
Si një vajzë e re që e donte modën, sapo kisha mbushur 20 vjeçe, MTV-ja më magjepsi totalisht që në momentin që e pashë për herë të parë. Kjo ndodhi rreth viteve 1990, kur një antenë satelitore e montuar ilegalisht në çatinë e ndërtesës ku jetoja në Sarajevë solli MTV-në në jetën time. Nuk e dija se MTV-ja do të më ndryshonte jetën.
Midis fundit të viteve ’80 dhe mesit të viteve ’90, MTV-ja ishte diçka revolucionare për shumë evropianë lindorë urbanë të brezit tim. Por për mua, yjet kishin rezervuar diçka jashtëzakonisht të veçantë.
Në këtë periudhë ndryshimesh të mëdha politike në të gjithë Evropën Lindore, MTV-ja u bë kontakti i parë i drejtpërdrejtë me “Perëndimin”. Ky koncept unifikues dhe aspirues përfaqësonte antitezën e regjimit komunist të pangopur, ndërkohë që kapërcente dallimet kulturore.
Në sinkron me bashkëmoshatarët tanë perëndimorë, mund të shihnim videoklipet e këngëve “Vogue” të Madonnës dhe “Freedom ’90” të George Michael sapo ato dilnin. Por ajo që më ndodhi mua u kthye në një lloj legjende urbane në ish-Jugosllavi, kur u lidha me njërin nga djemtë e MTV-së, prezantuesin Paul King.
Kjo lidhje më dha mundësinë të përjetoja një përvojë të rrallë dhe intime pas skenave të MTV-së si fenomen kulturor në atë periudhë historikisht të rëndësishme. E shoqërova Paul-in kur atë e ftonin në qytete të ndryshme të Evropës Lindore.
Këto ngjarje u dhanë audiencave nëpër rajon një përvojë të drejtpërdrejtë me muzikën pop perëndimore. Ishte e qartë se ekzistonte një hendek i madh midis pakicës së privilegjuar, pjesë e së cilës ishim ne, dhe shumicës, për të cilët produktet komerciale perëndimore ishin të paarritshme. Megjithatë, për të rinjtë urbanë e apasionuar pas gjërave cool, MTV-ja përfaqësonte një lloj “valute” shkëmbimi kulturor.
Mania e MTV-së

Shkëlqimi dhe ndikimi i MTV-së u bënë të dukshëm kur unë dhe Paul shkuam në qytetin polak të Gdanskut për edicionin e vitit 1991 të Sopot Music Festival. Festivali kishte në program shumë artistë perëndimorë, por “mania e MTV-së” i tejkaloi pritshmëritë, si të organizatorëve ashtu edhe të vetë Paul-it.
Sapo mbërritëm në vendin e provave me një limuzinë, turma e të rinjve që prisnin jashtë u mblodh me entuziazëm rreth nesh. Makina filloi të dridhej nën shtytjet dhe britmat e fansave. Organizatorët, të papërgatitur këtë lloj vëmendjeje, u shqetësuan disi nga një reagim i tillë. Ata kishin parashikuar që dyshja e muzikës pop për adoleshentë, Bros, do të shkaktonte një situatë të tillë, ndaj u kishin siguruar katër roje sigurie. Por, në vend të tyre, vëmendja e publikut u përqendrua te fytyra e MTV-së – Paul King.
Gjatë provave, mjaftoi që Paul të dilte në skenë për të inspektuar ambientin dhe publiku shpërtheu në duartrokitje spontane. Madje, gjatë hapjes së një ekspozite të një piktori të njohur polak, e cila përkonte me festivalin, artisti e zgjodhi Paul-in si të ftuarin e tij të nderit dhe i ofroi një pikturë sipas zgjedhjes së tij.
Dorëzimi i tablosë, me dedikim të firmosur, u filmua nga një ekip televiziv polak. Dhe kur menduam se entuziazmi për MTV-në s’mund të bëhej më i çuditshëm, ndodhi diçka krejtësisht surreale: patëm një aksident me makinë (fatmirësisht, pa pasoja serioze, por mjaft i pakëndshëm). Megjithatë, sapo shoferi që na përplasi kuptoi se kë kishte goditur, ai i kërkoi Paul-it një autograf!
Një takim i shkurtër me Putin-in
Në Rusi, gjithçka ishte më e politizuar. Atje, MTV-ja u bë një nga burimet e para të disponueshme të kulturës popullore pa censurë komuniste në një kohë kur po ndodhte një “revolucion ekrani”.
