
Një regjistrim prone që ndodhet në Gjirin e Lalzit në Durrës në vitin 2016, me dokumente të dyshuara false ka qenë në qendër të një hetimi nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Policinë e Durrësit. Pas një hetimi gati një vjeçar nga ky seksion, Policia e Durrësit finalizoi operacionin policor të koduar “Roli” dhe arrestoi Ardian Konan, 52 vjeç, ish-drejtues në ASHK Durrës. Kona akuzohet për veprën penale “Shpërdorim të detyrës”, kryer në bashkëpunim”.
Masa e sigurisë mësohet se i është caktuar nga Gjykata e Durrësit, më datë 19 nëntor, ndërsa Kona është arrestuar duke dalë nga banesa e tij në qytetin e Durrësit.
Drejtoria Vendore Durrës tha se shërbimet e saj kanë shpallur në kërkim Bledar Zerba, 42 vjeç, ish- jurist i Kadastrës, Leonard Dervishi, 34 vjeç, ish specialist i saj, për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, kryer në bashkëpunim.
Në kërkim u shpall dhe shtetasi me inicialet A. D, banues në Tiranë, i cili dyshohet se është personi që ka përfituar nga regjistrimi i pronës, që akuzohet për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, kryer në bashkëpunim dhe “Falsifikim i dokumenteve”.
Hetimet në lidhje me këtë çështje kanë filluar nga një denoncim i bërë në organin e akuzës në Durrës rreth një vit më parë, ndërsa Kona në kohën që është regjistruar prona, ka qenë drejtor i komanduar i Kadastrës.
Sëbashku me dy punonjësit e tjerë juristin dhe regjistruesin ish-drejtori dyshohet se duke shpërdoruar detyrën ka regjistruar një sipërfaqe të konsideruar toke që ndodhet në një nga zonat më të lakmuara. Nuk është hera e parë që Kadastra e Durrësit vihet në qendër të hetimeve për falsifikime me qëllim regjistrimin e pronave.







