AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Tema:
  • Belinda Balluku
  • Erion Veliaj
  • Veting
    • KPK
    • KP
    • KPA
  • SPAK
  • Mjedisi
  • Edi Rama
  • Sali Berisha
  • Donald Trump
  • Zgjedhje 2025
    • Zgjedhje të pjesshme
AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
AI News
Kryefaqja Opinion

Drejt maturimit të protestave apo shtetit autoritarist?

Revolta shoqërore ndaj rritjes së çmimeve të shportës dhe derivateve në Shqipëri duhet të transformohet në një alternativë progresiste për aksionin qytetar kundër pabarazisë sociale.

Dardan KonjufcangaDardan Konjufca
4 years më parë
në Opinion
Koha e leximit: 9 min lexim
A A
0
Ndaj në FacebookNdaj në Twitter
Policia duke ndaluar një protestues që ka bllokuar rrugën në Tiranë | Foto: LSA

Javë më parë pothuajse në të gjithë Shqipërinë, çmimi i naftës arriti shifra që nuk ishin parë ndonjëherë në vend, rreth 269 lekë për litër ose ndryshe, mbi 2 euro. Çmimi i naftës në Shqipëri, kështu u bë më i larti në rajon, edhe për shkak të disa taksave shtesë që qeveria shqiptare ka vendosur ndaj importimit të derivateve të saj. Paraprakisht, në vend, kishte filluar ngritja graduale e çmimeve të shportës bazike, bukës, shërbimeve, banimit etj. Situata u duk se arriti në atë pikë, ku kupa nuk mbante më.

Me 9 mars, pa ndonjë organizim të mirëfilltë paraprak, nga profilet e rrjeteve sociale të aktivistëve të shoqërisë civile u thirr një protestë spontane për të kundërshtuar rritjen e çmimeve, për transparencë dhe thyerje monopolesh. Në përgjigjje të kësaj thirrjeje mbushën sheshet mijëra qytetarë/e pa dallim moshe e përkatësie. Pasi u mbajtën fjalime, qytetarët e revoltuar bllokuan disa akse rrugore, ku pati perplasje me policinë dhe dhjetra të arrestuar. Situata vazhdoi po njësoj për tri ditë të tjera radhazi, ku numri i protestuesve, sa vinte e shtohej. Me 12 mars u thirr një protestë gjithëpopullore, ku disa mijëra qytetarë/e protestuan në mënyrë paqësore nën thirrje si “Boll na vodhët!”, apo “Kush mbjell uri, do korrë revoltë”, duke reflektuar pra situatën, ku abuzimi dhe mungesa e mirëqenies  së përgjithshme shërbyen si ombrellë e revoltës qytetare.

Teksa protesta rritej ditë pas dite duke u diversifikuar pjesëmarrja në grupe shoqërore që u bashkuan të luftonin për nevojat e tyre, kjo u përkthye edhe në zgjerim të kërkesave publike. Në ditët e para të këtij reagimi qytetar, Policia e Shtetit arrestoi dhe procedoi penalisht mbi 200 protestues/e nën arsyetimin e pjesëmarrjes në tubim të paligjshëm, duke përdorur metodën e njohur tashmë për shuarjen e pakënaqësisë qytetare dhe idesë se një masë e madhe po proteston; pra me anë të arrestimeve të dendura. Kujtojmë këtu rastin e vrasjes së të riut Klodian Rasha në dhjetor 2020, nga një polic patrullë, ngjarje e cila prodhoi revoltë te qytetarët dhe sidomos te të rinjtë/rejat në vend. Kjo revoltë e gjithashtu u tentua të shuhej duke arrestuar qindra prej protestuesve, si dhe duke i mbajtur në paraburgim me ditë të tëra, derisa u siguaruan që zëri i pakënaqësisë të shkonte në fikje graduale.

Megjithatë, kësaj radhe, u duk se kjo metodë nuk funksionoi gjithaq, duke qenë se numri i protestuesve erdhi duke u rritur. Edhe protesta e dytë “kombëtare” më 19 mars, shënoi pjesëmarrje të lartë qytetare. Me daljen e njerëzve në mënyrë të vijueshme në rrugë, çmimi i naftës u ul deri ne 203 lek, por akoma mbetet shumë i lartë krahasuar me standardin e jetesës dhe shproporcionalitetit të çmimeve të larta me rroga të ulëta që nuk justifikojnë dot as ushqimet e përditshme, qiranë e vendbanimeve dhe nevojave të tjera të domosdoshme.