Në mars të vitit 1991, MTV-ja njoftoi se do të ishte kanali i parë jo-sovjetik që do të transmetohej 24 orë në ditë në Rusi në Rrjetin e Televizionit Kabllor të Leningradit. Vendimi për të transmetuar MTV atje pasoi një periudhë prove gjatë vitit 1990 kur MTV-ja bëri debutimin e saj në të gjithë Bashkimin Sovjetik në një format të shkurtuar me një shfaqje javore njëorëshe të shkëputur nga dy programe të MTV-së. Ora e MTV-së transmetohej si pjesë e një programi popullor për të rinj, “Vzgyad” (“Perspektivë”).
Mbështetësit e reformës si Anatoly Sobchak – kryetari i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike i Leningradit (i cili u rikthye në emrin e tij origjinal të Shën Petersburgut pas një referendumi në vitin 1991 për të hedhur poshtë konotacionin sovjetik) u bënë heronj kombëtarë. Kur MTV-ja bëri debutimin e saj në ekranet televizive lokale, ajo u përvetësua nga kjo kauzë revolucionare.
Drejtuesit e qytetit në Shën Petersburg e krahasuan lançimin e MTV-së me ditët kur Pjetri i Madh e hapi Rusinë ndaj ndikimeve perëndimore. Kanali u lavdërua si një mënyrë që rusët të mësonin rreth kulturës perëndimore, ndërsa përdorimi i anglishtes në kanal funksiononte si një lloj garancie e autenticitetit “jo-ruso-sovjetik”.
Muzika nga Perëndimi ishte e lidhur ngushtë me një shprehje të fuqishme mospajtimi në Evropën Lindore. Prandaj, kishte kuptim që kryetari i bashkisë së Shën Petersburgut, Anatoly Sobchak, në rolin e tij si patron i festivalit muzikor “Netët e Bardha të Shën Petersburgut” në qershor 1992, të kishte dashur të shihej me një VJ të MTV-së, për të forcuar imazhin e tij si hero i reformës.
Zëvendësi i Sobchakut dhe kreu i Komitetit të Marrëdhënieve të Jashtme të qytetit ishte njëfarë Vladimir Putin. I njohur si protezhe i Sobchak-ut, kjo marrëdhënie profesionale mendohet të ketë qenë thelbësore në nisjen e karrierës politike të Putin-it. Sa shumë do të doja të kujtoja më shumë nga biseda jonë!
Ajo që mbaj mend është sa sa në siklet u ndjeva në një nga pritket zyrtare, me bollëk havjari dhe alkooli në një qytet që ishte krejtësisht bosh për sa i përket furnizimeve bazike. Nuk kishte dyqane, përveç nëse të çonin në ndonjë rrugicë të fshehtë. Një makinë ndalonte në rrugë, hapej bagazhi dhe formohej një radhë njerëzish për të marrë çfarëdolloj ushqimi që mund të gjendej.
Në hotelin ku qëndronim ne, si perëndimorë, kishte më shumë eskorta të reja sesa klientë, vajza të reja që përpiqeshin të fitonin një dollar duke shitur rininë e tyre nga dëshpërimi. Në një atmosferë të tillë, pjesëmarrja në eventin tjetër – këtë herë në një anije të ankoruar diku në brigjet e Rusisë, drejt Finlandës – nuk dukej e drejtë.
Në vend të kësaj, u përfshimë në një skenë artistike underground. Edhe ata ishin të apasionuar pas MTV-së, por për prestigjin e saj kulturor. Gjatë asaj periudhe të shkurtër kur institucionet e vjetra të pushtetit ende nuk ishin zëvendësuar nga të rejat, ishte e mundur të jetoje në ndërtesa që ishin boshatisur më parë për t’u rinovuar, por që për një kohë të shkurtër ishin harruar nga autoritetet.
Teksa ngjiteshim drejt njërës prej këtyre ndërtesave, mbaj mend që më thanë se po ngjiteshim në shkallët që frymëzuan një skenë të romanit “Krim dhe Ndëshkim” të Fyodor Dostoesvky-t. Një tjetër vend i frekuentuar ishte Fontanka 145 – vendlindja mitike e kulturës rave ruse.
Trillimi dhe miti urban u ndërthurën kur u bëmë miq me një princeshë të vërtetë. Katya Galitzine, vajza e Princit George Galitzine dhe pasardhëse e drejtpërdrejtë e Katerinës së Madhe, ishte zhvendosur në Shën Petersburg nga Anglia për t’u rilidhur me trashëgiminë e saj.
