
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar njoftoi të mërkurën më 5 mars deklarimin fajtor të ish-gjyqtarit Ilir Pashaj për veprat penale të korrupsionit e fshehje pasurie, si dhe dënimin e tij në total me 5 vjet heqje lirie. Në aplikim të gjykimit të shkurtuar, Pashaj është dënuar përfundimisht me 3 vjet e 4 muaj burgim. Po ashtu, është caktuar dhe dënimi plotësues që të mos ushtrojë funksione publike për 5 vjet. Vendimi është marrë nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Bib Ndreca, Paulin Çera dhe Artan Jahollari.
Ky është dënimi i dytë për korrupsion i ish-gjyqtarit Ilir Pashaj. Në janar 2024, Pashaj u dënua me vendim të formës së prerë me 1.4 vjet burg për veprën penale të korrupsionit aktiv, dënim i cili u shlye me kohën e paraburgimit. Por SPAK ngriti akuzua të reja ndaj tij, duke e akuzuar për kurrupsion e fshehje të pasurisë. Sipas prokurorisë, Pashaj ka konsumuar të paktën një herë veprën penale të korrupsionit gjatë kohës që ushtronte detyrën e gjyqtarit, si dhe u akuzua se pasuritë e përfituara nuk i ka deklaruar në përputhje me ligjin, por i ka fshehur në emër të familjarëve të tij.
SPAK identifikoi dhe sekuestroi një automjet dhe një apartament në qytetin e Elbasanit, pasuri që u konfiskuan me vendimin e fundit të gjykatës ndaj Pashajt.
Ilir Pashaj është një nga gjyqtarët që u largua me dorëheqje në vitin 2017 nga sistemi i drejtësisë, përpara se të niste procesi i vetingut. Ai punoi më vonë si avokat, por në korrik të vitit 2022 u arrestua si i impikuar në një çështje korrupsioni që përfshiu edhe gjyqtaren Zamira Vyshka.







