Pushtimi i plotë i Rusisë në Ukrainë më 24 shkurt 2022 ndryshoi gjithçka për Ukrainën, për Evropën dhe për politikën globale. Bota hyri në një epokë të re rivaliteti të fuqive të mëdha, në të cilën lufta nuk mund të përjashtohej më. Përveç viktimave të menjëhershme, agresioni rus shqetësoi më shumë Evropën. Një fuqi e madhe që kërkon të shuajë me forcë një vend më të vogël të pavarur, sfidon parimet thelbësore mbi të cilat është organizuar për dekada me radhë rendi evropian i shteteve.
Lufta e presidentit rus Vladimir Putin është në kontrast të plotë me vetëshpërbërjen e Traktatit të Varshavës dhe Bashkimit Sovjetik, i cili ndodhi në një mënyrë kryesisht jo të dhunshme. Që nga “mrekullia Gorbachev” – kur Bashkimi Sovjetik filloi të ndiqte reformat liberalizuese në vitet 1980 – evropianët kishin filluar të imagjinonin se vizioni i Immanuel Kant-it për paqen e përhershme në kontinent mund të ishte i mundur. Por nuk ishte.
Problemi ishte se interpretimi i shumë elitave ruse për ngjarjet globale të rëndësishme të fundit të viteve 1980 nuk mund të ishte më shumë ndryshe nga ideja e Kant-it. Ata e shikonin rënien e perandorisë së madhe ruse (të cilën sovjetikët e kishin rikrijuar) si një disfatë shkatërruese. Megjithëse nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të pranonin poshtërimin, ata i thanë vetes se do ta bënin këtë vetëm përkohësisht derisa ekuilibri i fuqisë të ndryshonte. Atëherë mund të fillonte rishikimi i madh historik.
Kështu, sulmi i vitit 2022 ndaj Ukrainës duhet të shihet si thjesht më ambiciozi nga luftërat revizioniste që Rusia ka bërë që kur Putini erdhi në pushtet. Mund të presim shumë më tepër, sidomos nëse Donald Trump kthehet në Shtëpinë e Bardhë dhe tërheq Shtetet e Bashkuara nga NATO-ja.
Por lufta e fundit e Putinit jo vetëm që ndryshoi rregullat e bashkëjetesës në kontinentin evropian, por gjithashtu ndryshoi edhe rendin global. Duke nxitur një rimilitarizimin gjithëpërfshirës të politikës së jashtme, lufta, me sa duket, na ka kthyer në një kohë, thellë në shekullin e njëzetë, kur luftërat pushtuese ishin një element kryesor i mjeteve të fuqisë së madhe.
Edhe gjatë Luftës së Ftohtë, nuk kishte rrezik për një “Sarajevë të re” – fitili politik që nisi Luftën e Parë Botërore – sepse ngërçi midis dy superfuqive bërthamore nënshtronte të gjitha interesat, ideologjitë dhe konfliktet e tjera politike. Ajo që kishte rëndësi ishin pretendimet e vetë superfuqive për pushtet dhe stabilitet brenda territoreve që ata kontrollonin. Rreziku i një lufte tjetër botërore ishte zëvendësuar nga rreziku i shkatërrimit reciprok, i cili funksiononte si një stabilizues automatik brenda sistemit bipolar të Luftës së Ftohtë.
Pas luftës së Putinit ndaj Ukrainës qëndron qëllimi neo-perandorak që ndajnë shumë elita ruse: ta bëjnë Rusinë sërish të madhe duke përmbysur rezultatet e shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Më 8 dhjetor 1991, presidentët e Rusisë, Bjellorusisë dhe Ukrainës u takuan në Parkun Kombëtar Bialowieza dhe ranë dakord për ta shpërbërë Bashkimin Sovjetik, duke e reduktuar një “superfuqi” në një fuqi rajonale (megjithëse ende të armatosur me armë bërthamore) në formën e Federatës Ruse.
Jo, Putini nuk dëshiron të ringjallë Bashkimin Sovjetik komunist. Elita e sotme ruse e di se sistemi sovjetik nuk do të mund të mbështetej. Putini ka përqafuar autokracinë, oligarkinë dhe perandorinë për të rikthyer statusin e Rusisë si fuqi globale, por ai gjithashtu e di se Rusisë i mungojnë parakushtet ekonomike dhe teknologjike për ta arritur vetë këtë objektiv.
Nga ana e saj, Ukraina dëshiron t'i bashkohet Perëndimit – që do të thotë Bashkimit Evropian dhe komuniteti transatlantik i sigurisë së NATO-s. Nëse kjo do të ndodhte, ndoshta Rusia do ta humbiste përgjithmonë atë dhe përqafimi i saj i vlerave perëndimore do të përbënte një rrezik të madh për regjimin e Putinit. Modernizimi i Ukrainës do t'i shtynte rusët të pyesin se përse sistemi i tyre politik ka dështuar vazhdimisht të arrijë rezultate të ngjashme. Nga perspektiva e “Rusisë së Madhe”, kjo do të komplikonte katastrofën e vitit 1991. Kjo është arsyeja rreziku në Ukrainë është kaq i madh dhe pse është kaq e vështirë të imagjinohet se konflikti mund të përfundojë me një kompromis.
Edhe në rastin e një armëpushimi përgjatë vijës së ngrirë të frontit, as Rusia dhe as Ukraina nuk do të distancohen politikisht nga qëllimet e tyre të vërteta të luftës. Kremlini nuk do të heqë dorë nga pushtimi dhe nënshtrimi i plotë (nëse jo aneksimi) i Ukrainës, dhe Ukraina nuk do të braktisë qëllimin e saj për të çliruar të gjithë territorin e saj (përfshirë Krimenë) dhe për t'u bashkuar me BE-në dhe NATO-n. Prandaj, një armëpushim do të ishte një zgjidhje e përkohshme e paqëndrueshme që përfshin mbrojtjen e një “vije kontrolli” shumë të rrezikshme nga e cila varen liria e Ukrainës dhe siguria e Evropës.
Meqenëse Rusia nuk ka më aftësitë ekonomike, ushtarake dhe teknologjike për të konkurruar për vendin e parë në skenën botërore, opsioni i saj i vetëm është të bëhet një partner i përhershëm, i ri i Kinës, gjë që nënkupton një nënshtrim pothuajse vullnetar ndaj një lloj vasaliteti të dytë mongol. Të mos harrojmë se Rusia i mbijetoi dy sulmeve nga Perëndimi në shekujt e 19-të dhe 20-të, përkatësisht nga Napoleoni dhe Hitleri. Pushtuesit e vetëm që e pushtuan ishin Mongolët në dimrin e 1237-1238. Gjatë gjithë historisë së Rusisë, cenueshmëria e saj në lindje ka pasur pasoja të gjera.
Ndarja kryesore gjeopolitike e shekullit të njëzet e një do të përqendrohet në rivalitetin kino-amerikan. Edhe nëse Rusia do të zërë një pozicion dytësor, ajo do të luajë një rol të rëndësishëm si furnizuese e lëndëve të para dhe – për shkak të ëndrrave të saj për një perandori – si një rrezik i përhershëm i sigurisë. Nëse kjo do të mjaftojë për të kënaqur imazhin që elitat ruse kanë për veten, kjo mbetet një pyetje e hapur.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. The Global Consequences of the War in Ukraine