
Gjyshi i Alma Liços, një avokat, u ekzekutua nga regjimi represiv komunist i Shqipërisë në vitin 1945, sepse ai ishte i përfshirë me një parti politike, Balli Kombëtar, e cila kundërshtonte sundimin komunist.
Liço tani është 65 vjeçe dhe ajo dhe babai i saj janë munduar prej kohësh të marrin dëmshpërblimin që u ishte premtuar për vrasjen e gjyshit të saj.
Legjislacioni u miratua në vitin 2009 për të kompensuar financiarisht të burgosurit politikë të periudhës komuniste. Ai parashikonte që pagesat e kompensimit të bëheshin çdo vit me këste, ku secili përfaqësonte një vit të kaluar në burg, me një kufi të sipërm të vendosur në tetë vjet.
Ligji premtonte gjithashtu kompensime, sërish me këste vjetore, për familjet e të burgosurve politikë që u ekzekutuan.
“Në rastin tim për gjyshin është llogaritur sikur gjyshi im është dënuar me 8 vite burg dhe kjo është konvertuar me atë vlerë minimaliste që u caktua në bazë të ligjit”, shpjegoi Liço.
Kjo ishte një procedurë standarde sipas ligjit: të afërmve të njerëzve që u ekzekutuan do t'u jepeshin kompensime për tetë vjet.
Autoriteti Shqiptar për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, i njohur si Autoriteti i Dosjeve, i propozoi së fundmi Ministrisë së Drejtësisë ndryshimin e ligjit të kompensimit për të rritur kufirin e sipërm nga tetë në 25 vjet, pasi disa të burgosur kaluan dekada në burg.
Por familjarët e viktimave kanë një problem edhe më urgjent: disa prej tyre nuk kanë marrë të gjitha këstet vjetore të dëmshpërblimit që u takojnë me ligj.
“Për mungesë vullneti, nuk mund të them për pamundësi ekonomike. Jemi në vitin 2023 dhe familja ime ka marrë vetëm tre këste deri më tani”, tha Liço.
Çdo këst ishte rreth 950 euro; në total familja ka marrë rreth 2850 euro. Ata duhet të kishin marrë pesë pagesa të tjera vjetore, duke arritur në rreth 7600 euro.
Liço gjithashtu theksoi se familja e saj ka marrë vetëm dëmshpërblim për ekzekutimin e gjyshit të saj, edhe pse njerëz nga tre breza të tjerë të familjes së saj u internuan nën komunizëm. Megjithatë, njerëzit që u internuan në kampe dhe nuk u burgosën në burgje nuk kanë të drejtë kompensimi.
“Gjyshi i pushkatuar, babi i internuar, unë e internuar dhe fëmijët i kam lindur ne internim, dhe në të gjithë këtë përndjekje kaq të madhe, llogariten për pagesë kompensimi vetëm 8 vite burg për gjyshin tim të ekzekutuar”, tha Liço.
Përveç rritjes së kufirit për pagesat vjetore nga tetë në 25 vjet, Autoriteti i Dosjeve kërkon dhënien e dëmshpërblimeve për personat e internuar në kampe të mbyllura, të lindurit në internim dhe të miturit nën 15 vjeç që mbaheshin në kampet e internimit.
Gjithashtu kërkon që të afërmit e personave që janë ekzekutuar të marrin pagesa për 25 vjet, si dhe t'u jepet një shumë e madhe personave që u dënuan me punë të detyruar.

“Eshtrat e gjyshit tim i gjetëm vetë”
Edhe Rustem Lezemerja, nipi i një tjetër disidenti politik të ekzekutuar nga regjimi komunist, është në pritje të marrjes së plotë të pagesës së dëmshpërblimit.
Gjyshi i tij, i cili quhej gjithashtu Rustem Lezemerja, ishte pjesë e një force rebele antikomuniste të quajtur Divizioni i Mbrojtjes në fshatin Ndroq, afër Durrësit, me disa miq të tij. “Ata ikën dhe u bashkuan me Komitetin e Maleve (një grup rebel në Shqipërinë malore veriore) për të rrëzuar komunizmin”, tha nipi i tij.
Ndërsa ai ishte në arrati prej pesë vitesh, autoritetet burgosën gruan dhe djalin e tij në një kamp në Tepelenë.
Ai u ekzekutua në vitin 1951 dhe më pas autoritetet e lanë trupin e tij të ekspozuar për tre ditë në Ishëm, afër Durrësit. “Ata e lanë trupin që të terrorizonin njerëzit dhe çuan edhe gjyshen time atje që ta shihte”, tha nipi i tij.
Eshtrat e tij nuk u zbuluan për dekada më pas, derisa regjimi komunist filloi të binte në Shqipëri. Ata nuk morën asnjë ndihmë nga autoritetet.
“Në vitin 1990, ne vetë i gjetëm eshtrat e gjyshit tim, sepse gjyshja ime mbante mend vendin ku ishin lënë”, tha ai.
Ashtu si Alma Liço, familja Lezemerja nuk i ka marrë të gjitha këstet e dëmshpërblimit të premtuar nga shteti. “Në vitin 2016 filloi kësti i parë dhe në total kemi marrë tre këste, 17 mijë euro”, tha Lezemerja.
“Kësti i fundit ishte vitin e kaluar. Nuk na dhanë asgjë për internimin në kampin e Tepelenës.”
Kjo nuk është e vetmja çështje që shqetëson Lezemerjën. Ai është gjithashtu i pakënaqur për faktin që të burgosurit politikë të dënuar në komunizëm, si gjyshi i tij, nuk u falën kurrë zyrtarisht – “nuk ka ligj që ata të shpallen dëshmorë të demokracisë”, tha ai.

