
Prokuroria e Posaçme kërkoi të martën shpalljen fajtore të kryebashkiakes së Roskovecit, Majlinda Bufi, për akuzën e “përdorimit të funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore” dhe dënimin e saj përfundimtar me dy vjet në shërbim prove.
Konkretisht, ndaj Bufit u kërkua dënimi me 1 vit e 6 muaj burg, i cili reduktohet në 1 vit për shkak të gjykimit të shkurtuar, ndërsa ky dënim i fundit u kërkua të pezullohej.
SPAK-u e akuzon Majlinda Bufin se ka përdorur pushtetin që i jepte detyra për të ndikuar në vullnetin e qytetarëve në zgjedhjet e 14 majit 2023.
Sipas prokurorisë, nga hetimet rezulton se Bufi, në detyrën e kryetares së Bashkisë Roskovec, në kundërshtim me ligjin, i ka kërkuar shtetasit me inicialet G.B. që të mos merrte pjesë në votimet për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, si dhe të mos përfshihej në veprimtaritë zgjedhore të partive të tjera politike. Bufi u rikonfirmua si kryetare e Bashkisë Roskovec në këto zgjedhje vendore si kandidate e Partisë Socialiste.
Bufi, e cila drejton bashkinë e Roskovecit prej vitit 2015, ka këmbëngulur se është e pafajshme. Në deklaratat e saj në SPAK, kryebashkiakja shpjegoi se ngjarja ka ndodhur shumë më herët sesa zgjedhjet e 14 majit dhe se nuk bëhet fjalë për kërcënim.
Më herët këtë vit, Edison Memolla, kryetari i Bashkisë së Rrogozhinës, një tjetër kryebashkiak i shumicës socialiste, u gjet fajtor në Apel për korrupsion zgjedhor dhe u dënua me 1 vit burg.







