Është e premte pasdite dhe Oksna Boyka sapo ka mbaruar orën e saj të fundit të mësimit me më pak se gjysmën e nxënësve që ka normalisht. Shumica e të pranishmëve janë femra; meshkujt shumica janë mobilizuar në front.
Dhoma që ajo ndan me vajzën e saj, studente, në Uzhgorod, në perëndim të Ukrainës, është vendi i pestë me radhë që ajo ndërruar që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë në shkurt.
Si profesoreshë e punëve sociale dhe Drejtuese e Programit Bachelor në Universitetin Kombëtar të Kievit, ajo po përpiqet të vazhdojë punën akademike, duke mbijetuar dhe kërkuar solidaritet e mbështetje nga kolegët akademikë nga e gjithë bota.
“Mësimi në distancë do të jetë një përvojë jete. Ne duam që ky brez të mbajë trashëgiminë e së vërtetës dhe po përpiqemi t’i ndihmojmë ata ta ndërtojnë atë siç duhet”, tha Boyka për BIRN në një intervistë online nga Ukraina perëndimore.
Në një kohë kur po humb studentët e saj të mobilizuar në luftë, Oksana po përpiqet t’i ndihmojë të tjerët jo vetëm në aspektin akademik, por edhe në atë social dhe të punës.
Ashtu si shumë nga kolegët e saj të tjerë ukrainas, ajo po përballet me vështirësi të mëdha në diplomimin e studentëve të saj në bachelor dhe master.
“Në një pikë, duhet të mundësojmë që ata studentë të përfundojnë studimet dhe të shkruajnë tezat e tyre – sepse megjithëse kanë filluar t’i shkruajnë, ata nuk mund ta bëjnë këtë siç duhet. Ata thonë se nuk po mund të përqendrohen dot në asgjë”, tha Boyka.
Në gjithë Ukrainën, shkollat dhe universitetet janë bombarduar ose shndërruar në strehimore. Shumë klasa tani janë të papërdorshme, pasi janë shkatërruar nga sulmet ajrore.
Disa prej tyre tani përdoren për qëllime ushtarake. Në Mariupolin e pushtuar, hapësirat e universitetit janë bërë një varrezë e improvizuar.
Boyka dhe kolegët e saj mbajnë takime javore me akademikë nga e gjithë Evropa për të gjetur mënyra për të ndihmuar studentët e saj të ngelur në zonat e luftës.
Akademikët, duke përfshirë disa nga vendet e Ballkanit të angazhuar në Shoqatën e Shkollave të Punës Sociale të Evropës Lindore, po përpiqen të ndihmojnë kolegët dhe studentët e tyre nga Ukraina.
“Solidariteti akademik është i rëndësishëm”
Vjollca Krasniqi, profesoreshë në Fakultetin e Filozofisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se ata po eksplorojnë mënyra për të ndihmuar studiuesit dhe studentët ukrainas, dhe më gjerësisht, popullin e Ukrainës.
“Ne kemi nevojë për një skemë bursash për studentët ukrainas, por edhe për profesorët që mund të bëhen profesorë vizitorë në Universitetin e Prishtinës dhe universitete të tjera publike”, tha Krasniqi për BIRN.
“Qeveritë në rajon janë zotuar ta mbështesin Ukrainën, kështu që universitetet tona duhet të hapin dyert për studentët ukrainas, sepse solidariteti akademik është një segment shumë i rëndësishëm i kësaj”, shtoi ajo. “Kjo vendos solidaritet në nivel institucional.”
Kjo nuk ka ndodhur ende. Naser Sahiti, rektor në Universitetin e Prishtinës, universiteti kryesor i Kosovës – i pyetur nga BIRN nëse universiteti kishte ofruar ndonjë shprehje praktike të solidaritetit me studentët ukrainas – tha se “Universiteti i Prishtinës në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme ka planifikuar të ftojë studentë nga Ukraina që të jenë pjesë e Universitetit veror në Prishtinë duke marrë përsipër të gjitha shpenzimet”.
Ndërkohë, në një vend të zhurmshëm në Lviv, në Ukrainën perëndimore, Yuliia Kokoiachuk po merret me studentët e saj teksa ata ndihmojnë njerëzit e zhvendosur. Pastaj ajo duhet të fillojë leksionin e saj nga shtëpia.
