Shtetet e Bashkuara duket se kanë hyrë në një luftë të re të ftohtë me Kinën dhe Rusinë. Dhe portretizimi i liderëve amerikanë të këtij konfrontimi si një përballje midis demokracisë dhe autoritarizmit është e papranueshme, veçanërisht në një kohë kur të njëjtët liderë po flirtojnë me një abuzues sistematik të të drejtave të njeriut si Arabia Saudite. Një hipokrizi e tillë sugjeron se është të paktën pjesërisht hegjemonia globale, jo vlerat, ajo që është në rrezik.
Për dy dekada pas rënies së Perdes së Hekurt, SHBA-ja ishte qartazi e para. Por më pas erdhën luftërat katastrofike të gabuara në Lindjen e Mesme, përplasja financiare e vitit 2008, pabarazia në rritje, epidemia e opioideve dhe kriza të tjera që dukej se hidhnin dyshime mbi epërsinë e modelit ekonomik të Amerikës. Për më tepër, midis zgjedhjes së Donald Trump, tentativës për grusht shtet në Kapitolin e SHBA-së, vrasjeve, një Partie Republikane të prirur për shtypjen e votuesve dhe rritjes së kulteve konspirative si QAnon, ka mëse mjaftueshëm prova për të sugjeruar se disa aspekte të politikës amerikane dhe jeta sociale janë bërë thellësisht patologjike.
Sigurisht, Amerika nuk dëshiron të rrëzohet nga froni. Por është thjesht e pashmangshme që Kina ta kalojë ekonomikisht SHBA-në, pavarësisht se çfarë treguesi zyrtar përdor ajo. Jo vetëm që popullsia e saj është katër herë më e madhe se ajo e Amerikës, por ekonomia e saj gjithashtu është rritur tre herë më shpejt për shumë vite (në fakt, ajo e ka kaluar tashmë SHBA-në në terma të barazisë së fuqisë blerëse në vitin 2015).
Ndërsa Kina nuk ka bërë asgjë për ta deklaruar veten si një kërcënim strategjik për Amerikën, kjo është mëse e qartë. Në Uashington, ekziston një konsensus dypartiak se Kina mund të përbëjë një kërcënim strategjik dhe se më e pakta që duhet të bëjë SHBA-ja për të zbutur rrezikun është të ndalojë së ndihmuari ekonominë kineze të rritet. Sipas këtij këndvështrimi, veprimi parandalues është i justifikuar, edhe nëse kjo nënkupton shkeljen e rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë që vetë SHBA-ja bëri kaq shumë për t’i shkruar dhe promovuar.
Ky front në luftën e re të ftohtë u hap shumë përpara se Rusia të pushtonte Ukrainën. Dhe zyrtarë të lartë amerikanë që atëherë kanë paralajmëruar se lufta nuk duhet të largojë vëmendjen nga kërcënimi real afatgjatë: Kina. Duke pasur parasysh se ekonomia e Rusisë është afërsisht e njëjtë me atë të Spanjës, partneriteti i saj “pa kufij” me Kinën zor se ka rëndësi ekonomikisht (megjithëse gatishmëria e saj për t’u përfshirë në aktivitete përçarëse në mbarë botën mund të jetë e dobishme për fqinjin e saj më të madh jugor).
Por një vend në “luftë” ka nevojë për një strategji dhe SHBA-ja nuk mund ta fitojë vetëm një garë të re të fuqive të mëdha. Ajo ka nevojë për miq. Aleatët e saj janë Evropa dhe demokracitë e tjera të zhvilluara në mbarë botën. Por Trump bëri gjithçka që mundi për t’i larguar ato vende dhe republikanët – ende tërësisht në varësi të tij – kanë dhënë arsye të mjaftueshme për të vënë në dyshim nëse SHBA-ja është një partner i besueshëm. Për më tepër, SHBA-ja gjithashtu duhet të fitojë zemrat dhe mendjet e miliarda njerëzve në vendet në zhvillim dhe tregjet në zhvillim të botës – jo vetëm për të pasur numra në anën e saj, por edhe për të siguruar akses në burimet kritike.
