Pasi bunari në oborrin e tyre u shter në pranverë, puna e parë që duhet ta bëjë Tomisllav Caniq dhe djali i tij, Marko, në mëngjesin e mjegullt të së dielës në fshatin Strezovc, është të mbushin disa shishe dhe një rezervuar uji.
Pasi prej vitesh kanë probleme me furnizimin me ujë për pjesën më të madhe të kohës, ata duhet të trokasin në derën e fqinjit të tyre për të mbushur ca litra ujë. Dy rrënjë speca dhe tri rrënjë domate janë gjithçka që ata kanë arritur të rrisin. Pjesa tjetër e oborrit dhe kopshtit është tharë për shkak të mungesës së ujitjes. Disa kumbulla gjithashtu janë vyshkur.
Tomisllavi, 61 vjeçar, dhe djali i tij Marko, 26 vjeçar, në dekadën e fundit janë serbët e vetëm që jetojnë në Strezovc, pasi disa nga të afërmit e tjerë serbë kanë vdekur dhe të tjerët janë larguar nga fshati.
“Qyshkur më vdiq gruaja gjashtë vjet më parë, jeta është bërë më e vështirë për mua dhe djalin. Por, falë fqinjëve, mund të vazhdojmë tutje, ndonëse po përballemi me vetminë,” thotë ai.
Caniqi punon në minierën lokale në fshat, por djali i tij mezi gjen punë herë pas here, një gjë që ua pamundëson ta zgjidhin problemin e ujit.
Fqinji i tij, Fadil Rama, që është gjithashtu një nga shokët e tij më të mirë, thotë se ndihet në siklet sa herë që “ndalon te Caniqi për një kafe” dhe sheh gjendjen e vështirë me të cilën ai po përballet.
“Kemi jetuar gjithë jetën këtu, pa asnjë problem. Është e turpshme të shohësh se si jeta po bëhet më e vështirë për të dhe për njerëzit e tjerë, veçanërisht për gjeneratën e re që po largohet,” thotë ai.
Rama dhe Caniqi kujtojnë ditët e tyre të fëmijërisë, kur luanin së bashku, shkonin në shkollë dhe e donin jetën e tyre baritore në këtë pjesë malore në lindje të Kosovës.
“Ndonjëherë harronim të ktheheshim në shtëpi nga loja në mal deri në momentin kur dëgjonim zëra që na thërrisnin,” kujton Caniqi. “Pastaj u rritëm, u martuam dhe gjërat nuk ndryshuan shumë, pavarësisht se na u shtuan përgjegjësitë për familjet”.
Zhvillimet politike nuk patën shumë ndikim në jetën e tyre deri në luftën e vitit 1999, kur NATO-ja nisi sulmet ajrore kundër Jugosllavisë, duke detyruar ushtrinë dhe policinë e Slobodan Millosheviqit t’i jepte fund represionit në Kosovë. Gjatë luftës, serbët i dogjën shtëpitë e shqiptarëve dhe pas luftës u dogjën edhe disa nga shtëpitë e serbëve.
Megjithatë, Rama dhe Caniqi nuk e patën të vështirë ta linin pas këtë episod dhune dhe ta vazhdonin miqësinë e tyre. Familjet e tyre janë në fqinjësi për më shumë se pesë dekada në këtë fshat.
Më shumë se dy dekada pas luftës, mes tensioneve të vazhdueshme ndëretnike dhe mosbesimit reciprok, në Kosovë është ende e pazakontë që serbët dhe shqiptarët të jetojnë krah për krah njëri-tjetrit në fqinjësi të mirë.
“Në klimën aktuale përçarëse, është e vështirë për njerëzit e zakonshëm t’i rindërtojnë marrëdhëniet, veçanërisht për gjeneratat e reja që nuk kanë pasur rast t’i shohin komunitetet në Kosovë teksa jetojnë dhe punojnë së bashku,” thotë Milica Radovanoviq nga Iniciativa e Re Sociale me seli në Mitrovicën e Veriut.
“Ishte më mirë më parë”
“Më herët, kishte një atmosferë ndryshe, kishim marrëdhënie më të mira mes nesh. Por gjërat ndryshuan pas luftës”, thotë Lush Tanushaj, kryetar i fshatit të përzier etnikisht, Berkovë, në komunën e Klinës.
Familjet shqiptare dhe serbe ende jetojnë në paqe në Berkovë, por bashkëjetesa e tyre është paralele. Tanushaj thotë se pas luftës nuk është krijuar ndonjë miqësi e madhe mes dy grupeve etnike, pavarësisht dëshirës për marrëdhënie të mira fqinjësore.
“Tani [banorët serbë] janë më të orientuar kah vendeve të tjera me shumicë serbe”, thotë ai. “Për të bërë pazar, për çështje shëndetësore dhe për gjithçka tjetër, ata shkojnë atje”.
