
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë njoftoi të martën më 22 tetor vendimmarrjen për pushimin e hetimeve për mosdeklarim dhe fshehje pasurie ndaj ish-anëtarit të Gjykatës së Lartë, Admir Thanza. Vendimi është marrë nga gjyqtarja Elsa Ulliri, në përfundim të gjykimit të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, SPAK për pushimin e çështjes së regjistruar në vitin 2021 në ngarkim të Thanzës për veprën penale “Refuzim për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive,…”.
Problemet për Thanzën filluan gjatë procesit të rivlerësimit të kryer ndaj tij. Në përfundim të hetimit administrativ të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, u konkludua se Admir Thanza kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë; kishte fshehur dhurata nga palët që kishte gjykuar; kishte kryer deklarim të rremë në formularin e dekriminalizimit; si dhe kishte kontakte të papërshtatshme.
Në seancën dëgjimore të zhvilluar në KPK më 10 korrik 2018, përfaqësuesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit bëri të ditur se ishte zbuluar një dënim me 40 ditë burg për vjedhje në Itali në vitin 1999, të cilën Thanza nuk e kishte pasqyruar në vetëdeklarim. Vendimi i shkarkimit të Thanzës u gjet i drejtë dhe nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut konstatoi se ka pasur shkelje të procesit të rregullt në vetingun e Thanzës, por vlerësoi se vendimarrja e shkarkimit për shkak të probleme në kriterin e pasurisë, nuk kishte mangësi.







