollojnë sjelljen e ministrave dhe politikanëve në përgjithësi. Qeveria përdor procedurat parlamentare për të anashkaluar kontrollin e duhur legjislativ dhe në vitin 2019 madje pezulloi në mënyrë të paligjshme vetë Parlamentin, sepse dukej sikur legjislatura mund të pengonte planet e Johnson për Brexit.
E gjithë kjo tani është kristalizuar në debatin për “festat e Krishtlindjes”, i cili paraqet një tablo të një qeverie “të lirë nga rrjeti i detyrimeve që lidh të gjithë të tjerët”. Mbi të gjitha, tubimet u zhvilluan ndërsa qeveria po i thoshte pjesës tjetër të vendit se, për shkak të pandemisë, festat ishin të ndaluara. Në fakt, ndalimi i grumbullimit të njerëzve shkoi edhe më tej se kaq. Njerëzit nuk mund të vizitonin miqtë apo të afërmit që po vdisnin, sepse takimet e çdo lloji mendohej se rrisin rrezikun e përhapjes së virusit vdekjeprurës.
Mënyra se si Johnson e trajtoi këtë skandal në zhvillim nuk e ka rritur besimin në mënyrën se si ai e qeveris vendin, për ta thënë butë. Kjo është veçanërisht shqetësuese në një kohë kur është jashtëzakonisht e rëndësishme që qytetarët të besojnë se qeveria do të marrë masat e duhura të shëndetit publik për të mbrojtur të gjithë shoqërinë.
Mësimi më serioz dhe më i përgjithshëm që duhet të nxirret nga kjo çështje, në një kohë debati në rritje për demokracinë dhe vlerat liberale, është se në një vend që i mbështet ato, zyrtarët publikë nuk mund ta fshehin keqbërjen. Liria e shtypit dhe llogaridhënia ndaj votuesve do të thotë se sjellja e keqe, në përmasa të mëdha ose të vogla, nuk mund të mohohet pa hetim.
Krahasojeni këtë me situatën në Kinë. Bota ka vuajtur shumë nga koronavirusi pjesërisht për shkak të faktit që qeveria kineze e mbuloi fazën e hershme të pandemisë, si dhe origjinën e saktë të virusit.
Në një shembull më të fundit totalitarizmi të papërgjegjshëm, regjimi i Xi-së është përpjekur të hesht çdo hetim ose njohuri për sjelljen e supozuar seksuale grabitqare të ish-zëvendëskryeministrit Zhang Gaoli ndaj tenistes profesioniste Peng Shuai. Tani imagjinoni se sa larg do të arrinit nëse do të përpiqeni të hetoni marrëdhëniet financiare të udhëheqësve të lartë kinezë dhe familjeve dhe miqve të tyre.
Në demokraci, sjellja e liderëve është e kufizuar nga njohuria se herët a vonë, ata mund të kenë nevojë të zotërojnë. Regjimet totalitare dhe autoritare i mbulojnë gjithmonë sekretet. Në cilën lloj shoqërie do të preferonit të jetonit?
Mijëra qytetarë të Hong Kongut, që tani po lënë qytetin e tyre të mrekullueshëm dhe dikur të lirë për një jetë të re diku tjetër, po i japin përgjigjen e tyre kësaj pyetjeje. U uroj të gjithëve një vit të ri të gëzuar në shtëpitë e tyre të reja dhe një përshëndetje e ngjashme shkon për ata që u është dashur të qëndrojnë pas dhe për të gjithë ata që janë bllokuar në shtetet autoritare apo totalitare.
Por lumturia dhe prosperiteti i tyre sigurisht që do të varen deri në një farë mase nga ata që marrin pjesë në samitin e Biden-it – përfshirë Johnson-i – që do të sillen si demokratë që vërtet besojnë dhe praktikojnë vlerat e një shoqërie të hapur.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Boris Johnson and the Virtue of Accountability