
Masa vjen si pjesë e një operacioni të koordinuar mes Departamentit të Thesarit të SHBA-së dhe qeverisë së Meksikës, në një përpjekje të re për të goditur kanalet financiare që, sipas Uashingtonit, furnizojnë kartelet e drogës.
Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC) njoftoi se ka sanksionuar 27 persona dhe kompani të lidhura me atë që autoritetet e quajnë “Grupi i Krimit të Organizuar Hysa”, ndërsa FinCEN paralajmëroi një masë të veçantë për t’u ndërprerë aksesin në sistemin bankar amerikan dhjetë kazinove meksikane që dyshohet se kanë funksionuar si qendra pastrimi parash.
“SHBA-ja dhe Meksika po punojnë së bashku për të luftuar pastrimin e parave në sektorin e lojërave të fatit në Meksikë,” tha në një deklaratë John K. Hurley, zëvendëssekretar i Thesarit për Kundërterrorizëm dhe Inteligjencë Financiare. “Mesazhi ynë për ata që mbështesin kartelet është i qartë: do të mbahen përgjegjës.”
Sipas Departamentit të Thesarit, Luftar, Arben, Ramiz, Fatos dhe Fabjon Hysa kanë përdorur ndikimin e tyre në biznese të ndryshme në Meksikë – nga kazino dhe restorante te kompani transporti, për të ricikluar fitimet e trafikut të drogës. Zyrtarët amerikanë besojnë se grupi ka operuar me miratimin e kartelit Sinaloa, i cili kontrollon territorin ku këto biznese zhvillonin aktivitetin.
Luftar Hysa, i cili lëviz mes Meksikës dhe Kanadasë dhe është shfaqur shpesh në media si fytyra publike e familjes, dyshohet se ka punuar së bashku me vëllezërit e tij dhe një shtetas amerikan për të kontrabanduar sasi të mëdha parash drejt Shteteve të Bashkuara, ku më pas përdoreshin kompani të frontit për t’i “pastruar” ato. Ai dhe Arben Hysa akuzohen gjithashtu se kanë shfrytëzuar një kompani me bazë në Europë për të kanalizuar fonde të dyshimta në llogaritë e tyre.
Luftari u bë i njohur edhe në Shqipëri, kur një fotografi e bërë publike e tregonte duke hyrë në zyrën e kryeministrit Edi Rama, një takim që ai e ka përshkruar si diskutim për botimin e një libri. Ndryshe, Edi Rama ka pranuar se takim lidhej me nje ivestim potencial në një kazino nga një familje nga Vlora. Ato e kanë prezantuar Luftarin si ‘kushuri me banim në Meksikë,”
Arben Hysa drejton disa kompani në Meksikë që, sipas OFAC, kanë shërbyer si struktura për pastrimin e parave të drogës. Ai dyshohet gjithashtu për rolin në kontrabandimin e parave drejt SHBA-së dhe përdorimin e ambienteve luksoze të kazinove dhe restoranteve, si mekanizma legjitimues për fitimet e trafikut.
Sipas Departamentit të Thesarit, Ramiz Hysa ka qenë i përfshirë në përdorimin e kazinove dhe restoranteve luksoze në Meksikë për të maskuar fitimet e shitjes së narkotikëve, ndërsa Fatos dhe Fabjon Hysa akuzohen për kontrabandim parash dhe menaxhim të fondeve të dyshimta përmes një kompanie të bazuar në Europë.
Në epiqendër të operacioneve të grupit gjendet kompani Entretenimiento Palmero S.A. de C.V., një kompani me bazë në Meksikë dhe e kontrolluar nga Arben Hysa. Sipas dokumenteve të regjistrit tregtar, të cituara nga Departamenti i Thesarit, komisioneri i shoqërisë është shtetasi meksikan Gilberto Lopez Lopez, ndërsa në bordin drejtues figuron edhe Eselda Baku, vajza e Ramiz Hysës, e cila jeton në Meksikë.
Sanksionet e shpallura të enjten kanë për qëllim të ngrijnë asetet e grupit në Shtetet e Bashkuara dhe t’u ndalojnë individëve dhe institucioneve amerikane çdo transaksion me ta. Nëse miratohen plotësisht, masat mund të ndikojnë edhe në institucionet financiare të huaja që bashkëpunojnë me bizneset e familjes Hysa, duke i ekspozuar ato ndaj penaliteteve dytësore në SHBA.
Ky operacion, sipas zyrtarëve amerikanë, synon të krijojë një precedent të ri për goditjen e rrjeteve transnacionale të pastrimit të parave që shtrihen përtej kontinenteve dhe bashkëpunojnë me disa prej organizatave kriminale më të rrezikshme në botë.