Si funksionon ligji – dhe pse s'ka funksionuar
Ligji i miratuar në vitin 2009 përcaktonte se kush ka të drejtë për kompensim. Ata përfshijnë persona të ekzekutuar, burgosur, internuar ose deportuar, të mbajtur në një institucion psikiatrik ose në një njësi hetimore pa gjyq sipas një vendimi gjyqësor të formës së prerë ose një vendim tjetër zyrtar të marrë midis 30 nëntorit 1944 dhe 1 tetorit 1991.
Për t'u kualifikuar, ata gjithashtu duhet të jenë pastruar nga çdo krim sipas një ligji të miratuar në 1991 për të amnistuar personat që janë dënuar për arsye politike në komunizëm dhe ata nuk duhet të kenë kryer krime të rënda gjatë periudhës nga 30 nëntori 1944 deri më 1 tetor 1991.
“Familjarët e viktimave që u pushkatuan padrejtësisht ose u ekzekutuan si dënim politik, përfitojnë për këtë vuajtje dhe përndjekje nga i njëjti dëmshpërblim financiar, në total në masën e dëmshpërblimit për një dënim me tetë vjet burg”, thuhet në legjislacion.
Sipas Erald Kaprit, një historian shqiptar, i cili është anëtar i një organizate të quajtur Kujto.al, e cila fokusohet në krimet e kryera në komunizëm, ligji i dëmshpërblimit siç qëndron ka dështuar.
“Çështja e vonesave është totalisht në kundërshtim me ligjin. Procesi i dëmshpërblimit duhej të kishte përfunduar shumë kohë më parë dhe nuk ka përfunduar”, tha Kapri për BIRN.
“Ideja ishte që në një familje që kishte një anëtar të ekzekutuar, familja e tij do të merrte një shpërblim të barabartë me tetë vjet burg dhe do të merrej në tetë këste. Që do të thotë se do ta merrnin të plotë në tetë vjet. Epo, nga viti 2009 e deri më tani, kanë kaluar gati 14 vjet dhe ka familje të tjera që kanë marrë një, dy ose e shumta tre këste”, shtoi ai.
“Nuk ka fare shpjegim nga Ministria e Financave për këtë, por sigurisht që kjo lidhet me shpjegimin se ‘nuk kemi fonde të mjaftueshme për të përfunduar kompensimin'”, shtoi ai.
BIRN dërgoi një kërkesë në Ministrinë e Financave, duke pyetur për numrin total të të mbijetuarve të kualifikuar për dëmshpërblim dhe sa prej tyre janë kompensuar plotësisht, si dhe për numrin total të trashëgimtarëve të viktimave që janë kualifikuar për dëmshpërblim dhe janë kompensuar plotësisht. Ministria nuk u përgjigj.

“Nuk ka vullnet politik”
Si Kapri ashtu edhe Liço besojnë se autoritetet nuk janë të përkushtuara për të kompensuar plotësisht familjet e viktimave.
“Unë mendoj se kjo vonesë e jashtëzakonshme në të ashtuquajturin kompensim për viktimat e komunizmit është kryesisht për shkak të mungesës së vullnetit politik”, tha Liço.
“Edhe kur është bërë diçka, ndonjë përmirësim, apo kur ka pasur ndonjë nismë për të përshpejtuar diçka, ka qenë për ndikim elektoral dhe përfitime politike. Dhe rezultatet aktuale kanë qenë shumë pak të prekshme ose nuk kanë qenë fare të prekshme”, shtoi ajo.
Hapi i vetëm i madh drejt përmbushjes së premtimeve të bëra në legjislacion u hodh në vitin 2018, kur qeveria e kryeministrit Edi Rama vendosi të paguajë me një këst paratë e mbetura të dëmshpërblimit për viktimat e mbijetuara të burgjeve të epokës komuniste.
“E vetmja gjë që finalizoi qeveria Rama disa vite më parë ishte se kushdo që ishte gjallë dhe kishte qenë në burg, rreth 3000 persona, morën dëmshpërblimin e plotë. Por kategoritë e tjera (të afërmit e të burgosurve) nuk e kanë marrë atë. Pra është shkelur ligji”, tha Kapri.
“Procesi duhej të kishte përfunduar në tetë vjet dhe ende po vazhdon dhe nuk dihet se kur do të përfundojë.”