Të entuziazmuar në Hungari

Edhe pse pothuajse nuk u vu re në Britani, kalimi i prezantuesit të MTV-së, Paul King, në kanalin e ri simotër VH-1 – i cili synonte një audiencë më të rritur – u trajtua si një lajm i madh në Hungari.
Në Budapest, në shtator të vitit 1994, ajo që në Evropën Perëndimore do të ishte konsideruar një ngjarje e parëndësishme – ardhja e një VJ të MTV-së për festën e përvjetorit të parë të markës së çamçakëzit Trident – u shndërrua në një spektakël të vërtetë mediatik. Televizionet hungareze e mbuluan vizitën si një ngjarje kombëtare, me kronika ditore që raportonin çdo dalje të tij.
Ndërsa promovohej si një festë e kulturës rinore, hyrja në festën e çamçakëzit ishte në mënyrë të habitshme tepër eksluzive. Trident mburrej se ishte “çamçakëzi numër një për të rinjtë”, por pjesëmarrësit kryesorë në këtë festë luksoze në një kështjellë nuk ishin adoleshentë të zakonshëm. Ishin “kostumet”: figura të medias dhe muzikës, elita e biznesit dhe njerëz të brendshëm të politikës. Vetëm një grusht të rinjsh me lidhje të mira arritën një kontakt të shkurtër. Për pjesën tjetër, prania e MTV-së përjetohej kryesisht përmes ekranit të televizionit.
Prezantuesja jonë kryesore ishte Albert Györgyi, një gazetare kozmopolite që fliste rrjedhshëm anglisht dhe që me mjeshtëri ishte pozicionuar si përkthyese hungareze e kulturës mediatike perëndimore. Me ndjeshmëri të fortë ndaj progresit, ajo koreografonte çdo moment për të pasqyruar estetikën e MTV-së dhe për të treguar se Hungaria po ecte me kohën: nga përshëndetja që prezantuesja i bëri VJ-t në pistën e aeroportit me një puthje miqësore, deri te kujdesi që kamerat ta kapnin teksa zbriste nga limuzina, me një pamje tepër të shkujdesur, jo nënshtruese. Fatkeqësisht, ajo ndërroi jetë në vitin 2008.
E fundit, por jo më pak e rëndësishmja, ish-muzikanti punk i kthyer në ministër kulture, Fodor Gábor, organizoi një konferencë për shtyp në një kafene në modë që shihej gjerësisht si një enklavë perëndimore. Kjo ishte një mënyrë për të forcuar narrativën e tij si një udhëheqës i ri, me mendje globale – një vazhdimësi e shpirtit rebel që dikur e kishte shprehur përmes muzikës subkulturore.
Ashtu si për çdo politikan progresist të asaj epoke në Evropën Lindore, MTV-ja nënkuptonte progres. E gjithë përvoja në Budapest ishte shumë më spontane krahasuar me ndërveprimet me zyrtarët rusë. Györgyi dhe Fodor ishin miq dhe ndiheshim sikur edhe ne ishim miqtë e tyre.
Kthimi në Ballkan

Midis viteve 1987 dhe 1997, MTV-ja transmetonte si një kanal i vetëm pan-evropian përpara se të ndahej në versione të lokalizuara. Kanali i parë lokal në Evropën Lindore ishte MTV Polonia në vitin 2000, pasuar nga MTV Rumania në vitin 2002. MTV Adria, i krijuar për të mbuluar vendet e ish-Jugosllavisë, u lançua në shtator të vitit 2005. Gjatë prezantimit, festa kryesore u mbajt në Lubjanë. Grupi kryesor, The Hives, performoi atje dhe më pas u nis me avion për në Zagreb me një numër artistësh vendas që performuan për të treguar se “kjo ishte MTV-ja jonë”.
“Qëllimi ynë kryesor ishte të lokalizonim MTV-në, si nëpërmjet përmbajtjes muzikore ashtu edhe nëpërmjet prodhimit të emisioneve lokale”, kujton Marko Benda, i cili u emërua drejtor i MTV Adria në fund të vitit 2005. “Megjithatë, Jugosllavia kishte kohë që nuk ekzistonte më dhe brezi i ri kishte zhvilluar zakone shumë të ndryshme, gjë që e bënte punën tonë më sfiduese.”
