
Një punëtor me profesion mekanik u aksidentua pasi u gjend në rrezen e një pllake metalike që u shkëput nga lartësia dhe e goditi në pjesën e kurrizit, në repartin energomekanik të uzinës së përpunimit të kromit Albchrome në Elbasan. Albchrome, e administruar prej gati tri vitesh nga një kompani turke, merret me përpunimin e kromit për eksport.
Rudin Meçe, 51 vjeç, rreth mesditës ishte duke punuar me kolegët për ndërrimin e pllakave të copëtuesit të kromit – një proces që kryhet periodikisht – kur një nga agregatët u shkëput dhe e goditi në shpatull. Ai u dërgua menjëherë në spital, ku mori ndihmën mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por dëmtimet që ka pësuar mund të rrezikojnë aftësinë për lëvizje.
Një ditë pas ngjarjes, policia vendosi arrestimin e inxhinierit përgjegjës dhe të inxhinierit mekanik, i cili mbante detyrën e brigadierit të repartit. F. I., 27 vjeç, dhe M. H., 59 vjeç, u ndaluan pasi, sipas veprimeve paraprake hetimore të prokurorisë, akuzohen për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë. Hetimet për ngjarjen janë në vazhdim dhe do të përcaktojnë shkallën e përgjegjësisë së të ndaluarve lidhur me marrjen e masave mbrojtëse kundër aksidenteve dhe nëse ata mbajnë përgjegjësi për ndonjë vepër penale të parashikuar nga ligji.
Ndërkohë, Inspektoriati Rajonal i Punës ka zhvilluar një inspektim të pavarur, duke përpiluar procesverbalin e ngjarjes dhe duke marrë masën urgjente të pezullimit të pjesshëm të punës në repartin ku ndodhi aksidenti. Po ashtu, i është vendosur detyrim punëdhënësit për të riparuar defektet gjatë funksionimit të pajisjeve dhe për të ndaluar përdorimin e metodave të punës që përbëjnë rrezik për shëndetin ose sigurinë e punëmarrësve. Inspektoriati pritet të dalë me një vendim lidhur me masën ndaj këtij subjekti pas vlerësimit përfundimtar të dokumentacionit dhe dëshmive të grumbulluara.
Kompania Albchrome ishte dënuar disa muaj më parë me një gjobë prej 800 mijë lekësh të reja për mossigurimin e kushteve të duhura të punës për punëtorët, pas një inspektimi të kryer nga Inspektoriati i Punës. Aktualisht, kjo kompani punëson rreth 70 punëtorë.







