
Një raport i publikuar të martën nga OJQ-ja Nisma së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, YIHR, në Prishtinë arriti në përfundimin se megjithëse shumica dërrmuese e të rinjve të vendit nuk e kujtojnë luftën e fundit të viteve 1990, “kujtimet e dorës së dytë” të saj ende ndikojnë qëndrimet e tyre ndaj ngjarjeve të një çerek shekulli më parë.
Hulumtimi thekson dallimet në përgjigjet ndërmjet të rinjve shqiptarë dhe serbë të Kosovës për luftën, ndjekjen penale të krimeve të luftës dhe rolin e të rinjve në marrëveshjet e pajtimit dhe paqes.
Hulumtimi, “Qëndrimet e të rinjve ndaj luftës dhe krimeve të luftës në Kosovë”, fokusohet në impaktin e kujtesës së luftës në Kosovë, duke shqyrtuar ndikimin e saj në perspektivat politike, rajonale dhe gjinore nëpër grupe të ndryshme etnike dhe kategori sociale.
Ai eksploron se si ndryshojnë këto qëndrime, bazuar në faktorë të tillë si mosha, gjinia, statusi socio-ekonomik, përkatësia etnike, lloji i vendbanimit dhe përkatësia rajonale.
“Raporti tregon se trashëgimia e luftës ende prek gjeneratat e reja, ata që nuk e kanë përjetuar luftën, por që bartin barrën e saj përmes asaj që ne e quajmë ‘kujtesë të dorës së dytë’”, tha Marigona Shabiu, drejtoreshë ekzekutive e YIHR në Kosovë.
“Ky studim ofron një analizë të thellë mbi mënyrën se si të rinjtë e Kosovës i shohin krimet e luftës, marrëdhëniet ndëretnike dhe rolin e drejtësisë”, shtoi ajo.
Bekim Baliqi, profesor i Universitetit të Prishtinës dhe autor i raportit, tha se të anketuarit në studim përfshinin të rinj të moshës 18-30 vjeç nga të gjitha komunitetet e Kosovës.
“Shumica e të rinjve konsiderojnë se kanë informacion të përgjithshëm për të kaluarën dhe kjo ishte e rëndësishme për ne… Por siç mund ta shihni, shumica e tyre janë të informuar nga familjet e tyre dhe mjedisi familjar, por edhe nga burime online duke përfshirë media”, tha Baliqi.
Raporti thotë se pikëpamjet kontradiktore të luftës dhe kujtesës së luftës kanë ndikime të ndryshme në shoqëri dhe “mund të çojnë në ndarje midis grupeve etnike dhe viktimizimin”.
“Ai gjithashtu mund të paraqesë sfida për përpjekjet për demokratizim, pajtim dhe për përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike. Brezat e rinj janë veçanërisht të prekur nga tregimet e njëanshme të luftës dhe krimeve të luftës, të cilat ata i hasin përmes mjeteve të ndryshme si tregimet, memorialet, rrjetet sociale dhe librat shkollorë të historisë”, thekson raporti.
Ai gjithashtu thotë se të lindurit në Kosovë në fund të viteve 1990 dhe në fillim të viteve 2000 janë veçanërisht të ndikuar nga lufta në mënyra të ndryshme dhe perspektivat e tyre formësohen jo vetëm nga përkujtimi dhe tregimet publike, por edhe nga përvojat dhe kujtimet familjare.
“Këto rrëfime të ngjarjeve të dhunshme të së kaluarës kanë një efekt të dyfishtë te brezat e rinj: ato përforcojnë ndjenjat etnike dhe qëndrimet politike dhe provokojnë mosbesim ndaj grupeve të tjera etnike. Si rezultat, bëhet shumë sfiduese trajtimi i duhur i mizorive masive dhe krimeve të luftës, si dhe arritja e drejtësisë tranzicionale, pajtimit dhe ndërtimit të paqes”, thuhet në raport.
Hulumtimi rekomandon autoritetet e Kosovës që të zhvillojnë një strategji gjithëpërfshirëse për politikën e kujtesës, duke u fokusuar në ngjarjet dhe përvojat e lidhura me luftën, dhe të inkorporojnë programe arsimore më gjithëpërfshirëse dhe të bazuara në fakte në shkolla dhe universitete për të garantuar që studentët të kenë një kuptim më të mirë të luftës.