“Meqenëse ishim në pronësi private, për të gjitha investimet duhej të justifikoheshin burimet e të ardhurave, gjë që ishte mjaft e vështirë në tregun e ish-Jugosllavisë për shkak të rritjes së platformave të reja digjitale dhe konkurrencës nga televizionet tradicionale. “MTV-ja, në formën e saj tradicionale, po humbiste ngadalë terren dhe kërkonte ndryshime dhe përshtatje të rëndësishme me epokën digjitale”, më tha Benda. “Në fund, investimi nuk ishte i qëndrueshëm për pronarët dhe ata vendosën t’ia shisnin ekskluzivitetin një grupi tregtar ndërkombëtar, i cili mori përsipër MTV Adria në vitin 2009.
Ndër grupet që luajtën në prezantimin e MTV Adria ishte grupi boshnjak, Dubioza Kolektiv, një nga grupet më të suksesshme ndërkombëtare që doli nga Ballkani. Dubioza mori shumë mbështetje nga MTV Adria nën drejtimin e Bendës. Ata do të vazhdonin të transmetoheshin shumë dhe, madje, edhe të merrnin një çmim MTV Video Music Aëard për performancën “Best Adria”.
Megjithatë, MTV-ja kishte më shumë rëndësi kur ishte MTV Europe. Në atë kohë, një muzikant vendas mundej vetëm të ëndërronte që kënga e tij të luhej në MTV, duke besuar se nëse do ta kishin atë shans, kjo do të ishte një lloj pasaporte për famë globale. Ardhja e MTV Adria ishte një moment pozitiv, por rënia e saj graduale ishte gjithashtu një përvojë e trishtueshme për dashamirësit e muzikës alternative.
“MTV Adria kishtë një farë rëndësie, por vetëm për muzikantët dhe njerëzit në industrinë e muzikës, veçanërisht për adhuruesit e muzikës alternative”, thotë Branko (Brano) Jakubovic, bashkëthemelues i Dubioza. “Mbaj mend që shifrat e shikueshmërisë nuk i afroheshin prodhimeve më të lira të kanaleve muzikore që luanin ‘narodnjaci’ (folk vendas komercial), pavarësisht standardeve të dobëta të prodhimit, ndriçimit të dobët, këndimit me playback dhe imitimit të lëvizjeve të kërcimit karakteristike të atij zhanri.”
Kjo ishte një zile zgjimi për Branon.
“Atëherë e kuptuam se një revolucion kulturor nuk do të ndodhte; se dëshira jonë për të qenë në MTV ishte një ëndërr e kotë dhe se rrjedha kryesore ballkanike do të ishte gjithmonë ajo që kishte qenë”, thotë ai. “Në kohën kur MTV-ja mbërriti në zonën tonë, teknologjia tashmë po lëvizte në një drejtim të ri dhe ne filluam të zbulonim mënyra të reja promovimi.”
YouTube dhe rrjetet sociale ishin kanalet që do ta çonin grupin drejt suksesit ndërkombëtar. Siç e pranoi edhe vetë Brano, kanë kaluar më shumë se dhjetë vjet që kur MTV-ja pati “ndonjë rëndësi” në jetën e grupit, por ai do ta mbajë me dashuri çmimin e tij – “të paktën, mbush raftin e librave”.
E njëjta gjë vlen edhe për mua. Takimi im i fundit me MTV-në ishte në MTV Video Music Aëards në vitin 2017, por kjo ndodhi vetëm sepse ato u mbajtën në Londër, ku jetoj dhe isha e ftuar. Ashtu si Brano, unë ende e ruaj me xhelozi çmimin tim MTV Video Music Aëard – ishte për “rezultatin më të mirë akademik”, krijuar posaçërisht për mua kur përfundova doktoraturën për tezën time rreth MTV-së në vitin 1999.
Por, megjithëse pronari i MTV-së, Paramount, do t’i mbyllë kanalet e tij dikur të dashura evropiane të videove muzikore më 31 dhjetor, kujtimet dhe miqësitë e krijuara ndërsa isha e përfshirë do të mbeten me mua përgjithmonë.
Lida Hujic ishte një prezantuese e njohur për të rinj në Radio Televizionin e Sarajevës në fund të viteve 1980. Ajo përfundoi një doktoraturë rreth MTV-së në Kolegjin Goldsmith, Universiteti i Londrës, më pas punoi si autore, folëse publike, lektore universiteti, kuratore dhe konsulente.
Opinionet e shprehura janë vetëm të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.