Kërkesat aktuale të protestueve janë: Heqje e taksës së qarkullimit, pezullim i alternuar i barrës fiskale mbi çmimin e karburantit, pezullim i TVSH-së për produktet e shportës bazë, zgjerim i skemës së kompensimit dhe mbështetjes së fermerëve, Paketë dinjitoze ndihme për pensionistë/et, invalidë/et dhe familjet me ndihmë ekonomike deri në tejkalimin e krizës, përcaktim i minimumit jetik, hetim e mbikqyrje të koncesioneve dhe shpenzimeve që ndikojnë në buxhetin e shtetit dhe operatorëve që mund të ndikojnë arbitrarisht në rritjen e çmimeve.

Shtatë kërkesa ndaj qeverisë ka përpiluar edhe Organizata Politike (organizatë e majtë në Tiranë), dhe kërkesat janë: Minimumi jetik 18 mijë lekë në muaj për person, pagë minimale 43 mijë lekë në muaj, indeksim i të gjitha pagave deri në  100 mijë lekë në muaj, themelimi i një agjencie të pavarur të kontrollit dhe përcaktimit të tavanit të çmimeve të naftës dhe produkteve të shportës, hetim i pavarur i oligopolit të sektorit të hidrokarbureve dhe veçanërisht i falimentimit dhe shkatërrimit të uzinës së përpunimit të naftës në Ballsh, taksë 1% mbi pasuritë që kalojnë pragun e 1 milion eurove dhe tatim fitimi dhe dividendi prej 20% mbi korporatat e mëdha dhe oligarkët.

Me anë të kërkesave të protestës në tërësi, është bërë përpjekje për gjithëpërfshirje të strukturave shoqërore. Në anën tjetër kjo ngjarje shërbeu edhe për mbledhjen e grupacioneve të ndryshme shoqërore që tashmë kishin kohë që po protestonin, por gjithsesi, pa arritur të gëzojnë pjesëmarrje e mbështetje masive. Ndërmendim këtu, banorët e një lagjeje të Tiranës, e quajtur “5 Maji”, të cilët po protestonin prej javësh kundër shpronësimit dhe shembjes së shtëpive të tyre nga qeveria, me pretekstin se këto shtëpi janë prekur nga tërmeti i vitit 2019 dhe përbëjnë rrezik. Në fakt shtëpitë e këtyre familjeve po shemben me qëllim të ndërtimit të një lagjeje moderne, ku parashihet të ndërtohen 33 pallate dhe 9 qiellgërvishtëse deri në 30 kate, duke e kthyer eksluzivisht në një lagje që mund të banohet vetëm prej më të pasurve. Xhentrifikimi përgatit terrenin për inflacion, jetesë të shtrenjtë, çmime të larta, e njerëz që shfrytëzohen në disa punë për të kapur “ritmin e ri” të rritjeve që imponon demek tregu i ekonomisë së lirë.

Protesta gjithashtu mblodhi bashkë studentë/e, zotërues biznesesh të vogla, grupet feministe dhe të të drejtave të njeriut, pensioniste, organizata të shoqërisë civile, artistë etj.

Reagimi i qeverisë

Kryeministri Edi Rama gjatë ditëve të protestës, u aktivizua në profilin e tij në Twitter, duke i damkosur qytetarët, por edhe duke organizuar takime të stisura me pensionistë ku vazhdoi deklarimet e tij, duke thënë se janë protesta më e shëmtuar në historinë e pluralizmit dhe se është një turp kombëtar. Ndër të tjera ai deklaroi edhe se kjo protestë i shërben interesave të Rusisë.

Në një dalje publike përkrah kryeministrit, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë u bëri thirrje qytetarëve gjithashtu, që të mos përdorin makinat, por të ecin në këmbë në mënyrë që të kursejnë, sikundër bëri edhe Ministrja e Financave e cila tha se 140 euro në Shqipëri janë të mjaftueshme për të mos u konsideruar i/e varfër. Këto qëndrime i revoltuan edhe më shumë masën protestuese dhe i hodhën zjarrit ende të ndezur  të protestës “naftë” falas.

