
Prej muajit mars, procesi i aferës së inceneratorit të Fierit po mbahet pezull në Gjykatën e Posaçme të Apelit. Prokuroria e Posaçme kërkon riçeljen e hetimit gjyqësor për të siguruar prova të reja, por avokatët e 14 të pandehurve e kundërshtuan këtë kërkesë gjatë seancës që u zhvillua të mërkurën.
Seanca u shty për shkak të mungesës së avokatit të zgjedhur nga Klodian Zoto, ndërkohë që avokati i caktuar kryesisht nga gjykata tha se nuk ishte njohur ende me aktet.
Gjykata vendosi gjithsesi të vijojë me gjykimin, duke kërkuar që avokatët e tre të pandehurve të tjerë të paraqisnin qëndrimet e tyre lidhur me kërkesën e SPAK.
Avokati Julian Mërtiri i ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka tha se provat e kërkuara nga SPAK lidhen me tre të pandehurit e shpallur të pafajshëm gjatë procesit në shkallë të parë dhe jo me klientin e tij. Nga ana tjetër, Mërtiri kërkoi kohë që të mundet të paraqesë disa prova të reja në funksion të mbrojtjes, konkretisht disa vendime gjyqësore. Po ashtu, Mërtiri evidentoi se SPAK ka referuar në ankim vetëm një dispozitë ligjore dhe nuk ka kërkuar rihapjen e shqyrtimit gjyqësor, por dënimin e të pandehurve mbi bazën e akteve ekzistuese.
Avokati Ilir Mustafaj, i cili përfaqëson Alqi Bllakon, deklaroi se klienti i tij ishte shpallur i pafajshëm për një akuzë dhe ishte dënuar për një vepër penale, që sipas tij nuk është ngritur si fakt nga ana e Prokurorisë. Mustafaj kërkoi që prokuroria të arsyetojë se përse është i nevojshëm rishqyrtimi gjyqësor.
Mbrojtësi Arben Dervishaj kërkoi rrëzimin e kërkesës së SPAK, me argumentin se jurispudenca e Gjykatës së Lartë lejon përsëritjen e gjykimit në Apel, vetëm për prova të gjalla dhe jo për prova dokumentare. Argumente të ngjashme përsëritën edhe avokatët e të padehurve të tjerë në proces.
Në përfundim, gjykata ndërpreu seancën dhe e shtyu atë për në datën 29 korrik, në orën 09:30. Gjykata konstatoi se shtyrja erdhi si pasojë e mospërgatitjes së avokatit të caktuar kryesisht për të mbrojtur Zoton.
“Duhet ti bësh ‘ujë’ aktet. T’i përgatisësh më mirë se të gjithë,” ju drejtua kryesuesja e trupit gjykues avokatit të caktuar kryesisht.
Dymbëdhjetë nga pesëmbëdhjetë të akuzuarit për skemën korruptive të koncesionit të incineratorit dhe fushës së plehrave të Fierit, janë shpallur fajtorë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë në shtator të vitit 2023. Apeli e riktheu për rigjykim në dhjetor të vitit 2024, por Gjykata e Lartë e rrëzoi këtë vendimarrje. Gjykata e Lartë e riktheu në Apel, duke vlerësuar se çështja duhej të zgjidhet drejtëpërdrejtë në shkallën e dytë.






