
Inspektori i Lartë i Drejtësisë, ILD ka filluar hetimin disiplinor ndaj gjyqtares së Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, Irena Gjoka, lidhur me mosdeklarimin prej saj të një dënimi penal të dhënë nga drejtësia greke në vitin 2005. Hetimi ka filluar bazuar në dyshime të arsyeshme për veprime e mosveprime të gjyqtares Gjoka lidhur me mosdeklarimin e këtij dënimi, që janë konsideruar se përbëjnë shkelje disiplinore. Avokatja Adriana Kalaja e cila ka kryer kallëzim penal ndaj Gjokës, si dhe ankesë për fillimin e hetimit disiplinor, publikoi në llogarinë e saj në rrjetin social Facebook, një përgjigje që i është kthyer nga ana ILD-së lidhur me nisjen e procedurës.
Pas një hetimi administrativ të filluar me kërkesë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGJ, që zgjati rreth 20 muaj, Prokuroria e Përgjithshme deklaroi më 20 janar se kishte përfunduar verifikimin e thelluar për pastërtinë e figurës së gjyqtares së Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka, por rezultatin e verifikimit e mbajti të fshehtë. Raporti i prokurorisë u dërgua në KLGJ, por shumica e anëtarëve rrëzuan kërkesën e katër kolegëve për fillimin e procedurës së verifikimit të statusit të gjyqtares Irena Gjoka. Më vonë, një prej anëtarëve të KLGJ-së depozitoi ankesë lidhur me këtë çështje pranë ILD-së.
Nga ana tjetër, Prokuroria e Posaçme, SPAK, regjistroi procedim penal pas një kallëzimi të depozituar nga Adriana Kalaja ndaj gjyqtares Irena Gjoka, për fshehjen nga formulari i vetëdeklarimit të pastërtisë së figurës të një dënimi penal të dhënë nga drejtësia greke për falsifikimin e një pasaporte dhe një vize në mesin e viteve 2000. Sipas SPAK-ut, procedimi është regjistruar për veprën penale të parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal, “falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.
Gjyqtarja Gjoka e ka kaluar më herët procesin e vetingut, pasi KPK nuk gjeti probleme që do të çonin në shkarkimin e saj. Komisioneri Publik fillimisht e ankimoi vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, por gjatë procesit u tërhoq nga ankimi, prej nga mbeti në fuqi konfirmimi.
Akuzat ndaj Gjokës u bënë publike pasi ajo firmosi masat e sigurisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha në lidhje me dosjen “Partizani”. Berisha dhe mbështetësit e tij e kanë akuzuar vazhdimisht Gjokën, duke pretenduar se ajo është në konflikt interesi dhe se ka fshehur të kaluarën e saj, përfshi dënimin penal në Greqi.