Duke ia kërkuar këtë favor botës, SHBA-së do t’i duhet të mbulojë shumë terren të humbur. Historia e saj e gjatë e shfrytëzimit të vendeve të tjera nuk ndihmon, dhe as racizmi i saj i ngulitur thellë – një forcë që Trump e kanalizon me mjeshtëri dhe cinizëm. Kohët e fundit, politikëbërësit amerikanë kontribuuan në “aparteidin global të vaksinave”, ku vendet e pasura morën të gjitha dozat që u nevojiteshin, ndërsa njerëzit në vendet më të varfra u lanë në fatet e tyre. Ndërkohë, kundërshtarët e luftës së re të ftohtë të Amerikës i kanë bërë vaksinat e tyre të disponueshme për të tjerët me kosto ose nën kosto, duke ndihmuar gjithashtu vendet të zhvillojnë qendrat e tyre për prodhimin e vaksinave.
Hendeku i besueshmërisë është edhe më i madh kur bëhet fjalë për ndryshimet klimatike, të cilat prekin në mënyrë disproporcionale ata në jugun e globit që kanë më pak mundësi për t’u përballur me to. Ndërsa tregjet kryesore në zhvillim janë bërë burimet kryesore të emetimeve të gazrave serrë sot, emetimet kumulative të SHBA janë ende më të mëdhatë, deri më tani. Vendet e zhvilluara vazhdojnë t’i shtojnë ato dhe, më keq akoma, nuk i kanë përmbushur as premtimet e tyre të pakta për të ndihmuar vendet e varfra të menaxhojnë efektet e krizës klimatike që shkaktoi bota e pasur. Në vend të kësaj, bankat amerikane kontribuojnë në krizat e borxhit të afërt në shumë vende, duke shfaqur shpesh një indiferencë të madhe ndaj vuajtjeve që vijnë si rezultat.
Evropa dhe Amerika janë shumë të zonjat për t’u dhënë leksione të tjerëve për atë që është moralisht e drejtë dhe e arsyeshme ekonomikisht. Por mesazhi që vjen zakonisht – siç e bën të qartë këmbëngulja e subvencioneve bujqësore të SHBA-së dhe Evropës – është “bëj si them unë, jo si bëj unë”. Sidomos pas viteve të Trump, Amerika nuk ka më asnjë pretendim për nivelin e lartë moral, as nuk ka besueshmërinë për të dhënë këshilla.
Në të njëjtën kohë, Kina ka shkëlqyer jo në dhënien e leksioneve, por në pajisjen e vendeve të varfra me infrastrukturë. Po, këto vende shpesh lihen në borxhe të mëdha, por duke pasur parasysh sjelljen e vetë bankave perëndimore si kreditore në botën në zhvillim, SHBA-ja dhe të tjerët vështirë se janë në gjendje të drejtojnë gishtin.
Do të mund të vazhdoja gjatë, por thelbi është i qartë: nëse SHBA-ja do të nisë një luftë të re të ftohtë, ajo duhet të kuptojë më mirë se çfarë do të duhet për të fituar. Luftërat e ftohta përfundimisht fitohen me fuqinë e butë të tërheqjes dhe bindjes. Për të dalë në krye, ne duhet të bindim pjesën tjetër të botës që të blejë jo vetëm produktet tona, por edhe sistemin social, politik dhe ekonomik që ne po shesim.
Shtetet e Bashkuara mund të dinë se si të bëjnë bombarduesit dhe sistemet raketore më të mira në botë, por ata nuk do të na ndihmojnë këtu. Në vend të kësaj, ne duhet të ofrojmë ndihmë konkrete për vendet në zhvillim dhe vendet e tregjeve në zhvillim, duke filluar me heqjen dorë nga pronësia intelektuale lidhur me COVID, në mënyrë që ata të mund të prodhojnë vaksina dhe trajtime për veten e tyre.
Po aq e rëndësishme, Perëndimi duhet të bëjë dhe një herë që sistemet tona ekonomike, sociale dhe politike të jenë zilia e botës. Në SHBA, kjo fillon me reduktimin e dhunës me armë, përmirësimin e rregulloreve mjedisore, luftimin e pabarazisë dhe racizmit dhe mbrojtjen e të drejtave riprodhuese të grave. Derisa të kemi vërtetuar se jemi të denjë për të udhëhequr, nuk mund të presim që të tjerët ta hedhin vallen siç e duam ne.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. How the US Could Lose the New Cold War