
Prokuroria e Tiranës njoftoi të mërkurën më 15 korrik sekuestrimin e pasurive të një të dënuari për trafikim të lëndëve narkotike. Në njoftim bëhet me dije se, nga hetimi pasuror i kryer ndaj Arben Allës, i dënuar me 10 burg për trafikim të lëndëve narkotike dhe ndaj personave të lidhur me të, ka rezultuar se të ardhurat e tyre nuk janë të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet dhe krijimin e pasurive të luajtshme e të paluajtshme.
Sipas Prokurorisë, nga veprimtaria e paligjshme rezulton se janë krijuar pasuri në përpjestim jo të drejtë në raport me nivelin e të ardhurave apo fitimeve nga veprimtaritë e ligjshme të deklaruara. Për rrjedhojë, me kërkesë të prokurorisë, gjykata ka sekuestruar një apartament 1+1 me sipërfaqe 66.33 m², si dhe verandë me sipërfaqe 44 m², në një kompleks në rrugën “Xhanfize Keko” në Tiranë; si dhe një apartament 2+1, me sipërfaqe 87.9 m² dhe garazh 16 m² në një tjetër kompleks që po ndërtohet rrugën “Kahreman Ylli”, po në kryeqytet.
Hetimi pasuror është kryer bazuar në ligjin nr.10192 të vitit 2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i quajtur ndryshe dhe si ligji “Antimafia”.
Arben Alla u akuzua se në bashkëpunim me persona të tjerë, tentuan trafikimin e rreth 186 kilogramëve canabis sattiva drejt Holandës në vitin 2012.






