
Presidenti amerikan Donald Trump ka hedhur dyshime serioze për të ardhmen e rendit ndërkombëtar të pasluftës. Në fjalimet e fundit dhe votimet e Kombeve të Bashkuara, administrata e tij ka mbajtur anën e Rusisë, një agresor që nisi një luftë pushtuese kundër fqinjit të saj paqësor, Ukrainës. Kërcënimet e tij me tarifa të larta kanë ngritur pikëpyetje rreth aleancave të gjata dhe të ardhmes së sistemit tregtar global, dhe tërheqja e tij nga Marrëveshja e Parisit për Klimën dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dëmtuar bashkëpunimin mbi kërcënimet transnacionale.
Perspektiva e një Amerike tërësisht të paangazhuar dhe të fokusuar te vetja ka implikime shqetësuese për rendin botëror. Është e lehtë të imagjinosh Rusinë duke përfituar nga situata në përpjekje për të dominuar Evropën përmes ushtrimit ose kërcënimit të forcës. Evropa do të duhet të tregojë unitet më të madh dhe të sigurojë mbrojtjen e saj, edhe nëse mbështetja e SHBA-së do të mbetet e rëndësishme. Po kështu, është e lehtë të imagjinosh Kinën që afirmohet më shumë në Azi, ku kërkon hapur dominimin mbi fqinjët e saj. Ata fqinjë me siguri do të kenë mbajtur shënime.
Në fakt, të gjitha vendet do të preken, sepse marrëdhëniet midis shteteve dhe aktorëve të tjerë të mëdhenj transnacionalë janë të ndërlidhura. Një rend ndërkombëtar mbështetet në një shpërndarje të qëndrueshme të pushtetit ndërmjet shteteve; norma që ndikojnë dhe legjitimojnë sjelljen; dhe institucione të përbashkëta. Një rend i caktuar ndërkombëtar mund të evoluojë gradualisht pa çuar në një ndryshim të qartë paradigme. Por nëse politika e brendshme e pushtetit ndryshon shumë rrënjësisht, asgjë s’është më e sigurt.
Duke qenë se marrëdhëniet midis shteteve ndryshojnë natyrshëm me kalimin e kohës, rendi është çështje shkalle. Përpara sistemit modern shtetëror, rendi shpesh imponohej me forcë dhe pushtim, duke marrë formën e perandorive rajonale si Kina dhe Roma (ndër shumë të tjera). Ndryshimet në luftë dhe paqe midis perandorive të fuqishme ishin më shumë çështje gjeografike sesa normash dhe institucionesh. Për shkak se ato ishin të afërta, Roma dhe Parthia (zona rreth Iranit të sotëm) ndonjëherë luftonin, ndërsa Roma, Kina dhe perandoritë mezoamerikane nuk luftonin.
Vetë perandoritë vareshin nga fuqia e fortë dhe e butë. Kina mbahej e bashkuar nga norma të forta të përbashkëta, institucione politike shumë të zhvilluara dhe përfitime reciproke ekonomike. Po ashtu edhe Roma, veçanërisht Republika. Evropa post-romake kishte institucione dhe norma në formën e papatit dhe monarkive dinastike, që nënkuptonte se territoret shpesh ndryshonin qeverisjen përmes martesës dhe aleancave familjare, pavarësisht nga dëshirat e njerëzve. Luftërat shpesh motivoheshin nga elemente dinastike, megjithëse shekujt XVI dhe XVII sollën luftëra të lindura nga entuziazmi fetar dhe ambicia gjeopolitike, për shkak të rritjes së protestantizmit, ndarjeve brenda Kishës Katolike Romake dhe rritjes së konkurrencës ndërshtetërore.
Në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë, Revolucioni Francez prishi normat monarkike dhe kufizimet tradicionale që kishin mbështetur prej kohësh ekuilibrin evropian të fuqisë. Megjithëse kërkimi i një perandorie nga ana e Napoleonit përfundimisht dështoi pas tërheqjes së tij nga Moska, ushtritë e tij fshinë shumë kufij territorialë dhe krijuan shtete të reja, duke çuar në përpjekjet e para të qëllimshme për të krijuar një sistem shtetëror modern, në Kongresin e Vjenës 1815.
“Koncerti i Evropës” pas Vjenës pësoi një sërë tronditjesh gjatë dekadave në vijim, veçanërisht në vitin 1848, kur revolucionet nacionaliste përfshinë kontinentin. Pas këtyre trazirave, Otto von Bismarck nisi luftëra të ndryshme për të bashkuar Gjermaninë, e cila mori një pozicion qendror të fuqishëm në rajon, pasqyruar në Kongresin e Berlinit të 1878-ës. Nëpërmjet aleancës së tij me Rusinë, Bismarku prodhoi një rend të qëndrueshëm derisa Kaiseri e pushoi atë në 1890.
Më pas erdhi Lufta e Parë Botërore, e cila u pasua nga Traktati i Versajës dhe Lidhja e Kombeve, dështimi i së cilës hapi terrenin për Luftën e Dytë Botërore. Krijimi i mëvonshëm i Kombeve të Bashkuara dhe institucioneve të Bretton Ëoods (Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe pararendësi i Organizatës Botërore të Tregtisë) shënoi episodin më të rëndësishëm të ndërtimit të institucioneve të shekullit të njëzetë. Meqenëse SHBA-ja ishte lojtari dominues, epoka e pas vitit 1945 u bë e njohur si “Shekulli Amerikan”. Fundi i Luftës së Ftohtë në 1991 prodhoi më pas një shpërndarje unipolare të pushtetit, duke lejuar krijimin ose forcimin e institucioneve të tilla si OBT-ja, Gjykata Ndërkombëtare Penale dhe Marrëveshja e Parisit për Klimën.
Edhe para Trump, disa analistë besonin se këtij rendi amerikan po i vinte fundi. Shekulli i njëzet e një kishte sjellë një ndryshim tjetër në shpërndarjen e pushtetit, i përshkruar zakonisht si ngritja (ose më saktë, rimëkëmbja) e Azisë. Ndërsa Azia kishte zënë pjesën më të madhe të ekonomisë botërore në 1800, ajo ra pas Revolucionit Industrial në Perëndim. Dhe si rajone të tjera, ajo vuajti nga imperializmi i ri që kishin bërë të mundur teknologjitë perëndimore ushtarake dhe të komunikimit.
Tani, Azia po i rikthehet statusit të saj si burimi kryesor i prodhimit ekonomik global. Por fitimet e saj të fundit kanë ardhur më shumë në kurriz të Evropës sesa të SHBA-së. Në vend që të bjerë, SHBA-ja përfaqëson ende një të katërtën e PBB-së globale, siç ishte në vitet 1970. Ndërsa Kina e ka tkurrur në mënyrë të konsiderueshme epërsinë e SHBA-së, ajo nuk e ka tejkaluar SHBA-në ekonomikisht, ushtarakisht ose në aspektin e aleancave të saj.
Nëse rendi ndërkombëtar po gërryhet, politika e brendshme e Amerikës është po aq shkak për këtë gjë sa edhe ngritja e Kinës. Pyetja është nëse po hyjmë në një periudhë krejtësisht të re të rënies amerikane, apo nëse sulmet e administratës së dytë Trump ndaj institucioneve dhe aleancave të Shekullit Amerikan do të rezultojnë të jenë një tjetër ndërprerje ciklike. Këtë mund të mos e dimë deri në vitin 2029.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. The Future of world Order