Dy gratë, shqiptarja Prena Bekaj dhe serbja Lubinka Banjac jetojnë në këtë fshat të vogël me rreth 30 familje. Bekaj, 63 vjeçare, thotë se ajo dhe fqinja e saj më e afërt Banjac, 61-vjeçare, kanë ruajtur marrëdhënie të ngrohta pavarësisht “kohëve të vështira për të dyja”.
Megjithatë, tani ato e shohin njëra-tjetrën më rrallë. “Ishin kohë të tjera ato kur shiheshim, duke punuar në kopsht apo në fushë. Tani gjërat kanë ndryshuar. Nuk ka më vizita si më parë”, thotë ajo për BIRN.
“Pavarësisht se nuk punonin diku tjetër, përveçse në shtëpi, gratë kishin një jetë më të mirë sociale më parë, por me kalimin e kohës po ndihemi gjithnjë e më të vetmuara”, thotë Bekaj. Pavarësisht se e shohim më pak njëra-tjetrën, “kur takohemi, kemi kaq shumë gjëra për të biseduar”, shton ajo.
Pas luftës në vitin 1999 dhe tërheqjes së forcave serbe, rreth 100 mijë serbë vlerësohet se u larguan nga Kosova që aktualisht ka një popullsi prej rreth 1.8 milionë banorësh.
Banjac u largua nga fshati i saj për në Serbi në vitin 1999 së bashku me familje të tjera serbe nga Berkova. Por, ajo u kthye në shtëpinë e saj të rindërtuar në vitin 2005, por jo edhe gjysma e fqinjëve të dikurshëm serbë.
Duke reflektuar për të kaluarën, Banjac kujton se si lagja e tyre dikur ishte “plot gjallëri”. “Tani ka më pak njerëz, më pak komunikim dhe më shumë vetmi”, thotë ajo për BIRN. “Por, sot është Krishtlindje për fqinjët e mi katolikë dhe unë duhet të shkoj dhe t’i uroj ata”.
Ajo ndjen nostalgji për shkuarën në fshat, duke kujtuar kohën kur ishte “shumë ndryshe”: “Dikur, kishte më shumë fëmijë që luanin së bashku, dhe bënin aq zhurmë. Tashmë një gjë e tillë nuk ndodh fare”, ankohet ajo. “Tani ndodh që për tri apo katër ditë nuk flas me askënd”.
Ekspertët thonë se popullsia serbe e Kosovës po plaket dhe po tkurret. Banjac thotë se personi më i afërt për të është ende fqinja e saj shqiptare, Prena Bekaj: “Ajo vjen për vizitë dhe unë shkoj tek ajo”.
Aleksandar Pavloviq, studiues në Institutin për Filozofi dhe Teori Sociale të Universitetit të Beogradit dhe autor i librit “Shqiptari imagjinar: simbolika e Kosovës dhe figura e shqiptarit në kulturën serbe”, vë në dukje se dinamika e raporteve mes njerëzve të zakonshëm ndryshon dukshëm nga diskursi mbizotërues politik.
“Pavarësisht të kaluarës së hidhur, marrëdhëniet fqinjësore mes shqiptarëve dhe serbëve janë shumë më pozitive sesa perceptohen nga mjedisi politik apo portretizimi mediatik”, thotë Pavloviq.
“Ndarja vjen kryesisht nga fakti se ne, veçanërisht gjenerata e re, nuk e njohim njëri-tjetrin, që do të thotë se mbështetemi në disa perceptime që nuk bazohen në përvojën tonë individuale”, shton ai.
“Njerëzit komunikojnë, por nuk e bëjnë publike”
Për më shumë se një dekadë, Serbia dhe Kosova po vazhdojnë një dialog të ndërmjetësuar nga BE për normalizimin e marrëdhënieve. Por deri më tani, retorika mbizotëruese nacionaliste e të dyja palëve ka qenë e padobishme në zgjidhjen e tensioneve dhe ‘normalizimi’ mbetet ende i largët.
Afërdita Syla, drejtoreshë e organizatës, “Community Building” me seli në Mitrovicë që lehtëson kontaktin mes komuniteteve në qytetin e ndarë etnikisht në veri të Kosovës, thotë se dialogu i ngathët për normalizim “nuk përfshin asgjë që i përmirëson marrëdhëniet ndëretnike”.
Ajo thekson se në kohë më të qeta në vend njerëzit “e takojnë njëri-tjetrin dhe mbajnë kontakte, por këtë nuk e bëjnë publike. Ata komunikojnë më shumë sesa që duan ta shfaqin një gjë të tillë”.