Kreministri “socialist” vazhdon të përqeshë popullin në protestë duke thënë se qeveria nuk do të ndërhyjë me masa për të lehtësuar krizën edhe sikur ne shesh të dalin 100 mijë njerëz. Mirëpo nuk u desh shumë që ai të heqë dorë nga ky pohim pasi kuptoi seriozitetin e protestës. Me vendim të qeverisë, një bord i ngritur për “transparencë” kufizoi (ende përkohësisht) çmimet e tregtimit të nënprodukteve të naftës dhe gazit.

Deja vu me protestat e studentëve?

Në dhjetor të vitit 2018 deri në janar 2019 ndodhën protestat e mëdha studentore. Reagimi kundër vendimit të Këshillit të Ministrave për një burokraci dhe pagesë të paparashikuar studentore, bëri që ditën tjetër që rrugët të buçisnin prej mijëra zërash proteste. Çka pasoi, rezultoi të ishte një maratonë protestash që zgjatën me ditë të tëra dhe pati momente që numrat mund të kenë arritur pothuajse 20-30 mijë studentë. Paraprakisht, ishin organizuar protesta më modeste por të vazhdueshme kundër Ligjit për Arsimin e Lartë, i cili parashikonte rritje të vazhdueshme të tarifave studentore.
Protesta e vitit 2018\2019 lëkundi rehatinë e qeverisë së “majtë” dhe i dha shpresë masës së gjerë popullore se diçka mund të ndryshonte përnjëmend.
Kryeministri, edhe atëhere, sikurse sot, luante rolin e “bllofit”, së pari duke i përqeshur studentët si një tufë ngelësash që nuk dinë për çfarë protestojnë, ndërsa më pas duke i “ftuar” studentët në diskutim, përmes adresimit të tij nga rrjetet sociale, duke përdorur taktikën “Përçaj dhe sundo”.
Asokohe në radhët e studentëve, nuk pati një dakordësim për të zgjedhur një grup përfaqësues, pasi struktura të partive opozitare (të korruptuara), e nuhatën mundësinë e shfrytëzimit të kësaj ngjarjeje për qëllime të ngushta dhe vazhdimisht tentonin të shtronin diskursin e tyre në protestë. Organizatat studentore, u përpoqën vetëm ta ruanin protestën si formë, sa më gjatë të ishte e mundur, sepse në përmbajtje pati gjithherë divergjenca. Kryeministri i ndihmuar edhe prej rrjeteve të infiltruara së brendshmi e shfrytëzoi këtë element si shqisë tijën. Shqisë e cila për vetë qëllimin e protestës shërbeu si mish i huaj që i pamundëson frymëmarrjen intensive. Kryeministrit Rama i funksionoi “bllofi” dhe kështu protesta ditë pas dite u zbeh, derisa shkoi drejt shuarjes.

E majta dhe partitë opozitare

Vitet e fundit situata me Partinë Demokratike (partia më e madhe opozitare në vend) duket se është mbizotëruar nga mungesa e balancës së brendshme dhe pamundësia për të shërbyer strukturalisht si një alternativë potenciale të paktën në 10-vjeçarin aktual të qeverisjes së mazhorancës. Në pamundësi për të prodhuar ngjarje, skenari më i lehtë i mundshëm për t’u rifaktorizuar në skenën politike e për të fituar sadopak terren në këto kushte impontence politike, kanë shërbyer organizimet masive qytetare. Kjo taktikë u përdor intensivisht deri në ditët e fundit të protestave studentore të vitit 2018/19, në revoltën e banorëve të Astirit, ku pas një kohe ishin deputetë të PD-së që e drejtonin masën dhe nuk është largmendsh që të jetë duke e shfrytëzuar edhe këtë momentum reagimi qytetar masiv si trampolinë të rikthimit në pushtet. Një tentativë e tillë u duk të ishte edhe një reagim i deputetit demokrat, z. Edi Paloka, kur me një status në rrjetet sociale tentoi të godiste shoqërinë civile. Ndonëse siç edhe kemi qenë dëshmitarë të trazirave të lidershipit dhe mungesës e shtyllave të organizimit të brendshëm, duket se të pakta janë gjasat që PD-ja të rikuperojë hendekun, të fitojë vëmendjen dhe besimin masiv për ndryshime rrënjësore vetëm me këtë protestë.