“Ne nuk mund të qëndrojmë larg ndihmës për njerëzit e zhvendosur, sepse shërbimet tona shtetërore nuk mund t’i përballojnë të gjitha sfidat. Ne jemi të përfshirë në çdo aspekt të ndihmës për njerëzit tanë. Puna akademike është tani më pak se gjysma e punës që ne bëjmë”, tha ajo për BIRN, gjithashtu në një intervistë online.
Kokoiachuk, drejtoreshë e Programit Bachelor në Punët Sociale në Universitetin Katolik lokal, po përpiqet gjithashtu të kontaktojë me kolegë akademikë në të gjithë Evropën për të nxitur universitetet e tyre për të ndihmuar studentët dhe profesorët nga Ukraina.
“Kemi një listë të madhe nevojash dhe çdo vend mund të jetë i dobishëm. Dua thjesht t’u kërkoj të gjithëve të bëjnë atë që munden”, tha ajo.
Krasniqi dhe kolegët e saj në Kosovë po përpiqen gjithashtu të ndihmojnë studiuesit ukrainas të dokumentojnë dhe hetojnë abuzimet dhe shkeljet e të drejtave të njeriut gjatë luftës.
“Është një kohë e një lloji post së vërtetës, me një valë të fortë propagande, dhe për këtë arsye ne kemi nevojë për më shumë punë akademike dhe zëra nga Ukraina”, tha ajo.
Klasat e Kokoiachuk gjithashtu aktualisht kanë vetëm rreth gjysmën e numrit normal të studentëve dhe shumica e tyre janë femra.
“Shumica e studentëve tani janë të angazhuar në luftë, në front apo me detyra të tjera. Disa mund të kenë vdekur. Është më e pamundur t’i shohim të gjithë”, shpjegoi ajo. “Por ne ende mund të ofrojmë një arsim.”
“Është e vështirë të përqendrohesh në mes të sulmeve ajrore”
Klasat e saj shpesh ndërpriten nga sirenat e sulmit ajror. “Kur nisin sirenat, duhet të ndalojmë dhe të vazhdojmë më vonë. Ndjejmë se nuk ka më punë normale”.
Kokoiachuk thotë se mësuesit po bëjnë çmos për të ofruar mësim për mijëra nxënës, arsimimi i të cilëve është ndërprerë.
“Por është vërtet e vështirë sepse nuk përqendrohesh dot në punën tënde. Kur sheh mizori, ose fshihesh nga sulmet, ose kur dëgjon alarme dhe nuk e di nëse është thjesht një makinë apo bombë… Ne nuk flemë normalisht natën, është rraskapitëse edhe kur nuk ka sirena”, tha ajo.
Pas vitit 2014, kur Rusia aneksoi Krimenë nga Ukraina, Boyka fillimisht nisi t’i përgatiste studentët e saj për punë sociale me refugjatët ose shërbime sociale për personat e zhvendosur brenda vendit ose emigrantët e detyruar.
Departamenti i saj përfshin gjithashtu kurse mbi traumën dhe rimëkëmbjen dhe për qëndrueshmërinë e familjes, komunitetit dhe individual.
Universitetet në Ukrainë kanë vendosur të kreditojnë studentët që ndjekin kurse universitare jashtë vendit.
Studentëve që gjatë kësaj kohe ndjekin kurse jashtë vendit do t’u njihen këto kurse nga universitetet e tyre përkatëse në Ukrainë.
“Ne po kërkojmë gjithashtu që universitetet që kanë pasur sfida dhe kushte të ngjashme pune të ndajnë përvojat e tyre se si organizuan studimet”, tha Boyka.
Përvoja e vendeve të Ballkanit në kohën e luftës në vitet 1990 dhe pas luftës është veçanërisht interesante për akademikët e Ukrainës – dhe sidomos përvoja e tyre në rindërtimin dhe rinovimin e arsimit, dhe se si ai ndryshoi pas luftës.
“Vendet e ish-Jugosllavisë e kanë kaluar këtë gjë dhe kanë përvojë; ata mund të na këshillojnë se çfarë duhet bërë – dhe çfarë jo”, tha Boyka.