Syla është rritur në Mitrovicë në vitet 1990 kur shqiptarët dhe serbët jetonin më afër njëri-tjetrit. Megjithatë, ajo thotë se “nuk ishte bashkëjetesë”. Pas luftës, qyteti i Mitrovicës u nda etnikisht dhe në vitin 2012 u nda edhe zyrtarisht në dy komuna, Mitrovicën e Jugut dhe atë të Veriut.
Syla, që udhëheq një organizatë me punonjës shqiptarë dhe serbë, thotë se sfidat e bashkëjetesës rrjedhin në radhë të parë nga e kaluara dhe mizoritë e kryera gjatë luftës, duke shtuar se “megjithatë, situata e pasluftës gjithashtu nuk arriti të sigurojë një proces të duhur për ndërtimin e bashkëjetesës”.
“Paqja nuk ekziston vetëm nëse ka mungesë konflikti”, thotë ajo, duke shtuar se “për krijimin e një shteti multietnik, duhet të ketë përpjekje reale politike në rindërtimin e marrëdhënieve ndëretnike”.
Lejla Ramiq-Mesihoviq, udhëheqëse e Departamentit për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Studime Evropiane në Universitetin Ndërkombëtar Burch në Sarajevë, e cila ka studiuar marrëdhëniet ndëretnike pas shpërbërjes së Jugosllavisë, thotë se ka një prirje drejt përkeqësimit në rajon.
“Propaganda në politikën përçarëse dhe tensionet ndëretnike kanë dëshmuar të jenë ndër motorët më efektivë për thellimin e ndarjes mes njerëzve që për shekuj kanë jetuar në fqinjësi të mirë”.
Ajo paralajmëron se po rrënjoset “një dinamikë e raporteve ndëretnike e varur nga klima e përgjithshme politike”.
“Nuk mund ta quaj idilike”
Në Serbi, ku shqiptarët përbëjnë pakicë, marrëdhëniet ndëretnike gjithashtu kanë sfida të mëdha. Sipas regjistrimit të vitit 2022, më shumë se 61,000 shqiptarë jetojnë në Serbi, që përbën 0.9 përqind të popullsisë së Serbisë, ndonëse ka pasur ankesa se autoritetet serbe janë përpjekur ta zvogëlojnë sistematikisht numrin e shtetasve shqiptarë të regjistruar zyrtarisht.
Shumica e shqiptarëve në Serbi jetojnë në Luginën e Preshevës afër Kosovës, përderisa një numër më i vogël shqiptarësh jetojnë në kryeqytet. Në lagjen Beogradi i Ri, Nezir Loshaj është njëri prej tyre. Loshaj, që punon në departamentin e logjistikës në spitalin kryesor të Beogradit, ruan një lidhje të fortë me komunitetin shqiptar në qytet. Pavarësisht se babai i tij u largua nga fshati Gurrakoc në Kosovë në vitin 1962 kur Loshaj ishte vetëm dy vjeç, ai ka arritur të krijojë miqësi me shumë serbë, përfshirë fqinjin e tij Milloradin.
“Për Krishtlindje apo Pashkë Ortodokse jemi gjithmonë të ftuar ta festojmë me familjen e tij. E bëjmë edhe gjatë festave tona [fetare]. Është një lloj respekti”, thotë Loshaj. “Nuk e kemi lejuar politikën apo preferencat tona politike që ta prishin miqësinë që e kemi me njëri-tjetrin,” shton ai.
Ai i kujton kohët e vështira të të qenit shqiptar në Beograd, veçanërisht gjatë kapitullit të errët të luftës së viteve 1998-99 në Kosovë.
“Një nga shokët e mi u dëbua me forcë nga banesa e tij dhe unë u kujdesa për të dhe familjen e tij në shtëpinë time,” tregon ai.
Loshaj pranon se të jetuarit në Beograd nuk ka qenë aq lehtë për shkak të përkatësisë së tij etnike. “Nuk mund ta përshkruaj atë si një mjedis idilik, por pavarësisht sfidave, është e mundur të ruhet njerëzia dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore”.
Pesha afatgjatë e mizorive të luftës dhe ndryshimet demografike, që detyroi shumë njerëz të zhvendosen pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 ka krijuar një atmosferë mosbesimi të thellë, një realitet që ka ngurtësuar dhe rrënjosur përditshmërinë mes dy etnive.
Pavloviqi thotë se barra historike vazhdon të ndikojë në të tashmen, megjithatë, shton ai, kjo barrë nuk duhet t’i pengojë njerëzit e zakonshëm që të kultivojnë marrëdhënie normale. “Mendoj se ne kemi shumë më tepër të përbashkëta nga sa e pranojmë zakonisht. Duhet ta çmontojmë këtë frikë dhe mosbesim që lufta ka lënë pas”, thotë Pavloviqi.
Ky artikulli u mbështet nga Heartefact – Programi i Bursave Hulumtuese Kosovë-Serbi.