
Ramadan Nishori theu heshtjen rreth abuzimit seksual të viktimave meshkuj gjatë luftës së Kosovës në vitet 1998-1999 të hënën, duke u bërë thirrje të mbijetuarve të mos kenë turp sepse “turpi nuk është i yni, turpi është i atyre (i autorëve)”.
“Unë jam një burrë, një baba i tre fëmijëve që po përpiqem të jetoj një jetë normale”, tha Nishori në qendrën komunitare Kino Armata në kryeqytet, Prishtinë, më 14 prill – Dita Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale të Luftës në Kosovë.
” Unë sot dua që njerëzit të më shohin si një njeri që kam kaluar nëpër shumë gjëra, jam munduar shumë. Dua që ata të më shohin me respekt si një person që luftoi për të mbijetuar. Kam rënë shumë herë dhe jam ngritur përsëri”, tha ai, duke shtuar se kishte folur “në mënyrë që të mos mbetem rob i së kaluarës”.
Nishori tha se ishte 21 vjeç në shtator 1998 kur ai dhe burra të tjerë shqiptarë të Kosovës u urdhëruan të shkonin në stacionin e policisë në qytetin e Drenasit nga forcat serbe.
Ai tha se burrat u rrahën teksa hynë në stacionin e policisë dhe më vonë iu desh të prisnin në një korridor për t’iu nënshtruar një testi parafine – për të zbuluar mbetje baruti në duart e tyre.
” Duke prit në korridor, kah u enshin policia, na sillshin, kanë ardhë dy policë në uniforma, m’kanë kap për krahësh, m’kanë ngrehë zhag e m’kanë shti në një banjo dhe aty ndodhi me e keqja, më e keqja që mund t’i ndodhë një njeriut”, tha Nishori.
“Nuk e mendoja kurrë se do të më ndodhte mua. Njani më dhunoi dhe duke u përgatit i dyti për dhunë, nga britmat e mia, një burrq shqiptar (një përkthyes në stacionin e policisë) i ka rënë derës u hy brenda dhe m’ka nxjerrë prej aty”, shtoi ai.
Të nesërmen, ai u transferua në burg në Prishtinë, ku do të vuante keqtrajtime për muaj të tërë para se të dërgohej në burgun e Lipjanit dhe përfundimisht në burgun e Dubravës.
Ai gjithashtu dëshmoi masakrën e burgut të Dubravës, nga 19 deri më 24 maji 1999, ku më shumë se 100 të burgosur shqiptarë etnikë u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën.
Nishori tha se, në atë kohë, “vdekja do të kishte qenë paqe”.
Vetëm në vitin 2018, kur Vasfije Krasniqi Goodman u bë gruaja e parë që foli publikisht për mbijetesën e abuzimit seksual gjatë luftës në Kosovë, Nishori foli me dikë për atë që i ndodhi. Ai kontaktoi Krasniqi Goodman dhe më pas shkoi në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës për të marrë mbështetje psikologjike.
Ai shpjegoi se ndihej në gjendje të fliste vetëm për shkak të mbështetjes së familjes së tij. Gruaja e tij kishte treguar menjëherë mbështetjen e saj, ndërsa e bija i tha se ajo tashmë e dinte se çfarë kishte ndodhur, pasi ai i tregoi një letër që konfirmonte statusin e tij si viktimë e abuzimit seksual gjatë luftës.
Stigma rreth abuzimit seksual gjatë luftës ende ekziston në shoqërinë e Kosovës dhe të mbijetuarit shpesh vuajnë nga dhuna në familje, ose refuzohen nga anëtarët e ngushtë të familjes, ose nuk flasin me askënd për atë që kanë përjetuar nga frika e pasojave.
Qeveria e Kosovës ka zgjatur mandatin e komisionit të saj për verifikimin e viktimave të abuzimit seksual gjatë luftës deri më 15 maj 2028 dhe afatin për dorëzimin e aplikimeve deri më 15 maj 2027. Ndërsa të mbijetuarit dhe grupet e shoqërisë civile e mirëpritën këtë veprim, ata kanë bërë thirrje që afatet të hiqen tërësisht.
Në një diskutim në Reporting House të BIRN në Prishtinë, duke prezantimit të fushatës “Trauma Nuk Ka Afat”, të mbështetur nga ambasada britanike në Prishtinë dhe BIRN, të mbijetuarit e abuzimit seksual gjatë luftës dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile që punojnë me ta kërkuan një qasje më respektuese ndaj të mbijetuarve nga institucionet, dhe veçanërisht nga komisioni qeveritar i verifikimit.
Komisioni ka refuzuar mbi 300 nga më shumë se 2,000 aplikime. Gjykata e Apelit e Kosovës ka rrëzuar vendimet për të mos njohur statusin e një viktime të paktën tre herë.
Krasniqi Goodman tha në diskutim se “viktimat duhet të trajtohen me dinjitet dhe respekt”, duke bërë thirrje për një organ që të mbikëqyrë punën e komisionit, pasi trauma e përjetuar nga viktimat nuk merret gjithmonë parasysh dhe ato mund të ndihen sikur po gjykohen ose hetohen.
Shyhrete Tahiri u ofrua vullnetare për t’u bërë anëtare e komisionit, duke thënë se puna e tij do të përmirësohej nëse një e mbijetuar do të ishte pjesë e tij.
Mirlinda Sada, drejtoreshë ekzekutive e OJQ-së Medica Gjakova, e cila mbron të mbijetuarit e abuzimit seksual gjatë luftës në Kosovë, bëri thirrje për “pa afate”, në mënyrë që më shumë të mbijetuar të mund të paraqiten, kurdo që të jenë gati.