Ndërkohë, grupet me bagazhin politik më premtues, me përvojë të mirfilltë organizative, strategji veprimi dhe ideologjikisht të majta, në këto lloj protestash duket se përfundojnë disi në prapavijë dhe veprojnë në një formë dhe diskurs të izoluar.
E majta është e fragmentarizuar dhe jo shumë mendjehapur në situata të tilla, sepse në vend të lëshimit pe për hir të një të mire më të madhe, shpesh zgjedh t’i qëndrojë besnike synimeve në parim të drejta por praktikisht të vështira në aplikim prej pamundësisë së depërtimit te të singjashmit e tyre dhe shumicën e pakopromentuar protestuese. Shpesh gjuha e ngurtë, mungesa e strategjisë në komunikim për të zgjeruar bashkëpunimin potencial, dhe mungesa e shkathtësisë për të arritur receptorët që lehtësojnë penetrimin dhe më pas veprimin si një bllok i organizuar – duket se e penalizojnë mundësinë e përdorimit të momentumit në shërbim të avancimit të protestës si qëllim kolektiv.

Në këto kushte, lipset një reflektim i këtyre grupeve dhe unifikim jo vetëm përbrenda saj por edhe më gjerë, ku përfshihen grupet e kauzës punëtore, organizimet feministe, ato ambientaliste, apo të majtët nacionalistë etj, por edhe një ulje dhe dakordësim me aktivistët e shoqërisë civile gjithashtu, sepse tani, më shumë se kurrë, protestës i duhet një bosht i mirfilltë organizimi dhe nje plan i qartë veprimi. Në të kundërt, diskursi prapakthyes partiak do të çojë drejt tkurrjes, deri ne zhbërje edhe të kësaj revolte, sikurse në ato parapraket.

Pritshmëri dhe rezistencë

Ndërsa kyeministri Rama ka akuzuar popullin protestues si të vetmit që protestojnë nga vendet anëtare të NATO-s, Banka Botërore ka parashikuar se inflacioni i shkaktuar nga lufta në Ukrainë do të prodhojë revolta në vendet me probleme ekonomike dhe pasiguri ushqimore. Në këtë raport, si vendet më të rrezikuara përmenden vëndet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore. Mirëpo në aspektin e pabarazisë shoqërore, varfërisë dhe pamundësisë për të përballuar jetesën, as Shqipëria nuk qëndron shumë larg këtyre vendeve. Në ditën e tetë të protestës, një nga protestueset deklaroi se jetesa në Shqipëri është bërë pothuajse e pamundur.

Qeveria “socialiste” e Shqipërisë ka vendosur të çmontojë dhe të shesë për skrap Rafinerinë e Përpunimit të Thellë të Nafës në Ballsh, ka dhënë me koncesion pasuri kombëtare publike, ka braktisur të varfërit, ku ndihma ekonomike për familjet në nevojë është 5000 lekë (më pak se 50 euro). Oligarkët kanë krijuar monopole ta pakthyeshme ndërkohë që procesi i xhentrifikimit dhe brukselizimit të qyteteve, sidomos Tiranës, po intensifikohet. Ndërsa mbi 621 mijë qytetarë jetonin poshtë kufirit relativ të varfërisë në vitin 2020, në anën tjetër tarifat universitare janë më të lartat në rajon.

Revoltat sporadike të kategorive të ndyshme të qytetarëve në vitet e fundit kanë bërë shumëkënd të nxjerrë shënime. Por mbetet gjithsesi të shihet nëse këto mësime e kjo krizë do të shërbejë si moment përbashkimi i aktorëve të ndryshëm për ta bërë qeverinë me hir a me pahir që të kthehet në anën e qytetarëve. Po kështu mbetet për t’u vlerësuar nëse kjo fitore potenciale do të na bëjë të jemi dëshmitarë të krijimit të një alternative të re progresiste, bujare dhe vizionare nga poshtë-lart, që mund të jetë e aftë të ndryshojë kahjen e historisë së 30 viteve të fundit. Nëse do të menaxhohet për t’i dhënë drejtim e kokë të shëndetshme organizative vrullit dhe pakënaqësisë qytetare, atëherë mund të themi se ka shpresë për një tashme ndryshe e të ardhme premtuese. Me sytë dhe mendjen nga dhe për njeriun shumicë.

 

Etiketa: aktivistEdi RamaEurofitoreHetimInflacioniKoncesionKryeministri Edi RamaLuftaMASMasaNATOOrganizata PolitikeParaparaburgimPartia SocialistepasiguriPDPerplasjePoliciaPolicia e ShtetitProtestaProtestatprotesteprotestuesQeveriarajonraportrrezikSHShqipëriShqipëriashqiptarestudenttë drejtaTiranëTreguTVSHTwitteruljeVendimzgjerim
Tjetri
KPK riçel hetimin për prokurorin Bledar Bejko

KPK riçel hetimin për prokurorin Bledar Bejko

Presione dhe intimidim: Çifti Veliaj dhe Bushka akuzohen për pengim të drejtësisë

SPAK kërkon dënimin me 400 mijë lekë gjobë për ish-deputeten Klotilda Bushka

16:01 | 03/06/2026
protesta 1

Letër e hapur për arkitektët e huaj: Flisni për atë që po ndodh në Nartë!

13:32 | 03/06/2026
Favorizoi ndërtimet jashtë lejeve, prokuroria kërkon gjykimin e ish-drejtoreshës së ASHK Tiranë

Titullarët dhe 10 punonjës të një dege të UBA Bank akuzohen se vodhën klientët

10:34 | 03/06/2026
foto 02 (1)

‘Autor i projektit’: Pse Rama po përpiqet të manipulojë revoltën për Zvërnecin?

07:08 | 03/06/2026
I akuzuari për kontrabandën e cigareve fiton lirinë me 1 milion euro garanci

Apeli heq apartamentin e Ergys Agasit nga sekuestroja

17:19 | 02/06/2026
hjzltqvxcaa0cwg

Grupimi i Partive Ambjentaliste Europiane kundër resortit të ‘Kushner’ në Zvërnec

16:52 | 02/06/2026
  • Opinion
  • Reportazhe
  • Analiza
  • Investigime
  • Lajme
  • Blog
  • Rajoni
  • Rreth nesh
  • Stafi
  • Kontaktoni
  • Ankesa dhe Korrigjime
  • Politika e privatësisë dhe rregulla të tjera
  • Letra për redaktorin
Follow Us

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2026 Reporter.al - BIRN
Dev by Sfida.PRO

Menaxho Pëlqimin

Për të ofruar përvojën më të mirë, ne përdorim teknologji si cookies për të ruajtur dhe/ose për të aksesuar informacionin e pajisjes. Pranimi i këtyre teknologjive do të na lejojë të përpunojmë të dhëna si sjellja e shfletimit ose ID-të unike në këtë faqe. Mos pranimi ose tërheqja e pëlqimit mund të ndikojë negativisht në disa veçori dhe funksione.

Funksionale Always active
Ruajtja ose aksesi teknik është rreptësisht i nevojshëm për qëllimin e ligjshëm të mundësimit të përdorimit të një shërbimi specifik të kërkuar shprehimisht nga abonenti ose përdoruesi, ose me qëllimin e vetëm të kryerjes së transmetimit të një komunikimi përmes një rrjeti komunikimi elektronik.
Preferences
The technical storage or access is necessary for the legitimate purpose of storing preferences that are not requested by the subscriber or user.
Statistika
Ruajtja ose aksesi teknik që përdoret ekskluzivisht për qëllime statistikore. The technical storage or access that is used exclusively for anonymous statistical purposes. Without a subpoena, voluntary compliance on the part of your Internet Service Provider, or additional records from a third party, information stored or retrieved for this purpose alone cannot usually be used to identify you.
Marketing
Ruajtja ose aksesi teknik është i nevojshëm për të krijuar profile përdoruesish me qëllim dërgimin e reklamave, ose për të ndjekur përdoruesin në një faqe interneti ose në disa faqe interneti për qëllime të ngjashme marketingu.
  • Manage options
  • Manage services
  • Manage {vendor_count} vendors
  • Read more about these purposes
Shiko preferencat
  • {title}
  • {title}
  • {title}
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista

© 2024 Reporter.al - Dev by aplikacione.com.